
Kur flitet për riorganizimin e kabineteve qeverisëse, mediat po e paraqesin si “rinovim”, si përpjekje për të përmirësuar performancën dhe për të dhënë energji të re. Por realiteti është më gri, pasi ndryshimet e kabinetit janë si edhe më parë thjesht manovra politike, një fasadë që fsheh mungesën e realizimit të objektivave cilësore dhe zhvendosje e përgjegjësisë nga drejtuesit kryesorë tek ministrat që ndërrohen apo zhvendosen nga një karrike te tjetra.
Përvoja e qeverisë Rama 3 e dëshmoi këtë qartë. Vetëm 67% e programit qeverisës 2021–2025 u realizua sipas Polifakt, ndërsa një e treta e objektivave mbeti pezull, pa progres të prekshëm. Ekonomia dhe infrastruktura, motorët kryesorë të zhvillimit, arritën vetëm 52–56% përmbushje, duke treguar një performancë të ulët. Arsimi dhe shëndetësia shënuan rritje simbolike, shumë larg pritshmërive të qytetarëve dhe justifikimit të shpenzimeve. Në fund të mandatit, u panë përshpejtim artificial projektesh, më shumë për perceptim publik sesa reforma të qëndrueshme.
Në këtë kontekst, Rama 4 vjen me një kabinet që premton ndryshim, por realisht ngre dyshime serioze mbi arsyet e lëvizjeve.
Disa ministri të ndjeshme kanë marrë drejtues të rinj.
Arsimi, Shëndetësia, Bujqësia, Mjedisi, Politika e Jashtme, Ekonomia dhe Inovacioni, Pushteti Vendor duke krijuar përshtypjen e një rinovimi. Ndërkohë, ministria që mbulon infrastrukturën dhe energjinë është rikonfirmuar nën të njëjtin drejtim, pavarësisht se ky sektor pati një nga rezultatet më të ulëta në mandatin e kaluar.
Asgjë e re në organizim dhe strukturim për politikën sociale.
Ky kontrast ngre një pyetje thelbësore:
– Pse disa ministri ndëshkohen për dështime apo mospërmbushje të objektivave, ndërsa të tjera mbeten të paprekura edhe kur rezultatet janë të dobëta?
Kjo nuk është thjesht zgjedhje teknike, por një sinjal i qartë se suksesi i matjes nuk lidhet me performancën, por me besnikërinë politike.
Nëse arsimi dhe shëndetësia shihen si fusha ku nevojiten fytyra të reja, pse pikërisht infrastruktura, sektori me kapital-intensiv dhe më i rëndësishëm për integrimin europian nuk pëson asnjë ndryshim?
Ky paradoks e nxjerr qartë në pah problemin e mungesës së llogaridhënies.
Për të kuptuar se çfarë do të thotë llogaridhënie, mjafton të shohim shembujt europianë:
– Sllovenia lidh riorganizimin e kabinetit me plane afatmesme reformash dhe i jep ministrave kohë për të ndërtuar ekspertizë.
– Kroacia ka vendosur sistem publik të matjes së performancës së ministrave dhe raporte periodike për progresin e programeve.
Këto modele tregojnë se një kabinet i ri ka kuptim vetëm nëse shoqërohet me mekanizma vlerësimi dhe përgjegjësie të matshme. Në mungesë të tyre, çdo riorganizim është thjesht një lojë perceptimi politik.
Për Shqipërinë, ky moment është edhe më kritik.
Kabineti “Rama 4” duhet të përputhet me pritshmëritë e programit 2025–2029 dhe me procesin e integrimit europian, ku kërkohet forcim institucionesh dhe zbatim reformash reale. Nëse ky kabinet nuk vendos standarde të qarta llogaridhënieje, integrimi mund të mbetet një premtim i përdorur për legjitimitet politik, por i paarritur në praktikë.
Ndryshimet e ministrave nuk janë as “stabilitet”, as “reformim” apo “qasje për freskim”, por një lojë pushteti që zhvendos përgjegjësinë dhe blen kohë.
Derisa përgjegjësia të mos faturohet aty ku duhet, atëherë çdo riorganizim i ardhshëm do të mbetet një iluzion i shfaqur për publikun, ndërsa ekonomia dhe qytetarët do të mbeten peng i fasadës politike.
Në mbyllje, arsyeja e ndryshimeve dhe formatimi i qeverisë së re “Rama 4” lidhet me strukturën e pushtetit dhe logjikën politike brenda kabinetit Rama. Ndryshimet e ministrave nuk shihen si mjet për të përmirësuar performancën reale, por si instrument politik për të menaxhuar perceptimin publik dhe për të shpërndarë përgjegjësinë.
Kryeministri dhe grupet e tij përdorin këto lëvizje për të ruajtur ekuilibrin politik, për të shpërndarë ndikimin dhe për të mbajtur në kontroll ato pak zëra të dridhur kritikë. Ministrat që po ndërrohen apo zhvendosen do shihen si “fajtori pa gjyq” për mosrealizimin e projekteve, duke shpërndarë përgjegjësinë që në fakt i takon lidershipit qeverisës, ndërkohë që pa mekanizma të qartë vlerësimi dhe llogaridhënie çdo ndryshim mbetet kozmetik.
Nga çfarë kemi analizuar edhe më parë, projektet, reformat apo programet nuk përmirësohen automatikisht vetëm sepse ndërron drejtuesi apo kabineti i riformatuar. Në fund të fundit, kabinetet e reja po krijohen më shumë për të menaxhuar perceptimin dhe pushtetin, sesa për të garantuar rezultate të prekshme për qytetarët. Në fund të ditës, koston e faturës së qeverisë janë tatimpaguesit ata që do e paguajnë.
