Pushteti vendor në Shqipëri, një krizë e centralizuar që kërkon një reformë të thellë dhe të pakontestueshme

11/09/20250

Në vitin 2025, rendi kushtetues po përballet me një krizë të thellë të pushtetit vendor, e cila nuk mund të shpjegohet thjesht si dështim individual.Ajo është produkt i një sistemi politik të centralizuar, ku lidershipi partiak ka monopolizuar vendimmarrjen, duke anashkaluar këshillat bashkiakë dhe institucionet e pavarura që janë krijuar për të mbrojtur interesin publik.Ky kontroll i ngushtë nuk është thjesht një problem administrativ, por një strategji që nënvlerëson qytetarin dhe bën të pamundur funksionimin normal të shërbimeve lokale. Si pasojë, qytetarët përballen me vonesa, mungesa transparence dhe vendime që shpesh reflektojnë interesat e ngushta politike, jo nevojat reale të komuniteteve.Kriza e pushtetit vendor është një pasqyrë e qartë e degradimit të demokracisë lokale, ku centralizimi i pakufizuar i vendimmarrjes po kthehet në pengesë për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e tyre.

Hetimet, dënimet dhe dorëheqjet, një krizë e thellë e pushtetit vendor
Një pjesë e konsiderueshme e kryebashkiakëve shqiptarë ndodhen aktualisht nën hetim ose janë dënuar për korrupsion, shpërdorim detyre dhe shkelje të tjera ligjore.Sipas raportimeve të Faktoje, më shumë se gjysma e bashkive janë objekt hetimesh nga SPAK, ndërsa 15 ish-kryebashkiakë dhe ish-nënkryetarë janë shpallur fajtorë.
Por këto shifra nuk tregojnë vetëm dështimin e individëve, ato janë pasqyrë e një sistemi politik që ka zgjedhur rrugën e gabuar të pushtetit vendor. Përzgjedhja e kandidatëve nuk bazohet në meritokraci apo angazhim për interesin publik, por mbi besnikëri ndaj lidershipit qendror dhe lojërat politike të brendshme të partive.
Ky model ka pasoja të dukshme.
Përveç hetimeve dhe dënimeve, një numër i konsiderueshëm drejtuesish është detyruar të japë dorëheqjen, ose janë larguar nga funksioni për shkak se kanë vepruar sipas parimeve të autonomisë vendore dhe nuk i janë nwnshtruar interesave politike dhe tw grupeve pranë lidershipit politik.
Kjo tregon qartë se politika e klientelizmit dhe kontrolli i centralizuar po mbizotërojnë mbi interesin e qytetarëve dhe funksionimin normal të bashkive.
Anashkalimi i demokracisë së brendshme të partive dhe nënshtrimi i vendimmarrjes lokale ndaj urdhrave qendrorë nuk është thjesht një problem teknik, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për demokracinë lokale dhe për të ardhmen e shërbimeve publike.
Kjo krizë artificiale është një kërcënim i drejtpërdrejtë për demokracinë lokale, autonominë e bashkive dhe të ardhmen e shërbimeve publike për qytetarët.
Zëvendësimi i stafit vendor, një akt i centralizuar që minon demokracinë lokale
Në përpjekje për të kontrolluar situatën, kryetari i partisë në pushtet ka ndërmarrë nisma për zëvendësimin e stafit të bashkive, duke anashkaluar këshillat bashkiakë dhe mekanizmat e kontrollit vendor. Ky veprim është një shenjë e qartë e centralizimit të pushtetit dhe e dobësimit të autonomisë vendore, duke zhvendosur vendimmarrjen nga institucionet lokale drejt qendrës së pushtetit.
Mungesa e transparencës publike mbi performancën e administratorëve vendorë, largimet e menjëhershme dhe emërimet pa kriter të qartë prodhojnë vetëm pasoja negative.
Në vend që të përmirësojnë funksionimin e bashkive, këto veprime dobësojnë shëndoshësinë e shërbimeve publike, krijojnë pasiguri brenda administratës dhe shmangin llogaridhënien politike. Fokusi i mediave dhe publikut shpesh zhvendoset në emra të veçantë, duke u përqendruar në individë dhe përgjegjësi individuale, ndërkohë që problemi real buron nga modeli i vendimmarrjes jo demokratike që lidershipi politik po instalon në pushtetin vendor.
Kultura e klientelizmit është duke u rrënjosur thellë në praktikën politike, ku qytetarët shpesh zgjedhin përfaqësues që janë të njohur ose të lidhur me rrjetet e tyre sociale, pavarësisht nga aftësitë e tyre menaxheriale, përvoja profesionale ose përkushtimi ndaj shërbimeve publike.
Ky fenomen krijon një cikël pushteti lokal, ku favorizimi dhe besnikëria ndaj individëve zënë vendin e meritokracisë dhe transparencës.
Ky model nuk është thjesht një problem procedural.
Ai po nënçmon çdo ditë funksionimin normal të bashkive dhe po krijon një precedent të rrezikshëm, ku administrata lokale nuk shërben më qytetarët, por funksionon si instrument i kontrollit politik qendror.
Për pasojë, çdo përpjekje për të ndërtuar një pushtet vendor të pavarur dhe efikas pengohet sistematikisht, ndërkohë që besnikëria politike dhe interesat e lidershipit qendror vihen përpara meritokracisë, transparencës dhe interesit publik.
Nevoja për një reformë të thellë dhe të pakontestueshme, si një apel për rikthimin e pushtetit vendor
Sot, pushteti lokal është më i dobët se para reformës së vitit 2015. Nga ajo reformë, bashkitë duhej të fitonin autonomi dhe kapacitet për vendimmarrje në interes të komuniteteve, por vendimmarrja është monopolizuar nga lidershipi qendror. Përzgjedhjet bazuar mbi besnikëri, emërimet pa transparencë dhe dorëheqjet e detyruara tregojnë një sistem të kapur nga politika e klientelizmit.
Pasojat janë reale.
Shërbimet publike vonohen ose nuk funksionojnë, projektet lokale bllokohen dhe qytetarët mbeten pa llogaridhënie të vërtetë. Fokusi në emra individësh nuk fsheh dot problemin kryesor, një model i vendimmarrjes jo demokratike që pengon çdo reformë të shëndetshme dhe transformative.
Në emër të integrimit në BE dhe të një jete me standarde të larta që meritojnë qytetarët shqiptarë, nevojitet një reformë e pakontestueshme që rivendos autonominë vendore, garanton meritokraci, transparencë dhe llogaridhënie, duke rikthyer pushtetin vendor në funksion të qytetarëve dhe duke çliruar institucionet lokale nga kapja politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *