200 ditë qeverisje: 9% e programit është përmbushur, 43% është në progres, ndërsa 48% ende nuk ka asnjë zhvillim
6 Prill, 20220
Kanë kaluar 200 ditë prej momentit të betimit të qeverisë te Presidenti i Republikës dhe ekipi i POLIFAKT ka bërë matjen e nivelit të përmbushjes së programit të qeverisë.
Në matjen e përmbushjes së programit sipas sektorëve rezulton se nga 77 programe:
- Janë përmbushur 7 programe, apo 9% e programit qeverisës;
- Janë në progres apo ka filluar përgatitja për 33 programe, apo 43% e programit qeverisës;
- Nuk kanë filluar ende, nuk janë përmbushur (për shkak të mbarimit të afatit) ose nuk ka asnjë info për fillimin e masave për 37 programe, apo 48% e programit qeverisës.
Më poshtë janë të detajuara sipas sektorëve edhe nivelet e ndryshme të zbatimit të programit qeverisës “Rama 3”, 2021 – 2025.
- Sektori i Edukimit, Gruas dhe Rinisë, nga 7 programe, janë përmbushur aktualisht 2 dhe janë në proces përmbushje apo kanë filluar të zbatohen 5 prej tyre. Programe të përmbushura janë “Gjuha angleze do të nisë të mësohet në të gjithë shkollat e vendit që nga klasa e pare”, si dhe “Edukimi fizik do të zërë një vend më të rëndësishëm në sistemin arsimor, nga klasa e parë deri në universitet”.
- Sektori i shëndetësisë, nga 9 programe është përmbushur 1 program. Në proces përmbushje apo kanë filluar të zbatohen 2 programe dhe nuk kanë filluar ende 6 programe. Ndër programet që nuk kanë ende një fillim apo nuk ka info për to janë “Nxisim inovacionin dhe rritjen e përdorimit të teknologjisë së informacionit në shëndetësi”, apo “Ndërtojmë një sistem të dhënash që garanton informacion për “shpërndarjen” dhe aksesin në shëndetësi të popullatës, që mundëson një monitorim konstant për adresimin e pabarazive”, si dhe të tjerë programe që mund ti shikoni direkt vetë.
- Sektori i ekonomisë, nga 7 programe nuk është përmbushur asnjë. Kanë filluar dhe janë në progres 3 programe dhe nuk kanë filluar apo nuk ka info për 4 programe. Ndër programet që nuk ka info është “Mbështesim sipërmarrjen në sektorët më produktivë të ekonomisë, për ringritjen edhe më të fortë të tyre pas pandemisë”.
- Sektori i Mjedisit dhe Turizmit, nga 5 programe nuk rezulton të jetë përmbushur asnjë. Por, 2 programe janë në progress apo kanë filluar të zbatohen, ndërsa 3 programe nuk kanë filluar ende apo nuk ka info.
- Sektori i Bujqësisë, nga 6 programe është përmbushur vetëm 1 program. Janë në progres 2 programe dhe 3 programe nuk kanë filluar ende apo janë pa info. Programi i përmbushur është “Lehtësi fiskale për sektorin bujqësor”, i cili ishte i miratuar përpara se programi qeverisës të miratohej.
- Sektori i Politikës së Jashtme, nga 3 programe konstatohen se të 3 janë në progres zbatimi.
- Sektori i Energjisë, nga 5 programe janë në progres 1 program dhe 4 prej tyre nuk kanë filluar ende, ose nuk ka info për zhvillime. Por, 1 program, “Bursa Shqiptare e Energjisë do të bëhet krejtësisht operacionale në Shkurt të vitit 2022”, konsiderohet i papërmbushur për shkak të mbarimit të afatit të vendor në programin qeverisës
- Sektori i Infrastrukturës, nga 8 programe rezulton të jetë përmbushur 1 program “Nisim brenda vitit punimet për Hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës”. Ndërsa, 5 programe janë në progres dhe 2 programe konstatohen se nuk kanë filluar ende.
- Sektori Fiskal, nga 7 programe është përmbushur 1 program “Do të hiqet taksa mbi pagën aktuale deri në 40 mijë lekë”. Ndërsa, 3 programe janë në progres dhe 3 programe nuk kanë filluar fare, ose nuk ka info për to.
- Sektori i politikave, nga 2 programe nuk ka të përmbushura asnjë prej tyre.
- Sektori i Politikave sociale, nga 10 programe nuk kanë filluar 3 programe dhe janë në progress 7 programe.
- Sektori i Kulturës, dhe digjitalizimi, nga 8 programe, 7 janë në progress dhe 1 nuk ka filluar ende , ose nuk ka info për fillim nga zbatimi “Marrja e përgjigjes online me nënshkrim, vulë elektronike për të gjitha shërbimet në e-albania që janë aplikime”