
Shqipëria po prodhon gjithnjë e më shumë mbetje, por institucionet që duhet të menaxhojnë këtë barrë, pra pushteti vendor dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, sillen sikur ky realitet nuk ekziston realisht.Strategjitë kombëtare miratohen, dokumentet shtohen, por llogaridhënia mungon.Në vend të transparencës dhe zbatimit kemi vetëm ndryshime të shpeshta skemash, ristrukturime menaxheriale dhe vendime të marra pa asnjë detyrim për t’u shpjeguar qytetarëve.
Në vitin 2024 u menaxhuan 862,241 tonë mbetje, duke shënuar një rritje prej 2,14 % krahasuar me vitin 2023.Çdo qytetar gjeneroi mesatarisht 360 kg mbetje në vit, pra 9 kg më shumë se një vit më parë.Struktura e mbetjeve mbetet e njëjtë, ku 57,3 % janë organike, ndërsa plastika dhe letra apo kartoni zënë secila rreth 9–10 %.Mënyrat e trajtimit flasin për një model të vjetruar.Rreth 76,3 % depozitohen në landfille, 18,8 % riciklohen dhe vetëm 4,9 % digjen për energji, ndërsa hedhjet e paligjshme janë pothuajse eliminuar, duke zënë vetëm 0,02 %.Këto shifra tregojnë një vend që prodhon gjithnjë e më shumë mbetje, por i trajton ato me metoda të rrezikshme për mjedisin dhe shëndetin publik.
Landfilli tashmë në 2025 mbeti “zgjidhja” kryesore, një praktikë që ndot ujërat nëntokësore, lëshon gazra serrë dhe rrezikon cilësinë e jetës, kur në fakt deri më sot ishin inceneratorët që qeveria pretendonte se do të zgjidhnin pjesërisht problemin e mbetjeve.
Në dokumente, Shqipëria dukej se kishte dhe ka një rrugë të qartë.Plani Kombëtar Sektorial për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta i vitit 2020 parashikon objektiva të matshëm për riciklim, reduktim të plastikës dhe trajtim të mbetjeve organike.Strategjitë e mëparshme, si Studimi Sektorial për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve i vitit 2018, përfshijnë një “masterplan” për ekonominë e qarkullimit.Por në terren, këto dokumente janë vetëm letër.
Asnjë planifikim i detajuar lokal i zbatuar deri në fund, asnjë buxhet i qëndrueshëm dhe asnjë mekanizëm monitorimi nuk sigurojnë zbatimin.Ndryshimet e shpeshta të strukturave menaxhuese (kompani publike, ndërmarrje të përbashkëta, koncesione private) bëhen pa asnjë konsultim, shpesh duke ndryshuar tarifat e pastrimit apo kontratat pa paralajmërim.
Publiku nuk ka qasje në të dhëna të plota mbi sasinë e mbetjeve të ricikluara apo shpenzimet e kryera.
Në shtator 2025, qeveria miratoi projektligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i cili synon një reformë tërësore të trajtimit të mbetjeve.Ky projektligj ka për qëllim krijimin e një sistemi të qëndrueshëm për menaxhimin e mbetjeve duke mbështetur kalimin drejt ekonomisë qarkulluese.
Sipas projektligjit, Shqipëria do të ndahet në 10 zona të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, në të cilat do të ndërtohen 10 impiante të përpunimit dhe selektimit, 3 landfille të reja në Kukës, Dibër e Berat, si dhe parashikohet mbyllja e 66 venddepozitimeve aktuale.Ky projektligj parashikon ngritjen e një Operatori Kombëtar për Trajtimin e Mbetjeve, proces që tashmë nuk do të jetë më në dorë të pushtetit vendor, por Bashkitë do jenë ‘klientë’, ndërsa parashikohet edhe ashpërsimi i sanksioneve për ndotësit.Kjo lëvizje e qeverisë fsheh mungesën e transparencës, llogaridhënies dhe rrezikun e korrupsionit politik, duke u prezantuar si vullnet politik i fortë, por pa garanci për zbatim real.
Ligjërisht, bashkitë mbajnë përgjegjësinë kryesore për mbledhjen, transportin dhe trajtimin e mbetjeve.
Në praktikë, kapaciteti teknik dhe financiar është minimal.
Mungojnë impiantet e riciklimit, sistemet e kompostimit dhe teknologjitë moderne për djegie energjitike.
Tarifat e pastrimit janë të paqëndrueshme dhe shpesh nuk mbulojnë kostot reale, duke krijuar borxhe kronike dhe varësi nga subvencionet e qeverisë qendrore.
Mungesa e planifikimit urban në terren bën që shumë bashki të mos kenë as venddepozitime të licencuara ose rrugë për përpunim selektiv.Ky boshllëk menaxherial u jep hapësirë vendimeve të rastësishme dhe kontratave afatshkurtra që ndryshojnë sa herë ndryshon drejtimi politik i bashkisë.
Edhe qeveria qendrore nuk i shpëton këtij realiteti.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e ngarkuar për koordinimin e strategjive, nuk ofron asnjë mekanizëm të rregullt raportimi për ecurinë e planeve.Vendimet për ndërtimin e landfilleve të reja, për inceneratorë apo për ndryshime tarifash merren shpesh pa konsultim publik dhe pa analiza kosto-përfitim të publikuara.
Sot, qeveria pretendon se inceneratorët janë të dëmshëm, ndërkohë që në fakt, në kohën e miratimit të tyre vite më parë, kjo qeveri e ka kundërshtuar vetë përdorimin e tyre në Europë, tashmë vetëm numrat ndryshojnë, jo praktikat ose efektiviteti i tyre.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, që mban përgjegjësi për mbrojtjen e mjedisit, nuk ushtron dot një rol kontrolli të fortë.Kompetencat janë të shpërndara, por përgjegjësia mungon. Pra, kemi një “zonë gri” ku askush nuk mban përgjegjësi nëse objektivat dështojnë.
Ky mosfunksionim nuk është vetëm çështje statistikash.Landfillet e pakontrolluara lëshojnë metan, një gaz serrë shumë herë më të fuqishëm se CO₂.Ujërat nëntokësore ndoten nga lixiviatet[1], ndërsa qytetarët përballen me ajër të ndotur dhe rrezik për sëmundje respiratore.Ndërkohë, riciklimi i kufizuar humb mundësinë për të kthyer qindra mijëra tonë materiale të vlefshme në ekonomi.
Zgjidhja kërkon veprime konkrete.
Bashkitë duhet të publikojnë çdo tremujor të dhëna të detajuara për sasinë e mbetjeve, mënyrën e trajtimit dhe shpenzimet.Tarifat e pastrimit duhet të jenë transparente, të llogaritura mbi kosto reale dhe të mos ndryshohen arbitrarisht.
Duhet të investohet në kapacitete lokale: riciklim, kompostim, teknologji për energji nga mbetjet dhe staf të trajnuar.Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Turizmit dhe bashkitë duhet të koordinohen nën një autoritet të vetëm që monitoron zbatimin e Planit Kombëtar Sektorial dhe vendos sanksione kur objektivat dështojnë.
Shoqëria civile dhe media duhet të kenë qasje në të dhëna, për të ushtruar presion mbi vendimmarrësit dhe për të siguruar që nevojat lokale pasqyrohen në plane. Të dhënat flasin qartë!Numrat rriten, riciklimi ngec dhe landfilli mbizotëron.
Strategjitë ekzistojnë, por pa zbatim dhe pa llogaridhënie ato nuk vlejnë as sa pesha e letrës ku janë shkruar.Në një vend ku çdo vendim merret pa transparencën e nevojshme, qytetarët mbeten të pambrojtur, mjedisi degradon dhe Shqipëria humbet çdo mundësi për t’u afruar me standardet e Bashkimit Europian.
Vendi ka vetëm zhurmë numrash dhe heshtje përgjegjësie, një barrë që tashmë rëndon mbi ajrin, tokën dhe shëndetin e të gjithëve.
[1] Kur mbetjet organike dhe të tjera dekompozojnë në landfille, lëngje të ndryshme përftohen nga ky proces natyror i prishjes. Këto lëngje përmbajnë substanca të dëmshme kimike, baktere dhe materie organike të patrajtuara.Këto lëngje quhen lixiviate dhe mund të depërtojnë në tokë dhe ujërat nëntokësore, duke i ndotur dhe duke rrezikuar cilësinë e ujit të pijshëm, burimet ujore dhe shëndetin publik.Pra, kur thuhet që ujërat ndoten nga lixiviatet, nënkuptohet që mbetjet e depozituara pa trajtim të duhur gjenerojnë lëngje të ndotura që mund të përhapen në mjedis.
