Shqipëria – Krahasimi i Raporteve të Komisionit Evropian 2025 dhe 2026

06/11/20260

Analizë krahasuese sipas të njëjtës strukturë të raportit me grupkapituj, kapituj, gjetje dhe tendenca

  1. Çfarë ndryshoi nga 2025 në 2026?

Raporti 2026 evidenton një përshpejtim të procesit formal të integrimit evropian, përparim në disa fusha të legjislacionit dhe në përfundimin e reformave institucionale. Megjithatë, nuk evidenton një përmirësim të njëtrajtshëm të cilësisë së qeverisjes, konkurrueshmërisë ekonomike dhe zbatimit të ligjit.

Dallimi thelbësor ndërmjet dy raporteve është se:

  • Në 2025, Shqipëria po ndërtonte strukturat dhe kuadrin ligjor për hapjen e negociatave në shumicën e grupkapitujve.
  • Në 2026, Shqipëria ka hapur të gjithë grupkapitujt, ka përmbushur standardet e ndërmjetme të grupkapitullit themelor dhe ka mbyllur përkohësisht katër kapituj, por përballet me kërkesa më të larta për rezultate konkrete.

1.1. Ndryshimi i përgjithshëm sipas fushave

Fusha 2025 → 2026 Tendenca
Integrimi evropian 5 → 6 grupkapituj të hapur; 4 kapituj të mbyllur përkohësisht Përmirësim i fortë
Drejtësia Vettingu përfundon edhe në apel Përmirësim
Lufta kundër korrupsionit SPAK ruan rezultate, por kërkohen vendime përfundimtare Përmirësim i pjesshëm
Demokracia Probleme të vazhdueshme me kontrollin parlamentar dhe dialogun Ngecje
Administrata publike Reforma ligjore, por konsultimi dhe disiplina buxhetore mbeten dobësi Ngecje
Ekonomia Stabilitet makroekonomik, dobësi të konkurrueshmërisë Ngecje strukturore
Politika fiskale Strategjia e të ardhurave kalon në fazë zbatimi Përmirësim i kufizuar
Konkurrenca Probleme me ndihmën shtetërore dhe pavarësinë institucionale Ngecje
Mjedisi Përparim ligjor, por përkeqësim i mbrojtjes së natyrës Përkeqësim
Bujqësia Përmirësim i sistemeve të të dhënave dhe identifikimit të tokës Përmirësim i pjesshëm
Energjia Përafrim dhe integrim më i madh i tregut Përmirësim
Marrëdhëniet me BE-në Përputhje e plotë me politikën e jashtme të BE-së Ruajtje e performancës së mirë

Shënim metodologjik: përparimi i raportuar nuk është gjithmonë i barabartë me ndryshimin e nivelit të përgatitjes. KE përdor veçmas vlerësimin e gjendjes dhe vlerësimin e progresit gjatë periudhës.

  1. Cluster 1 – Themeloret e procesit të anëtarësimit

Ky është grupkapitulli ku dallimi ndërmjet dy raporteve është më i rëndësishëm. Në vitin 2026 Shqipëria ka kaluar një prag të rëndësishëm institucional me përfundimin e vettingut dhe përmbushjen e standardeve të ndërmjetme. Megjithatë, problematikat e demokracisë dhe administrimit publik vazhdojnë.

2.1. Demokracia dhe funksionimi i institucioneve – Ngecje institucionale

2025 2026
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit u vlerësuan konkurruese dhe profesionalisht të administruara, por me pabarazi në garë dhe përdorim të burimeve publike. KE kërkon reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore përpara zgjedhjeve vendore 2027.
Polarizim politik dhe dialog i pamjaftueshëm. Mungesa e dialogut dhe përplasjet politike vazhdojnë të kufizojnë Kuvendin.
Kontroll i kufizuar parlamentar mbi ekzekutivin. Refuzimi sistematik i kërkesave për komisione hetimore dhe politizimi i emërimeve mbeten shqetësime.
Procesi i integrimit kërkon përfshirje më të gjerë. Kërkohet koordinim më i mirë ndërinstitucional dhe përfshirje e shoqërisë civile.

Ndryshimi kryesor është, se në 2025 problematika lidhej kryesisht me cilësinë e zgjedhjeve dhe funksionimin e institucioneve pas tyre. Në 2026 KE e vendos theksin te mungesa e dialogut politik, kontrolli i ekzekutivit dhe besimi publik.

Një element i ri është evidentimi i protestave të nisura në maj 2026 për zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, të cilat u shndërruan në një mobilizim më të gjerë qytetar për transparencë dhe llogaridhënie.

Vlerësimi tregon se nuk ka përmirësim thelbësor të funksionimit demokratik.

2.2. Reforma e administratës publike – Ngecje me avancimin ligjor

  • Në 2025 miratohen strategjia e administratës publike 2025–2030 dhe Strategjia Afatmesme e të Ardhurave 2024–2027. Ndryshimet në ligjin e nëpunësit civil dhe organizimin e administratës mbeten për t’u miratuar.
  • Në 2026 miratohen ndryshime në ligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Megjithatë, rishikimet buxhetore përmes akteve normative dhe konsultimet joefektive vazhdojnë.

Çfarë nuk ka ndryshuar?

  1. Rekrutimi dhe promovimi mbi bazën e meritës.
  2. Kontrolli parlamentar mbi ndryshimet buxhetore.
  3. Cilësia e konsultimit publik.
  4. Profesionalizimi i niveleve të larta të administratës.

Vlerësimi tregon përparim në kuadrin ligjor, por rezultat i kufizuar në transformimin e administratës.

2.3. Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore – Përmirësim i rëndësishëm

Nënfusha Raporti 2025 Raporti 2026
Vettingu Përfunduar në shkallën e parë; apelimi në proces Përfunduar plotësisht
Pavarësia Presione dhe ndërhyrje politike Problemi vijon
Burimet njerëzore Mungesa të gjyqtarëve dhe stafit Mungesat vazhdojnë
Menaxhimi i çështjeve Sistemi elektronik në zhvillim Sistemi i integruar ende i papërfunduar
SPAK Rezultate pozitive në korrupsionin e nivelit të lartë Pavarësi dhe rezultate pozitive të konfirmuara
Pasuritë kriminale Kërkohen sekuestrime dhe konfiskime përfundimtare Ende kërkohen rezultate përfundimtare më të forta

Ndryshimi kryesor është përfundimi i vettingut në vitin 2026 është një arritje institucionale e rëndësishme. Por përfundimi i vettingut nuk e zgjidh automatikisht problemin e eficiencës, cilësisë dhe shpejtësisë së drejtësisë.

Në luftën kundër korrupsionit, KE kërkon kalimin nga hetimet dhe ndjekjet penale drejt vendimeve përfundimtare dhe konfiskimit të pasurive.

Në të drejtat themelore, të dy raportet evidentojnë problematika të vazhdueshme me pronën, pakicat dhe zbatimin efektiv të garancive ligjore.

2.4. Liria e shprehjes dhe medias – Dobësi të vazhdueshme

Në 2025 verehet:

  • Përqendrim i pronësisë së medias.
  • Ndërthurje e interesave ekonomike dhe politike.
  • Mungesë transparence të financimit.
  • Intimidim dhe kushte të pasigurta pune për gazetarët.
  • Progres i kufizuar.

Ne 2026 verehen:

  • Problematikat e pluralizmit dhe pavarësisë vazhdojnë.
  • Kërkohen garanci më të forta për gazetarët dhe median.
  • Transparenca e pronësisë dhe financimit mbetet e pamjaftueshme.
  • Pavarësia e institucioneve rregullatore kërkon përmirësim.

Ndryshimi: Nuk ka transformim thelbësor. Problemi i përqendrimit ekonomik të medias dhe ndikimit politik mbetet strukturor.

2.5. Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria – Përmirësim operacional

  • Në 2025, SPAK rrit kapacitetet për hetimet financiare; krijohen zyra e rikuperimit të aseteve dhe sistemi i paralajmërimit të hershëm për substancat e reja psikoaktive, por ende nuk janë plotësisht funksionale.
  • Në 2026, Zyra e rikuperimit të aseteve është plotësisht e pajisur me staf dhe është miratuar legjislacioni zbatues. Kapacitetet e bashkëpunimit ndërkombëtar janë përmirësuar.

Megjithatë, hetimet financiare, analizat kriminale dhe vendimet përfundimtare mbeten problematike.

Vlerësimi: Përparim në kapacitetet institucionale, por ende jo rezultate përfundimtare në nivelin e kërkuar.

III. Kriteret ekonomike

Ky seksion është ndër më të rëndësishmit për të kuptuar nëse Shqipëria po ndërton një ekonomi që mund të përballojë konkurrencën e tregut të përbashkët evropian.

3.1. Ekzistenca e një ekonomie funksionale tregu – Stabilitet makroekonomik, dobësi strukturore

Elementi Raporti 2025 Raporti 2026 Ndryshimi
Rritja ekonomike Rritje e fortë në 2024 Rritje e mbështetur nga kërkesa dhe turizmi Qëndrueshmëri
Inflacioni Nën objektivin e Bankës së Shqipërisë Nën objektiv Pozitiv
Borxhi publik Në rënie Vijon të ulet Pozitiv
Të ardhurat publike Të ulëta ndaj PBB-së Mbeten të ulëta Stagnim
Investimet publike Nënrealizim i përsëritur Problemi vazhdon Stagnim
Sektori bankar I qëndrueshëm, likuid dhe i kapitalizuar I qëndrueshëm, kreditim në rritje Pozitiv
Ndërmarrjet publike Probleme me transparencën dhe qeverisjen Mangësitë vazhdojnë Stagnim
Mjedisi i biznesit Dobësi në sundimin e ligjit dhe financim Probleme të vazhdueshme Stagnim

Ndryshimi kryesor është se Shqipëria ruan stabilitetin makroekonomik, por nuk ka zgjidhur dobësitë e administrimit të kapitalit publik, të ardhurave buxhetore dhe qeverisjes së ndërmarrjeve shtetërore.

Në vitin 2025 KE kërkonte zbatimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe përmirësimin e menaxhimit të investimeve publike. Në vitin 2026 këto kërkesa mbeten aktuale, me më shumë vëmendje te cilësia e të dhënave, administrimi i riskut dhe transparenca fiskale.

3.2. Aftësia konkurruese dhe presionet e tregut të BE-së – Ngecje strukturore

Të dy raportet evidentojnë pothuajse të njëjtin problem:

  • Arsimi nuk përputhet mjaftueshëm me nevojat e tregut.
  • Të rinjtë jashtë arsimit, punësimit dhe formimit profesional (NEET) mbeten shqetësim.
  • Industria dhe bujqësia kanë produktivitet të ulët.
  • Eksportet e manifakturës janë në rënie.
  • Turizmi mbetet një nga sektorët kryesorë të rritjes.
  • Infrastruktura është përmirësuar, por boshllëqet vazhdojnë.

Ndryshimi kryesor te Raporti 2026 është se nuk evidenton një ndryshim të modelit ekonomik. Përkundrazi, ai konfirmon se rritja ekonomike nuk është shoqëruar ende me transformim të mjaftueshëm të strukturës prodhuese.

Ky është një nga sinjalet më të rëndësishme të dy raporteve, që Shqipëria ka përmirësuar stabilitetin, por jo në të njëjtën masë aftësinë për të konkurruar në tregun evropian.

3.3. Kapitulli 5 – Prokurimi publik – Përparim i pjesshëm

  • 2025: Përgatitje mesatare dhe progres i kufizuar në përafrimin e legjislacionit.
  • 2026: Miratimi i kuadrit të ri për koncesionet dhe PPP-të shënon përparim në përafrimin ligjor.

Megjithatë, mbeten:

  • Konkurrenca efektive në procedurat e prokurimit.
  • Transparenca e marrëveshjeve ndërqeveritare.
  • Përputhja me acquis në koncesione dhe PPP.
  • Kontrolli dhe monitorimi i kontratave publike.

Vlerësohet fakti se miratimi i ligjit është një hap përpara, por cilësia e konkurrencës dhe administrimi i kontratave mbeten testet reale.

3.4. Kapitulli 18 – Statistikat – Përmirësim gradual

  • Në 2025 ka përparim në ESA 2010, në publikimin e të dhënave të Censusit 2023 dhe transmetimin e të dhënave në Eurostat.
  • Në 2026 vazhdojnë përmirësimet në statistikat makroekonomike dhe llogaritë financiare të qeverisë, por mbeten mangësi në cilësinë, kohën e publikimit dhe kapacitetet e INSTAT.

Ndryshimi duket në përmirësimin metodologjik, por pa arritur ende një sistem statistikor plotësisht të harmonizuar me kërkesat evropiane.

3.5. Kapitulli 32 – Kontrolli financiar – Përmirësim i kufizuar

  • Në 2025, progres i kufizuar, pavarësisht miratimit të strategjisë kundër mashtrimit. Kërkohet më shumë përgjegjshmëri menaxheriale dhe kontroll parlamentar mbi rekomandimet e auditimit.
  • Në 2026  është rivendosur nënkomisioni parlamentar për auditimin publik, por mbeten dobësi në delegimin e përgjegjësive dhe ndjekjen e rekomandimeve.

Ndryshimi duket te përmirësimi institucional, por ende jo një sistem i konsoliduar i kontrollit financiar publik.

  1. Cluster 2 – Tregu i brendshëm

Ky grupkapitull tregon se ku Shqipëria ka përparuar më shumë në përafrimin e legjislacionit me tregun e përbashkët dhe ku vazhdojnë pengesat.

Kapitulli 2025 2026 Vlerësimi krahasues
1. Lëvizja e lirë e mallrave Pa progres Pa progres Stagnim
2. Lëvizja e lirë e punëtorëve Disa përparime Marrëveshje të tjera dhe përgatitje EURES Përmirësim
3. E drejta e vendosjes dhe shërbimet Pa progres Miratohet ligji për lirinë e vendosjes dhe shërbimet Përmirësim
4. Lëvizja e lirë e kapitalit Disa përparime, SEPA Përafrim më i madh i pagesave dhe AML Përmirësim
6. E drejta e shoqërive tregtare Progres i kufizuar Kuadër më i plotë për shoqëritë tregtare Përmirësim i fortë
7. Pronësia intelektuale Disa përparime Ligje të reja dhe forcim institucional Përmirësim
8. Konkurrenca Progres i kufizuar Progres i kufizuar Stagnim
9. Shërbimet financiare Disa përparime Përafrim më i avancuar Përmirësim
28. Konsumatori dhe shëndeti Pa progres, fazë e hershme Paketë e re ligjore dhe përparim i pjesshëm Përmirësim

4.1. Gjetjet kryesore sipas kapitujve

Kapitulli 1 – Lëvizja e lirë e mallrave. Në të dy raportet nuk ka progres në përafrimin e plotë me acquis. Mbeten boshllëqe në akreditim, vlerësimin e konformitetit dhe mbikëqyrjen e tregut.

Kapitulli 2 – Lëvizja e lirë e punëtorëve. Përparimi në marrëveshjet dypalëshe për sigurimet shoqërore dhe përgatitjen për EURES vazhdon. Në 2026 theksohet më shumë edhe barazia e trajtimit të punonjësve të BE-së.

Kapitulli 3 – E drejta e vendosjes dhe shërbimet. Ndryshimi është pozitiv, nga mungesa e progresit në 2025 te miratimi i ligjit për lirinë e vendosjes dhe ofrimin e shërbimeve në 2026. Sfida është zbatimi i legjislacionit dytësor dhe njohja e kualifikimeve profesionale.

Kapitulli 4 – Lëvizja e lirë e kapitalit. Përmirësim në kuadrin e pagesave, shërbimeve financiare dhe luftës kundër pastrimit të parave. Në 2026 kërkohet më shumë përgatitje për sistemin e pagesave të menjëhershme TARGET.

Kapitulli 6 – E drejta e shoqërive tregtare. Ky është një nga përmirësimet më të dukshme. Në 2025 progresi lidhej kryesisht me kontabilitetin dhe auditimin. Në 2026 është avancuar kuadri për shoqëritë tregtare, transparencën korporative dhe format evropiane të organizimit të kompanive.

Kapitulli 7 – Pronësia intelektuale. Përparim në ligjet për të drejtën e autorit, dizajnet industriale dhe treguesit gjeografikë. Problemet e administrimit kolektiv dhe mbrojtjes efektive të të drejtave vazhdojnë.

Kapitulli 8 – Konkurrenca. Ky kapitull mbetet ndër më problematikët. Në të dy raportet KE kërkon pavarësinë operacionale të autoritetit të ndihmës shtetërore, përafrim të ligjeve dhe njoftim paraprak të skemave të ndihmës.

Kapitulli 9 – Shërbimet financiare. Përmirësim në rregullimin bankar dhe përafrimin me acquis. Mbeten punë për t’u kryer në sigurime, pensione dhe tregjet e kapitalit.

Kapitulli 28 – Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit. Në 2025 përgatitja ishte në fazë të hershme dhe nuk kishte progres të dukshëm. Në 2026 është miratuar një paketë ligjore për konsumatorin, por kërkohet ende ligji i ri dhe përmirësimi i standardeve shëndetësore.

Vlerësimi për Cluster 2 shihet te përparimi më i dukshëm në shoqëritë tregtare, kapitalin dhe shërbimet. Megjithatë, konkurrenca dhe lëvizja e lirë e mallrave mbeten pika të dobëta.

  1. Cluster 3 – Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse

Ky grupkapitull ka rëndësi të veçantë për politikën fiskale, investimet, zhvillimin e biznesit dhe transformimin ekonomik.

Kapitulli Raporti 2025 Raporti 2026 Tendenca
10. Transformimi digjital dhe media Progres i kufizuar Progres i mirë Përmirësim
16. Tatimet Progres i pjesshëm Përparim në zbatimin e strategjisë dhe përjashtimet Përmirësim i kufizuar
17. Politika ekonomike dhe monetare Progres i mirë Vazhdim i reformave dhe ligji për Bankën e Shqipërisë Përmirësim
19. Politika sociale dhe punësimi Progres i kufizuar Problematikat strukturore vazhdojnë Stagnim
20. Ndërmarrjet dhe industria Progres i mirë Progres i mëtejshëm, por ligji i investimeve ende kërkohet Përmirësim
25. Shkenca dhe kërkimi Progres i mirë Progres i mirë Vazhdimësi
26. Arsimi dhe kultura Progres i mirë Përparim institucional Vazhdimësi
29. Bashkimi doganor Progres i mirë Përafrim dhe modernizim IT Përmirësim

5.1. Kapitulli 10 – Transformimi digjital dhe media – Përmirësim

  • Në 2025 u arrit përafrimi me NIS 2 dhe miratimi i Strategjisë së Sigurisë Kibernetike 2025–2030.
  • Në 2026 u arrit plotësimi i legjislacionit zbatues për sigurinë kibernetike dhe përparimi në sistemet digjitale.

Mbeten sfida për shtrirjen e numrit 112, aftësitë digjitale dhe mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

5.2. Kapitulli 16 – Tatimet – Përmirësim i kufizuar

Ky kapitull meriton një krahasim më të thelluar, sepse lidhet drejtpërdrejt me analizën e politikës fiskale dhe marrëdhënien shtet–biznes.

Dimensioni 2025 2026
Strategjia e të ardhurave Miratimi i MTRS 2024–2027 Zbatimi i strategjisë
Përjashtimet tatimore Përfundimi i rishikimit Kërkohet trajtimi i tyre në praktikë
Administrata tatimore Reforma dhe modernizim Vlerësim risku dhe përdorim i të dhënave
Pajtueshmëria Thjeshtim i sistemit Pajtueshmëri vullnetare dhe kontroll më cilësor
Marrëveshja e Paqes Fiskale KE kërkon të mos promovohet në vend të reformave Kërkesa mbetet, me theks te standardet FATF
TVSH dhe akcizat Përafrim gradual Përafrim i mëtejshëm
Sistemet IT Përgatitje për ndërveprueshmëri Vijim i integrimit me sistemet evropiane

Ndryshimi kryesor është se në 2025 fokusi ishte te krijimi i strategjisë dhe identifikimi i përjashtimeve tatimore. Në 2026 fokusi kalon te zbatimi i strategjisë, kontrolli i riskut, të dhënat nga palët e treta dhe pajtueshmëria vullnetare.

Kjo është një lëvizje e rëndësishme nga reforma formale drejt administrimit më cilësor të sistemit fiskal.

Interpretimi për ALTAX Insight: KE nuk e mat suksesin e reformës fiskale vetëm me rritjen e të ardhurave. Ajo kërkon një sistem që trajton përjashtimet, garanton konkurrencën e barabartë, përdor të dhënat për të identifikuar riskun dhe nuk zëvendëson institucionet me marrëveshje të veçanta.

Ky konstatim krijon një bazë të rëndësishme për vlerësimin e Paketës Fiskale 2027 dhe të marrëdhënies së re fiskale me biznesin.

5.3. Kapitulli 17 – Politika ekonomike dhe monetare – Përmirësim

  • Në 2025 u realizua miratimi i ligjit të ri për Bankën e Shqipërisë dhe kërkesa për zbatimin e ligjit për Këshillin Fiskal.
  • Në 2026 vijon kërkesa për garantimin e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë dhe operacionalizimin e kuadrit të kontrollit fiskal.

Pika e pambyllur është krijimi dhe funksionimi efektiv i një institucioni fiskal të pavarur.

Ky është një element me rëndësi të drejtpërdrejtë për transparencën buxhetore dhe kontrollin e parashikimeve fiskale.

5.4. Kapitulli 19 – Politika sociale dhe punësimi – Ngecje strukturore

Të dy raportet e dy viteve evidentojnë:

  • Mangësi në përafrimin e legjislacionit të punës.
  • Mungesë kapacitetesh të inspektorateve.
  • Nevojë për më shumë financim të shërbimeve sociale.
  • Dialog social të pamjaftueshëm.
  • Probleme me sigurinë në punë dhe barazinë.

Garancia Rinore është shtrirë në nivel kombëtar, por kjo nuk ka mjaftuar për të ndryshuar vlerësimin e përgjithshëm të kapitullit.

5.5. Kapitulli 20 – Politika e ndërmarrjeve dhe industrisë – Përparim, me një detyrë të pambyllur

  • Në 2025 u bë miratimi i ndryshimeve në Strategjinë e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve dhe legjislacioni për vonesat në pagesa.
  • Në 2026 vijon përparimi në politikat e biznesit, por KE kërkon përshpejtimin e ligjit të ri të investimeve dhe shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë.

Ky është një konstatim me rëndësi të veçantë për klimën e investimeve.

Ndryshimi është se në 2025 ishte në fazë përgatitjeje reforma e ligjit të investimeve. Në 2026 KE vazhdon ta kërkojë atë si një detyrim të pambyllur.

Kjo e bën të domosdoshëm një kuadër që siguron trajtim të barabartë, transparencë, konkurrencë dhe mbrojtje të interesit publik.

5.6. Kapitujt 25, 26 dhe 29

Shkenca dhe kërkimi – Kapitulli 25. – Përparim në të dy raportet, por investimet në kërkim dhe zhvillim mbeten të ulëta. Objektivi prej 1% të PBB-së deri në vitin 2030 mbetet i rëndësishëm.

Arsimi dhe kultura – Kapitulli 26. – Përparim në organizimin institucional dhe shërbimet arsimore, por cilësia, përfshirja, financimi dhe lidhja me tregun e punës kërkojnë përmirësim.

Bashkimi doganor – Kapitulli 29. – Përparim në modernizimin e sistemeve doganore, NCTS dhe AES. Mbeten problematika të korrupsionit, kontrabandës dhe ndërveprimit të sistemeve me BE-në.

Për sa lidhet me Cluster 3, Shqipëria ka përparuar në përafrimin ligjor dhe modernizimin institucional, por ende nuk ka arritur një transformim të krahasueshëm në produktivitet, aftësi profesionale, kërkim dhe konkurrueshmëri të ndërmarrjeve.

  1. Cluster 4 – Agjenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme

Ky grupkapitull përmban një nga ndryshimet më të rëndësishme ndërmjet raporteve: përparim në energji dhe infrastrukturë, por përkeqësim të vlerësimit për mbrojtjen e natyrës.

6.1. Kapitulli 14 – Politika e transportit – Përmirësim i pjesshëm

  • Në 2025 u miratua kuadri për monitorimin inteligjent të trafikut dhe përparon reforma hekurudhore.
  • Në 2026 avancoi zhvillimi i sistemeve të monitorimit, por KE kërkon përfundimin e reformës së Autoritetit Rrugor Shqiptar, financim shumëvjeçar për mirëmbajtjen dhe sigurimin e operatorit për linjën Tiranë–Durrës–Rinas.

Ndryshimi është se vëmendja kalon nga miratimi i reformave te funksionaliteti i infrastrukturës dhe menaxhimi i aseteve publike.

6.2. Kapitulli 15 – Energjia – Përmirësim i vazhdueshëm

  • Në 2025 u verejt përparim në tregun e brendshëm të energjisë dhe përafrimin e legjislacionit.
  • Në 2026 miratohet ligji për sektorin energjetik në përputhje me paketën e integrimit të energjisë elektrike dhe avancojnë rregullat për energjinë e rinovueshme.

Prioritetet e mbetura janë integrimi i tregut të energjisë, forcimi i Agjencisë së Efiçiencës së Energjisë dhe zbatimi i standardeve evropiane.

6.3. Kapitulli 21 – Rrjetet trans-evropiane – Përparim

  • Në 2025 ka përparim në përgatitjen e projekteve të transportit dhe energjisë.
  • Në 2026 ka përafrim më i avancuar ligjor dhe vijim i investimeve në rrjetet TEN-T dhe TEN-E.

Mbeten sfida në kapacitetet administrative, financimin e qëndrueshëm dhe përfundimin e projekteve të korridoreve evropiane.

6.4. Kapitulli 27 – Mjedisi dhe ndryshimet klimatike – Përkeqësim i rëndësishëm

Ky është kapitulli ku raporti 2026 jep një sinjal veçanërisht të fortë negativ.

Dimensioni Raporti 2025 Raporti 2026
Niveli i përgatitjes Nivel i pjesshëm Nivel i pjesshëm
Progresi Pa progres Progres i kufizuar
Zonat e mbrojtura Shqetësime për ligjin e zonave të mbrojtura dhe paketën e maleve Përkeqësim i mbrojtjes së natyrës dhe problematika të zbatimit
Mbetjet Ligjet në proces Miratohen akte zbatuese
Ujërat Legjislacioni në përgatitje Ende kërkohet zbatim dhe përmirësim
Klima Mungesë zhvillimesh të rëndësishme Miratohen plane dhe kuadër për monitorimin e emetimeve
Investimet turistike Kërkohet respektimi i standardeve mjedisore Evidentohet drejtpërdrejt konflikti me mbrojtjen e natyrës

Një dallim i rëndësishëm është, se në raportin 2025 KE evidentonte mungesën e progresit dhe problematikat e krijuara nga ndryshimet ligjore për zonat e mbrojtura dhe paketa e maleve. Në raportin 2026 ajo shkon më tej, duke lidhur dobësitë e qeverisjes mjedisore dhe zbatimit të ligjit me përkeqësimin e mbrojtjes së natyrës dhe protestat qytetare.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka miratuar planin kombëtar të përshtatjes klimatike, ka përditësuar planin kombëtar të energjisë dhe klimës dhe ka avancuar legjislacionin për emetimet.

Përparimi ligjor në klimë nuk e kompenson dobësinë e qeverisjes mjedisore. KE po e lidh gjithnjë e më shumë politikën e investimeve me përgjegjësinë për ruajtjen e kapitalit natyror.

Ky është një sinjal i rëndësishëm për investimet strategjike në turizëm, pasuritë natyrore, territorin dhe administrimin e aseteve publike.

VII. Cluster 5 – Burimet, bujqësia dhe kohezioni 

Në këtë grupkapitull vihet re një përparim gradual në krijimin e sistemeve dhe kapaciteteve për administrimin e fondeve evropiane. Megjithatë, zbatimi dhe kontrolli mbeten sfida.

Kapitulli 2025 2026 Tendenca
11. Bujqësia dhe zhvillimi rural Disa përparime në FSDN dhe LPIS Përparim në ngritjen e sistemeve Përmirësim
12. Siguria ushqimore Miratohet ligji për kontrollet zyrtare Përparim ligjor, por kapacitetet mbeten të dobëta Përmirësim
13. Peshkimi dhe akuakultura Miratohen ligje sektoriale Vijon përafrimi dhe kontrolli Vazhdimësi
22. Politika rajonale dhe kohezioni Përmirësim në kuadrin e investimeve publike Përparim në koordinimin institucional Përmirësim i pjesshëm
33. Dispozitat financiare dhe buxhetore Disa përparime, por të dhëna statistikore të paplota Përmirësime metodologjike, por të dhënat mbeten me kufizime Stagnim i pjesshëm

7.1. Kapitulli 11 – Bujqësia dhe zhvillimi rural

Në 2025 u krijua kuadri ligjor dhe institucional për FSDN dhe LPIS, por mungesë kapacitetesh njerëzore dhe teknike.

Në 2026 ka përparim në sistemet e të dhënave dhe identifikimit të parcelave, por mbetet detyrë përmbushja e kushteve për administrimin e fondeve IPARD III.

Vlerësimi tregon përparim institucional, por ende jo transformim i kapacitetit prodhues të bujqësisë.

7.2. Kapitulli 12 – Siguria ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitarisë

Në 2025 u bë miratimi i ligjit për kontrollet zyrtare dhe nevoja për përafrim të mëtejshëm të ligjeve për shëndetin e kafshëve dhe bimëve.

Në 2026 ka përparim në kuadrin e kontrolleve, por KE kërkon zbatim efektiv, kategorizimin e operatorëve ushqimorë dhe modernizimin e stabilimenteve.

Vlerësimi tregon përparim ligjor, por kapacitetet e kontrollit dhe laboratorëve mbeten të pamjaftueshme.

7.3. Kapitulli 13 – Peshkimi dhe akuakultura

Në të dy raportet ka përparim në përafrimin ligjor dhe sistemet e monitorimit të flotës. Mbeten mangësi në inspektim, mbledhjen e të dhënave dhe këshillimin shkencor.

7.4. Kapitulli 22 – Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore

Në 2025 shënohet përparim në kuadrin e investimeve publike dhe përgatitjen e strukturave për politikën e kohezionit.

Në 2026 shënohet përparim në kapacitetet e koordinimit, por kërkohet administrim më i mirë i fondeve, kontrolli i konflikteve të interesit dhe mbrojtja e interesave financiare të BE-së.

Vlerësimi tregon se Shqipëria po ndërton strukturat për fondet evropiane, por ende nuk ka kapacitet të plotë për administrimin e tyre në standardin e kërkuar.

7.5. Kapitulli 33 – Dispozitat financiare dhe buxhetore – Dobësi e vazhdueshme

  • Në 2025 u arrit përafrimi me ESA 2010 dhe përmirësimi i transmetimit të të dhënave në Eurostat.
  • Në 2026 u arritën përmirësime metodologjike në statistikat financiare publike, por të dhënat për deficitin dhe financat qeveritare vijojnë të kenë kufizime në publikim.

KE kërkon gjithashtu përafrim të legjislacionit të TVSH-së dhe detyrimeve doganore, si dhe forcim të kapaciteteve për sistemin e burimeve të veta të BE-së.

Interpretimi: Ky kapitull lidhet drejtpërdrejt me transparencën e financave publike dhe aftësinë e Shqipërisë për të marrë pjesë në sistemin buxhetor të BE-së.

VIII. Cluster 6 – Marrëdhëniet me jashtë

8.1. Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me jashtë – Përparim

  • Në 2025 u arrit përparim në përafrimin e legjislacionit për kontrollin e investimeve të huaja direkte dhe mallrat me përdorim të dyfishtë, si dhe në zbatimin e protokolleve CEFTA.
  • Në 2026 vijon përafrimi i legjislacionit për investimet e huaja, tregtinë dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Mbetet nevoja për kapacitete institucionale për kontrollin e investimeve të huaja dhe për përafrimin e plotë të marrëveshjeve me acquis.

8.2. Kapitulli 31 – Politika e jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes – Performancë e qëndrueshme

Të dy raportet vlerësojnë pozitivisht përputhjen e Shqipërisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

Në 2025 u evidentuan:

  • Përputhje e plotë me deklaratat dhe masat kufizuese të BE-së.
  • Nënshkrimi i Partneritetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes BE–Shqipëri.
  • Rritja e pjesëmarrjes në misionet evropiane.

Në 2026:

  • Vijon përputhja e plotë.
  • Forcohet pjesëmarrja në operacionet e BE-së.
  • Avancojnë kapacitetet për sigurinë kibernetike dhe kundër ndërhyrjeve të huaja.

Vlerësimi e rendit si një nga fushat ku Shqipëria ka treguar vazhdimësi dhe besueshmëri të lartë ndaj BE-së.

  1. Marrëdhëniet e fqinjësisë dhe bashkëpunimi rajonal; qëndrueshmëria dhe siguria

Këto dy fusha trajtohen veçmas nga gjashtë grupkapitujt në strukturën e raporteve.

9.1. Marrëdhëniet e fqinjësisë dhe bashkëpunimi rajonal

Në raportin 2025 theksi ishte te roli konstruktiv i Shqipërisë në CEFTA, bashkëpunimi rajonal dhe zbatimi i Planit të Përbashkët të Tregut Rajonal.

Në raportin 2026 vijon vlerësimi pozitiv për integrimin rajonal dhe bashkëpunimin ekonomik, por fokusi zgjerohet te zbatimi praktik i marrëveshjeve dhe ndërveprimi me tregun e përbashkët evropian.

9.2. Qëndrueshmëria, siguria dhe mbrojtja

Të dy raportet vlerësojnë pozitivisht orientimin strategjik të Shqipërisë drejt BE-së dhe NATO-s.

Raporti 2026 evidenton më tej nevojën për forcimin e kapaciteteve kundër kërcënimeve hibride, ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit, si dhe pjesëmarrjen në operacionet e sigurisë evropiane.

  1. Renditja krahasuese e problematikave kryesore 2025–2026

Duke integruar të gjitha grupkapitujt, mund të identifikohen dhjetë fusha ku raportet tregojnë më qartë distancën ndërmjet progresit formal dhe ndryshimit real.

Renditja Problematika Tendenca 2025–2026
1 Sundimi i ligjit dhe korrupsioni Përmirësim institucional, rezultate përfundimtare ende të pamjaftueshme
2 Demokracia dhe kontrolli parlamentar Stagnim
3 Mbrojtja e mjedisit dhe natyrës Përkeqësim
4 Administrata publike dhe konsultimi Stagnim
5 Konkurrueshmëria dhe struktura prodhuese Stagnim strukturor
6 Politika fiskale dhe administrimi tatimor Përmirësim i kufizuar
7 Konkurrenca dhe ndihma shtetërore Stagnim
8 Investimet publike, PPP-të dhe asetet publike Përmirësim ligjor, dobësi në zbatim
9 Kapitali njerëzor dhe arsimi Përmirësim institucional, rezultate strukturore të kufizuara
10 Transparenca dhe liria e medias Dobësi të vazhdueshme

10.1. Fushat ku Shqipëria ka përparuar më shumë – Përparimi më i dukshëm

  1. Përfundimi i procesit të vettingut.
  2. Hapja e të gjashtë grupkapitujve.
  3. Mbyllja e përkohshme e katër kapitujve.
  4. Përafrimi i legjislacionit për shoqëritë tregtare.
  5. Përmirësimi i kuadrit të energjisë.
  6. Zhvillimi i sistemeve doganore dhe digjitale.
  7. Përmirësimi i sistemeve të statistikave bujqësore.

10.2. Fushat ku nuk ka pasur ndryshim thelbësor

  1. Kontrolli parlamentar dhe dialogu politik.
  2. Konsultimi publik dhe cilësia e vendimmarrjes.
  3. Pavarësia dhe zbatimi i rregullave të konkurrencës.
  4. Cilësia e investimeve publike dhe PPP-ve.
  5. Produktiviteti i industrisë dhe bujqësisë.
  6. Pajtueshmëria tatimore dhe formalizimi i ekonomisë.
  7. Kapacitetet e inspektimit dhe zbatimit të ligjit.

10.3. Fushat ku ka përkeqësim

Problematika më e dallueshme është mbrojtja e mjedisit dhe natyrës. Raporti 2026 evidenton një përkeqësim të qeverisjes mjedisore dhe lidhjen ndërmjet dobësive institucionale, investimeve në zona të mbrojtura dhe protestave qytetare.

Çfarë tregon krahasimi për ekonominë shqiptare?
Nga këndvështrimi ekonomik, fiskal dhe institucional, krahasimi i dy raporteve nxjerr në pah pesë kontradikta.

  • Rritja ekonomike kundrejt transformimit ekonomik
    Shqipëria ruan rritjen ekonomike, por nuk po e shndërron atë në rritje të mjaftueshme të produktivitetit, eksporteve industriale dhe konkurrueshmërisë.Turizmi është një burim i rëndësishëm i të ardhurave, por nuk mund të zëvendësojë një bazë të diversifikuar prodhuese.
  • Rritja e të ardhurave kundrejt cilësisë së sistemit fiskal
    KE nuk e kufizon analizën te mbledhja e të ardhurave. Ajo kërkon:- Rishikim të përjashtimeve tatimore.- Përdorim të të dhënave nga palët e treta.- Vlerësim të riskut tatimor.- Pajtueshmëri vullnetare.- Përafrim me acquis.- Kontroll të marrëveshjeve fiskale të veçanta.Kjo do të thotë se reforma fiskale duhet të vlerësohet jo vetëm nga rezultati buxhetor, por edhe nga cilësia e shpërndarjes së barrës dhe trajtimi i barabartë i bizneseve.
  • Investimet kundrejt interesit publik
    Në të dy raportet KE kërkon përmirësim të administrimit të investimeve publike. Në 2026, vëmendja te zonat e mbrojtura e bën më të dukshëm konfliktin ndërmjet nxitjes së investimeve dhe ruajtjes së interesit publik.Investimi nuk është automatikisht zhvillim. Ai duhet të vlerësohet për produktivitetin, ndikimin fiskal, konkurrencën, mjedisin dhe përfitimin publik.
  • Përafrimi ligjor kundrejt zbatimit institucional
    Ky është elementi më i qëndrueshëm në të dy raportet. Shqipëria miraton ligje dhe krijon struktura, por shpesh nuk siguron kapacitetet për zbatimin e tyre.Ky hendek shfaqet në tatime, konkurrencë, administratë publike, prokurime, mjedis dhe siguri ushqimore.
  • Integrimi evropian kundrejt përgatitjes reale të ekonomisë
    Hapja e të gjithë grupkapitujve është sukses politik dhe diplomatik. Por integrimi ekonomik kërkon një nivel tjetër përgatitjeje: ndërmarrje më produktive, institucione më të pavarura, administrim më cilësor të financave publike dhe konkurrencë të ndershme.

Vlerësimi strategjik sipas POLIFAKT

Raporti 2025 paraqiste Shqipërinë si një vend që kishte krijuar momentum në negociatat e anëtarësimit, por që duhej të përshpejtonte reformat për të përmbushur standardet evropiane.Raporti 2026 konfirmon se ky momentum është shndërruar në rezultate konkrete të negociatave, por evidenton se përparimi formal nuk është shoqëruar me të njëjtën shpejtësi nga transformimi i institucioneve dhe ekonomisë.

Për ta kuptuar më mirë këtë ndryshim, propozoj ta lexojmë përmes tri niveleve:

Dy raportet e KE-së tregojnë se Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm përpara në procesin e integrimit evropian, por jo në të gjitha dimensionet e zhvillimit të saj.Në vitin 2025 sfida ishte përshpejtimi i reformave për të hapur negociatat. Në vitin 2026 sfida është të provohet se këto reforma mund të prodhojnë institucione funksionale, ekonomi konkurruese dhe administrim të përgjegjshëm të burimeve publike.Prandaj, matësi më i rëndësishëm i progresit të Shqipërisë nuk duhet të jetë numri i kapitujve të hapur apo i ligjeve të miratuara, por ndryshimi që këto reforma prodhojnë në funksionimin e shtetit, në konkurrencën e biznesit dhe në mirëqenien e qytetarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *