
Statistikat e reja demografike tregojnë se shtesa natyrore pozitive nuk mjafton për të garantuar qëndrueshmërinë e popullsisë. Sfida e Shqipërisë është të kthejë rikthimin në integrim ekonomik dhe qëndrimin në perspektivë zhvillimi.
Gjithë dekada e fundit po karakterizohet nga një kontradiktë ekonomike dhe demografike, të cilën ende po e shikojmë jo të plotë si një panoramë, që ka dy realitete me një pjesë të shqiptarëve që po kthehen në vend, por dhe shumë të tjerë që vazhdojnë të largohen.Edhe pse ka filluar të regjistrohet një numër i konsiderueshëm emigrantësh që rikthehen, kjo nuk do të thotë se vendi po rikuperon kapitalin njerëzor që ka humbur gjatë dekadave të emigracionit.
Sipas Profilit Vjetor Kombëtar të Migracionit 2025, të miratuar nga Ministria e Brendshme, rreth 109 mijë shqiptarë janë rikthyer gjatë dhjetë viteve të fundit. Vetëm në vitin 2023 janë regjistruar rreth 12 mijë rikthime.
Këto janë shifra pozitive, por raporti evidenton se kthimi ende nuk arrin të kompensojë flukset e emigracionit. Rikthimi fizik nuk është i njëjtë me rikthimin ekonomik dhe shoqëror. Një emigrant mund të kthehet në vend, por të mos gjejë një vend pune që përputhet me aftësitë e tij, të mos arrijë të përdorë përvojën profesionale të fituar jashtë vendit ose të mos krijojë kushtet e nevojshme për vendosjen e familjes.
Një individ që kthehet në Shqipëri sjell me vete përvojë pune, aftësi profesionale, kursime dhe njohje të tregjeve të huaja. Por a arrin t’i kthejë këto në një punë të mirëpaguar, në një biznes apo në një jetë më të qëndrueshme?
Këtu fillon ajo që quhet edhe prova e vërtetë për ekonominë tonë.
Në vitin 2025, vetëm 309 emigrantë të rikthyer të papunë u regjistruan në portalin e posaçëm të riintegrimit në punë dhe rreth 100 prej tyre u punësuan. Gjithsesi, këto të dhëna nuk përfaqësojnë të gjithë emigrantët e rikthyer, pasi jo të gjithë përdorin portalin. Megjithatë, ato ngrenë një çështje të rëndësishme mbi shkallën e shndërrimit të regjistrimit administrativ në një rezultat konkret punësimi. Një pjesë e mirë e tyre mund të jenë pjesa që hapin leje si individë apo biznese të vogla tëm reja, por që nuk ka të dhëna specifike për ti konsideruar në këtë kategori.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kushtet kur, sipas analizës së UNDP për nevojat e aftësive në vitin 2025, 94.9% e bizneseve në kampionin e studiuar raportojnë vështirësi në rekrutimin e punonjësve. Pra, në të njëjtën kohë që një pjesë e shqiptarëve rikthehen dhe kërkojnë mundësi punësimi, bizneset raportojnë mungesë të fuqisë punëtore dhe vështirësi në gjetjen e aftësive të nevojshme. Ky kontrast tregon se problemi nuk është vetëm mungesa e njerëzve, por edhe mospërputhja ndërmjet ofertës së aftësive, kërkesës së tregut dhe mekanizmave të integrimit.
Të dhënat më të fundit të INSTAT për tremujorin e tretë të vitit 2026 sjellin një element të ri në analizën e zhvillimeve demografike.
Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 5,787 lindje dhe 5,045 vdekje, duke rezultuar në një shtesë natyrore pozitive prej 742 personash. Megjithatë, ky rezultat duhet interpretuar me kujdes. Numri i lindjeve është 10.5% më i ulët krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2025, ndërsa numri i vdekjeve është rritur me 0.4%.
Edhe shpërndarja territoriale tregon një zhvillim të pabarabartë. Vetëm pesë qarqe regjistrojnë shtesë natyrore pozitive, ndërsa shtatë qarqe kanë më shumë vdekje sesa lindje. Tirana regjistron shtesën natyrore më të lartë, me 1,380 lindje më shumë se vdekje, ndërsa Korça ka bilancin më negativ, me 220 vdekje më shumë se lindje.
Këto të dhëna tregojnë se zhvillimi demografik nuk është i njëtrajtshëm në territor dhe se përqendrimi i popullsisë dhe aktivitetit ekonomik vazhdon të jetë një element i rëndësishëm për t’u analizuar. Për këtë arsye, shtesa natyrore pozitive duhet lexuar së bashku me statistikat e migracionit, ndryshimet e popullsisë rezidente dhe shpërndarjen territoriale, ku problemi demografik i Shqipërisë lidhet edhe me aftësinë për të mbajtur njerëzit që kanë lindur, janë arsimuar dhe kanë ndërtuar aftësitë e tyre në këtë vend.
Një tjetër element i rëndësishëm i marrëdhënies së Shqipërisë me emigracionin janë remitancat. Sipas të dhënave të raportuara nga Banka e Shqipërisë, remitancat arritën rreth 621 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026. Megjithatë, ekziston një dallim thelbësor ndërmjet kapitalit financiar që vjen nga emigracioni dhe kapitalit njerëzor që largohet nga vendi. Remitancat mund të mbështesin konsumin, por nuk zëvendësojnë punën e kualifikuar, përvojën profesionale, sipërmarrjen, inovacionin dhe produktivitetin që krijohen brenda ekonomisë. Ekonomia jonë ka mjaftueshëm dekada për tu ndërgjegjësuar se mbështetja te remitancat ka krijuar varësi te një pjesë e familjeve dhe individëve për të mos u përpjekur për rritjen e aftësive të tyre dhe duke u mbajtur te një burim të ardhurash që nuk e kontrollojnë plotësisht. E mira do të ishte që një pjesë më e madhe e kursimeve, përvojës dhe njohurive të emigrantëve të shndërroheshin në investime produktive (jo detyrimisht banesa), biznese dhe kapacitete prodhuese në Shqipëri.
Emigracioni ka një ndikim që po shkon gradualisht përtej numrit të punonjësve të larguar. Bizneset po humbin specialistët dhe profesionistët dhe bashkë me ta po vazhdon të humbë përvojën, njohuritë teknike, aftësinë për të organizuar procese, për të trajnuar punonjës të tjerë dhe për të zgjeruar aktivitetin. Ky efekt është bërë eçanërisht i rëndësishëm për sektorët ku aftësitë profesionale kërkojnë vite për t’u ndërtuar, si industria përpunuese, ndërtimi, teknologjia, shërbimet profesionale, bujqësia e përpunimi agro-ushqimor dhe turizmi.
Në këtë treg pune ku bizneset raportojnë vështirësi rekrutimi, rikthimi i emigrantëve mund të përbëjë një mundësi për të mbushur boshllëqet profesionale. Por kjo kërkon politika që lidhin rikthimin me kërkesat reale të ekonomisë, njohjen e kualifikimeve të fituara jashtë vendit, trajnimin plotësues dhe krijimin e vendeve të punës me produktivitet më të lartë. Mungesa e kësaj lidhje duket te kjo situatë që prezantohet nga raporti më lart, ku njëkohësisht ka emigrantë të rikthyer që nuk gjejnë punë të përshtatshme dhe biznese që nuk gjejnë punonjësit që u nevojiten.
Vendimi për t’u kthyer nuk merret vetëm nga individi, pasi në shumicën e rasteve ai lidhet me të ardhmen e të gjithë familjes. Një familje që rikthehet duhet të përballet me çështje konkrete: ku do të banojë, në cilën shkollë do të regjistrojë fëmijët, si do të sigurojë shërbimet shëndetësore, çfarë mundësish pune do të kenë të dy prindërit dhe si do të integrohet në komunitetin e ri.
Këto vendime ndikohen drejtpërdrejt nga cilësia e shërbimeve publike dhe nga mundësitë që ofron territori. Bazuar te kjo logjikë, politika e rikthimit nuk mund të jetë vetëm një politikë qendrore, por edhe një dimension i fortë vendor. Bashkitë duhet të luajnë rol në identifikimin e nevojave të familjeve që rikthehen, në lehtësimin e aksesit në shërbime, në krijimin e lidhjeve me bizneset lokale dhe në orientimin e investimeve drejt zonave që humbasin popullsi dhe kapacitete ekonomike.Një politikë e tillë duhet të marrë parasysh edhe dallimet dhe pabarazitë ndërmjet qarqeve. Përqendrimi i popullsisë në Tiranë dhe bilancet natyrore negative në disa qarqe tregojnë se rikthimi duhet të lidhet edhe me zhvillimin më të balancuar territorial.
Çfarë duhet të ndryshojë?
Një nga ndryshimet e para është ndryshimi i qasjes nga politika e administrimit të emigracionit te politika e rikthimit të kapitalit njerëzor.
Nga fjalët dhe strategjia duhet nxjerrë ajo praktikë që merr vlerë dhe kuptim për tu zbatuar. Në kuptimin e tregut sot dhe nesër, kjo do të thotë paga dhe vende pune më konkurruese, njohje të kualifikimeve të fituara jashtë, mbështetje për investimet e diasporës, strehim të përballueshëm, arsim dhe shërbime publike më cilësore. Por mbi të gjitha duhet të krijojë besim se një familje mund të ndërtojë të ardhmen në Shqipëri, pa pasur nevojë të mendojë vazhdimisht për një largim tjetër.
Politikat duhet të kenë financim të identifikuar, objektiva të matshëm dhe përgjegjësi institucionale të qarta. Një mekanizëm i veçantë duhet të monitorojë jo vetëm numrin e personave që rikthehen, por edhe sa prej tyre vazhdojnë të jetojnë në Shqipëri pas një, tre apo pesë vitesh, sa punësohen, sa krijojnë biznese dhe sa familje arrijnë të integrohen.
Çështjes së migracionit nuk i mjafton të trajtohet si çështje e lëvizjes së njerëzve, por si një debat dhe politikë puiblike e lidhur me konkurrueshmërinë e ekonomisë, të cilësisë së institucioneve dhe të besimit të qytetarëve te perspektiva e vendit. Në fakt diskutimi rreth emigracionit, rikthimit dhe mbajtjes së kapitalit njerëzor duhet të bëhet pjesë e programeve politike të partive që konkurrojnë për drejtimin e vendit. Ajo nuk mund të mbetet një temë e kufizuar në politikat sociale apo në deklaratat për diasporën, pasi bëhet fjalë për një çështje që prek njëkohësisht zhvillimin ekonomik, tregun e punës, arsimin, financat publike, strehimin dhe qëndrueshmërinë demografike.
Një rëndësi të veçantë kjo çështje duhet të ketë edhe në garën për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Kandidatët për drejtimin e bashkive duhet të paraqesin masa konkrete për krijimin e kushteve që familjet të vendosen, të rinjtë të qëndrojnë dhe emigrantët të rikthehen në territoret e tyre. Kjo nënkupton programe vendore që përfshijnë strehimin, arsimin, shërbimet publike, transportin, punësimin, zhvillimin e biznesit dhe mbështetjen e sipërmarrjes.
Në këtë kuadër, mund të propozohet një angazhim i përbashkët politik dhe institucional me emërtimin “PAKTI KOMBËTAR PËR RIKTHIMIN, INTEGRIMIN DHE MBAJTJEN E KAPITALIT NJERËZOR (2027–2030)”.
Ky pakt do të mbështetej në tri shtylla:
SHTYLLA 1 – Rikthehu dhe investo, duke përfshirë tërheqjen e kapitalit financiar, profesional dhe sipërmarrës të emigrantëve.
SHTYLLA 2 – Jeto dhe integrohu, që ka të bëjë me krijimin e kushteve për punësim, strehim, arsim dhe integrim familjar.
SHTYLLA 3 – Qëndro dhe zhvillohu, që angazhohet për mbajtjen e të rinjve, zhvillimi i bizneseve dhe rritja e mundësive ekonomike në territor.
Në nivel vendor, ky angazhim mund të konkretizohet përmes një Pakti Vendor për Jetesën, Punësimin dhe Rikthimin e Qëndrueshëm, me objektiva të përshtatura sipas nevojave të çdo bashkie. Programet politike duhet të përcaktojnë jo vetëm çfarë premtojnë, por edhe sa kushtojnë masat, nga do të financohen, kush do t’i zbatojë dhe si do të matet rezultati.
Të gjithë duhet të ndërgjegjësohemi, se kthimi nuk është integrim, remitancat nuk zëvendësojnë produktivitetin, rritja natyrore nuk garanton ruajtjen e popullsisë dhe rikthimi nuk është sukses nëse pasohet nga një largim i dytë.
Relaksimi i vërtetë do të jetë kur njerëzit të gjejnë punë dinjitoze, të krijojnë biznese, të rrisin fëmijët, të investojnë në komunitetet e tyre dhe të vendosin se e ardhmja e tyre mund të ndërtohet në Shqipëri. Për ne kjo do të thotë se politika, ekonomia dhe shoqëria ja kanë dalë kur kthimi të bëhet mundësi, qëndrimi të bëhet perspektivë dhe zhvillimi të bëhet arsyeja për të zgjedhur Shqipërinë dhe jo vendet e tjera.
Burimet kryesore
Ministria e Brendshme – Profili i Migracionit 2025.INSTAT – Anketa e Migracionit Familjar dhe studimi mbi integrimin e të rikthyerve.INSTAT – Treguesit Demografikë, Tremujori III 2026.Banka e Shqipërisë – Statistikat e remitancave, gjashtëmujori i parë 2026.UNDP – Skills Needs Analysis Albania 2025.FMN – Albania Article IV Consultation
