Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë 2026

05/11/20260

Renditja e gjetjeve kryesore sipas kapitujve dhe grupkapitujve

4 nëntor 2026 – Burimi: KE

Dokumenti bazë është Albania 2026 Report, SWD(2026) 690 final, i Komisionit Evropian. Analiza më poshtë ndjek strukturën e raportit dhe dallon tri elemente: vlerësimin e KE-së, gjetjet kryesore dhe detyrat që mbeten për Shqipërinë.
Përfundimi i përgjithshëm është, se Shqipëria ka ruajtur ritmin e hapjes së negociatave dhe ka bërë përparim në përafrimin ligjor me BE-në. Megjithatë, raporti evidenton një hendek të rëndësishëm ndërmjet miratimit të ligjeve dhe zbatimit të tyre real, veçanërisht në sundimin e ligjit, konkurrencën, administrimin publik, konsultimin, mjedisin dhe kapacitetet institucionale.
Një zhvillim pozitiv është se Shqipëria ka hapur të gjashtë grupkapitujt dhe ka mbyllur përkohësisht katër kapituj. Objektivi i qeverisë është mbyllja e negociatave deri në fund të vitit 2027, por KE e lidh këtë objektiv me realizimin e reformave me cilësi dhe rezultate konkrete.

  1. Cluster 1 – Themeloret e procesit të anëtarësimit
    Grupkapitulli më kritik. Ky grupkapitull përmban vlerësimet më të rëndësishme për funksionimin e shtetit, drejtësinë, demokracinë dhe luftën kundër korrupsionit.

1.1 Demokracia dhe funksionimi i institucioneve
Vlerësimi kryesor – Kuadri ligjor zgjedhor është përgjithësisht i përshtatshëm, por kërkohet reformë e plotë zgjedhore.

Gjetjet:

  • Rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias nuk janë adresuar plotësisht.
  • Kuvendi ushtron vetëm pjesërisht funksionin e kontrollit mbi ekzekutivin.
  • Mungesa e dialogut politik dhe refuzimi sistematik i kërkesave të opozitës për komisione hetimore dobësojnë mbikëqyrjen parlamentare.
  • Konsultimi publik dhe dialogu ndërpartiak mbeten të pamjaftueshëm.
  • Emërimet në institucione kushtetuese dhe të pavarura vijojnë të shfaqin problematika politizimi.
  • Protestat qytetare për zonën e mbrojtur Pishë Poro–Nartë janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë për transparencë, llogaridhënie dhe luftë kundër korrupsionit.

Prioriteti – Reformë zgjedhore përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, forcim i kontrollit parlamentar dhe dialogut politik.

1.2 Reforma e administratës publike – Përgatitje mesatare

  • Është miratuar kuadri i ndryshuar për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
  • Rishikimet buxhetore vazhdojnë të realizohen përmes akteve normative, duke kufizuar kontrollin parlamentar.
  • Konsultimet publike nuk zhvillohen rregullisht dhe nuk shoqërohen me ndjekje efektive të rekomandimeve.
  • Rekrutimi, promovimi dhe largimi nga shërbimi civil kërkojnë rregulla më të forta meritokracie, sidomos në nivelet e larta.

Prioriteti – Disiplina fiskale, vlerësimi i ndikimit rregullator, konsultimi real dhe profesionalizimi i administratës.

1.3 Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të drejtat themelore – Përparim i mirë

Drejtësia

  • Procesi i vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët është përfunduar plotësisht, përfshirë fazën e ankimit.
  • Emërimi i drejtuesit të ri të SPAK është vlerësuar si konkurrues dhe transparent.
  • Mungesa e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës vazhdon të ndikojë cilësinë dhe shpejtësinë e drejtësisë.
  • Ndërhyrjet e papërshtatshme politike dhe sulmet ndaj magjistratëve mbeten shqetësim.
  • Sistemi i integruar elektronik i menaxhimit të çështjeve gjyqësore ende nuk është finalizuar.

Lufta kundër korrupsionit

  • SPAK ka treguar pavarësi dhe rezultate pozitive në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë.
  • Kuadri ligjor për konfliktin e interesit, lobimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve është përmirësuar.
  • Megjithatë, korrupsioni mbetet sfidë reale.
  • Mungojnë ende rezultate përfundimtare të mjaftueshme në çështjet e profilit të lartë, përfshirë konfiskimin përfundimtar të pasurive të përfituara nga korrupsioni.

Të drejtat themelore

  • Janë miratuar ligje të reja për barazinë gjinore dhe mbrojtjen alternative.
  • Të drejtat e pronësisë dhe të pakicave kërkojnë përmirësim.
  • Reforma e burgjeve dhe kushtet në institucionet e vuajtjes së dënimit mbeten problematike.
  • Kërkohet përshpejtim i regjistrimit fillestar të pronave dhe digjitalizimit të dokumentacionit kadastral.

Prioriteti – Kalimi nga rezultatet hetimore te dënimet përfundimtare, konfiskimi i pasurive dhe forcimi i pavarësisë institucionale.

1.4 Liria e shprehjes dhe medias – Përgatitje nga e pjesshme në mesatare

  • Garancitë ligjore për lirinë e shprehjes mbeten të pamjaftueshme.
  • Përqendrimi i pronësisë së medias dhe lidhjet ndërmjet grupeve të biznesit dhe politikës ndikojnë pluralizmin.
  • Burimet e financimit të medias nuk janë mjaftueshëm transparente.
  • Gazetarët përballen me intimidim, fushata denigruese dhe padi strategjike (SLAPP).
  • Pavarësia e autoritetit rregullator të medias dhe transmetuesit publik mbetet shqetësim.

Prioriteti – Transparenca e pronësisë dhe financimit, pavarësia editoriale, mbrojtja e gazetarëve dhe ndarja e qartë e interesave politike e ekonomike.

1.5 Kapitulli 24 – Drejtësia, liria dhe siguria – Përparim i mirë

  • Zyra e rikuperimit të aseteve ka filluar të bëhet funksionale.
  • Është përmirësuar bashkëpunimi ndërkombëtar kundër grupeve kriminale.
  • Janë forcuar hetimet financiare dhe lufta kundër pastrimit të parave.
  • Janë miratuar ndryshime në Kodin Penal për trafikimin, pastrimin e parave, abuzimin seksual me fëmijët dhe terrorizmin.
  • Mbeten problematike kapacitetet e observatorit të drogës dhe sistemit të paralajmërimit të hershëm.
  • Kërkohet përmirësim i procedurave të azilit dhe mbrojtjes së të miturve të pashoqëruar.

Prioriteti – Hetimet financiare sistematike, konfiskimi i pasurive kriminale dhe forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional.

  1. Kriteret ekonomike
    Ky seksion është veçanërisht i rëndësishëm sepse KE vlerëson jo vetëm stabilitetin makroekonomik, por edhe aftësinë e ekonomisë shqiptare për të konkurruar në tregun e përbashkët evropian.

2.1 Ekzistenca e një ekonomie funksionale tregu – Përgatitje e mirë

Gjetjet pozitive

  • Rritje ekonomike e mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe turizmi gjatë vitit 2025.
  • Përmirësim i pozicionit të llogarisë korrente, e cila arriti deficitin më të ulët historik.
  • Inflacioni mbeti nën objektivin e Bankës së Shqipërisë.
  • Borxhi publik vijoi të ulej si raport ndaj PBB-së.
  • Sektori bankar mbeti i qëndrueshëm dhe kreditimi privat u rrit.
  • Tregu i punës shënoi përmirësim.

Problematikat

  • Të ardhurat publike si përqindje e PBB-së mbeten të ulëta.
  • Investimet publike pësojnë vazhdimisht mosrealizim të planifikimit buxhetor.
  • Emigracioni mbetet problem strukturor.
  • Mjedisi i biznesit ndikohet nga dobësitë e sundimit të ligjit.
  • Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë akses të kufizuar në financim.
  • Mbikëqyrja dhe qeverisja e ndërmarrjeve shtetërore kanë mangësi.

Prioriteti – Zbatimi i strategjisë afatmesme të të ardhurave, kadastra fiskale, reforma e tatimit mbi pronën dhe transparenca e risqeve fiskale nga PPP-të dhe ndërmarrjet publike.

2.2 Aftësia konkurruese dhe presionet e tregut të BE-së – Përgatitje nga e pjesshme në mesatare

  • Sistemi arsimor nuk prodhon ende aftësi të përshtatura me nevojat e tregut.
  • Hendeku i aftësive profesionale dhe papunësia/inaktiviteti i të rinjve NEET mbeten shqetësime.
  • Infrastruktura e transportit dhe ajo digjitale janë përmirësuar, por boshllëqet mbeten të konsiderueshme.
  • Turizmi është sektor me rritje të fortë.
  • Industria dhe bujqësia kanë produktivitet të ulët dhe kanë pësuar tkurrje.
  • Eksportet e manifakturës kanë rënë për të tretin vit radhazi, të ndikuara nga kërkesa e dobët e jashtme, mbiçmimi i lekut dhe fuqia e kufizuar e bizneseve për të përcaktuar çmimet.

Prioriteti – Arsimi profesional dual, kërkimi shkencor, inovacioni dhe përshpejtimi i investimeve në infrastrukturën e transportit dhe energjisë.

2.3 Kapitulli 5 – Prokurimi publik – Përgatitje mesatare deri e mirë

  • Miratimi i ligjit për koncesionet dhe partneritetet publiko-private përbën përparim në përafrimin ligjor.
  • Procedurat konkurruese dhe integriteti i prokurimit kërkojnë përmirësim.
  • Mbeten boshllëqe në përafrimin me acquis të BE-së.
  • Marrëveshjet ndërqeveritare dhe ligjet e posaçme (lex specialis) me vendet jashtë BE-së duhet të jenë në përputhje me detyrimet evropiane.

Prioriteti – Konkurrencë reale në prokurim, transparencë dhe integritet në administrimin e kontratave publike.

2.4 Kapitulli 18 – Statistikat – Përgatitje mesatare

  • Ka përparim në statistikat makroekonomike sipas standardit ESA 2010.
  • Nevojitet rritje e cilësisë dhe kohës së publikimit të të dhënave.
  • Regjistrimi i bujqësisë duhet të realizohet sipas standardeve evropiane.
  • INSTAT ka nevojë për staf, sisteme IT dhe siguri më të mirë të të dhënave.

Prioriteti – Pavarësia, cilësia dhe kapacitetet e sistemit statistikor.

2.5 Kapitulli 32 – Kontrolli financiar – Përgatitje mesatare

  • Është rivendosur nënkomisioni parlamentar për auditimin publik.
  • Delegimi i përgjegjësive financiare dhe menaxheriale kërkon përmirësim.
  • Kontrolli parlamentar mbi rekomandimet e auditimit duhet të bëhet sistematik.
  • Nevojitet forcim i mekanizmave kundër mashtrimit dhe mbrojtjes së interesave financiare të BE-së.

Prioriteti – Përgjegjshmëria financiare, auditimi i jashtëm dhe ndjekja e rekomandimeve të auditimit.

  1. Cluster 2 – Tregu i brendshëm
    Ky grupkapitull mat aftësinë e Shqipërisë për të funksionuar në tregun e përbashkët evropian, duke përfshirë mallrat, shërbimet, kapitalin, konkurrencën dhe mbrojtjen e konsumatorit.

3.1 Kapitulli 1 – Lëvizja e lirë e mallrave – Përgatitje nga e pjesshme në mesatare

  • Nuk është shënuar përparim në përafrimin me acquis gjatë periudhës së raportimit.
  • Infrastruktura e cilësisë, akreditimi dhe vlerësimi i konformitetit kërkojnë përafrim.
  • Inspektorati i mbikëqyrjes së tregut ka nevojë për kapacitete më të mëdha.
  • Mungon përfundimi i planit për zbatimin e parimit të njohjes reciproke.

Prioriteti – Kontrolli i produkteve, standardizimi dhe eliminimi i pengesave teknike për tregtinë.

3.2 Kapitulli 2 – Lëvizja e lirë e punëtorëve – Përgatitje mesatare

  • Janë avancuar marrëveshjet dypalëshe për koordinimin e sigurimeve shoqërore.
  • Ka përparim në përgatitjen për lidhjen me rrjetin evropian EURES.
  • Kërkohet përafrim i mëtejshëm i legjislacionit për trajtimin e barabartë të punëtorëve të BE-së.
  • Nevojitet zhvillim i sistemeve elektronike për sigurimet shoqërore dhe kartën evropiane të shëndetit.

Prioriteti – Lëvizshmëria e punës, njohja e të drejtave dhe ndërveprimi i sistemeve administrative.

3.3 Kapitulli 3 – E drejta e vendosjes dhe liria e shërbimeve – Përgatitje mesatare

  • Miratimi i ligjit për lirinë e vendosjes dhe ofrimin e shërbimeve është zhvillim pozitiv.
  • Legjislacioni zbatues dhe ai sektorial kërkojnë përafrim të mëtejshëm.
  • Njohja reciproke e kualifikimeve profesionale mbetet një çështje e hapur.

Prioriteti: Lehtësimi i ofrimit ndërkufitar të shërbimeve dhe njohja e profesioneve të rregulluara.

3.4 Kapitulli 4 – Lëvizja e lirë e kapitalit – Përgatitje e mirë

  • Janë miratuar ligje për shërbimet e pagesave dhe kundër pastrimit të parave.
  • Vijon zbatimi i strategjisë 2024–2030 për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
  • Duhet garantuar trajtim i barabartë për shtetasit shqiptarë dhe ata të BE-së në blerjen e tokës.
  • Nevojitet përgatitje për sistemin e pagesave të menjëhershme TARGET.

Prioriteti – Liberalizimi i lëvizjes së kapitalit dhe integrimi financiar me BE-në.

3.5 Kapitulli 6 – E drejta e shoqërive tregtare – Përgatitje e mirë

  • Janë miratuar ndryshime për kontabilitetin, auditimin dhe transparencën.
  • Është përafruar legjislacioni për shoqëritë tregtare evropiane dhe format e tjera të bashkëpunimit ekonomik.
  • Fokusi i ardhshëm është zbatimi efektiv i ligjeve dhe forcimi i kapaciteteve të autoriteteve.

Prioriteti: Transparenca korporative, auditimi dhe përgjegjshmëria e kompanive.

3.6 Kapitulli 7 – Pronësia intelektuale – Përgatitje e mirë

  • Janë miratuar ndryshime për të drejtën e autorit, dizajnet industriale dhe treguesit gjeografikë.
  • Është përmirësuar struktura institucionale.
  • Organizatat e administrimit kolektiv kanë ende probleme me mbledhjen dhe shpërndarjen e të ardhurave për mbajtësit e të drejtave.

Prioriteti – Zbatimi i të drejtave të pronësisë intelektuale dhe forcimi i kontrollit.

3.7 Kapitulli 8 – Politika e konkurrencës – Përgatitje nga e pjesshme në mesatare

Ky është një nga kapitujt që kërkon vëmendje të veçantë ekonomike.

  • Është shënuar vetëm përparim i kufizuar.
  • Pavarësia operacionale e Autoritetit të Kontrollit të Ndihmës Shtetërore duhet garantuar.
  • Legjislacioni për ndihmën shtetërore, përqendrimet dhe antitrustin kërkon përafrim të mëtejshëm.
  • Ministritë dhe autoritetet vendore duhet të njoftojnë paraprakisht masat e ndihmës shtetërore.

Prioriteti – Pavarësia e autoritetit, kontrolli i subvencioneve dhe mbrojtja e konkurrencës së ndershme.

3.8 Kapitulli 9 – Shërbimet financiare – Përgatitje e mirë

  • Ka përparim në përafrimin e rregullave bankare me direktivat dhe rregulloret evropiane.
  • Kërkohet përfshirja e të gjitha institucioneve financiare në kuadrin e përshtatshëm të rregullimit dhe mbikëqyrjes.
  • Mbeten punë për t’u kryer në sigurime, pensione profesionale dhe tregjet e kapitalit.

Prioriteti – Mbikëqyrja financiare dhe integrimi i plotë i tregjeve financiare.

3.9 Kapitulli 28 – Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit – Përgatitje nga faza e hershme deri në të pjesshme

  • Është miratuar një paketë ligjore për përafrimin me acquis të konsumatorit.
  • Nevojitet ende ligji i ri për mbrojtjen e konsumatorit.
  • Ka boshllëqe në legjislacionin për barnat, pajisjet mjekësore dhe kontrollin e duhanit.
  • Shërbimet shëndetësore kanë nevojë për më shumë burime njerëzore dhe financiare.
  • Duhet garantuar akses i barabartë për grupet vulnerabël.

Prioriteti – Mbrojtja efektive e konsumatorit dhe rritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

  1. Cluster 3 – Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse
    Ky grupkapitull ka rëndësi të veçantë për modelin ekonomik shqiptar, politikën fiskale, investimet, tregun e punës dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.

4.1 Kapitulli 10 – Transformimi digjital dhe media – Përgatitje e mirë

  • Është përafruar legjislacioni për sigurinë kibernetike me direktivën NIS 2.
  • Është miratuar Strategjia e Sigurisë Kibernetike 2025–2030.
  • Duhet shtrirë numri i emergjencës 112 në të gjithë vendin.
  • Mbetet përfundimi i legjislacionit zbatues për komunikimet elektronike.
  • Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë nevojë për mbështetje në adoptimin e teknologjive të avancuara.

4.2 Kapitulli 16 – Tatimet – Përgatitje mesatare
Ky është një nga kapitujt më të rëndësishëm për analizën e politikës fiskale.

Gjetjet e KE-së:

  • Ka përparim në reformën e administratës tatimore dhe zbatimin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave.
  • Është përfunduar rishikimi i përjashtimeve tatimore.
  • Strategjia duhet të zbatohet duke adresuar përjashtimet dhe duke përmirësuar përdorimin e të dhënave nga palët e treta.
  • Duhet të forcohet pajtueshmëria vullnetare dhe vlerësimi i riskut tatimor.
  • KE kërkon që Marrëveshja e Paqes Fiskale të mos promovohet në vend të këtyre reformave dhe të përmbushë standardet e FATF.
  • Legjislacioni i TVSH-së, akcizave dhe tatimeve direkte duhet të përafrohet me acquis.
  • Duhet të përgatitet ndërveprimi i sistemeve IT tatimore me sistemet e BE-së.

Prioriteti – Kalimi nga administrimi formal i tatimeve drejt një sistemi të bazuar në risk, transparencë, të dhëna dhe pajtueshmëri vullnetare.

4.3 Kapitulli 17 – Politika ekonomike dhe monetare – Përgatitje e mirë

  • Është miratuar ligji i ri për Bankën e Shqipërisë në funksion të përafrimit me acquis.
  • Kërkohet garantimi i vazhdimësisë së funksionimit të Këshillit Mbikëqyrës gjatë periudhës së emërimeve të reja.
  • Duhet zbatuar ligji për Këshillin Fiskal për krijimin e një institucioni fiskal të pavarur.
  • Duhet përshtatur legjislacioni dhe praktikat buxhetore me kërkesat e BE-së.

Prioriteti – Pavarësia e kontrollit fiskal dhe forcimi i kuadrit institucional të politikës ekonomike.

4.4 Kapitulli 19 – Politika sociale dhe punësimi

Përgatitje mesatare

  • Është shtrirë në nivel kombëtar Garancia Rinore.
  • Përparimi i përgjithshëm është vlerësuar i kufizuar.
  • Mbeten boshllëqe në legjislacionin e punës dhe sigurinë në punë.
  • Inspektoratet kanë nevojë për burime njerëzore, financiare dhe teknike.
  • Financimi i shërbimeve sociale përmes Fondit Social duhet rritur.
  • Dialogu social ndërmjet qeverisë, punëdhënësve dhe punëmarrësve duhet të bëhet më efektiv.

Prioriteti – Mbrojtja e të drejtave të punës, formalizimi dhe shërbimet sociale në nivel vendor.

4.5 Kapitulli 20 – Politika e ndërmarrjeve dhe industrisë – Përgatitje e mirë

  • Është ndryshuar Strategjia e Zhvillimit të Biznesit dhe Investimeve.
  • Është miratuar legjislacioni për vonesat në pagesa.
  • Mbetet nevoja për luftimin e informalitetit dhe garantimin e konkurrencës së drejtë ndërmjet operatorëve vendas dhe të huaj.
  • KE kërkon përshpejtimin e hartimit dhe miratimit të një ligji të ri për investimet.
  • Rekomandohet shfuqizimi i ligjit për investitorët strategjikë.

Prioriteti – Një kuadër modern investimesh, me rregulla të barabarta dhe mbrojtje të investitorëve.

Ky konstatim është veçanërisht i rëndësishëm për diskutimin mbi projektligjin e ri të investimeve: KE e lidh reformën me zëvendësimin e mekanizmit ekzistues të investitorëve strategjikë.

4.6 Kapitulli 25 – Shkenca dhe kërkimi – Përgatitje mesatare deri e mirë

  • Është bërë përparim në përafrimin me acquis dhe në ekosistemin e inovacionit.
  • Investimet në kërkim dhe zhvillim mbeten të ulëta.
  • Bashkëpunimi ndërmjet sektorit publik dhe privat duhet të forcohet.
  • Objektivi është arritja e shpenzimeve për kërkim dhe zhvillim në nivelin 1% të PBB-së deri në vitin 2030.

4.7 Kapitulli 26 – Arsimi dhe kultura – Përgatitje e mirë

  • Është krijuar Agjencia Kombëtare e Shërbimeve Arsimore.
  • Është vlerësuar përparimi në organizimin e shërbimeve dhe transparencën.
  • Kërkohet rritje e shpenzimeve publike për arsimin.
  • Duhet përmirësuar cilësia dhe përfshirja në të gjitha nivelet.
  • Arsimi profesional duhet të jetë më fleksibël dhe më i përshtatur me tregun e punës.

4.8 Kapitulli 29 – Bashkimi doganor – Përgatitje e mirë

  • Ka përparim në përafrimin e legjislacionit doganor.
  • Është miratuar strategjia IT për modernizimin e sistemeve doganore.
  • Vijojnë përgatitjet për sistemin e ri të tranzitit NCTS dhe sistemin e automatizuar të eksporteve AES.
  • Shërbimi Doganor duhet të forcojë kapacitetet dhe rezistencën ndaj korrupsionit.
  • Mbeten problematike kontrabanda, produktet e falsifikuara dhe koordinimi institucional.

Prioriteti – Integrimi digjital doganor me BE-në, lufta kundër kontrabandës dhe forcimi i integritetit institucional.

  1. Cluster 4 – Agjenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme
    Ky grupkapitull evidenton një kontrast të rëndësishëm: përparim në energji dhe infrastrukturë, por dobësi serioze në mbrojtjen e mjedisit dhe zbatimin e legjislacionit.

5.1 Kapitulli 14 – Politika e transportit – Përgatitje mesatare

  • Është krijuar qendra e monitorimit të trafikut rrugor.
  • Është përafruar një pjesë e legjislacionit me acquis.
  • Kërkohet miratimi i Strategjisë së re Kombëtare të Transportit.
  • Autoriteti Rrugor Shqiptar duhet të përfundojë reformën dhe të bëjë funksional sistemin e administrimit të aseteve rrugore.
  • Mungojnë garanci të mjaftueshme për financimin shumëvjeçar të mirëmbajtjes së rrugëve dhe urave.
  • Kërkohet zgjidhje për operatorin dhe mjetet e transportit në linjën hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas.

Prioriteti: Menaxhimi i aseteve publike, mirëmbajtja e infrastrukturës dhe funksionaliteti i investimeve të transportit.

5.2 Kapitulli 15 – Energjia – Përgatitje e mirë

  • Është miratuar ligji për sektorin energjetik në përputhje me paketën e integrimit të energjisë elektrike.
  • Ka përparim në tregun e brendshëm të energjisë dhe energjitë e rinovueshme.
  • Duhet forcuar Agjencia për Efiçiencën e Energjisë.
  • Kërkohet zbatimi i plotë i paketës së integrimit të energjisë elektrike.
  • Nevojitet zbatim më efektiv i standardeve të efiçiencës dhe etiketimit energjetik.

Prioriteti – Integrimi i tregut energjetik shqiptar me atë evropian dhe forcimi i efiçiencës energjetike.

5.3 Kapitulli 21 – Rrjetet trans-evropiane – Përgatitje e mirë

  • Ka përparim në zhvillimin e rrjeteve të transportit dhe energjisë.
  • Është avancuar përafrimi ligjor me kërkesat e rrjeteve TEN-T dhe TEN-E.
  • Kërkohet forcim i kapaciteteve administrative për zbatimin e kuadrit ligjor.
  • Duhet të vijojnë investimet në Korridorin Evropian të Transportit Mesdheu Lindor–Ballkani Perëndimor.

Prioriteti – Përzgjedhja e investimeve strategjike sipas rëndësisë së tyre për integrimin rajonal dhe evropian.

5.4 Kapitulli 27 – Mjedisi dhe ndryshimet klimatike – Përparim i kufizuar
Ky është një nga konstatimet më kritike të raportit.

Gjetjet kryesore:

  • Shqipëria ka vetëm një nivel të pjesshëm përgatitjeje në këtë fushë.
  • Dobësitë në qeverisjen mjedisore dhe zbatimin e ligjit kanë çuar në përkeqësim të mbrojtjes së natyrës.
  • Ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura dhe zgjerimi i përdorimit të ligjit për investimet strategjike kanë ndikuar negativisht në mbrojtjen e natyrës.
  • Këto problematika kanë kontribuar edhe në protestat e nisura në maj 2026 për zonën Pishë Poro–Nartë.
  • Është miratuar një pjesë e legjislacionit për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
  • Është miratuar plani kombëtar i përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe është përditësuar plani kombëtar për energjinë dhe klimën.
  • Mbeten mangësi në zbatimin dhe kontrollin e legjislacionit mjedisor.

Prioritetet e KE-së:

  1. Përafrimi dhe zbatimi i direktivave për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe vlerësimin strategjik mjedisor.
  2. Garantimi që investimet në turizëm dhe infrastrukturë të respektojnë detyrimet mjedisore.
  3. Forcimi i pjesëmarrjes publike në vendimmarrjen mjedisore.
  4. Lufta kundër krimit mjedisor dhe mbrojtja e biodiversitetit.
  5. Zbatimi i mekanizmave të monitorimit dhe raportimit të emetimeve të gazeve serrë.

KE nuk e trajton çështjen e mjedisit vetëm si problem të përafrimit ligjor. Ajo e lidh drejtpërdrejt me mënyrën se si miratohen dhe zbatohen investimet publike e private, me mbrojtjen e pronës natyrore dhe me përgjegjshmërinë e institucioneve.

  1. Cluster 5 – Burimet, bujqësia dhe kohezioni
    Ky grupkapitull lidhet me kapacitetin e Shqipërisë për të administruar fondet evropiane, për të modernizuar bujqësinë dhe për të garantuar standardet e sigurisë ushqimore.

6.1 Kapitulli 11 – Bujqësia dhe zhvillimi rural – Përgatitje nga e pjesshme në mesatare

  • Është krijuar kuadri ligjor dhe institucional për rrjetin e të dhënave të qëndrueshmërisë së fermave (FSDN).
  • Ka përparim në sistemin e identifikimit të parcelave të tokës (LPIS).
  • Kapacitetet administrative, teknike dhe njerëzore mbeten të pamjaftueshme.
  • Duhet të përmbushen kushtet për administrimin e fondeve IPARD III.
  • Kërkohet përafrim më i madh në organizimin e tregut bujqësor dhe standardet e cilësisë.

Prioriteti – Kapacitetet për administrimin e fondeve evropiane dhe modernizimi i strukturave të bujqësisë.

6.2 Kapitulli 12 – Siguria ushqimore, veterinarisë dhe fitosanitarisë – Përgatitje nga e pjesshme në mesatare

  • Është miratuar ligji për kontrollet zyrtare.
  • Mbetet një hendek ndërmjet përafrimit ligjor dhe zbatimit real.
  • Duhet përfunduar kategorizimi i operatorëve të biznesit ushqimor.
  • Nevojitet plan kombëtar për modernizimin e stabilimenteve të prodhimit të ushqimit dhe ushqimit për kafshë.
  • Kapacitetet për monitorimin dhe eliminimin e sëmundjeve të kafshëve kërkojnë forcim.

Prioriteti – Kontrolli ushqimor, siguria veterinare dhe aftësia për të përmbushur standardet evropiane të eksportit.

6.3 Kapitulli 13 – Peshkimi dhe akuakultura – Përgatitje e mirë

  • Janë miratuar ligje për tregun, akuakulturën dhe mbledhjen e të dhënave.
  • Është avancuar përafrimi me politikën e përbashkët të peshkimit.
  • Mungojnë kapacitete të mjaftueshme për inspektim, kontroll dhe këshillim shkencor.
  • Duhet zbatuar plani rajonal për peshkimin në shkallë të vogël.

Prioriteti – Kontrolli i burimeve ujore, të dhënat shkencore dhe mbështetja në përputhje me rregullat e ndihmës shtetërore.

6.4 Kapitulli 22 – Politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore – Përgatitje mesatare

  • Ka përparim në përafrimin ligjor dhe kuadrin e investimeve publike.
  • Nevojitet koordinim shumë më i mirë ndërmjet institucioneve.
  • Kapacitetet për administrimin e politikës së kohezionit të BE-së kërkojnë zhvillim.
  • Programet e bashkëpunimit territorial dhe menaxhimi indirekt i fondeve duhet të përshpejtohen.
  • Kërkohet mbrojtje më e mirë e interesave financiare të BE-së dhe parandalimi i konflikteve të interesit.

Prioriteti – Ndërtimi i një administrate të aftë për të planifikuar, përzgjedhur, zbatuar dhe kontrolluar investimet e financuara nga BE-ja.

6.5 Kapitulli 33 – Dispozitat financiare dhe buxhetore – Përgatitje e pjesshme

  • Ka përparim në përafrimin me acquis në fushat që ndikojnë sistemin e financimit të BE-së.
  • Duhet përshpejtuar përafrimi i legjislacionit të TVSH-së dhe detyrimeve doganore.
  • Lufta kundër evazionit fiskal dhe informalitetit mbetet detyrë.
  • Kapacitetet administrative për sistemin e burimeve të veta të BE-së duhet të forcohen.

Prioriteti – Përgatitja e Shqipërisë për kontributet dhe administrimin financiar në sistemin buxhetor të BE-së.

  1. Cluster 6 – Marrëdhëniet me jashtë

7.1 Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me jashtë – Përgatitje e mirë

  • Është përafruar legjislacioni për kontrollin e investimeve të huaja direkte dhe mallrat me përdorim të dyfishtë.
  • Ka përparim në zbatimin e protokolleve të CEFTA-s.
  • Duhet përafruar legjislacioni për marrëveshjet ndërkombëtare me acquis.
  • Nevojitet kapacitet institucional për kontrollin e investimeve të huaja dhe zbatimin e rregullave përkatëse.
  • Mungon një kuadër i plotë për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe politikën e zhvillimit e ndihmës humanitare.

Prioriteti – Harmonizimi i marrëveshjeve ndërkombëtare me detyrimet e anëtarësimit në BE.

7.2 Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes – Përgatitje e mirë

  • Shqipëria ruan përputhje të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
  • Ka vijuar pjesëmarrja në misionet dhe operacionet e BE-së.
  • Është zhvilluar dialogu i sigurisë dhe mbrojtjes BE–Shqipëri.
  • Kërkohet forcim i kapaciteteve për zbatimin e masave kufizuese dhe sanksioneve.
  • Duhet zbatuar strategjia kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit.

Prioriteti – Ruajtja e përputhjes së plotë me politikën e jashtme të BE-së dhe forcimi i sigurisë kombëtare e rajonale.

  1. Ecuria e negociatave dhe kapitujt e mbyllur
    Në momentin e raportimit, Shqipëria ka hapur të gjashtë grupkapitujt. Katër kapituj janë mbyllur përkohësisht:
Kapitulli Fusha Data
25 Shkenca dhe kërkimi Korrik 2026
26 Arsimi dhe kultura Korrik 2026
30 Marrëdhëniet me jashtë Korrik 2026
20 Politika e ndërmarrjeve dhe industrisë Tetor 2026

Të gjithë kapitujt e tjerë vijojnë të jenë të hapur, përfshirë grupkapitullin themelor, ku përfshihen kriteret horizontale të demokracisë, administratës publike dhe sundimit të ligjit. KE evidenton se Shqipëria ka përmbushur 33 nga 66 hapat e parashikuar deri në dhjetor 2025 në kuadër të Instrumentit të Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Renditja analitike e problematikave më të rëndësishme
Duke sintetizuar gjetjet e raportit, mund të ndërtohet kjo renditje sipas rëndësisë ekonomike, institucionale dhe politike. Kjo është një renditje analitike, jo klasifikim zyrtar i Komisionit Evropian.

  1. Sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit – Kritike. Pavarësia e drejtësisë, rezultatet përfundimtare të çështjeve të korrupsionit dhe konfiskimi i pasurive kriminale.
  1. Mbrojtja e mjedisit dhe zonave të mbrojtura – Kritike. Konflikti ndërmjet investimeve turistike dhe detyrimeve mjedisore, dobësitë e zbatimit dhe rënia e standardeve të mbrojtjes së natyrës.
  1. Funksionimi demokratik dhe kontrolli parlamentar – Kritike. Polarizimi politik, mungesa e dialogut, konsultimi i dobët dhe kontrolli i kufizuar i ekzekutivit.
  1. Konkurrenca dhe ndihma shtetërore – E lartë. Pavarësia e autoritetit të ndihmës shtetërore dhe përafrimi i legjislacionit për konkurrencën.
  1. Cilësia e administrimit fiskal – E lartë. Përjashtimet tatimore, pajtueshmëria vullnetare, strategjia afatmesme e të ardhurave dhe mungesa e institucionit fiskal të pavarur.
  1. Kapacitetet e administratës publike – E lartë. Meritokracia, konsultimi publik, disiplina buxhetore dhe profesionalizimi institucional.
  1. Modeli i zhvillimit ekonomik – E lartë. Varësia nga turizmi, dobësia e industrisë dhe bujqësisë, rënia e eksporteve të manifakturës dhe emigracioni.
  1. Investimet dhe administrimi i fondeve publike – E lartë. Nënrealizimi i investimeve publike, risku i PPP-ve, transparenca e kontratave dhe kapacitetet për fondet evropiane.
  1. Kapitali njerëzor dhe tregu i punës – Strukturore. Mospërputhja e arsimit me tregun e punës, NEET, aftësitë profesionale dhe kërkimi shkencor.
  1. Liria e medias dhe transparenca – Strukturore. Përqendrimi i pronësisë, lidhjet politike dhe ekonomike, financimi dhe pavarësia editoriale.

Çfarë tregon raporti për ekonominë shqiptare?
Nga këndvështrimi ekonomik dhe fiskal, raporti përmban pesë mesazhe veçanërisht të rëndësishme.

  1. Stabiliteti makroekonomik nuk është i barabartë me konkurrueshmërinë ekonomike. Shqipëria ka rritje ekonomike, stabilitet bankar dhe ulje të borxhit publik. Por industria dhe bujqësia kanë produktivitet të ulët, eksportet e manifakturës po bien dhe ekonomia vazhdon të ketë probleme strukturore.
  1. Problemi fiskal nuk është vetëm niveli i të ardhurave, por edhe cilësia e politikës fiskale. KE kërkon trajtimin e përjashtimeve tatimore, përmirësimin e administrimit të riskut dhe pajtueshmërisë vullnetare. Vëmendja ndaj Marrëveshjes së Paqes Fiskale është një sinjal i qartë se formalizimi duhet të mbështetet te institucionet dhe rregullat e qëndrueshme.
  1. Investimet publike kanë problem eficience dhe jo vetëm financimi. Nënrealizimi i investimeve publike, dobësitë në vlerësimin e projekteve dhe risqet e PPP-ve tregojnë se planifikimi dhe administrimi i kapitalit publik duhet të përmirësohen.
  1. Politika e investimeve duhet të kalojë nga përjashtimet te rregullat e përgjithshme. Rekomandimi për shfuqizimin e ligjit për investitorët strategjikë dhe miratimin e një ligji të ri për investimet është një nga sinjalet më të rëndësishme për klimën e biznesit.
  1. Integrimi evropian kërkon institucione funksionale, jo vetëm ligje të përafruara. Ky është problemi që përshkon pothuajse të gjithë raportin: zbatimi, kontrolli, kapacitetet administrative dhe përgjegjshmëria institucionale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *