
Një analizë mbi degradimin e pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje dhe transformimin e modelit të qeverisjes në Shqipëri
Në vendet me demokraci funksionale, shoqëria civile është më shumë sesa një zë kritik: ajo është garanci për barazi në vendimmarrje, mjet për transparencë, kanal ndërmjetësimi midis qytetarit dhe shtetit. Në Shqipëri, ky rol ka ardhur në rënie të lirë. Ajo që dikur ishte pjesëmarrje e kufizuar, por ekzistuese, është shndërruar sot në një izolim sistemik të aktorëve qytetarë, që përjashtohen jo përmes ligjeve të ashpra, por përmes modelit të kontrollit institucional dhe heshtjes së planifikuar.
Në praktikë, pjesëmarrja publike është zvogëluar në dy forma:
- Konsultimet formale janë kthyer në rituale procedurale, ku mendimi qytetar nuk ndikon realisht mbi vendimin final.
- Proceset reale të vendimmarrjes zhvillohen në vakum informacioni, duke mbajtur qytetarët në errësirë dhe pa mundësi reale për të ndikuar.
Kjo nuk është thjesht pasojë e mungesës së kapacitetit shtetëror. Është pasojë e një filozofie qeverisëse që e sheh pjesëmarrjen si rrezik për stabilitetin politik dhe kontrollin mbi burimet ekonomike.
Shteti si monopol mbi informacionin dhe debatin publik
Shteti shqiptar ka zhvilluar një kulturë të monopolizimit të informacionit, ku të dhënat strategjike, projektet, kontratat dhe efektet e vendimeve mbahen larg syrit publik. Çfarë mungon është jo vetëm transparenca, por edhe mundësia për të reaguar ndaj asaj që ndodh.
Kjo formë e kontrollit, që operon përmes:
- mungesës së regjistrave publikë funksionalë,
- mosrespektimit të afateve për dhënie informacioni sipas ligjit,
- publikimeve të përzgjedhura me komunikim të njëanshëm mediatik,
ka krijuar një shtet që nuk përgjigjet, nuk shpjegon dhe nuk arsyeton, por vetëm vendos.
Shoqëria civile, në këtë kontekst, trajtohet si “kundërshtare”, jo si partner institucional. Edhe kur reagon, qeveria ose e injoron, ose e stigmatizon si pengesë për zhvillimin. Në këtë mënyrë, diskursi publik deformohet, qytetari largohet nga procesi, dhe legjitimiteti i vendimeve nuk buron nga debati, por nga autoriteti.
Delegjitimimi i pjesëmarrjes si strategji politike
Përjashtimi i shoqërisë civile nuk ndodh vetëm përmes moskonsultimit. Ai ndodh edhe përmes diskursit politik që e stigmatizon pjesëmarrjen. Në ligjërimin publik, protestat konsiderohen “politike”, platformat qytetare “të sponsorizuara nga interesa”, grupet e presionit “të painformuara” ose “antizhvillim”.
Ky delegjitimim sistematik i pjesëmarrjes, që nis nga niveli më i lartë politik, ka dy pasoja:
- Parandalon qytetarët që të ndihen të motivuar për të marrë pjesë në proces.
- Justifikon përjashtimin e shoqërisë civile në emër të “efikasitetit” apo “prioriteteve kombëtare”.
Kështu, edhe pse kanë kaluar 35 vite pas ’90-ës, qytetari nuk është vetëm i përjashtuar nga vendimmarrja, por i delegjitimuar si faktor në vetë zhvillimin e vendit.
Tre hapa për të kthyer pjesëmarrjen në normalitet institucional
Sw pari ne propozojmë legalizimin e detyrueshëm tw konsultimit qytetar dhe përfshirjes së OShC-ve.
Në Shqipëri, ku ligji për njoftimin dhe konsultimin publik ekziston që nga viti 2014, por mbetet kryesisht i pazbatuar, problemi nuk është më mungesa e normave, por mungesa e detyrueshmërisë dhe sanksioneve për shkeljet.
Disa organizata partnere janë përpjekur të promovojnë praktika të mira të përfshirjes qytetare, por këto përpjekje janë shpesh të kufizuara në nisma të fragmentuara, të pambështetura nga vullneti politik vendor apo qendror.
Propozimi jonë nisur nga situatra aktuale përfshin:
- Kalimin nga “e drejta për t’u dëgjuar” te “detyrimi për të dëgjuar”, duke futur dispozita të qarta në ligjet për zhvillimin urban, investimet publike dhe pronën shtetërore, që e bëjnë konsultimin qytetar një kusht për ligjshmërinë e çdo projekti.
- Krijimin e një standardi kombëtar për konsultimet publike, me metodologji të përbashkët për gjithë institucionet, të monitoruar nga një strukturë e pavarur, si organ mbikëqyrës funksional.
Së dyti ne propozojmë krijimin e një mekanizmi të përhershëm të mbikëqyrjes qytetare mbi vendimmarrjet publike.
Në një epokë ku teknologjia ofron mjete për ndjekje, analizë dhe ndërhyrje në kohë reale, mungesa e transparencës në Shqipëri nuk justifikohet me mungesë burimesh, por me mungesë vullneti. Platforma të ndryshme transparence dhe analize janë shembuj të mirë, por nuk janë të institucionalizuara dhe nuk kanë efekt detyrues mbi institucionet.
Propozimi jonë nisur nga situatra aktuale përfshin:
- Krijimin e një Observatori Kombëtar të Transparencës, në bashkëpunim me OShC-të dhe media të pavarura, me mandat për:
- publikimin në kohë reale të kontratave publike,
- ndjekjen e buxheteve vendore dhe qendrore,
- raportimin e impaktit socio-ekonomik të projekteve mbi komunitetet lokale.
- Përfshirja e OShC-ve me status monitorues të certifikuar, të cilat marrin pjesë në bordet e projekteve me ndikim publik, në përputhje me praktikat e BE-së mbi partneritetin qeveri–shoqëri civile në procesin e IPA-ve.
Së treti, ne propozojmë riformulimin e edukimit qytetar dhe rolin e mediave si instrument kritik.
Në realitetin shqiptar, ku shumë media janë të varura nga reklama publike dhe oligarkike, dhe ku edukimi qytetar në shkolla është rudimentar, qytetari formohet më shumë si konsumator informacioni sesa si aktor në demokraci. Shoqëria civile bëhet “ekspert i heshtur” që vetëm raporton, por nuk formon dot opinionin publik.
Propozimi jonë nisur nga situatra aktuale përfshin:
- Futjen e një moduli të detyrueshëm “Edukimi për Demokracinë Aktive” në arsimin parauniversitar dhe universitar, me fokus te pjesëmarrja, përgjegjësia, buxheti publik dhe të drejtat për informacion.
- Krijimin e inkubatorëve lokalë të gazetarisë qytetare dhe fact-checking, me mbështetjen e donatorëve, për të fuqizuar komunitetet të raportojnë vetë mbi problemet që i prekin.
- Përkrahjen nga Ministria e Arsimit zhvillimin e mediave të reja komunitare dhe të formave të reja të aktivizmit social digjital, që tejkalojnë format tradicionale të organizimit.
Nëse nuk krijohet një arkitekturë e re për pjesëmarrjen, atëherë Shqipëria nuk rrezikon thjesht të ketë vendime jo të drejta, por të konsolidojë një regjim të centralizuar me dritare formale pjesëmarrjeje, pa substancë dhe pa efekt.
Shqipëria nuk ka mungesë OShC-sh, por ka një mospërputhje të plotë mes ekzistencës së tyre dhe ndikimit të tyre real, për shkak të tri dukurive parësore:
- Oligopolizimi i sektorit civil, ku pak organizata janë me shumë pushtet nga fondet dhe përkrhaja e pakursyer e donatorëve dhe shumë të tjera të padukshme në radarin e tyre
Në vend që të kemi një ekosistem plural të përfaqësimit qytetar, Shqipëria ka përfunduar me një model të koncentrimit të burimeve dhe aksesit institucional në një grup të vogël organizatash, shpesh të njëjtat që marrin pjesë në forume zyrtare, në konsultime, në bordet e donatorëve dhe në media.
Ky oligopol civil:
- fitohet përmes lidhjeve personale me qeverinë ose ambasadat,
- ruhet përmes qarkullimit të brendshëm të granteve dhe ekspertëve, dhe
- shpërblehet përmes heshtjes ose relativizimit të çështjeve strukturore, në emër të “konsensusit” dhe “qasjes konstruktive”.
Për pasojë, këto organizata:
- nuk kontestojnë politikën publike, por ndihmojnë në modifikimin e saj të butë, për t’ia shtuar kredibilitetin ndërkombëtar.
- nuk organizojnë protesta, por prodhojnë raporte të cilat askush nuk i lexon, ndërsa ndërkohë qeveria i citon në aplikime për fonde IPA apo projekte BE.
- Shoqëria civile e rreshtuar, jo përfaqësuese
Në këtë klimë, roli i organizatave nuk është më të jenë filtra kritikë apo ndërmjetësues të qytetarëve me shtetin, por konsulentë të politikave në zbatim, të përfshirë shpesh në procese që:
- nuk burojnë nga qytetari,
- nuk kanë diskutim publik paraprak,
- dhe nuk përfaqësojnë interesin real të komuniteteve, veçanërisht në zonat e margjinalizuara.
Për më tepër, organizatat që ngrejnë zë kundër kapjes së institucioneve apo keqpërdorimit të fondeve, rrallëherë përkrahen nga donatorët, pasi ky tip reagimi shihet si “i ashpër” dhe “jo produktiv”.
Kjo ka krijuar një dinamikë frikësuese autocensure në sektorin civil, ku mbijetesa financiare është vendosur përpara rolit mbikëqyrës.
- Ndarja mes qytetarit dhe “shoqërisë civile” si elitë profesionale
Sot, shumica e qytetarëve nuk e identifikojnë veten me shoqërinë civile, sepse kjo e fundit:
- flet një gjuhë teknike, burokratike,
- jeton brenda cikleve projektuale, të shkëputura nga hallet reale të komuniteteve,
- dhe është larg hapësirave fizike dhe kulturore të pjesëmarrjes së vërtetë (lagjet, fshatrat, shkollat, mjediset publike).
Kështu, ndërsa qytetari ndihet gjithnjë e më i përjashtuar nga politika dhe ekonomia, OShC-të nuk e përfaqësojnë më atë, por bëhen “korrigjues teknikë” të vendimeve që tashmë janë marrë.
Nëse nuk ndahet qartë shoqëria civile si aktor qytetar nga ajo që ka evoluar në strukturë granti të pajtuar me pushtetin, atëherë nuk mund të flasim për pjesëmarrje reale. Çfarë kemi sot është një ekosistem të deformuar, ku kritika shihet si rrezik, transparenca si risi, dhe qytetari si pengesë.
Kjo nuk është një çështje teknike, por një sfidë e thellë politike dhe demokratike. Sepse pa një shoqëri civile të decentralizuar, me akses të barabartë në fonde, me përfaqësim të vërtetë lokal dhe me guxim qytetar për të ngritur zërin, çdo “konsultim” apo “strategji për përfshirje” është vetëm një formë tjetër për të legjitimuar vendimmarrjen e centralizuar dhe klienteliste.
Nëse duam të rikthejmë funksionin real të shoqërisë civile në Shqipëri, duhet të çlirojmë sektorin nga kontrolli i dyfishtë: nga qeveria që e përdor si “fasadë konsultimi” dhe nga vetë strukturat e saj që e kanë kthyer në model të përfitimit të privilegjuar në emër të qytetarit që nuk e kanë pyetur kurrë.
Shoqëria civile, ashtu si mediat dhe institucionet akademike nuk mund të vazhdojë të ekzistojë në periferi. Ajo duhet të jetë në zemër të reformave strukturore, përndryshe çdo program zhvillimi do të jetë vetëm një simulim për partnerët ndërkombëtarë dhe një zhgënjim i thellë për qytetarin shqiptar.
