Besnikëria politike ka kufij dhe kufiri është ligji si vijë ndarëse mes lojalitetit dhe abuzimit

20/07/20250

Një analizë mbi kufijtë etikë dhe ligjorë të besnikërisë politike në një shoqëri demokratike ku, ligji është si vijë ndarëse mes besnikërisë dhe abuzimit.

Në jetën politike të çdo vendi, besnikëria ndaj një lideri, partie është parë shpesh si një virtyt, një dëshmi besnikërie dhe qëndrueshmërie. Megjithatë, kjo besnikëri nuk është absolute dhe nuk mund të jetë e pakushtëzuar. Ajo ka kufij dhe kufijtë vendosen nga ligji, nga parimet kushtetuese dhe nga interesi publik.
Kjo ide përbën thelbin e një demokracie funksionale, ku individët që ushtrojnë funksione publike nuk i përkasin një “armate politike”, por shërbejnë në emër të qytetarëve dhe në përputhje me rregullat e shtetit të së drejtës.

Ku fillon dhe ku përfundon besnikëria politike?
Besnikëria politike është legjitime për aq kohë sa ajo:
respekton ligjin dhe institucionet;
– nuk bie në kundërshtim me kushtetutën;
– nuk cenon barazinë dhe liritë qytetare;
– nuk i jep epërsi individit mbi interesin publik;
– nuk kërkon nga nëpunësit apo mbështetësit të bëjnë veprime të paligjshme në emër të partisë apo liderit.

Në momentin që një zyrtar publik apo një qytetar thirret të zgjedhë midis ligjit dhe urdhrit politik, zgjedhja e vetme që legjitimohet në një shoqëri demokratike është zbatimi i ligjit.
Por, historia politike, si ajo botërore ashtu edhe ajo shqiptare është e mbushur me shembuj ku besnikëria e verbër ndaj një lideri apo partie ka çuar në:
– kapjen e shtetit,
– keqpërdorimin e fondeve publike,
– shantazhin institucional,
– përjashtimin e oponentëve,dhe në raste ekstreme,
– në ndërtimin e regjimeve autoritare.

Kur individë të caktuar shkelin ligjin me justifikimin e “besnikërisë politike”, kjo nuk është më politikë, por abuzim me pushtetin dhe krim i maskuar si lojalitet.
Sipas parimeve të administratës publike dhe jurisprudencës ndërkombëtare, nëpunësi civil nuk i bindet urdhrit të paligjshëm edhe nëse vjen nga autoriteti më i lartë politik.
Funksionari publik është përgjegjës personalisht për veprime të paligjshme që kryen, pavarësisht justifikimit të “urdhrit nga lart”.
Ky parim përjashton çdo justifikim që bazohen në “nënshtrim politik” si arsye për shkelje të ligjit. Ndaj, çdo zyrtar duhet të kuptojë se kushtetuta është kontrata e vetme lojaliteti që ata kanë nënshkruar, jo premtimi i besnikërisë ndaj një personi apo partie.
Demokracia nuk është një betejë e besnikërisë ndaj liderëve, por një garë e ideve për të mirën e përbashkët. Në këtë kuptim, besnikëria politike është e vlefshme sa kohë mbështet platformën dhe programin, por bëhet e rrezikshme kur kërkon nënshtrim të paarsyeshëm.
Kur drejtuesit politikë kërkojnë “bindje të verbër”, në thelb kërkojnë pushtet pa llogaridhënie.
Kjo është pikërisht situata që po përjetohet sot në drejtuesit e pushtetit vendor dhe në institucionet qendrore, ku lideri i qeverisë dhe i partisë anashkalon vartësinë institucionale dhe parimin e ndarjes së pushteteve, duke vepruar sipas vullnetit personal, pa konsultim institucional dhe pa dhënë llogari.
Shtetet që kanë rënë në autoritarizëm nuk janë thyer për shkak të mungesës së besnikërisë, por për shkak të tejkalimit të saj përtej ligjit dhe arsyes.
Në këto rrethana të vështira, duhet të bëjmë dallimin mes besnikërisë si vlerë dhe besnikërisë si mjegull që mbulon shkeljet.
Vija ndarëse është ligji.
Ai është muri që nuk duhet kaluar, as nga zyrtari, as nga qytetari, as nga lideri.
Shqipëria ka nevojë më shumë për qytetarë të guximshëm që respektojnë ligjin, sesa për ushtarë politikë që i nënshtrohen autoritetit. Vetëm kështu mund të ndërtojmë institucione të forta dhe një demokraci që nuk lë hapësirë për abuzim të pushtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *