
Në vend të një shteti që menaxhon riskun fiskal në mënyrë të zgjuar, një bazë e gjerw tatimpaguesish po përballen me një administratë që shfaq paaftësi për të diferencuar, përzgjedhur dhe mbrojtur tatimpaguesit e ndershëm nga informaliteti i qëndrueshëm.
Aksioni i nisur këtë Korrik 2025 nga Drejtoria e Tatimeve dhe i paralajmëruar personalisht nga Kryeministri për të kontrolluar masivisht të gjithë tregtarët dhe përpunuesit e produkteve të bulmetit është më shumë një shfaqje force politike sesa një politikë efektive fiskale.
Nëse një aparat tatimor synon të kontrollojë afro 9% të bizneseve në vend me një valë të vetme, atëherë kemi përballë një dështim të qartë të menaxhimit të riskut. Nëse këtë e paralajmëron Kryeministri dhe jo vetë administrata tatimore, atëherë kemi kaluar nga dështimi teknik në një model të rrezikshëm të politizimit të kontrollit fiskal.
Nga teknika te spektakli dhe kur fiskaliteti bëhet propagandë
Administratat moderne tatimore, nga Holanda në Estoni apo Finlandë dhe në Itali e Greqi zbatojnë kontrolle selektive bazuar në profilizim të sjelljes, historikut të deklarimeve dhe analizave të të dhënave.
Qëllimi është të goditet evazioni i vërtetë.
Kurse objektivi është të ruhet ekuilibri midis mbledhjes efektive të të ardhurave dhe mosndërhyrjes arbitrare në ekonominë reale.
Prandaj, selektiviteti në kontrolle është provë e kapacitetit teknik të administratës, jo dobësi.
Në Shqipëri ndodh e kundërta.
Në mungesë të efektivitetit të inteligjencës fiskale, i gjithë sektori agro-përpunues futet në shënjestër si i dyshuar, pa dallim dhe pa kriter dhe këtë e shpall jo Drejtoria Tatimore apo Ministria e Financave, por Kryeministri, që shfaqet si “mbikontrolluesi i madh” i të gjitha institucioneve.
Kjo nuk është rastësi.
Është strategji politike që ka një emër: autoritarizëm i butë me instrumente fiskale.
Praktika e shpalljes së kontrolleve nga kreu i qeverisë është pjesë e një modeli më të gjerë, që i ngjan shumë regjimeve të centralizuara në kufijtë e demokracisë funksionale.
Në Hungari, kryeministri Viktor Orbán ka krijuar një administratë të përqendruar, ku kontrollet tatimore kanë natyrë selektive politike, shpesh në dëm të mediave të pavarura ose bizneseve jo pranë interesave të qeverisë.
Në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiç ka konsoliduar një sistem ku institucionet fiskale, të drejtësisë dhe të mbikëqyrjes së tregut veprojnë në koordinim me axhendën politike të partisë në pushtet, duke ndëshkuar kritikët dhe përforcuar kontrollin ndaj sektorëve ekonomikë jo të lidhur me qeverinë.
Në këto modele, fiskaliteti nuk është më mjet për të mbledhur të ardhura, por pjesë e arsenalit për ruajtjen dhe zgjerimin e pushtetit politik.
Pse ky model është i dëmshëm për Shqipërinë?
Së pari, sepse kompromenton profesionalizmin e administratës tatimore. Në vend që të jetë një institucion i besueshëm dhe teknik, ajo kthehet në zgjatim të vullnetit politik të ditës.
Së dyti, sepse cënon klimën e biznesit. Një sipërmarrës që sheh se sektorët goditen kolektivisht, dhe që zyrtarisht nuk ka asnjë mënyrë për të kuptuar pse është shënjestruar, nuk ka më asnjë motiv të formalizohet. Ai e sheh shtetin si armik, jo si partner.
Së treti, sepse nxit kultura të rrezikshme të mbijetesës, ku i ndershmi penalizohet, ndërsa ai me lidhje të ngushta arrin të shmangë çdo ekspozim. Kjo krijon një rreth vicioz të informalitetit të strukturuar, të pamundur për t’u zhbërë nga aksione masive pa ndryshim paradigme. Aksioni i shpallur për kontroll masiv është simptomë e trefishtë e:
- dështimit teknik të analizës së riskut tatimor;
- shkëputjes së institucioneve nga funksioni i tyre ligjor dhe depolitizuar;
- një kulture qeverisëse që e sheh fiskalitetin si instrument presioni dhe jo si marrëdhënie kontraktuale me qytetarin e ndershëm.
Më pak spektakël, më shumë shtet
Zgjidhja për këtë krizë nuk vjen nga aksione të bujshme, as nga deklarata publike që ngjasojnë më shumë me urdhra sesa me politika. Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër shfaqje force ka nevojë për një shtet që funksionon pa zhurmë, por me standarde.
Së pari, administrata tatimore duhet të çlirohet nga influenca politike dhe të drejtohet nga profesionistë që raportojnë mbi bazë objektivash fiskalë, jo mbi kërkesa ditore të politikës. Një administratë që operon në heshtje, me rigorozitet, dhe që i jep llogari qytetarëve, jo tribunave televizive.
Së dyti, vendi ka nevojë për investim serioz në teknologji dhe analiza të avancuara të riskut. Të dhënat janë aty, në deklaratat fiskale, në qarkullimin bankar, në faturimin elektronik, në lëvizjen e mallrave. Ajo që mungon është vullneti për t’i analizuar në mënyrë inteligjente, për të ndërtuar një sistem që identifikon shkelësin real, jo të dyshuarin kolektiv.
Së treti, duhet një qasje mbështetëse për formalizimin, jo ndëshkuese. Sektorë si përpunimi i bulmetit, tregtia në zonat rurale apo ekonomia e vogël familjare, nuk mund të trajtohen si kundërshtarë të shtetit. Ata janë hallka të rëndësishme të ekonomisë kombëtare dhe kërkojnë rrugëdalje, orientim dhe lehtësim, jo kërcënim dhe frikësim.
Dhe së fundmi, mbi të gjitha, nevojitet transparencë. Bizneset kanë të drejtë të dinë pse janë kontrolluar, mbi çfarë baze janë përzgjedhur, cilat janë kriteret që i dallojnë nga të tjerët. Vetëm kështu mund të ndërtohet besimi në sistem, jo përmes aksioneve të natës,por përmes rregullave të ditës.
Kontrolli masiv i shpallur nga Kryeministri është tregues i një shteti që përdor fiskalitetin si presion, jo si politikë ekonomike.
Një sistem që prodhon frikë, jo besim. Nëse synimi është integrimi evropian, atëherë rruga nuk kalon nga spektakli mbi sektorin e bulmetit, por nga ndërtimi i institucioneve që veprojnë sipas standardeve të BE-së dhe larg modeleve bazuar te spektali me qasje autoritare.
