
Përmbledhje për Programin Qeverisës 2025–2029 (Bujqësia dhe Zhvillimi Rural)
Programi qeverisës 2025–2029 për bujqësinë dhe zhvillimin rural paraqitet si një paketë ambicioze me indikatorë të qartë të matshëm, por në thelb reflekton një përsëritje të objektivave të mëparshme nga ciklet e kaluara 2017–2021 dhe 2021–2025, shpesh pa analizuar në mënyrë kritike arsyet e mosrealizimit të tyre. Qasja e propozuar mbetet më shumë deklarative sesa transformuese, duke rikujtuar qëllime të njëjta si ujitja e plotë, modernizimi i fermave, rritja e eksporteve dhe digjitalizimi, pa marrë parasysh mangësitë e koordinimit, kapacitetit institucional dhe financimit që kanë penguar progresin në të kaluarën.
Objektivi i rritjes së eksporteve bujqësore dhe akuakulture deri në 1 miliard euro deri në vitin 2030 është ambicioz dhe vendos një horizont të qartë ekonomik, por mbetet i vështirë për t’u arritur pa një strategji të re integrimi në zinxhirët e furnizimit të BE-së, duke marrë parasysh fragmentimin e prodhimit dhe mungesën e standardizimit. Masat për digjitalizimin, përdorimin e bazave të të dhënave, AI, dronëve dhe kontroll elektronik të peshkimit janë progresive në teori, por shpesh mbeten pilot-projekte të përsëritura nga programet e mëparshme, dhe pa një strategji kombëtare të digjitalizimit rural dhe trajnime masive, ato rrezikojnë të mbeten thjesht retorikë teknologjike.
Një tjetër objektiv, ujitja 100% e tokës bujqësore, është jetik për produktivitetin, por realizueshmëria e tij është e ulët (rreth 60%), pasi kërkon investime kapitale shumëvjeçare, menaxhim të integruar të ujërave dhe bashkëpunim ndërinstitucional që historikisht ka dështuar. Subvencionet direkte dhe “Contract Farming” parashikojnë mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët, por efiçenca e tyre në të kaluarën ka qenë e kufizuar për shkak të mungesës së transparencës dhe burokracisë së tepruar, duke treguar se nëse mungojnë reformat reale në agjencitë zbatuese apo ato zbatohen pjesërisht, atëherë efektiviteti do të mbetet i ulët.
Programi tregon potencial në zhvillimin e tregut dhe përpunimit, me qendra moderne për ruajtje dhe përpunim, si dhe zgjerim të serave për eksport, por për realizim kërkohet bashkëfinancim publik–privat, rrjet logjistik kombëtar dhe certifikim sipas standardeve BE, fusha ku projektet e mëparshme shpesh kanë ngecur për mungesë menaxhimi. Menaxhimi i qëndrueshëm i resurseve dhe akuakultura është përsëritur si synim, por kapacitetet monitoruese dhe zbatimi i ligjit në terren mbeten të kufizuara, duke treguar nevojën për forcim të kontrollit dhe transparencë.
Indeksi mesatar i fizibilitetit të masave bujqësore rreth 68% tregon një realizueshmëri mesatare, që nuk ndryshon shumë nga vlerësimet e programeve të mëparshme. Masat më të mundshme janë ndërtimi i qendrave të përpunimit, subvencionet direkte dhe zgjerimi i serave për eksport, ndërsa sfidat më të mëdha mbeten ujitja e plotë, menaxhimi i resurseve ujore dhe modernizimi i fermave. Në këtë kontekst politikash nevojitet një mekanizëm i integruar monitorimi dhe vlerësimi, pasi përndryshe ekziston rreziku që cikli i ri të përfundojë me zbatim të pjesshëm dhe rezultate minimale në produktivitetin dhe të ardhurat e fermerëve.
Në përmbledhje, programi 2025–2029 është koherent në formë dhe i matshëm në indikatorë, por jo novator në përmbajtje. Ai duket më shumë si një kopje e përmirësuar e planeve ekzistuese, pa analizë kritike të mësimeve të nxjerra dhe pa garanci për kapërcimin e kufizimeve institucionale, teknologjike dhe financiare. Në mënyrë realiste, rritja e eksporteve kërkon produktivitet, cilësi dhe përpunim lokal të avancuar; digjitalizimi dhe përdorimi i AI janë të realizueshme vetëm me ndërhyrje të forta publike në edukim dhe infrastrukturë; ndërsa ujitja dhe menaxhimi i resurseve kërkojnë angazhim shumëvjeçar ndërinstitucional dhe mbështetje ndërkombëtare. Nevojë e menjëhershme që në vitin e parë të mandatiot qeverisës është ristrukturimi i administratës bujqësore dhe agjencive zbatuese, për të parandaluar riciklimin e programi si një listë synimesh të njohura, në vend të një platformë të re zhvillimi rural, duke mos e lënë përsëri dekadën e ardhshme me pritshmëri të pambajtura.
