
Të dhënat e Ministrisë së Financave për periudhën Janar–Gusht 2025 tregojnë një performancë fiskale që në dukje është pozitive.
Të ardhurat arritën 498.6 miliardë lekë, mbi 101% të planit, me një rritje 7.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Rritja mbështetet kryesisht tek tatimi mbi të ardhurat personale (+26.3%) dhe TVSH neto (+20.7%), sinjal i një konsumi të brendshëm që vazhdon të jetë motor i ekonomisë dhe i formalizimit të pjesshëm të aktivitetit ekonomik.Megjithatë, një vështrim më i thellë zbulon vulnerabilitetet strukturore që mbeten të forta.
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin u rritën vetëm 3.6%, një tregues i moderuar i rritjes së biznesit dhe i një ekonomie që ende nuk përshpejtohet nga produktiviteti apo investime private.Administrata doganore dhe fondet speciale shfaqin performancë pozitive, por me kufizime.
Taksat doganore u realizuan vetëm 92.1% e planit, ndërsa renta minerare 84.7%, duke reflektuar varësinë nga tregjet ndërkombëtare dhe mungesën e masave për stabilizim të të ardhurave.
Fondet speciale për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore u rritën 12.5%, por pjesëmarrja e kontribuesve mbetet jo-uniforme, veçanërisht në sektorët informalë.
Nga ana e shpenzimeve, situata gjithashtu reflekton një tension të dukshëm.
Shpenzimet totale u rritën 12.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me dominim të shpenzimeve korente (+12.1%) që lënë hapësirë të kufizuar për investime kapitale, të cilat janë rritur vetëm 15% dhe realizohen vetëm 30% e planit vjetor.Kjo vonesë kronike redukton efektivitetin e politikave fiskale dhe rrit rrezikun që fondet të përdoren joefikase, duke vonuar ndikimin real të projekteve mbi punësimin dhe zhvillimin ekonomik.
Suficiti fiskal prej 41.2 miliardë lekë, 29.8% më i ulët se një vit më parë, tregon presion të shtuar mbi financat publike dhe kufizon fleksibilitetin e qeverisë për të reaguar ndaj nevojave emergjente, duke e bërë më të vështirë financimin e politikave sociale dhe investimeve strategjike.
Nga këndvështrimi i qytetarit, këto shifra kanë një impakt të drejtpërdrejtë mbi jetesën. Rritja e konsumit dhe paga e individëve janë burime kryesore të mbështetjes së shpenzimeve familjare, por çdo ngadalësim i konsumit ose rritje inflacioni mund të ulë fuqinë blerëse reale.
Në këtë kuadër, çdo shtesë e të ardhurave buxhetore duhet të kanalizohet drejt politikave që fuqizojnë qytetarin, duke përfshirë sigurimet sociale, subvencionet për energji dhe transport, dhe mbështetjen për shërbime themelore që ndikojnë direkt në mirëqenien e familjeve.
Për vitin e ardhshëm, meqenëse faza e hartimit të buxhetit ka filluar, orientimi strategjik duhet të marrë parasysh këto risk strukturore dhe nevoja emergjente.Rritja e shpenzimeve për siguri sociale nuk është thjesht një zgjedhje fiskale, por një investim në stabilitetin social dhe në kërkesën e brendshme, që do të ndihmojë ekonominë të përballojë tronditjet dhe të reduktojë varësinë nga faktorë të jashtëm.
Në të njëjtën kohë, duhet të adresohen vonesat në shpenzimet kapitale, duke garantuar se projektet e infrastrukturës dhe investimet strategjike të përkthehen në efekte reale për punësim dhe zhvillim ekonomik.Në këtë perspektivë, të ardhurat buxhetore të mbledhura mbi plan mund të shfrytëzohen për të balancuar nevojat emergjente dhe ato strukturore.
Për qytetarin, kjo do të thotë mbështetje më konkrete për shpenzimet bazë dhe rritje të ndjeshme të sigurisë sociale, ndërsa për qeverinë dhe planifikuesit, është një mundësi për të rritur efektivitetin fiskal dhe për të vendosur bazat për një ekonomi më të qëndrueshme dhe reziliente.Në fund, performanca fiskale e 8-mujorit tregon progres, por nuk fsheh nevojën për një menaxhim më të kujdesshëm dhe një rishpërndarje strategjike të të ardhurave.
Çdo vendim mbi buxhetin duhet të reflektojë në jetën e përditshme, në fuqinë blerëse, mundësitë e punësimit dhe sigurinë sociale. Në këtë mënyrë, një qasje e tillë do të bëjë që rritja e buxhetit të ndjehet realisht dhe jo vetëm të shihet në tabelat statistikore.
