
Kriza e rendit dhe sigurisë, pas muajsh protestash, nuk mund të trajtohet vetëm si çështje rendi publik. Kjo situatë është njëkohësisht test i funksionimit të shtetit, i përgjegjësisë së qeverisjes dhe i aftësisë së institucioneve për të korrigjuar problemet e pazgjidhura. Nëse kërkesat e ngritura nuk kanë marrë përgjigje të mjaftueshme, qeveria duhet të analizojë jo vetëm përshkallëzimin e situatës, por edhe arsyet pse pakënaqësia nuk u trajtua në kohë.
Por, padrejtësitë dhe pabarazia nuk justifikojnë dhunën
Një dallim i panegociueshëm është, se pretendimet për padrejtësi nuk e justifikojnë djegien, plaçkitjen apo shkatërrimin e pronës së tjetrit. Djegia e një dyqani, thyerja e paisjeve të një shërbimi ose dëmtimi i një kafeneje nuk është humbje që nuk bie mbi “ekonominë” në përgjithësi. Ajo bie mbi një familje që ka investuar kursimet, mbi punonjësit që rrezikojnë vendin e punës dhe mbi sipërmarrësin që vazhdon të paguajë qiranë, pagat dhe detyrimet edhe kur aktiviteti është ndërprerë.
Atëherë, çfarë duhet të bëjë shteti kur nuk ka parandaluar dëmin dhe qytetarët mbeten pa mundësi të menjëhershme rimëkëmbjeje?
Përgjigjja kërkon tri veprime paralele: mbrojtje efektive, hetim të përgjegjësive dhe mekanizëm të qartë ndihme/kompensimi.
Së pari, mbrojtja e biznesit nuk është favor i shtetit, por detyrim ligjor dhe publik. Një biznes që paguan tatimet dhe kontributet kontribuon në financimin e shërbimeve publike, por detyrimi i shtetit për të mbrojtur jetën, pronën dhe sigurinë nuk lind vetëm nga pagesa e taksave. Ai buron nga ligji dhe përgjegjësitë publike. Me këtë logjikë nuk është se çdo biznes i dëmtuar ka fituar menjëherë të drejtën të marrë para nga buxheti, por se asnjë qytetar nuk duhet të mbetet pa rrugë të qartë për të raportuar dëmin, për të kërkuar mbrojtje ligjore dhe për të shqyrtuar mundësitë e rimëkëmbjes.
Shteti duhet të mbrojë protestën paqësore dhe njëkohësisht të reagojë ndaj zjarrvënieve, vjedhjeve dhe sulmeve. Kur dëmi ndodh, duhet të evidentojë humbjet, të identifikojë autorët dhe të vlerësojë nëse ka përgjegjësi ligjore të institucioneve për veprime ose mosveprime konkrete. Këto detyra nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por kur funksionojnë së bashku, qytetari sheh se rendi publik është duk i shërbyer real dhe nuk mbetet te niveli i deklaratës dhe zotimeve.
Së dyti nevojitet që nga deklaratat të shihet fuknsionimi i një procedure që fjep granci dhe shpresë për zbatim. Për bizneset e vogla, koha ka rëndësi po aq sa shuma e dëmit. Pritja e gjatë për përfundimin e hetimeve mund të çojë në mbyllje, edhe nëse më vonë provohet e drejta për dëmshpërblim. Prandaj ne propozojmë krijimin e një mekanizmi të posaçëm për evidentimin e dëmeve dhe shqyrtimin e ndihmës urgjente. Ky është propozim politik dhe administrativ që kërkon bazë ligjore dhe financiare, por nuk është detyrim pa kushte për të paguar çdo pretendim.
Hapi i parë duhet të kishte filluar me regjistrimin e dëmeve. Nga krijimi i mekanizmit e më tej, bizneset dhe qytetarët duhet të kenë mundësi të paraqesin kërkesën në një pikë të vetme (fizike ose online). Dosja fillestare duhet të përmbajë identifikimin, adresën e dëmit, fotografitë, dokumentet e disponueshme dhe një vlerësim paraprak. Bashkia mund të shërbejë si pikë kontakti, ndërsa vlerësimi teknik dhe financiar duhet të kryhet nga struktura të përcaktuara qartë. Drejtoria e Tatimeve mund të ndihmojë me të dhëna fiskale dhe po ashtu edhe drejtoria e taksave vendore dhe institucione që kanë ndërveprime me bizneset.
Hapi i dytë është ndihma e përkohshme. Pas verifikimit fillestar, qeveria duhet të shqyrtojë pagesa të kufizuara për bizneset me dëme të rënda që nuk mund të rifillojnë aktivitetin. Përparësi duhet t’u jepet sipërmarrjeve të vogla, rasteve me humbje të mëdha relative dhe aktiviteteve me rëndësi për komunitetin. Një kufi orientues prej 5.000–10.000 eurosh mund të diskutohet, por shuma përfundimtare varet nga numri i përfituesve, dëmet, kostoja buxhetore dhe burimet e financimit. Nuk duhet të premtohet shumë pa fond të miratuar dhe kritere të qarta.
Hapi i tretë është kompensimi përfundimtar. Ndihma urgjente nuk zëvendëson hetimin dhe përcaktimin e përgjegjësisë. Duhet të shqyrtohet pjesa e mbuluar nga sigurimi, detyrimi i autorëve dhe, kur provohen kushtet, përgjegjësia e institucioneve. Skema duhet të parashikojë si llogaritet ndihma paraprake kundrejt kompensimit të mëvonshëm, për të shmangur pagesat e dyfishta. Nëse krijohet fond publik, kushtet e kthimit të shumave nga autorët duhet të parashikohen shprehimisht.
Ky mekanizëm i jep qytetarit një rrugë të kuptueshme dhe funksionale, pasi me regjistrimin e dëmit, ai/ajo paraqitin dokumentet, marrin përgjigje brenda afatit dhe kanë mundësi ankimi. Por, me këtë masë shmanget, si shpërndarja e parave pa prova, po ashtu dhe lënia e të dëmtuarve pa ndihmë për shkak të procedurave të gjata.
Shqipëria nuk do të ishte e para që shqyrton ndihmën publike për dëmet nga trazirat. Në Gjermani, pas trazirave të G20 në Hamburg (korrik 2017), u krijua një fond i posaçëm deri në 40 milionë euro për dëmet materiale. Administrimi iu besua bankës publike të investimeve, ndërsa kërkesat paraqiteshin përmes policisë.
Në Francë, pas trazirave të verës 2023, u zgjat afati i deklarimit te siguruesit, u lehtësua ndihma për të vetëpunësuarit (deri në 6.000 euro), u shtynë detyrime fiskale dhe shoqërore, dhe në Île-de-France u krijua fond urgjence prej 20 milionë eurosh (me ndihmë deri në 10.000 euro për bizneset, për pjesën e pambuluar nga sigurimi).
Këto shembuj tregojnë se mbështetja publike mund të marrë forma të ndryshme (fond i posaçëm, lehtësim sigurimesh, shtyrje detyrimesh). Ato nuk provojnë se çdo biznes u kompensua plotësisht. Mësimi për Shqipërinë është që duhet ndërtuar një instrument i përshtatur me numrin e dëmeve, kapacitetin buxhetor dhe kuadrin ligjor lokal, pasi nuk mund të kopjohet mekanikisht një skemë e huaj.
Forca madhore nuk duhet të kthehet në justifikim të përgjithshëm
Argumenti se trazirat përbëjnë “forcë madhore” dhe se askush nuk mban përgjegjësi është tepër i përgjithshëm për situatën. Forca madhore mund të ketë rëndësi për një kontratë të caktuar, por nuk e përjashton as përgjegjësinë e autorit të dëmit dhe as nuk zgjidh çështjen e përgjegjësisë së shtetit.
Kodi Civil parashikon detyrimin për shpërblimin e dëmit të shkaktuar në mënyrë të paligjshme dhe me faj, si dhe përgjegjësi kur nuk parandalohet një ngjarje nga personi që ka detyrimin ligjor. Ligji i posaçëm rregullon përgjegjësinë jashtëkontraktore të administratës dhe zbatimi i tij kërkon shqyrtim të veprimeve/mosveprimeve konkrete. Fakti i një proteste të dhunshme nuk mjafton i vetëm, për të provuar detyrimin e shtetit për kompensim.
Për biznesin e dëmtuar kjo do të thotë dokumentim i humbjeve dhe ndjekje e rrugëve të sigurimit e të përgjegjësisë civile. Për shtetin do të thotë shqyrtim serioz i pretendimeve për mosveprim. Krijimi i një fondi publik për ndihmë të jashtëzakonshme është vendim politik i veçantë, i mbështetur në ligj dhe financim të miratuar, por ai nuk duhet të ngatërrohet me vendim gjyqësor për përgjegjësi juridike.
Çfarë duhet të bëjë qeveria në 30 ditët e para?
Për ta kthyer këtë qasje në plan funksional, propozohet një kalendar publik:
- Brenda 24 orëve, publikim i informacionit për zonat e prekura dhe mënyrën e raportimit (duke respektuar të dhënat personale dhe sekretin e hetimeve).
- Brenda 48–72 orëve, vënia në funksion e një pike të përbashkët informacioni dhe regjistrimi, me formular të thjeshtë.
- Brenda 7 ditëve, paraqitje për miratim e skemës së ndihmës urgjente (burimi i financimit, kriteret, kufijtë, ankimi, auditimi).
- Brenda 15 ditëve nga paraqitja e dosjes së plotë, synim për përfundimin e shqyrtimit administrativ të rasteve të thjeshta (objektiv shërbimi, jo premtim automatik pagese).
- Brenda 30 ditëve, publikim i raportit me numrin e kërkesave, rastet e verifikuara, vlerën e dëmeve, ndihmën e miratuar dhe pagesat e kryera, të audituara dhe të disponueshme publikisht.
Paralelisht, policia dhe organet e drejtësisë vazhdojnë identifikimin e autorëve dhe pretendimet për shkelje nga punonjës publikë trajtohen sipas procedurave përkatëse.
Ky kalendar synon të shmangë dy rreziqe, së pari shpërndarjen e parave pa prova dhe së dyti, lënien e bizneseve pa ndihmë për shkak të vonesave.
Por, kujdes, pasi zgjidhja politike nuk mund të zëvendësohet me menaxhimin e krizës. Kompensimi i dëmeve trajton pasojat materiale, por jo domosdoshmërisht shkaqet politike dhe institucionale. reagojë, negociatat e drejtpërdrejta bëhen praktikisht të pamundura.
Në kushte të thella mosbesimi, ku çdo propozim i qeverisë lexohet si manovër dhe çdo kërkesë e protestuesve si ultimatum, rrugëdalja nuk është më dialog i thjeshtë dyplësh. Ajo kërkon një pale të tretë të besueshme, të pavarur dhe me mandat të qartë, që të shërbejë si ndërmjetës dhe si garant i procesit.
Kjo pale e tretë mund të jetë një komision i përzier me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare (p.sh. OSBE, Këshilli i Evropës ose BE), eksperte të pavarur shqiptarë me reputacion të padiskutueshëm, dhe përfaqësues të shoqërisë civile që nuk janë të lidhur me asnjë kamp politik. Roli i saj nuk është të zëvendësojë qeverinë apo opozitën, por të:
- strukturrojë dialogun në tavolina të hapura dhe të dokumentuara,
- verifikojë në mënyrë të pavarur pretendimet e ngritura,
- përcaktojë afate konkrete dhe indikatorë të matshëm për çdo angazhim,
- monitorojë zbatimin dhe të raportojë publikisht.
Kërkesa për dorëheqje trajtohet në kuadrin e përgjegjësisë politike dhe procedurave kushtetuese. Refuzimi i dorëheqjes nuk e përjashton qeverinë nga detyrimi për të dhënë llogari, por as kërkesa për dorëheqje nuk e zëvendëson hetimin e pretendimeve konkrete.
Zgjidhja e qëndrueshme kërkon dialog të strukturuar, verifikim të pavarur dhe angazhime të matshme.
Kriza aktuale nuk mund të zgjidhet vetëm me rend, por as vetëm me ndihmë financiare. Ajo kërkon institucione që reagojnë, korrigjojnë dhe japin llogari, ndërsa qytetari nuk duhet lënë mes dilemës së zgjedhjes mes sigurisë dhe drejtësisë, sepse ai ka të drejtë t’i kërkojë të dyja.
