Shqipëria mbyll provizorisht tre kapitujt e parë të negociatave me BE

14/07/20260

Shqipëria ka shënuar një tjetër hap në procesin e integrimit europian duke mbyllur provizorisht tre kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian: Kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitullin 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe Kapitullin 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”.
Mbyllja e tyre do të zyrtarizohet gjatë Konferencës së Nëntë Ndërqeveritare që zhvillohet në Bruksel në 14 Korrik 2026 dhe përfaqëson një vlerësim pozitiv nga ana e Bashkimit Evropian për nivelin e përafrimit të Shqipërisë me standardet dhe legjislacionin europian në këto fusha.
Megjithatë, termi “mbyllje provizore” nuk nënkupton finalizimin përfundimtar të procesit për këta kapituj.
Në terminologjinë e negociatave të anëtarësimit në BE, një kapitull konsiderohet i mbyllur provizorisht kur negociatat teknike për atë fushë kanë përfunduar me sukses dhe vendi kandidat ka përmbushur kushtet dhe standardet e kërkuara në atë moment.
Ky koncept mbështetet në një nga parimet themelore të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian: “Asgjë nuk është rënë dakord derisa gjithçka të jetë rënë dakord”. Për këtë arsye, edhe pas mbylljes provizore, Bashkimi Evropian vijon të monitorojë zbatimin e reformave dhe ruajtjen e standardeve të arritura deri në momentin e anëtarësimit të plotë të vendit.
Në praktikë, kjo do të thotë se Shqipëria nuk ka më negociata aktive për ato kapituj. Pra, Shqipëria ka harmonizuar legjislacionin dhe politikat e saj me acquis communautaire të Bashkimit Evropian në fushat e shkencës, kërkimit, arsimit, kulturës dhe marrëdhënieve me jashtë, duke përmbushur kriteret e vendosura nga institucionet europiane për këta kapituj.
BE-ja ka vlerësuar se Shqipëria ka krijuar kuadrin ligjor, institucional dhe politikat që kërkohen në këto fusha. Pra, nuk ka më një listë të madhe detyrash negociuese për t’u diskutuar në atë kapitull.
Megjithatë, mbyllja është me kusht sepse Shqipëria duhet të vazhdojë të zbatojë standardet.
Statusi i mbylljes mbetet i kushtëzuar nga vazhdimësia e reformave dhe respektimi i angazhimeve të marra. Në rast se legjislacioni europian ndryshon ose nëse një vend kandidat shfaq prapakthim në zbatimin e reformave të dakordësuara, Bashkimi Evropian ruan të drejtën për të rihapur kapitullin për negociata të mëtejshme.
Për shembull, në Kapitullin 26, nuk mjafton vetëm miratimi i ligjeve për arsimin sipas modeleve evropiane. BE-ja do të shikojë nëse universitetet funksionojnë sipas standardeve, kërkimi shkencor financohet, diplomat njihen, apo cilësia e arsimit përmirësohet.
Në Kapitullin 30, nuk mjafton harmonizimi formal i politikës së jashtme; BE-ja do të monitorojë, nëse Shqipëria vijon të harmonizojë qëndrimet me politikën e jashtme të BE-së, apo nëse respekton sanksionet dhe qëndrimet e përbashkëta të unionit.
Kapitulli mund të rihapet, nëse Shqipëria largohet nga standardet e dakordësuara, apo nuk zbaton reformat. Në të dyja këto raste, përfshirë edhe azhornimin e rreguillave të reja që mund të miratojë BE, një kapitull i mbyllur provizorisht mund të rihapet për negociim.
Kjo është arsyeja pse përdoret fjala “provizorisht”.
Mbyllja përfundimtare e kapitujve do të ndodhë vetëm pasi të jenë përfunduar negociatat për të gjithë kapitujt e acquis të Bashkimit Evropian dhe pasi të jetë nënshkruar dhe ratifikuar Traktati i Anëtarësimit nga të gjitha shtetet anëtare të unionit.
Vetëm atëherë mbylljet bëhen juridikisht përfundimtare.
Për rrjedhojë, mbyllja provizore e kapitujve 25, 26 dhe 30 përbën një tregues të rëndësishëm të progresit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe një konfirmim të avancimit të vendit në përafrimin me standardet dhe politikat e Bashkimit Evropian, ndërsa njëkohësisht nënvizon nevojën për vijimësi reformash dhe ruajtje të ritmit të zbatimit deri në përfundimin e plotë të procesit të anëtarësimit.
Mbyllje provizore = “BE-ja thotë, se për këtë fushë jemi dakord që Shqipëria ka bërë mjaftueshëm dhe nuk kemi më negociata për këtë kapitull, por do të vazhdojmë ta kontrollojmë deri në anëtarësim.”
Pra, lajmi është një hap real përpara, sepse tregon progres në procesin e integrimit, por nuk është ende përmbushje e anëtarësimit dhe as garanci automatike për hyrjen në BE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *