Shoqëria civile në luftën kundër korrupsionit është partnere reale apo spektatore institucionale?

16/04/20260

Imagjinoni një skenë, ku në një sallë konferencash të mbushur me flamuj dhe fjalime zyrtare, përfaqësues të shoqërisë civile ulen në radhët e para. Ata duartrokasin kur prezantohet raporti i monitorimit për Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024–2030, për vitin 2025. Numrat flasin vetë direkt nga raporti me një nivel realizimi prej 83.5%, me ecuri pozitive në tre shtyllat kryesore: parandalim, ndëshkim dhe ndërgjegjësim.
Atmosfera duket optimiste.
Por pas buzëqeshjeve zyrtare, lind një pyetje që nuk mund të shpërfillet:
– Sa reale është roli i shoqërisë civile dhe i ekspertizës së pavarur në këtë proces?
A janë ata partnerë të vërtetë, apo thjesht spektatorë të ftuar për të plotësuar protokollin?

Së pari, përfshirja është e dukshme… por ka mbetur periferike.
Në raportet zyrtare, shoqëria civile shfaqet shpesh.
Ajo organizon forume, javë integriteti, aktivitete me të rinjtë.
Këto iniciativa janë të lavdërueshme, sepse ato ndihmojnë në ngritjen e ndërgjegjësimit dhe në krijimin e një kulture integriteti.
Por kur e shikon më thellë, përfshirja mbetet kryesisht në fushën e komunikimit.
Është si të luash në skenën anësore, ndërsa vendimmarrja kryesore zhvillohet pas perdes.
Vetëm në pak raste, si në vlerësimin e hapësirave për korrupsion në Kuvend, përmendet angazhimi i ekspertëve të jashtëm (në fakt të paracaktuar).
Këto shembuj duken si ishuj të izoluar, pa një mekanizëm të standardizuar që t’i bëjë të përsëritshme dhe sistematike.
Në thelb, shoqëria civile trajtohet më shumë si pjesëmarrëse në dialog, sesa si aktor me ndikim real në vendimmarrje. Ajo ftohet për të dëgjuar, por rrallë për të bashkë-krijuar.

Së dyti, raportohet nga qeveria për një “100% përfshirje”, por duket se nuk ka matje reale.
Një nga momentet më paradoksale të raporteve zyrtare është objekti i përfshirjes së shoqërisë civile, i cili rezulton i realizuar në masën 100%. Shifra duket imponuese në letër.
Por çfarë matet saktësisht?
Indikatorët mungojnë kur bëhet fjalë për:

  • ndikimin konkret në politika,
  • reflektimin real të rekomandimeve të dhëna,
  • rolin aktiv në monitorim dhe vlerësim.

Pa këto elementë, ky raportimi “100% përfshirje” rrezikon të mbetet një shifër formale, apo një kutí e plotësuar në formular, por jo një ndryshim substancial në terren.
Është si të thuash se një festë ishte e suksesshme sepse erdhën shumë të ftuar, pa pyetur nëse ata u argëtuan apo jo.

Së treti, lexojmë për monitorime, por pa verifikime të pavarura duke u servirur ato që gatuan qeveria në “kuzhinën” e saj.
Një tjetër çështje delikate është mënyra si ndërtohet vetë raporti.
Ai mbështetet kryesisht në të dhëna të vetë-raportuara nga institucionet përgjegjëse.
Mungon një komponent kritik që lidhet me vlerësimin e jashtëm, raportimin paralel nga shoqëria civile (shadow reporting) ose auditimin social të progresit.
Kur institucionet që duhet të vlerësohen janë ato që matin progresin e tyre, lind një rrezik i qartë: progresi mund të duket më i bukur se sa është në realitet. Pa sy të pavarur, numrat mbeten nën kontrollin e atyre që kanë interes të tregojnë sukses.

Së katërti, aty ku duhej më shumë ekspertizë, ajo mungon.
Një shembull i qartë është Objektivi, që synon adresimin e korrupsionit në sektorët me risk të lartë.
Ai rezulton vetëm 25% i realizuar, si niveli më i ulët në gjithë strategjinë.
Pikërisht këtu, ku nevojitet analizë e thellë sektoriale, identifikim i risqeve reale dhe rekomandime të targetuara, kontributi sistemik i ekspertizës së pavarur duket i munguar.
Por, pa inputin e shoqërisë civile dhe ekspertizës së saj, politikat rrezikojnë të mbeten të përgjithshme, burokratike dhe jo plotësisht efektive.
Është si të përpiqesh të shërosh një sëmundje pa dëgjuar diagnozën e specialistëve të tjerë jashtë dhomës së pacientit.

Së pesti, nuk duket se konsultimi publik është real dhe i nevojshëm apo një procedurë formale?
Procesi i konsultimit për raportet mbetet kryesisht ndërinstitucional.
Nuk ka transparencë të mjaftueshme mbi komentet e marra nga publiku, mënyrën si janë reflektuar ato, çfarë është pranuar dhe çfarë është refuzuar.
Kjo e kthen konsultimin në një detyrim procedural, pra një hap që bëhet sepse duhet bërë, jo sepse synohet bashkë-krijimi i vërtetë.

Së fundmi, problemi thelbësor në fakt është centralizimi i ciklit të politikës.
Nga hartimi te monitorimi dhe vlerësimi, cikli i politikës kundër korrupsionit mbetet i përqendruar brenda administratës.
Shoqëria civile nuk është bashkë-autore e analizës, nuk është bashkë-monitoruese e progresit dhe nuk shërben si faktor balancues në vlerësimin final.
Kjo qasje mbyllur krijon një model ku institucionet flasin me veten, ndërsa zërat e jashtëm mbeten në periferi.

Po çfarë mendojmë se duhet të ndryshojë?
Nëse synohet një luftë reale kundër korrupsionit, përfshirja duhet të kalojë nga simbolike në strukturore. Disa hapa konkrete mund të jenë:

  • Krijimi i mekanizmave të monitorimit paralel nga shoqëria civile (shadow reporting).
  • Matja e ndikimit real të rekomandimeve të saj në politika.
  • Hapja e të dhënave për analizë të pavarur.
  • Përfshirja sistematike e ekspertizës në sektorët me risk të lartë.
  • Transparencë reale në proceset e konsultimit – me publikim të komenteve dhe justifikim të vendimeve.

Strategjia dhe raportet e monitorimit të qeverisë tregojnë progres në nivel procedural.
Numrat janë inkurajues dhe aktivitetet e shumta dëshmojnë për një vullnet institucional.
Por lufta kundër korrupsionit nuk fitohet vetëm me masa të realizuara në letër ose me forume të bukura për një ditë a një javë.
Ajo kërkon një ndryshim më të thellë duke riformatuar këtë model të mbyllur institucional, drejt një modeli ku shoqëria civile dhe ekspertiza e pavarur nuk janë thjesht të ftuar, por bashkë-prodhuese të integritetit publik.
Eshtë ky transformim, që ndihmon në ndryshimin e situatës aktuale të luftës ndaj korrupsioni duke sistemuar ekuacioni aktual ku sa më shumë progres raportohet nga qeveria, aq më pak ndryshim real në jetën e qytetarëve.
Koha është të kalojmë nga spektatorë në partnerë të vërtetë, sepse korrupsioni nuk mund të mundet vetëm nga brenda, por duke hapur dyert për zërat që guxojnë të pyesin dhe të propozojnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *