
Rënia e popullsisë në Shqipëri, si një krizë strukturore me pasoja shumëdimensionale
Popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2025 rezulton 2.363.314 banorë, duke pësuar rënie me 1,2 %, krahasuar me 1 janar 2024. Rënia e popullsisë është rezultat i dy komponentëve kryesorë demografikë: shtesës natyrore, që për vitin 2024 ishte pozitive me +1.208 lindje më shumë se vdekje, dhe migracionit neto, i cili mbeti negativ me -28.836 persona.
Treguesit demografikë konfirmojnë thellimin e një tendence të qëndrueshme plakjeje dhe tkurrjeje: mosha mediane u rrit nga 43,5 vjeç në 2024 në 44,3 vjeç në 2025, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve u rrit nga 31,1 % në 33,3 %, duke rënduar barrën mbi popullsinë aktive. Raporti i përgjithshëm i varësisë arriti në 57,1 %, një tregues i presionit në rritje mbi sistemet publike të kujdesit social dhe financiar.
Edhe në aspektin gjinor, ka ndryshime të theksuara. Raporti gjinor në lindje u rrit nga 106,8 në 2023 në 107,8 në 2024, ndërsa raporti gjinor i popullsisë gjithsej ra nga 98,1 në 97,8 meshkuj për 100 femra.
Në aspektin territorial, përllogaritjet e popullsisë më 1 janar 2025 tregojnë se vetëm qarku i Tiranës shënoi rritje të popullsisë krahasuar me një vit më parë, me 0,2 %. Ndërkohë, uljet më të mëdha të popullsisë u shënuan në qarqet Shkodër (-2,5 %) dhe Kukës (-2,3 %). Tirana, Fieri dhe Elbasani kanë peshën më të lartë në popullsinë gjithsej. Më 1 janar 2025, Tirana zë rreth 32,2 % të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë qarku më i populluar i vendit, ndjekur nga Fieri (9,9 %) dhe Elbasani (9,6 %).
Rënia e popullsisë, megjithëse e pritshme në një kontekst rajonal të ngjashëm, po shndërrohet në një sfidë strategjike për ekonominë, sistemin e mirëqenies sociale dhe balancën territoriale të zhvillimit. Tkurrja e vazhdueshme e popullsisë aktive, bashkë me rritjen e varësisë së të moshuarve dhe pabarazitë midis qarqeve, kërkojnë masa të koordinuara politike, ekonomike dhe institucionale, për të shmangur thellimin e krizës demografike dhe për të garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë të vendit.
