Nuk është vetëm korrupsioni, por efekti që krijon mbi emrin e vendit

24/09/20260

Shqipëria nuk e ka ndërtuar emrin e saj në Europë vetëm përmes qeverive.E kanë ndërtuar shqiptarët.Emigrantët që punojnë për vite në Itali, Greqi, Gjermani, Britani, SHBA dhe vende të tjera; sipërmarrësit që krijuan biznese nga asgjëja.Profesionistët, mjekët, inxhinierët, akademikët, artistët, sportistët, studentët dhe mijëra familje, që në heshtje kanë punuar për të ndryshuar perceptimin që Europa kishte për Shqipërinë.Ky është një kapital i padukshëm, por me vlerë të jashtëzakonshme: reputacioni i një kombi.Pikërisht për këtë arsye, korrupsioni në nivelet e larta të shtetit nuk është vetëm problem penal, politik apo administrativ. Është problem kombëtar, sepse dëmton besimin që qytetarët, investitorët dhe partnerët ndërkombëtarë kanë te vendi.

Shqipëria është tashmë në një fazë tjetër të historisë së saj.Nuk është më vendi i izoluar i së kaluarës dhe nuk është më vetëm një vend që kërkon të hapë kufijtë e të afrohet me Europën.Sot pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Europian, dhe kjo aspiratë e vendos shtetin shqiptar përballë një standardi tjetër. Anëtarësimi në BE nuk është vetëm çështje hapjeje kapitujsh negociues, rritjeje ekonomike apo ndërtimi infrastrukture. Në themel të tij qëndrojnë shteti i së drejtës, integriteti institucional, kontrolli mbi pushtetin, lufta kundër korrupsionit dhe besueshmëria e institucioneve.

Raporti i Komisionit Europian për vitin 2026 është veçanërisht domethënës. Ai vlerëson se kuadri ligjor dhe institucional kundër korrupsionit është përgjithësisht në vend dhe se SPAK ka krijuar një historik të rëndësishëm në hetimin dhe ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë. Por në të njëjtën kohë, Komisioni evidenton se perceptimi i korrupsionit në sektorin publik mbetet i lartë dhe se rreziqet e korrupsionit vazhdojnë të jenë të pranishme në prokurimet publike dhe sektorë të tjerë me risk të lartë.Kjo kontradiktë është thelbësore, pasi Shqipëria po ndërton institucione më të forta kundër korrupsionit, ndërkohë që korrupsioni i nivelit të lartë vazhdon të jetë burim serioz shqetësimi.

Aferat korruptive që po prezantohen në seri nuk përfundojnë me një dosje penale. Ato po prodhojnë një zinxhir pasojash.Kur një ministër, ish-ministër, zyrtar i lartë apo drejtues institucioni kryesor i sigurisë kombëtare përfshihet në një hetim të rëndësishëm, lajmi nuk lexohet vetëm në Tiranë.Lexohet në Bruksel, Berlin, Romë, Uashington, në tregjet financiare, në kompanitë që po shqyrtojnë një investim dhe në institucionet ndërkombëtare.Mbi të gjitha, lexohet nga qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.Kjo është arsyeja pse korrupsioni i nivelit të lartë ka krijuar një kosto shumë më të madhe se shuma monetare e një kontrate, apo tenderi. Ai ka dëmtuar kapitalin e besimit që vendi ka ndërtuar për vite.

Por nuk do të ishte shqetësim kaq i fortë , nëse një apo pak individë janë korruptuar.Ajo që po shihet është një sistem aktual që po prodhon kaq shumë drejtues të dyshuar për korrupsion.

Të gjithë duam të dimë arsyen se pse këta njerëz arrijnë në nivelet më të larta të pushtetit dhe pse janë kaq shumë raste. Sinjalet e alarmit të djeshme nuk po e ndalojnë përzgjedhjen e gabuar, promovimin apo mbështetjen e tyre.Një apo pak individë mund të abuzojnë me pushtetin, por një numër i madh drejtuesish të përfshirë në hetime nuk mund të shpjegohet më si një seri rastësish të izoluara.Kur të njëjtat probleme përsëriten në ministri, agjenci, ndërmarrje publike dhe institucione të ndryshme, duhet parë modeli që i prodhon dhe i mbron.

Korrupsioni i përhapur në nivelet drejtuese është lidhur me mënyrën se si ndërtohet karriera publike në vendin tonë. De facto është lidhur me përzgjedhjen mbi bazën e besnikërisë politike, me mungesën e filtrave realë të integritetit, me kontrollin e dobët të pasurive dhe konflikteve të interesit, me centralizimin e vendimmarrjes dhe me kulturën e mosndëshkimit.Të gjitha rastet e ekspozuara të korrupsionit janë tregues të modelit kronist që i zgjedh drejtuesit sepse janë të afërt me pushtetin, i promovon sepse janë besnikë dhe i mbron sepse janë politikisht të dobishëm. Rezultati që ndikon te ne është institucioni që nuk drejtohet më nga standardi profesional, por nga marrëdhënia personale me qendrën e pushtetit.Në një mjedis të tillë, korrupsioni nuk është vetëm devijim individual, por produkt modelit që shpërblen bindjen, kontrollon informacionin dhe e vendos interesin politik mbi integritetin institucional.

Kjo shpjegon edhe pse dalin kaq shumë drejtues të korruptuar.Ata nuk shfaqen papritur në fund të një procesi.Ata kalojnë nëpër një zinxhir vendimesh: emërime, promovime, kontrata, mbështetje politike, heshtje administrative dhe mungesë kontrolli. Përgjegjësia nuk qëndron vetëm te personi që dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme, pasi shtrihet edhe te mekanizmi që e ka vendosur në atë pozicion, e ka lejuar të grumbullojë fuqi dhe nuk ka reaguar kur shenjat e rrezikut janë bërë të dukshme.

Në një vend normal, është e mundur që një person i korruptuar të arrijë një pozicion drejtues. Asnjë sistem shtetëror nuk mund të pretendojë se është imun ndaj individëve që mund të abuzojnë me pushtetin.Por kur raste të tilla përsëriten, problemi nuk është më individi.Është procesi i përzgjedhjes, kontrollit dhe promovimit.Problemi është kush e përzgjodhi, kush e emëroi, kush e promovoi, kush e mbështeti dhe sistemi që nuk e zbuloi më herët rrezikun.

Këto janë problemi i përgjegjësisë politike dhe institucionale edhe pse jo domosdoshmërisht të përgjegjësisë penale.Një Kryeministër nuk mund të jetë automatikisht përgjegjës penalisht për veprimet e çdo ministri apo drejtuesi që ka emëruar apo propozuar.Por qeveria që drejton ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike për standardin e njerëzve që përzgjedh për të drejtuar institucionet publike, për mekanizmat e kontrollit që vendos dhe për mënyrën se si reagon kur shfaqen probleme serioze integriteti.

Këtu qëndron dallimi midis përgjegjësisë individuale dhe përgjegjësisë së qeverisjes.Ky dallim nuk mund të përdoret si strehë për shmangien e përgjegjësisë.Qeverisja është një sistem vendimmarrjeje, mbështetjeje dhe kontrolli. Kur ky sistem prodhon vazhdimisht drejtues të dyshuar për korrupsion, kur emërimet bëhen mbi bazën e besnikërisë dhe kur mbrojtja politike zëvendëson kontrollin institucional, përgjegjësia nuk mund të mbyllet te individi që hetohet.

Një institucion mund të dëmtohet nga një drejtues i korruptuar, por dëmtohet edhe më shumë kur sistemi nuk ka mekanizma për ta parandaluar emërimin e tij, për ta kontrolluar pasurinë dhe vendimmarrjen e tij apo për ta ndaluar përpara se dëmi të bëhet i madh.Përgjegjësia nuk duhet të kufizohet vetëm nëse një drejtues qëndron apo largohet nga detyra pas nisjes së hetimit. Problemi është pse ai u konsiderua i përshtatshëm për atë detyrë dhe pse institucionet nuk funksionuan më herët.

Në një demokraci funksionale, largimi nga drejtimi nuk duhet të interpretohet automatikisht si pranim faji. Mund të jetë akt përgjegjësie institucionale, për të mbrojtur institucionin nga konflikti i interesit, për të garantuar hetimin e pavarur dhe për të ruajtur besimin e publikut.Përgjegjësia e madhe është fakti se pse ky sistem politik po prodhon dhe po motivon në vijimësi kaq shumë drejtues që përfundojnë nën hetim?

Fakti që një zyrtar hetohet apo akuzohet nuk do të thotë se ai është fajtor. Fajësinë penale e përcakton gjykata.Por, qeveria nuk mund të vlerësohet vetëm me standardin nëse një zyrtar është dënuar apo jo.Ajo duhet të vlerësohet edhe për cilësinë e përzgjedhjes, për transparencën e emërimeve, për kontrollin e konfliktit të interesit dhe për aftësinë për të ndërtuar institucione që nuk varen nga vullneti i një individi.

Nëse qeveria përzgjedh dhe promovon drejtuesit e institucioneve, ministrat dhe nivelet e larta të administratës, ajo duhet të mbajë përgjegjësi për standardin e integritetit të njerëzve që vendosen në pozicione me fuqi publike.Kur të njëjtat modele përsëriten, nuk mjafton të thuhet se çdo rast është individual.Përsëritja e rasteve tregon se problemi është strukturor, i dukshëm me mungesën e transparencës, kontrollin e dobët, përqendrimin e pushtetit, varësinë politike dhe kulturën administrative, ku besnikëria shpërblehet më shumë se profesionalizmi.

Në vitin 2026 kjo çështje u bë veçanërisht e dukshme pas hetimit të SPAK ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres Belinda Balluku lidhur me procedurat e disa kontratave publike, por edhe një numër drejtuesish që përbëjnë thelbin e sigurisë kombëtare. Rastet po krijojnë një problem të madh që tregon marrëdhënien ndërmjet pushtetit ekzekutiv, përgjegjësisë politike dhe institucioneve të drejtësisë.

Kjo krizë institucionale tashmë nuk shihet vetëm si problem i personave, por si pasojë e modelit që ka përqendruar pushtetin, dobësuar kontrollin dhe e ka bërë besnikërinë politike dhe kronizmin kriter të rëndësishëm për karrierën publike.

Rreziku më i madh nuk është që një gazetë europiane të botojë një artikull negativ për Shqipërinë.Rreziku është më afatgjatë.Kur përsëriten historitë për tenderë të diskutueshëm, kontrata publike, hetime ndaj zyrtarëve të lartë, skandale që cënojnë sigurinë e vendit, ndikim politik mbi institucionet dhe përplasje me drejtësinë, duket se kanë nxitur kriimin e një narrative ndërkombëtare, që Shqipëria po modernizohet ekonomikisht, por ende nuk ka zgjidhur problemin e marrëdhënies midis pushtetit dhe parasë publike.

Kjo është një narrativë që mund të dëmtojë shumë më tepër sesa një qeveri. Ajo dëmton vendin.Raporti i Komisionit Europian për 2026 vëren gjithashtu se përpjekjet për ndikim të padrejtë mbi institucionet e drejtësisë dhe sulmet ndaj magjistratëve vazhdojnë të jenë shqetësim. Në të njëjtën kohë, Komisioni vlerëson kapacitetin dhe rezultatet e SPAK në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.

Pra, tabloja nuk është bardhë e zi.Ka progres institucional dhe ka ende probleme serioze.Të dyja duhet të thuhen njëkohësisht.Por kjo tablo e dyfishtë e bën të pamjaftueshëm justifikimin e përgjegjësisë personale.Kur institucionet e drejtësisë forcohen, ndërsa pushteti politik vazhdon të prodhojë ose mbrojë drejtues të dyshuar për korrupsion, krijohet një përplasje që nuk zgjidhet me retorikë.Kriza kërkon një përgjigje sistemike me ndryshim të mënyrës së përzgjedhjes, kontroll më të fortë të pasurive, transparencë të kontratave, kufizim të ndikimit politik dhe institucione që mund të kontrollojnë edhe qeverinë që i ka krijuar.

Ka një kundërshti të madhe në historinë shqiptare të tri dekadave të fundit. Shqiptarët që emigruan u përpoqën dhe vazhdojnë të ndërtonin një emër të mirë me punën e tyre. Ata nuk kanë pushtet, tenderë, administratë apo imunitet politik. Kanë vetëm punën, profesionalizmin dhe reputacionin personal. Me këtë kanë ndërtuar një pjesë të rëndësishme të perceptimit të ri për shqiptarin në Europë.Ndërkohë, zyrtarët e lartë që abuzojnë me pushtetin po e dëmtojnë me një veprim të vetëm reputacionin që mijëra njerëz kanë ndërtuar për vite.

Kjo është padrejtësia më e madhe e korrupsionit politik.Kostoja nuk paguhet vetëm nga shteti.Paguhet edhe nga qytetari i ndershëm, nga emigranti që përpiqet të ruajë emrin e mirë, nga sipërmarrësi që kërkon të konkurrojë me meritë dhe nga profesionisti që përballet me mosbesimin e krijuar nga njerëz që kanë përdorur pushtetin për përfitime personale.

Reputacioni nuk është vetëm çështje prestigji.Ai ka çmim ekonomik.Nëse Shqipëria do të perceptohet si më pak transparent neve do të përballemi me kosto më të lartë të transaksioneve. Investitorët do të kërkojnë më shumë siguri, kompanitë do të kërkojnë më shumë garanci, institucionet financiare që analizojnë rriskun do të tërhiqen dhe sipërmarrësit vendas do të vazhdojnë të përballen me pasiguri.

Pikërisht për këtë arsye Komisioni Europian e lidh luftën kundër korrupsionit jo vetëm me drejtësinë, por edhe me funksionimin e tregut dhe klimën e biznesit.

Shqipëria ka deklaruar objektivin e anëtarësimit në BE.Por anëtarësimi nuk është thjesht objektiv diplomatik.Është kontratë besimi.Europa nuk kërkon Shqipërinë vetëm sepse Shqipëria dëshiron Europën.Ajo kërkon të shohë se institucionet shqiptare funksionojnë mbi rregulla që janë më të forta se interesat personale dhe politike.

Në këtë kuptim, çdo rast i korrupsionit në nivelet e larta është një test jo vetëm për SPAK dhe gjykatat, por edhe për Kryeministrin, qeverinë, parlamentin dhe të gjithë sistemin politik.Shqetësimi nuk është vetëm nëse po sulmohet qeveria, por nëse po mbrohet shteti, sepse qeveritë sado të zgjasin ndryshojnë, ndërsa shteti mbetet.

Në këtë moment Shqipëria ka nevojë të mbrojë dy kapitalet më të rëndësishme: kapitalin njerëzor dhe kapitalin institucional.

Shqiptarët që punojnë, investojnë, studiojnë dhe jetojnë në Europë janë ambasadorët më të mëdhenj të vendit. SPAK, gjykatat, administrata publike, institucionet e kontrollit dhe çdo strukturë që mbron paranë publike duhet të kenë hapësirë të mjaftueshme për të vepruar pa presion politik.

Lufta kundër korrupsionit nuk mund të jetë vetëm instrument i qeverisë.Mbi të gjitha duhet të jetë parim i shtetit.

Për ta bërë këtë të mundur, duhet të ndryshojë edhe mënyra e qeverisjes. Kjo do të thotë më pak personalizim i pushtetit, më shumë kontroll institucional, më pak emërime mbi bazën e besnikërisë, më shumë meritë dhe transparencë,më pak mbrojtje politike, më shumë përgjegjësi,më pak varësi nga vullneti i një drejtuesi, më shumë rregulla që funksionojnë edhe kundër interesave të qeverisë së radhës.

Qeveria ndërkohë e mbron reputacioni jo duke thënë se rastet janë “përgjegjësi personale”, por duke pranuar se kur dalin vazhdimisht drejtues të dyshuar për korrupsion, problemi duhet kërkuar edhe te përgjegjësi i qeverisë, që i ka përzgjedhur dhe promovuar.

Drejtimi i një institucioni publik nuk është e drejtë personale, por besim publik.Ky besim nuk mund të varet nga fakti nëse një individ ka ende mbështetjen e Kryeministrit, por mbi të gjitha duhet të ketë vlerësimin e qytetarëve dhe zbatimit të ligjit.

Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë, por kjo rrugë nuk është pronë e një partie, e një Kryeministri apo e një qeverie.Është rezultat i përpjekjeve të një shoqërie të tërë.Prandaj emri i mirë i Shqipërisë nuk duhet të përdoret si mburojë për pushtetin, por si standard për pushtetin.

Shqipëria është më e madhe se çdo qeveri dhe emri i Shqipërisë është më i rëndësishëm se emri i çdo politikani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *