
Shoqëria civile shqiptare po përballet me një krizë buxheti. Por, ndërkohë, po përballet edhe me një krizë arkitekture.
Për vite me radhë, kapaciteti i saj u ndërtua kryesisht mbi financimin e huaj (BE, qeveri, fondacione dhe agjenci ndërkombëtare). Kjo mbështetje mundësoi zhvillimin e kapaciteteve dhe të aktiviteteve të sektorit, por njëkohësisht krijoi një varësi strukturore, pasi nuk u shoqërua me ndërtimin e një baze të qëndrueshme financimi vendas. Si pasojë, me kalimin e viteve duket se u krijua një krizë e heshtur për një sektor thelbësor për demokracinë, transparencën dhe integrimin europian, ku kapaciteti ekzistonte, por qëndrueshmëria e tij ekonomike brenda vendit mbeti e dobët.
Një realitet i tillë shihet sa herë donatorët ndryshojnë prioritetet, reduktojnë programe ose ndërpresin financimin dhe, si pasojë, jo vetëm humbet një projekt, por, mbi të gjitha, humbet një platformë monitorimi, një bazë të dhënash, një zë kritik.
Raporti i ENNHRI për 2026 e lidh këtë dobësi drejtpërdrejt me varësinë e lartë të Shqipërisë dhe Kosovës nga burimet e jashtme. Kur USAID apo programe të tjera u tërhoqën, tavolina e ekspertizës civile fillon të anohet.
Por problemi është më i thellë se mungesa e parave, sepse lidhet me vetë mënyrën se si është ndërtuar dhe funksionon tregu i ekspertizës civile.
Për vite me radhë, diskutimi është përqendruar kryesisht te sasia e fondeve që qarkullojnë, ndërsa më pak te pyetja se çfarë produkti prodhojnë këto fonde dhe çfarë efekti të matshëm kanë në shoqëri. Në këtë kuptim, qëndron në ndërtimin e një modeli të qëndrueshëm ku financimi lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e produktit, përdorimin e ekspertizës dhe ndikimin real në politikat publike dhe në debatin shoqëror.
Në këtë peizazh, organizatat që kanë ndërtuar kapacitet administrativ, marrëdhënie të konsoliduara me donatorët dhe staf të specializuar për aplikime absorbojnë pjesën më të madhe të burimeve. Ato fitojnë projekte, punësojnë ekspertë, krijojnë histori suksesi dhe fitojnë përsëri. Organizatat e reja, institutet e pavarura, ekspertët individualë dhe strukturat jashtë Tiranës mbeten në periferi. Efekti Matthew bëhet i dukshëm, ku atij që ka i jepet edhe më shumë, ndërsa atij që nuk ka i humbet edhe mundësia për të ruajtur dhe forcuar kapacitetin.
Kështu ka lindur prej vitesh ajo që mund të quhet oligopolizim i ekspertizës civile.
Me këtë nuk konsiderojmë faktin e marrëveshjes formale, por përqendrimin gradual të aksesit në burime, informacion dhe mundësi për të ndikuar në agjendën publike.
Fondet përqendrohen te disa organizata.
Të njëjtët ekspertë shfaqen në projekte, raporte, konferenca dhe media.
Zëri i financuar bëhet më i dukshëm se zëri i pavarur që nuk ka burime.
Temat që kanë “produkt financues” hyjnë në debat, ndërsa problemet që nuk e kanë mbeten në hije.
Mund të kesh qindra organizata të regjistruara dhe një treg shumë më të ngushtë të ekspertizës që realisht prodhon analiza dhe ndikon në politika.
Ky debat nuk është një çështje e thjeshtë e “më shumë fondeve për OJQ-të”.
Shoqëria civile nuk është dorë e dytë e administratës publike, por infrastrukturë e demokracisë.
Ashtu si shteti financon administratën e tij sepse ka nevojë për kapacitet institucional, po ashtu demokracia ka nevojë edhe për ekspertizë të pavarur, monitorim civil, analiza alternative, kontroll qytetar, think tanks dhe kërkim të pavarur.
Mirëpo, kur financohet vetëm administrata dhe lihet në treg të lirë një pjesë e madhe e ekspertizës civile, dukshëm është krijuar një asimetri strukturore.
Shteti ka burime për të prodhuar argumentin e vet; ndërsa shoqëria nuk ka burime të krahasueshme për të prodhuar alternativën. Kjo mënyrë, bashkë me oligopolizimin, kanë dobësuar jo vetëm shoqërinë civile, por edhe cilësinë e vendimmarrjes publike.
Krahasimi me Bashkimin Europian e bën këtë dallim të qartë.
Në BE, rreth 80 % e burimeve të financimit për organizatat e shoqërisë civile menaxhohen nga vetë shtetet anëtare.
Të gjitha vendet anëtare ofrojnë financim publik në nivele kombëtare, rajonale ose lokale. Disa shtete madje ofrojnë edhe mbështetje institucionale për kostot administrative.
Programi CERV (Citizens, Equality, Rights and Values) 2021–2027 ka një buxhet mbi 1,5 miliardë euro dhe synon në mënyrë specifike mbështetjen e organizatave që mbrojnë të drejtat, vlerat demokratike dhe shtetin e së drejtës.
Logjika funksionon bazuar te demokracia që ka nevojë për financim të demokracisë. Organizatat nuk duhet të jetojnë vetëm nga projekti në projekt.
Edhe BE-ja ka probleme, pasi deri në 35 % e organizatave identifikojnë mungesën e fondeve për shkak të fokusit tematik, 30 % mungesën e financimit bazë. Por sistemi europian ka shumë më tepër burime financimi se në Shqipëri, si nga sistemi publik, Bashkimi Europian, filantropia private, institucionet e tjera. Vetë Komisioni Europian ka evidentuar nevojën për më shumë fonde shumëvjeçare dhe mekanizma që arrijnë organizatat e vogla.
Ndërkohë, Ballkani Perëndimor ndodhet në mes të dy modeleve.
Mbi 40 % e organizatave të intervistuara mbështeteshin në një lloj të vetëm donatori për më shumë se gjysmën e financimit.
Në 2024, deri në 25 % e organizatave pjesëmarrëse në vlerësimin e DG ENEST raportuan se nuk kishin marrë fare financim nga donatorë dhe përbënin pothuajse dyfishin e vitit paraardhës.
Organizatat pa financim janë më të vogla, me xhiro të ulët dhe të mbështetura te vullnetarët.
Por, përveç sa më lart, ekspertiza civile në Shqipëri ka një problem më të veçantë, sepse i mungon financimi vendas si amortizues i çrregullimeve të politikës së financimit të huaj.
Financimi publik mbetet i kufizuar dhe kryesisht i bazuar mbi projekte që lidhen me interesat e qeverisë dhe kronizmin. Filantropia dhe financimi institucional janë tejet të dobëta.
Kur bie mbështetja e jashtme, e gjithë struktura e shoqërisë civile anohet.
Nga mungesa e një perspektive të qëndrueshme dhe një mbështetjeje të nevojshme nga shteti vlerësohet se është në humbje e sipër pluralizmi i ekspertizës.
Ndërsa pritshmëria është se në demokracinë tonë gjysmëfunksionale duhet të ekzistojnë paralelisht qeveria, universitetet, think tanks, shoqëria civile, media dhe biznesi, në realitetin e sotëm disa prej këtyre kanaleve janë dobësuar apo goditur financiarisht dhe efekti më i dukshëm është dobësimi i debatit publik.
Ekspertiza civile, si një e mirë publike, është e detyruar të mbështetet te shteti, sepse shoqëria ka nevojë për ekspertizë të pavarur dhe tregu nuk e garanton vetvetiu.
Ky debat nuk bëhet që të kërkohen thjesht disa fonde më shumë, por, bazuar mbi nevojën për një rishpërndarje të mbështetjes financiare, duhet të kushtëzohet edhe një sistem më transparent, konkurrues, i decentralizuar, shumëvjeçar dhe më pak i varur nga një grup i kufizuar burimesh e përfituesish.
Financimi publik duhet të shërbejë si bazë kombëtare, ndërsa financimi europian si lidhje me standardet, për mbijetesën dhe forcimin e kapaciteteve civile. Ndërkohë, nëse do të asistohen nga fondet publike dhe private hapja reale e tregut për institute, ekspertë e organizata të ndryshme, atëherë mund të thuhet se po ecet drejt krijimit të infrastrukturës së plotë të pluralizmit të ekspertizës civile.
Me këtë shoqëri civile të financuar në mënyrë të pamjaftueshme, shoqëria jonë nuk arrin të kontrollojë pushtetin. Por edhe me problemin ekzistues të kësaj ekspertize të përqendruar në pak organizata, nuk mund të kemi dot pluralizmin e nevojshëm të ideve. Këtë demokraci që po ndërtojmë duhet ta mbështetim te një ekspertizë e pavarur, duke investuar në infrastrukturën e saj, për të mbushur boshllëkun në rritje midis nevojës për politika cilësore dhe kapacitetit për t’i prodhuar ato në mënyrë të pavarur.
