Një krizë që nuk duket, por që po formohet

10/04/20260

Në publikimet zyrtare statistikore, Shqipëria nuk duket si një vend që po përballet me një krizë çmimesh. Shifrat zyrtare të inflacionit për vitin 2025 dhe fillimin e vitit 2026 luhaten rreth 2.3–2.6%, një nivel i moderuar dhe madje nën objektivin standard prej 3%. Në këtë optikë, ekonomia duket e balancuar, presionet janë të kontrolluara dhe rreziku i një krize duket i largët.
Por kjo është vetëm sipërfaqja dhe si ndodh shpesh në ekonomi, sipërfaqja është pjesa më pak e rëndësishme për të kuptuar realitetin.
Në realitet, ekonomia shqiptare po hyn në një fazë shumë më të ndërlikuar dhe potencialisht më të rrezikshme, atë të inflacionit strukturor, të brendshëm dhe të pabarabartë. Ky nuk është një inflacion që shpërthen në statistika apo që krijon alarm të menjëhershëm institucional. Përkundrazi, është një inflacion që përhapet në mënyrë të heshtur, duke u reflektuar në përditshmërinë e qytetarëve përmes një uljeje graduale, por të vazhdueshme, të fuqisë blerëse.

Problemi sot nuk është thjesht sa rriten çmimet. Problemi është pse rriten, si rriten dhe mbi të gjitha kush i përballon këto rritje.
Pikërisht këtu qëndron ndryshimi mes një fenomeni të zakonshëm ekonomik dhe një krize që po formohet.
Shqipëria nuk është ende në një krizë klasike inflacioniste. Por është në prag të një krize shumë më të heshtur, të një krizë çmimesh që buron nga vetë struktura e ekonomisë dhe nga mënyra se si ajo funksionon.

Inflacion i ulët në dukje, por i lartë në përjetim
Analizat më të fundit nxjerrin në pah një ndarje gjithnjë e më të thellë mes inflacionit që matet dhe inflacionit që përjetohet. Indeksi i përgjithshëm i çmimeve mbetet i moderuar, por kjo maskon rritjen e vazhdueshme te kostove në komponentët më thelbësorë të jetesës.
Qiratë, ushqimet dhe energjia, që janë tre elementët që përbëjnë bazën e shpenzimeve familjare janë pikërisht ata që po shtyjnë çmimet në rritje. Në të njëjtën kohë, inflacioni bazë ka kaluar mbi 3%, një tregues i qartë se presionet nuk janë më të përkohshme apo të lidhura me goditje të jashtme, por janë të rrënjosura brenda ekonomisë.
Kjo krijon një paradoks që është thelbësor për të kuptuar situatën aktuale, ku ekonomia duket e stabilizuar në letër, por për qytetarin mesatar, kostoja e jetesës rritet më shpejt se të ardhurat. Diferenca midis të ardhurave dhe shpenzimeve po zgjerohet në mënyrë të heshtur.
Pra, inflacioni që “ndihet” është dukshëm më i lartë se inflacioni që “raportohet”.
Pikërisht ky inflacion i padukshëm është më i rrezikshmi, sepse nuk prodhon reagim të menjëhershëm politik apo institucional.

Nga inflacion i importuar në inflacion të prodhuar brenda vendit
Në vitet 2022–2023, rritja e çmimeve në Shqipëri ishte relativisht e lehtë për t’u shpjeguar. Ajo ishte pasojë e drejtpërdrejtë e krizave globale: rritja e çmimeve të energjisë, ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dhe presionet inflacioniste ndërkombëtare.
Sot, kjo logjikë nuk qëndron më.
Në vitin 2026, inflacioni në Shqipëri po “endogjenizohet”. Ai nuk vjen më kryesisht nga jashtë, por po prodhohet nga brenda ekonomisë. Qiratë që rriten në mënyrë të vazhdueshme, presioni i turizmit mbi çmimet lokale, informaliteti dhe spekulimi në treg, si dhe rritja e kostove të shërbimeve, janë bërë faktorët dominues të inflacionit.
Ky ndryshim është thelbësor. Një inflacion i importuar mund të zbehet me normalizimin e tregjeve globale. Një inflacion i brendshëm nuk zhduket vetvetiu. Ai kërkon ndërhyrje të thella në strukturën e ekonomisë, në mënyrën si prodhohet dhe si funksionon tregu.

Goditja e re nga karburantet dhe efekti domino
Një tjetër faktor që po ushqen këtë dinamikë është rritja e çmimeve të energjisë dhe naftës gjatë vitit 2026. Ndikimi i tyre nuk kufizohet në një sektor të vetëm.
Ai përhapet në të gjithë ekonominë.
Rritja e kostove të karburanteve rrit menjëherë kostot e transportit. Kjo reflektohet në koston e prodhimit dhe më pas në çmimin final të produkteve dhe shërbimeve. Ushqimet bëhen më të shtrenjta, shërbimet po ashtu, dhe edhe importet reflektojnë këtë rritje.
Ky është një mekanizëm klasik i inflacionit të shtyrë nga kostot (cost-push inflation). Ndryshe nga inflacioni i nxitur nga kërkesa, ky lloj inflacioni është shumë më i vështirë për t’u menaxhuar, sepse buron nga baza e kostove të ekonomisë.

Një krizë më e rrezikshme sepse është e pabarabartë
Një nga karakteristikat më shqetësuese të situatës aktuale është fakti që inflacioni nuk shpërndahet në mënyrë të barabartë. Ai nuk është një fenomen “neutral”.
Përkundrazi, ai godet më fort pikërisht ata që kanë më pak mundësi për ta përballuar:
– familjet urbane që përballen me rritjen e vazhdueshme të qirave
– shtresat me të ardhura të ulëta
– konsumatorët që shpenzojnë pjesën më të madhe të të ardhurave për ushqime bazë.
Në këtë kuptim, kemi të bëjmë me më shumë se një fenomen ekonomik. Kemi të bëjmë me një krizë sociale të çmimeve, ku barrën më të madhe e mbajnë ata që janë më të ekspozuar.

Rritje ekonomike pa transformim është rrënja e problemit
Një nga konkluzionet më të forta të analizave është se Shqipëria po përjeton rritje ekonomike pa transformim strukturor. Ekonomia po zgjerohet, por pa ndryshuar mënyrën se si prodhon.
Ekonomia po zgjerohet, por pa ndryshuar mënyrën se si prodhon.
Kjo do të thotë se kërkesa rritet, por oferta nuk e ndjek në të njëjtin ritëm. Dhe kur oferta nuk rritet, çmimet bëhen mekanizmi kryesor i balancimit.
Si rezultat, çmimet rriten jo sepse ekonomia po bëhet më produktive, por sepse mungon zgjerimi real i prodhimit. Në thelb, kemi një ekonomi që rritet pa prodhuar mjaftueshëm për të mbajtur nën kontroll çmimet.

A po shkojmë drejt një krize të plotë?
Rreziku është real, por jo i pashmangshëm. Ai varet nga ndërveprimi i disa faktorëve kyç.
Një përshkallëzim i situatës do të ndodhte nëse:
1. çmimet e energjisë dhe naftës mbeten të larta
2. turizmi vazhdon të deformojë strukturën e çmimeve
3. politikat publike mbeten reaktive dhe jo strukturore.
Në skenarët bazë, inflacioni mund të mbetet në intervalin 2.5–2.6%. Por në një skenar negativ, ai mund të arrijë dhe të tejkalojë 3.4%. Megjithatë, për konsumatorin real, ndikimi mund të jetë shumë më i lartë se këto shifra.

Problemi nuk është mungesa e ndërhyrjes, por lloji i saj
Debati mbi rolin e shtetit shpesh fokusohet tek nevoja për ndërhyrje, por problemi kryesor në Shqipëri nuk është vetëm mungesa e ndërhyrjes, por forma e saj.
Masat që zakonisht po përdoren, si kontrolli administrativ i çmimeve, subvencionet e përgjithshme dhe politikat afatshkurtra kanë treguar se nuk funksionojnë.
Ato shtrembërojnë tregun, krijojnë kosto fiskale dhe nuk adresojnë burimin e problemit.
Zgjidhja kërkon një ndryshim thelbësor të qasjes.
Në vend që të përpiqet të kontrollojë çmimet, shteti duhet të fokusohet në uljen e kostove reale të ekonomisë dhe në rritjen e ofertës.

Kjo nënkupton:
– stimulim të prodhimit vendas dhe sektorëve prodhues
– lehtësim fiskal për aktivitetet që rrisin ofertën
– investime në logjistikë dhe zinxhirë furnizimi
– formalizim të tregut për të reduktuar spekulimin dhe konkurrencën e pandershme
– politika të targetuara për grupet më të prekura, në vend të subvencioneve universale
– ndërhyrje në tregun e strehimit për të frenuar rritjen e qirave
– koordinim të politikave fiskale me ato monetare dhe strukturore.
Kur këto ndërhyrje nuk zbatohen të plota apo janë joefektive, mundet që kjo kohë aktuale inflacioni strukturor të shndërrojë rritjen e çmimeve në një fenomen kronik.
Në përfundim, Shqipëria nuk është përballë një krize klasike çmimesh.
Është diçka më komplekse: një inflacion i fshehur, i brendshëm dhe i pabarabartë.
Është një inflacion që nuk alarmon statistikat, por godet drejtpërdrejt mirëqenien.
Një inflacion që nuk vjen më nga jashtë, por nga mënyra se si funksionon vetë ekonomia.
Dhe një inflacion që, nëse nuk adresohet në rrënjë, mund të kalojë nga një presion i menaxhueshëm çmimesh në një krizë të plotë të fuqisë blerëse dhe stabilitetit social.
Në këtë fazë, roli i shtetit nuk është të luftojë simptomën (çmimin), por të adresojë shkakun, që lidhet me strukturën e ekonomisë dhe mënyrën se si ajo prodhon, shpërndan dhe krijon vlerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *