
Nga rritja fiskale te transformimi ekonomik për një axhendë më të thellë zhvillimi
Rritja me 13.3% e të ardhurave buxhetore në 3-mujorin e parë është, në pamje të parë, një lajm inkurajues për financat publike. Por një analizë më e thelluar tregon se kjo rritje nuk duhet lexuar si një sukses i pastër strukturor, por si një kombinim faktorësh ciklikë dhe administrativë që nuk garantojnë qëndrueshmëri afatgjatë.
Së pari, burimet e kësaj rritjeje janë të përziera. Nga njëra anë, përmirësimi i administrimit tatimor, i nxitur nga digjitalizimi dhe fiskalizimi ka dhënë rezultate konkrete në rritjen e deklarimeve. Nga ana tjetër, efekti i inflacionit ka luajtur një rol të rëndësishëm, ku çmimet më të larta kanë rritur automatikisht të ardhurat nga TVSH dhe akcizat, pa reflektuar domosdoshmërisht një zgjerim real të aktivitetit ekonomik. Kjo do të thotë se një pjesë e rritjes është “nominale”, jo produkt i rritjes së produktivitetit.
Në planin makroekonomik, Shqipëria vijon të tregojë një rezistencë relative, e mbështetur kryesisht nga turizmi dhe ndërtimi. Por kjo mbetet një ekonomi e orientuar nga konsumi dhe jo nga prodhimi. Në mungesë të një baze të fortë prodhuese dhe eksportuese, ekonomia mbetet e ekspozuar ndaj goditjeve të jashtme, nga çmimet ndërkombëtare te tensionet gjeopolitike.
Ky ekspozim bëhet edhe më i dukshëm në kontekstin e zhvillimeve globale. Institucione si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore vijojnë të vlerësojnë stabilitetin makroekonomik të vendit, por paralajmërojnë për vulnerabilitetet strukturore. Në këtë kuadër, kujdesi ndaj borxhit publik dhe forcimi i rezervave mbrojtëse bëhen thelbësore.
Nëse tensionet në Lindjen e Mesme përkthehen në rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë, Shqipëria ka nevojë për një “buxhet fleksibël”: një mekanizëm që mundëson ndërhyrje të shpejta sociale pa cenuar stabilitetin fiskal. Një paketë e tillë duhet të jetë e targetuar dhe e përkohshme, jo një zgjerim i përgjithshëm i shpenzimeve.
Në frontin e brendshëm, progresi në luftën kundër informalitetit është real, por i pjesshëm. Problemi kryesor mbetet nën-deklarimi i pagave, një hendek mes pagës reale dhe asaj të deklaruar. Ky fenomen është veçanërisht i përhapur në sektorët e shërbimeve, tregtisë me pakicë dhe ndërtimit, ku informaliteti shpesh “fshihet” në fashat e pagës minimale dhe asaj mesatare.
Kjo situatë ka pasoja të drejtpërdrejta për skemën e pensioneve. Edhe pse formalizimi ka përmirësuar të ardhurat nga kontributet, deficiti mbetet strukturor për shkak të emigracionit dhe plakjes së popullsisë. Indeksimi i pensioneve është i domosdoshëm për të mbrojtur fuqinë blerëse, por pa reforma më të thella në tregun e punës dhe sistemin e kontributeve, ai mbetet një instrument korrigjues dhe jo zgjidhje afatgjatë.
Ndërkohë, klima e biznesit vijon të përballet me sfida të njohura, si pasiguri rregullatore, ndryshime të shpeshta fiskale dhe një dialog publik-privat që shpesh mbetet formal. Biznesi dëgjohet në parim, por reflektimi i tij në vendimmarrje është i kufizuar. Kjo krijon një hendek besimi që frenon investimet dhe planifikimin afatgjatë.
Një nga kufizimet më të forta të rritjes sot është mungesa e fuqisë punëtore. Rritja e pagës minimale ka qenë një ndërhyrje e nevojshme për të frenuar emigracionin dhe për të rritur formalizimin, por pa një rritje paralele të produktivitetit, kjo kosto transferohet te biznesi dhe përfundimisht te konsumatori përmes çmimeve më të larta.
Në planin më të gjerë, Shqipëria vazhdon të operojë me një model ekonomik të bazuar në koston e ulët të punës dhe importet. Kjo nuk është një strategji e qëndrueshme. Një ekonomi që importon shumicën e asaj që konsumon nuk mund të ndërtojë rritje të qëndrueshme afatgjatë.
Prandaj, nxitja e prodhimit duhet të kalojë nga retorika në politika konkrete: lehtësi fiskale të targetuara për eksportuesit, mbështetje për zinxhirët e vlerës dhe investime në teknologji dhe kapital njerëzor.
Bujqësia është shembulli më i qartë i potencialit të pashfrytëzuar. Ajo ndodhet në një gjendje mbijetese, e kufizuar nga fragmentimi i tokës, mungesa e financimit dhe aksesit në treg. Programi IPARD III përfaqëson një mundësi reale për transformim, por vonesat në akreditim dëmtojnë besimin dhe ritmin e zhvillimit. Për këtë arsye, përshpejtimi i këtij procesi duhet të jetë prioritet kombëtar, i shoqëruar me politika për bashkimin vullnetar të tokave dhe rritjen e kapaciteteve absorbuese.
Në fund, sfida nuk është thjesht të mbledhim më shumë të ardhura, por të ndërtojmë një ekonomi që gjeneron më shumë vlerë. Nga këndvështrimi i ALTAX, fokusi duhet të zhvendoset nga administrimi fiskal drejt zgjerimit të bazës së taksueshme përmes mirëqenies, investimeve në kapitalin njerëzor dhe diversifikimit ekonomik.
Rritja e sotme është një mundësi, por pa një strategji të qartë transformimi, ajo mund të mbetet një episod i përkohshëmdhe jo një trajektore zhvillimi.
