Ndërmjet diplomacisë rajonale dhe reformave të brendshme

15/06/20250

Në një periudhë kur Shqipëria kërkon të forcojë rolin e saj rajonal dhe të përshpejtojë zhvillimin ekonomik, sfida më e madhe që e frenon nuk qëndron te mungesa e strategjive apo vizionit, por te dy elementë thelbësorë të shtetformimit modern: kapaciteti i shtetit dhe cilësia e institucioneve.
Këta janë faktorët që vendosin jo vetëm fatin e reformave të brendshme, por edhe kredibilitetin e saj në arenën rajonale dhe më gjerë.
Kryesimi i Shqipërisë në vitin 2024 i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), me moton “Nxitja e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE”, shënon jo vetëm një arritje diplomatike, por një provë të drejtpërdrejtë të aftësisë së vendit për të qenë faktor real në rajon.
Kjo vjen në vazhdën e roleve të mëparshme drejtuese të Shqipërisë në Procesin e Berlinit dhe është një reflektim i përpjekjeve për ta pozicionuar vendin si një pikë referimi në Evropën Juglindore.
Por, për ta përkthyer këtë vizibilitet rajonal në përfitime të brendshme dhe rritje të qëndrueshme, Shqipëria duhet të zgjidhë nyjen themelore që e pengon në progres: ndërtimin e një shteti funksional, i cili garanton që reformat nuk mbeten në letër dhe që standardet evropiane zbatohen me vendosmëri në terren.
Në këtë prizëm, SEECP nuk është vetëm një forum protokollar, por një pasqyrë e qartë që e detyron vendin të shohë veten në dritën e përkushtimit të vërtetë ndaj reformës.
Kapaciteti dhe institucionet,si dy shtylla të të njëjtës ndërtesë Kapaciteti i shtetit përfaqëson aftësinë për të zbatuar politika në mënyrë efektive, për të menaxhuar burimet financiare dhe për të ofruar shërbime publike me efikasitet. Ndërkaq, cilësia e institucioneve lidhet me rregullat dhe mekanizmat që sigurojnë transparencë, llogaridhënie, sundim të ligjit dhe drejtësi.

Në kontekstin shqiptar, shpesh këto dy aspekte janë trajtuar në mënyrë të fragmentuar, çka ka çuar në reforma të pjesshme, të paqëndrueshme dhe me ndikim të kufizuar. Pa ndërtuar një administratë që funksionon me efikasitet, as reformat ligjore, as lufta kundër korrupsionit nuk mund të japin rezultatet e pritura.
Pa institucione të besueshme, edhe administrata më moderne ngec në zbatimin e ligjit dhe krijimin e besimit publik.

Çfarë na mëson empiria ndërkombëtare dhe pse është e rëndësishme për Shqipërinë?
Studimet e fundit tregojnë se rritja më e qëndrueshme dhe më e fuqishme vjen nga përmirësime të koordinuara në kapacitetin administrativ dhe në institucionet e qeverisjes.
Në vendet në zhvillim, ku Shqipëria bën pjesë, reforma të izoluara në njërën anë sjellin përfitime të kufizuara. Për shembull, përmirësimi i rregullave të lojës, si lufta kundër korrupsionit dhe stabiliteti ligjor do të jetë efektiv vetëm nëse administrata ka kapacitet për t’i zbatuar me vendosmëri këto rregulla. Por, po ashtu nëse investohet vetëm në digjitalizim, por nuk garantohet ndëshkimi efektiv të abuzimeve korruptive që është përforcuar nga patronazhimi politik, atëherë asnjë investitor serioz nuk do të ndjehet i mbrojtur dhe asnjë qytetar nuk do të ndjehet i përfaqësuar.

Në Shqipëri, kjo do të thotë që investimet në modernizimin e administratës publike, trajnimet e stafit, digjitalizimin dhe menaxhimin më të mirë fiskal duhet të shoqërohen ngushtë me reforma që forcojnë gjyqësorin, llogaridhënien dhe transparencën. Vetëm kështu mund të krijojmë një mjedis ku investitorët ndihen të sigurt dhe mund të planifikojnë në afat të gjatë. Reformat kërkojnë kohë dhe në periudhën tranzitore mund të sjellin vështirësi, siç është ulja e përkohshme e pjesëmarrjes në tregun e punës ose rritja e shpenzimeve publike.
Këto janë kosto të domosdoshme për të krijuar bazën e qëndrueshme të rritjes së mëtejshme.
Nëse politika shqiptare do të arrijë të menaxhojë këto sfida duke ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe duke angazhuar aktorët e shoqërisë, si: biznesin, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, atëherë reforma do të prodhojë frytet e saj në forma të qëndrueshme dhe të prekshme për qytetarët. Lidershipi rajonal i Shqipërisë është i mirëpritur dhe i domosdoshëm për stabilitetin dhe zhvillimin e Evropës Juglindore.

Por ky lidership nuk mund të jetë i qëndrueshëm nëse nuk mbështetet mbi themele të forta të qeverisjes së brendshme. Nëse vendi aspiron të jetë shembull në bashkëpunimin rajonal, atëherë duhet të jetë po aq shembull në ndërtimin e institucioneve funksionale, në menaxhimin e përgjegjshëm të burimeve dhe në respektimin e rregullave të lojës.
Ky është edhe testi më i madh i SEECP si platformë reale transformimi: a do të shndërrohet në një instrument për të nxitur reforma të brendshme përmes standardeve të ndërsjella, apo do të mbetet një arenë me deklarata simbolike pa përmbajtje strukturore?

Si përkthehet kjo në veprim?
Reforma e administratës publike duhet të shkojë përtej strukturimit formal dhe të fokusohet në ndërtimin e kapaciteteve njerëzore, përmes trajnimeve, motivimit dhe menaxhimit të performancës. Digjitalizimi i shërbimeve publike duhet të jetë i orientuar nga nevojat reale të qytetarëve dhe bizneseve, jo vetëm për të reduktuar korrupsionin, por edhe për të rritur efikasitetin.

Reformat institucionale, veçanërisht ato që prekin gjyqësorin, prokurorinë, auditimin dhe institucionet e kontrollit, janë kyçe për të garantuar llogaridhënien dhe besimin. Suksesi nuk vjen vetëm nga vendimet e qeverisë. Ai kërkon një mobilizim të aktorëve të shoqërisë civile, biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë. Pa këtë bashkëpunim, çdo përpjekje për ndryshim do të përballet me rezistencë të brendshme, apati qytetare dhe mungesë besimi. Përfundimisht, Shqipëria ka mundësinë unike të shndërrojë përvojën e saj diplomatike në një katalizator për reforma të thella dhe të qëndrueshme.

Ky proces fillon me një kuptim të qartë: kapacitetet dhe institucionet nuk janë thjesht terma teknikë, por themeli mbi të cilin ndërtohet jo vetëm një shtet i fortë, por edhe një ekonomi që prodhon mirëqenie dhe një shoqëri që beson në të ardhmen e saj. Nëse ky kuptim bëhet udhërrëfyes për politikëbërjen shqiptare, atëherë edhe samitet si SEECP nuk do të jenë vetëm skenë për mesazhe politike, por momente të vërteta kthese për ndërtimin e një Shqipërie më të zhvilluar, më të drejtë dhe më të besueshme, për qytetarët e saj dhe për rajonin që ajo synon të jetë faktor lidershipi.
Por, pa një qeverisje efektive dhe e ndërtuar mbi baza të forta institucionale do të vihet në diskutim edhe suksesi i reformave, të cilin duhet ta matim jo vetëm me ligje të mira në letër, por me rezultate konkrete në jetë (më shumë investime efektive, me vende pune dhe besim të qytetarëve tek shteti i tyre.
Nëse gjithkush e kupton këtë mesazh dhe e implementon me përgjegjësi, atëherë e ardhmja ekonomike dhe politike do të jetë shumë më premtuese dhe kjo nuk varet vetëm dhe thjesht nga puna e qeverisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *