Kush e mban përgjegjësinë për rënien e popullsisë?

17/06/20250

Shqipëria po përjeton një nga krizat më të rënda të pas ’90-ës. Ajo është në një nga momentet më dramatike të historisë së saj modern.Shqipëria po zbrazet. Jo nga lufta, jo nga katastrofat natyrore, por nga mungesa e shpresës dhe dështimi i shtetit për të mbrojtur kapitalin e tij më të çmuar, njeriun. Në më pak se 35 vite, vendi ka humbur mbi një të tretën e popullsisë dhe nuk jemi më përballë një fenomeni thjesht migrator, por një krize ekzistenciale kombëtare.Por, drama nuk qëndron thjesht te shifrat dhe statistikat.Qëndrimi më i frikshëm është opakësia institucionale dhe prania e një mendësie të re zyrtare që e pranon emigrimin si “normale”.
Pyetja që shtrohet është kush mban përgjegjësi?

Shteti që zgjodhi të mos ndërtojë
Në çdo vend të përgjegjshëm, një rënie demografike e kësaj shkalle do të kishte sjellë alarme kombëtare, konsulta me akademikë, masa emergjente, reforma të thella. Në Shqipëri, u zgjodh rruga më e lehtë, heshtja dhe shpërfillja deri pak vite më parë. Asnjë strategji kombëtare e dedikuar për dinamikat e popullsisë, asnjë plan sektorial i realizuar deri në fund për diasporën, për mbështetjen e familjeve të reja, asnjë politikë nuk po arrin të ndalojë rrjedhjen e trurit jashtë vendit. Nuk ka pasur asnjë politikë të qëndrueshme të mbështetjes së lindjeve, as stimuj largpamës për kthimin dhe stabilizimin e të larguarve, as për të mbajtur të rinjtë në vend. Shteti shqiptar, përmes vendimeve të tij, apo më shumë mungesës së tyre në terren e ka kthyer emigrimin në një zgjidhje të heshtur të problemeve sociale.Përmes degradimit të infrastrukturës arsimore dhe shëndetësore në zonat e thella, shteti ka nxitur shpërnguljen.Çdo shkollë e mbyllur në një fshat është një ftesë për largim. Çdo qendër shëndetësore e boshatisur është një pasqyrë e një shteti që të braktis.

Një elitë politike që mat suksesin me “sa njerëz kemi dërguar jashtë”
Rrënimi demografik nuk është i rastësishëm. Nga viti 1991 e këtej, çdo qeveri pa dallim partie ka përfituar politikisht nga emigrimi. Klasat politike në Shqipëri kanë ndërtuar një model të qëllimshëm ku emigracioni është valvula e vetme për uljen e tensioneve sociale, ndërsa remitancat kanë mbajtur konsumatorizmin gjallë. Por asnjë qeveri nuk ka ndërtuar një politikë kthimi real. Përdorimi i diasporës në fjalime patriotike e në tubime elektorale është kthyer në farsë.Në vend që të ndërtonin ekonomi që punëson, ata kanë ndërtuar ekonomi që varfëron dhe largon. Klasa politike e çdo ngjyre e ka përdorur diasporën për retorikë, për vota, për fotografi, por kurrë nuk ka ndërtuar politika për t’i rikthyer njerëzit në atdhe apo për të mos i detyruar të largohen që në moshën 18-vjeçare.

Një model ekonomik që përqendron zhvillimin dhe dënon periferinë
Shqipëria ka ndërtuar një ekonomi të deformuar, ku zhvillimi ka një adresë të vetme, Tiranën. Kryeqyteti është kthyer në një balonë të betonizuar që fryhet përditë, ndërsa pjesa tjetër e vendit, nga Kukësi në Jug po zbrazet, varfërohet dhe harrohet. Investimet, shërbimet publike, mundësitë arsimore e punësimi janë përqendruar në pak pika urbane, duke e lënë pjesën tjetër të territorit praktikisht jashtë zhvillimit. Kjo nuk është vetëm një pabarazi, por një politikë e heshtur diskriminimi territorial. Një i ri në Gramsh apo Malësi të Madhe nuk largohet ngaqë nuk ka aftësi, por sepse shteti i ka mohuar të drejtën për të pasur të njëjtën mundësi si bashkëmoshatari i tij në Tiranë.
Në këtë realitet, emigrimi nuk është zgjedhje, por shpëtim nga realiteti.

Shoqëri e mpirë, media që ushqen spektaklin
Në sfondin e zbrazjes kombëtare, shoqëria shqiptare është zhytur në një mpirje kolektive, ku ikja e njerëzve nuk ngjall më as habi, as reagim. Media, që dikur duhej të ishte reflektori i krizës, sot është kthyer në ndjekëse të verbër të spektaklit ditor.Titujt dominohen nga sherre politike, kronika banale e zhurma artificiale, ndërsa çështja e zhdukjes demografike trajtohet si një statistikë e ftohtë, pa urgjencë dhe pa thellim.Nuk ka fushata ndërgjegjësimi, nuk ka trysni mbi qeverinë, nuk ka rrëfime njerëzore që të shkundin. Dhe kur shoqëria pushon së reaguar për zhdukjen e vet, atëherë ajo nuk është më vetëm passive, por është në kapitullim.

Ky nuk është më një problem shifrash, në fakt është një alarm kombëtar
Shqipëria nuk po humbet vetëm njerëz. Ajo po humbet kapitalin më të vlefshëm të vet, të rinjtë, trurin, të ardhmen. Emigrimi masiv është një aktakuzë historike ndaj modelit të qeverisjes që ka prodhuar boshatisje në vend të zhvillimit.Nuk ka më kohë për retorikë. Nëse nuk merren masa të guximshme për:

  • decentralizimin real të ekonomisë,
  • mbështetjen konkrete të familjeve të reja,
  • politika të kthjellëta për kthimin dhe mbajtjen e njerëzve,
  • krijimin e shpresës në territor dhe jo në aeroport,

atëherë çdo përparim në negociatat me BE-në do të mbetet një fasadë pa përmbajtje, apo një akt formal për një vend që po zbrazet nga brenda.Sepse një vend pa popull nuk ndërton shtet dhe një shtet që nuk mbron njerëzit e vet nuk ka më legjitimitet të quhet i tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *