Kriza e banimit po ia vështirëson edhe më tej në 2026 jetën brezit të ri në Shqipëri

21/06/20260

Në Shqipërinë e vitit 2026, një i ri që sapo ka mbaruar studimet ose ka filluar punën përballet me një realitet të ashpër. Endrra për një banesë të vetën duket gjithnjë e më e largët. Çmimet e apartamenteve, sidomos në Tiranë dhe ato në zonat përreth saj janë shkëputur nga të ardhurat reale të shumicës së familjeve. Sipas analizave të ekspertëve të pasurisë së paluajtshme, tregu i pasurive të paluajtshme ka hyrë në një fazë stabilizimi të përgjithshëm të kostove të ndërtimit, por me një ndryshim thelbësor, ku tashmë presioni kryesor vjen nga rritja e fortë e pagave në sektorin e ndërtimit, që arriti +22.2% gjatë vitit të kaluar. Indeksi i kushtimit për banesa u rrit vetëm 1.1%, duke arritur 114.4 pikë, por kjo nuk e ka bërë banesën më të përballueshme për të rinjtë.
Një apartament standard 70–80 metra katrorë në zonat jo-luksoze të kryeqytetit kërkon sot 130,000 deri në 150,000 euro. Me një kredi hipotekore tipike me 20 për qind parapagim, afat 25-vjeçar dhe interesa 5–6 për qind, kësti mujor arrin mesatarisht 580–720 euro. Për ta përballuar këtë, një familje do të duhej të kishte të ardhura neto mbi 1,700–2,300 euro në muaj. Në realitet, paga mesatare neto individuale lëviz rreth 700 euro, ndërsa të ardhurat familjare reale rrallë kalojnë 1,200–1,400 euro. Kjo shkëputje e thellë midis çmimeve dhe fuqisë blerëse e ka bërë blerjen e një banese një privilegj për pak të rinj, kryesisht ata që mbështeten te remitancat, kursimet e gjata familjare ose të ardhura informale.
Pasojat për brezin e ri janë të shumëfishta dhe të thella. Shumë të rinj mbeten të detyruar të jetojnë me prindërit deri vonë në moshë, ose ndajnë banesa të vogla dhe të pamjaftueshme me bashkëmoshatarë.Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të mbipopullimit të banesave në kontinent, gjë që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e përditshme, shëndetin mendor dhe ndjenjën e pavarësisë. Ky presion krijon një ndjenjë të vazhdueshme pasigurie dhe demotivimi, duke e bërë më të vështirë planifikimin e së ardhmes.
Problemi nuk ndalet vetëm te banesa.Ai kufizon mundësitë profesionale.Të rinjtë nga periferia e Shqipërisë kanë filluar të hezitojnë të pranojnë punë afatgjatë në Tiranë dhe qytetet ku pagat janë më të mira sepse kostot e qirave ose të jetesës i bëjnë këto mundësi jo fitimprurëse. Qasja gjithnjë e më shumë në rritje është pritja pa patur punë stabël me argumentin për një jetesë më të përballueshme dhe kjo është një kosto shtesë për prindërit e tyre. Kjo qasje pritet të rritë rrezikun e papunësisë së fshehur ose të emigracionit dhe në fund ngadalëson akumulimin e përvojës profesionale që është vendimtare për karrierën.
Më shqetësuese është ndikimi në jetën personale dhe familjare.Të rinjtë shtyjnë martesën dhe lindjen e fëmijëve sepse nuk arrijnë të krijojnë kushtet bazë për një familje.Fertiliteti në Shqipëri ka rënë nën nivelin e zëvendësimit, duke përshpejtuar tkurrjen demografike të vendit.Buxhetet e ngushta i detyrojnë të rinjtë të sakrifikojnë shpenzime për shëndet, arsim të mëtejshëm ose thjesht pushime, duke krijuar një rreth vicioz ku vështirësitë ekonomike të sotme kufizojnë mundësitë e nesërme.
Ky realitet thellon edhe pabarazinë sociale.Ndërsa investitorët e huaj dhe blerësit me fuqi më të madhe blejnë apartamente në kullat e reja luksoze, shtresa e mesme dhe e ulët e të rinjve mbetet jashtë loje.Rritja ekonomike e vendit, e nxitur nga turizmi dhe ndërtimi, po prodhon pasuri, por po e shpërndan atë në mënyrë të pabarabartë, duke lënë brezin e ri të ndihet i përjashtuar nga përfitimet e saj.
Në këtë kontekst, sfida nuk është thjesht një çështje çmimesh, por një çështje e zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë shqiptare. Nevojitet një përgjigje serioze, që përfshin rritjen e ofertës së banesave të përballueshme, politika më inkluzive kredie për të rinjtë, dhe një qasje të balancuar ndaj investimeve të huaja, përndryshe kriza e banesave do të vazhdojë të formësojë negativisht të ardhmen e brezit të ri, duke e bërë më të vështirë ndërtimin e një Shqipërie më të fortë dhe më të begatë.
Të rinjtë janë bërë viktimat e këtij tregu edhe pse konsiderohen si investimi më i rëndësishëm i vendit. Mosveprimi në kohë apo veprimet e pakoordinuara dhe pa vëmendjen e plotë të qeverisë dhe shoqërisë po akumulon gradualisht një kosto sociale që do të duhet ti bashkëlidhet kostove të tjera sociale, ende të paadresuara në terma afatgjatë dhe shpresëdhënës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *