
Investimet publike në Kosovë dhe Shqipëri: Premtime të mëdha, realitete të dhimbshme
Në të dyja anët e kufirit, qeveritë shqiptare dhe kosovare e kanë bërë infrastrukturën një prioritet të deklaruar. Çdo vit flitet për rrugë të reja, spitale moderne, shkolla dhe ujësjellës që do të transformojnë jetën e qytetarëve. Por dy studime të fundit të ALTAX Observatory zbulojnë një realitet krejtësisht tjetër, ku mes planit ambicioz dhe ekzekutimit në terren ekziston një humnerë e thellë që po kushton shtrenjtë për të dy ekonomitë.
Në Kosovë, sipas analizës së ALTAX, periudha 2021-2024 ka prodhuar një boshllëk kumulativ prej rreth 1.2 miliardë eurosh midis fondeve të planifikuara për investime kapitale dhe atyre që janë shpenzuar realisht. Norma e ekzekutimit ka luajtur mes 54% dhe 72%, me vitin 2022 si më të keqin. Edhe në 2024, kur performanca u përmirësua në 71%, mbetën pa u realizuar 265 milionë euro. Studimi thekson se Kosova programon sistematikisht 1.7 deri në 2 herë më shumë investime sesa kapaciteti real i shtetit mund të përballojë, duke krijuar një iluzion planifikimi që në fund sjell vonesa, tejkalime kostosh (si në rastin e autostradave R7 dhe R6) dhe humbje ekonomike vjetore të vlerësuara në 90-190 milionë euro.
Nga ana tjetër, në Shqipëri situata duket edhe më alarmante në disa dimensione. ALTAX vlerëson se vendi po humb çdo vit 0.8 deri në 1.4% të PBB-së për shkak të ineficiencës në zbatimin e projekteve. Shkalla e përfundimit të projekteve (Finish Rate) është dramatikisht e ulët – vetëm 5-8%. Vonesat mesatare shkojnë nga 2.5 deri në 5 vjet, ndërsa tejkalimet e kostove variojnë nga 25% deri në 40%. Portofoli i projekteve është i mbiprogramuar 2.25 herë mbi kapacitetin real fiskal, ndërsa vetëm 36% e projekteve konsiderohen plotësisht të pjekura. Humbjet kumulative për periudhën 2020-2028 llogariten në 159-260 miliardë lekë.
Krahasimi midis dy vendeve nxjerr në pah ngjashmëri shqetësuese por edhe nuanca specifike. Të dyja shoqëritë vuajnë nga i njëjti problem strukturor me mbiprogramim ambicioz pa kapacitet institucional për të ndjekur projektet. Të dy raportet identifikojnë dobësi të ngjashme si vlerësim i dobët i projekteve para se të hyjnë në buxhet, mungesë monitorimi të vazhdueshëm, moskryerje të analizave pas përfundimit dhe varësi të tepruar nga ndryshimet e kontratave (adendum-et). Në të dy rastet, multiplikatori fiskal i investimeve ka rënë nën nivelin optimal, duke nënkuptuar se çdo euro e shpenzuar prodhon më pak vlerë se sa mund të prodhonte në një sistem më efikas.
Megjithatë, Shqipëria duket se ka një problem më të theksuar me “projetet fantazmë” që mbeten të ngecura për vite të tëra pa asnjë progres, ndërsa Kosova ka pasur luhatje më të theksuara vit pas viti, me disa shenja përmirësimi të fundit. Të dyja vendet po humbasin mundësi të mëdha për absorbimin e fondeve europiane për shkak të këtij deficiti ekzekutimi.
Në përfundim, investimet publike në Kosovë dhe Shqipëri nuk vuajnë nga mungesa e fondeve, por nga mungesa e qeverisjes së mirë, transparencës dhe përgjegjësisë institucionale. Në rast se nuk kryhen reforma të thella, si krijimi i një njësie të pavarur për menaxhimin e projekteve, platforma dixhitale monitorimi në kohë reale, tavane ligjore për programimin dhe kontrata me përgjegjësi reale, atëherë paratë do të vazhdojnë të derdhen pa dhënë frytet e duhura. Të dy vendet kanë nevojë urgjente për të kaluar nga kultura e “prerjes së shiritit të inagurimit” në kulturën e përfundimit real të projekteve. Vetëm kështu investimet do të kthehen në motor të vërtetë zhvillimi dhe jo në burim kronik zhgënjimi për qytetarët.
