BESA midis premtimit për një shtet më pranë qytetarit dhe sfidës për të rikthyer besimin

26/07/20260

Ka dokumente që synojnë të ndryshojnë politika publike dhe ka dokumente që synojnë të ndryshojnë mënyrën se si një qeveri e sheh veten. Dokumenti “BESA” duket se i përket kësaj kategorie të dytë.
Ai nuk paraqitet si një ligj i ri, as si një reformë sektoriale, por si një përpjekje për të ndryshuar filozofinë e qeverisjes në mandatin e katërt të Edi Ramës. Në thelb, ai përpiqet të zhvendosë fokusin nga një shtet që ndërton, investon dhe prodhon statistika, drejt një shteti që dëgjon, komunikon, mat performancën dhe rikthen marrëdhënien me qytetarin.Vetë dokumenti pranon, ndoshta për herë të parë në mënyrë kaq të qartë, se problemi kryesor nuk është më mungesa e investimeve apo e transformimeve fizike, por një hendek që është krijuar mes asaj që qeveria konsideron si rezultate dhe mënyrës se si këto rezultate përjetohen nga qytetarët.
Me fjalë të tjera, pas më shumë se një dekade në pushtet, sfida nuk është më ndërtimi i shtetit, por rikthimi i besimit tek ai.
Ky është një pranim politik me rëndësi.
Në fillim të një cikli qeverisës qytetarët e matin shtetin me pyetjen se çfarë bëri?
Kur rrugët ndërtohen, shërbimet dixhitalizohen dhe infrastruktura përmirësohet, pyetja ndryshon.
Qytetari nuk pyet më nëse është bërë diçka, por nëse shteti funksionon mirë për të, nëse trajtohet me respekt, nëse dëgjohet dhe nëse ligji zbatohet njësoj për të gjithë.
Pikërisht mbi këtë logjikë ndërtohet dokumenti “BESA”.
Ai propozon që administrata të mos kufizohet vetëm në ofrimin e shërbimeve, por të zhvillojë një kulturë të re komunikimi dhe përgjegjshmërie ndaj qytetarit.
Krijimi i një njësie të posaçme pranë Kryeministrisë synon të monitorojë performancën e institucioneve, të analizojë reagimet e qytetarëve, të identifikojë problemet përpara se ato të shndërrohen në kriza dhe të sigurojë që politikat publike të mos mbeten vetëm në letër.
Në teori, kjo nuk është një ide e panjohur.
Shumë vende kanë ngritur struktura të ngjashme pranë qendrës së qeverisë për të koordinuar zbatimin e reformave dhe për të monitoruar rezultatet.
Në këtë kuptim, “BESA” mund të shihet si një përpjekje për të kaluar nga administrimi tradicional drejt një modeli më modern të menaxhimit publik.
Megjithatë, pikërisht këtu fillon edhe analiza kritike.
Nga këndvështrimi i një qytetari apo i opozitës, pyetja nuk është nëse emri “BESA” është i zgjedhur mirë.
Pyetja është shumë më e thjeshtë dhe shumë më e vështirë njëkohësisht, se pse një qeveri që ka qeverisur për dymbëdhjetë vjet ndjen sot nevojën të krijojë një mekanizëm të ri për t’u kujtuar institucioneve se duhet të respektojnë qytetarin?
Ky është konflikti më i madh i dokumentit.
Në kulturën shqiptare, besa nuk është një slogan. Ajo nuk është një fjalë marketingu dhe as një teknikë komunikimi. Besa është përgjegjësi morale, është mbajtje fjale, është dinjitet dhe marrëdhënie besimi.
Pikërisht për këtë arsye përdorimi i saj ngre pritshmëri shumë të mëdha.
Nëse sot pranohet se marrëdhënia mes shtetit dhe qytetarit ka nevojë të rindërtohet, atëherë lindin disa pyetje të natyrshme.
Pse administrata nuk e ka garantuar këtë standard deri më sot?
Pse mekanizmat ekzistues nuk funksionuan dhe mbi të gjitha, kush mban përgjegjësi politike për kulturën institucionale që ka prodhuar këtë distancë?
Në këtë këndvështrim, “BESA” mund të interpretohet edhe si përpjekje për të korrigjuar pasojat e një modeli qeverisës të ndërtuar nga vetë shumica që sot propozon reformën.
Një tjetër pyetje thelbësore lidhet me natyrën e vetë reformës.

A kemi të bëjmë me një reformë të shtetit apo me një reformë të perceptimit?
Është e vërtetë se komunikimi mes administratës dhe qytetarëve duhet të përmirësohet. Por qytetarët nuk humbasin besimin vetëm sepse nuk marrin përgjigje nga një institucion. Besimi prishet kur krijohet bindja se rregullat nuk vlejnë njësoj për të gjithë. Kur dikush me lidhje politike zgjidh problemet më shpejt. Kur një biznes i madh gëzon akses që qytetari i zakonshëm nuk e ka. Kur ligji perceptohet si i ndryshëm për njerëz të ndryshëm. Në këtë kuptim, dokumenti duket se prek simptomën, por jo domosdoshmërisht shkakun.
Edhe krijimi i Njësisë BESA pranë Kryeministrisë mund të lexohet në dy mënyra.
Nga njëra anë, ajo mund të rrisë koordinimin, të monitorojë performancën dhe të imponojë standarde më të larta në administratë.
Nga ana tjetër, ajo ngre shqetësimin nëse po ndërtohet një tjetër mekanizëm centralizimi, ku gjithçka kalon përmes zyrës së Kryeministrit. Një administratë moderne duhet të mbështetet mbi institucione që funksionojnë vetë dhe mbi përgjegjësi të shpërndara.
Nëse çdo problem duhet të zgjidhet nga qendra, atëherë problemi nuk është mungesa e koordinimit, por dobësia e vetë institucioneve.
Një nga idetë më interesante të dokumentit është pranimi se pakënaqësia qytetare nuk duhet parë vetëm si produkt i propagandës apo i konfliktit politik, por si sinjal se institucionet nuk kanë dëgjuar mjaftueshëm qytetarët. Ky është një ndryshim i rëndësishëm në gjuhën politike dhe një hap pozitiv nëse shoqërohet me mekanizma realë korrigjimi.
Megjithatë, besimi nuk rikthehet vetëm duke dëgjuar më shumë. Ai nuk ndërtohet me një zyrë të re, me platforma të reja apo me përgjigje më të shpejta. Besimi lind kur qytetari bindet se vendimet janë të drejta, se korrupsioni luftohet pa përjashtime, se gabimet pranohen dhe korrigjohen dhe se përgjegjësit mbajnë pasoja.
Një qytetar mund të marrë përgjigje brenda një dite dhe sërish të mos ketë besim, nëse vendimi që merr është i padrejtë. Po aq domethënëse është edhe mungesa e një reflektimi më të thellë mbi përgjegjësinë politike.
Dokumenti flet gjerësisht për sjelljen e administratës, por shumë më pak për mënyrën se si kultura politike, emërimet, standardet e drejtimit dhe toleranca ndaj abuzimit kanë formësuar vetë administratën.
Në fund të fundit, administrata nuk krijohet vetë. Ajo është produkt i mënyrës se si qeveriset.
Pikërisht për këtë arsye, një reformë e vërtetë nuk fillon vetëm me thirrjen që institucionet të dëgjojnë më shumë qytetarët.
Ajo fillon kur vendoset një standard i qartë përgjegjësie për ata që nuk i dëgjojnë. Një tjetër dimension që dokumenti prek vetëm pjesërisht është ai i brezit të ri. Për të rinjtë shqiptarë, pyetja kryesore nuk është vetëm nëse administrata përgjigjet më shpejt.
Ata kërkojnë të dinë nëse meritokracia funksionon, nëse mund të ndërtojnë karrierë pa mbështetje politike, nëse aftësia shpërblehet dhe nëse vendi u ofron arsye për të qëndruar. Këto janë pyetje që një reformë komunikimi, sado e mirë të jetë, nuk mund t’i zgjidhë e vetme.
Në fund të fundit, forca më e madhe e dokumentit “BESA” është se pranon një problem real: hendekun mes shtetit dhe qytetarit. Ai pranon se Shqipëria ka hyrë në një fazë ku nuk mjafton më të ndërtosh rrugë apo të prezantosh statistika; duhet të ndërtosh besim. Por pikërisht këtu qëndron edhe dobësia e tij.
Besimi nuk shpallet dhe nuk administrohet. Ai fitohet.

Prandaj, suksesi i “BESA”-s nuk do të matet nga numri i strukturave të krijuara, nga dokumentet strategjike apo nga fushatat e komunikimit. Ai do të matet nga përvoja konkrete e qytetarit.
A trajtohet ai njësoj si dikush me ndikim?
A ndëshkohet zyrtari që abuzon?
A funksionojnë institucionet pa ndërhyrje politike?
A ka më pak privilegje dhe më shumë meritë?
A ndihet qytetari partner i shtetit dhe jo peng i tij?
Përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve do të tregojë nëse “BESA” është fillimi i një transformimi real të qeverisjes apo thjesht një përpjekje për t’i dhënë një emër të ri nevojës së vjetër për të rikthyer besimin. Nëse fjala “besë” është premtimi më i madh moral në traditën shqiptare, atëherë sfida e vërtetë e mandatit të katërt nuk është ta shpallë atë, por ta mbajë.
Sipas detajeve të zbardhura nga dokumenti strategjik i prezantuar nga Kryeministri në mbledhjen e kabinetit dhe grupit parlamentar, mënyra se si pritet të funksionojë “BESA” mbështetet në disa mekanizma konkretë.
Njësia BESA ngrihet pranë strukturës ekzistuese të planifikimit strategjik në Kryeministri dhe ka për detyrë të koordinojë standardet e reja, të lidhë të dhënat mes institucioneve, të monitorojë performancën dhe të paraqesë qeverisë një panoramë të integruar, pa ndërhyrë formalisht në kompetencat e ministrive.
Ajo synon të identifikojë problemet herët, të ndjekë konsultimet publike dhe të sigurojë që politikat të mos mbeten vetëm në letër.
Krahas saj, platforma dixhitale “Flamingo Mirror” (Pasqyra e Flamingove) është konceptuar si hapësirë publike dygjuhëshe ku do të publikohen dokumente, konsultime, afate, angazhime dhe rezultatet e vendimeve me interes të lartë publik, me qëllim rritjen e transparencës dhe luftën kundër dezinformimit.
Barometri Kombëtar i Besimit do të masë periodikisht nivelin e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve, me rezultate dhe metodologji publike.
Ndërsa Laboratori i Politikave Publike do të testojë reformat në shkallë pilot përpara zbatimit të plotë, pa krijuar institucion të ri, por si model vlerësimi evidencash.

Kjo arkitekturë nuk është e re në thelb.
Që nga viti 2017, platforma “Shqipëria që duam” (shqiperiaqeduam.al) u prezantua pikërisht si instrument i bashkëqeverisjes dhe dëgjimit në kohë reale: qytetarët mund të dërgonin ankesa, kërkesa dhe sugjerime, dhe qeveria pretendoi se kishte zgjidhur dhjetëra mijëra çështje. Ajo u shoqërua me kosto të konsiderueshme (miliona euro për mirëmbajtje dhe përmirësime) dhe mbeti aktive për vite, por kritikat e vazhdueshme theksuan se shumë raste mbetën të pazgjidhura, se përgjigjet shpesh ishin formale dhe se ajo nuk ndryshoi kulturën institucionale.
Nisma të ngjashme kanë ndjekur njëra-tjetrën: “Hapësira ime Publike”, platforma “Transparent Albania”, rubrika “Sy m’Sy”, komunikime online periodike me Kryeministrin dhe mekanizma të tjerë digjitalë që synonin të afronin qytetarin me shtetin. Të gjitha këto nisma kanë ndarë të njëjtën premtim për dëgjim, reagim të shpejtë, transparencë dhe të njëjtin kufizim, pasi ato kanë funksionuar më shumë si kanale komunikimi se sa si instrumente që ndryshojnë balancën e pushtetit, emërimet, përgjegjësinë politike apo barazinë para ligjit.

Çfarë pretendohet se ndryshon tani është konteksti dhe thellësia e ambicies?
Dokumenti “BESA” lidhet drejtpërdrejt me “protestën e flamingove” dhe me pranimin se pas tre mandateve të transformimit fizik, Shqipëria ka hyrë në fazën e “paradoksit të suksesit”, ku pritshmëritë janë rritur dhe qytetarët nuk vlerësojnë më vetëm atë që është ndërtuar, por mënyrën se si funksionon dhe mirëmbahet.
Prandaj theksi zhvendoset nga statistikat e investimeve te “kultura e kujdesit”, nga reagimi te dëgjimi institucional, nga intuicioni te evidenca dhe nga deklaratat te matja e besimit si kapital kombëtar.
Ndryshimi i të pretenduarit qëndron te integrimi i këtyre elementeve në një standard të vetëm (dëgjim + provim + transparencë + matje + pilotim) dhe te pretenca se ato do të zëvendësojnë ose thjeshtojnë procedura ekzistuese dhe jo të shtojnë burokraci.
Në teori, kjo e bën “BESA”-n më ambicioze se platforma e mëparshme e bashkëqeverisjes, sepse pret të ndikojë jo vetëm në komunikim, por në vetë filozofinë e vendimmarrjes.

Por sa e mundur është që kjo qeveri, e njëjta që ka prodhuar të gjitha nismat e mëparshme të bëjë diçka thelbësisht ndryshe, kur historia e saj e afërt tregon se çdo “kthesë” e re ka rrezikuar të mbetet një tjetër nismë?
Përgjigja e vështirë është se mundësia ekziston vetëm nëse mekanizmat e rinj shoqërohen me pasoja reale për ata që dështojnë. Nëse zyrtarët që nuk respektojnë afatet apo që abuzojnë me privilegjet ndëshkohen, nëse emërimet në administratë bazohen më shumë në meritë se në besnikëri, nëse të dhënat e Barometrit të Besimit dhe të Flamingo Mirror përdoren për të ndryshuar politika dhe jo vetëm për të prodhuar raporte dhe nëse Njësia BESA nuk bëhet thjesht një filtër tjetër që centralizon informacionin pa decentralizuar përgjegjësinë.
Deri tani, përvoja e “Shqipëria që duam” dhe e platformave të tjera tregon se pa këto kushte, edhe instrumentet më të sofistikuara mbeten kanale që thithin ankesa, por nuk ndryshojnë raportin e forcës mes qytetarit të zakonshëm dhe atyre që kanë akses politik.
Në këtë kuptim, “BESA” rrezikon të jetë më shumë një riemërtim i nevojës së vjetër për besim se sa një thyerje e vërtetë me modelin e qeverisjes që e ka prodhuar atë nevojë. Suksesi i saj do të varet jo nga sofistikimi i strukturave, por nga vullneti politik për të pranuar se besimi nuk fitohet me platforma të reja, por me standarde të barabarta dhe me përgjegjësi të pashmangshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *