
Pse Serbia ka përfituar më shumë se Shqipëria nga Plani i Rritjes i BE?
Një analizë e thelluar mbi pabarazinë në disbursime, kapacitetin institucional dhe pasojat për Shqipërinë
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një iniciativë madhore e Bashkimit Evropian, e ndërtuar mbi një logjikë të qartë: afrimi ekonomik dhe institucional me BE-në nuk ndodh përmes deklaratave politike, por përmes reformave konkrete dhe projekteve të zbatueshme.
Ky plan nuk funksionon si një “çek në dorë” i shpërndarë në mënyrë të barabartë për të gjithë, por si një instrument i ndarë në faza dhe me shpërblim për ata që ecin më shpejt dhe më mirë. Financimi jepet në transe të disbursuara në varësi të përmbushjes së kushteve dhe vlerësimit të progresit.
Pse ndodh kjo?
Sepse realiteti në rajon është asimetrik, ku:
– Vendet janë në nivele të ndryshme të zhvillimit institucional;
– Reformat nuk ecin me të njëjtin ritëm në të gjitha vendet;
– Projektet nuk janë njësoj të gatshme për t’u financuar e zbatuar;
– BE nuk financon premtime, por performancë të verifikueshme.
Për rrjedhojë, vendet që krijojnë struktura funksionale, përmbushin reformat dhe planifikojnë mirë, janë ato që marrin më shumë dhe më shpejt.
Ky është një realitet që duhet pranuar, jo relativizuar. Ai nuk është diskriminues, por meritokratik. Dhe në këtë logjikë, diferenca në fonde është në të vërtetë një pasqyrë e diferencës në përgatitje, jo në trajtim politik.
Serbia përfiton dy transhe dhe Shqipëria vetëm një. Kjo është një ndarje që nuk është as teknike dhe as e rastësishme.
Në valën e parë të disbursimeve të Planit të Rritjes nga Bashkimi Evropian, kontrasti është i dukshëm dhe domethënës.
Serbia ka përfituar dy transhe të ndara në 51.9 milion euro dhe 56 milion euro, gjithsej 108 milion euro. Shqipëria ka përfituar vetëm një transe, me një shumë prej 64.5 milion euro.
Në sipërfaqe, kjo mund të duket si një çështje teknike ose një vendim i brendshëm procedural i Komisionit Evropian. Por në realitet, kjo reflekton pabarazi reale në terren, e lidhur me gatishmërinë institucionale, me kapacitetin për të përthithur fonde, dhe mbi të gjitha, me ritmin e reformave që vendet kanë ndërmarrë dhe zbatuar në praktikë. Ky nuk është një sinjal administrative, por një mesazh i koduar politik dhe Teknik me përmbajtjen “BE shpërblen performancën, jo pritshmërinë. Ajo financon rezultatet, jo deklaratat.”
Duke marrë dy transhe, Serbia dëshmon se (a) ka struktura teknike më funksionale, (b) ka dorëzuar projekte të zbatueshme, (c) ka përmbushur indikatorë dhe ka reflektuar përparim në reforma kyçe, mbase jo të mjaftueshëm për anëtarësim, por mjaftueshëm për fonde.
Ndërsa Shqipëria, edhe pse mori një shumë relativisht të lartë në një transh të vetëm nuk është përfshirë ende në një cikël të qëndrueshëm disbursimi. Kjo lë të kuptohet që (a) ose projektet e tjera nuk janë gati për financim, (b) ose institucionet nuk kanë kapacitetin teknik për t’i përgatitur me ritmin që kërkohet, (c) ose reformat, ndonëse të miratuara, nuk janë zbatuar në praktikë me efikasitetin që BE kërkon.
Në thelb, numri i transeve nuk është statistikë, por tregues besimi.
Aktualisht, Serbia po rezulton më e besueshme për disbursim të mëtejshëm fondesh.
Natyrisht, kjo diferencë në mbështetje lidhet jo vetëm me kapacitetet teknike, por edhe me peshën gjeopolitike të Serbisë në rajon. Në sfondin e tensioneve me Rusinë dhe luftës në Ukrainë, BE përdor edhe financimin si instrument për të mbajtur afër vendet që luhaten midis Perëndimit dhe Lindjes. Serbia, për shkak të lidhjeve të saj tradicionale me Rusinë, shihet si vend kyç për të ruajtur ekuilibrin rajonal dhe për këtë arsye merr vëmendje shtesë financiare. Shqipëria, e pozicionuar qartë si aleate e Perëndimit, shihet si më e qëndrueshme dhe, paradoksalisht, më pak emergjente për t’u incentivuar.
Serbia është ndoshta shembulli më kuptimplotë në Ballkanin Perëndimor se si ndërtimi i kapaciteteve teknike dhe institucionale, në mënyrë të qëndrueshme dhe të qëllimshme, mund të përkthehet në rritje të aksesit ndaj financimeve evropiane.
Pavarësisht sfidave të mëdha në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit, Serbia ka investuar seriozisht në ndërtimin e një arkitekture të brendshme që i mundëson përgatitjen, paraqitjen dhe zbatimin e projekteve të financueshme nga BE. Ky nuk është thjesht sukses në letër, por një realitet funksional që po e vendos Serbinë përpara vendeve të tjera të rajonit – përfshirë Shqipërinë.
Pikat kyçe të këtij “motori funksional” janë:
- Zyrat e specializuara për koordinimin e fondeve të BE-së. Serbia ka ngritur struktura të posaçme për të menaxhuar ciklin e plotë të financimeve, siç janë Zyra për Koordinimin e IPA-së, Reform Support Team dhe një rrjet i tërë njësish brenda ministrive që flasin të njëjtën gjuhë teknike me Komisionin Evropian. Këto struktura kanë akses të drejtpërdrejtë te të dhënat, kanë cikël të rregullt të raportimit dhe funksionojnë me një qasje projekti, jo deklarative.
- Administratë publike më e digjitalizuar dhe me struktura raportimi të qarta. Reformat në administratë nuk janë përfundimtare në Serbi, por pjesë e mekanizmit që lidh prioritetet strategjike me instrumentet e financimit. Digjitalizimi i procedurave, shkurtimi i zinxhirëve burokratikë dhe standardizimi i dokumentacionit e bëjnë më të lehtë për zyrtarët të lëvizin me shpejtësi për të përgatitur dokumentacionin teknik të kërkuar nga BE.
- Prioritarizim dhe planifikim strategjik i projekteve të mëdha. Serbia nuk funksionon me logjikën e shpërndarjes politike të fondeve, por ndjek axhendë të strukturuar projektesh në fusha me peshë strategjike: infrastrukturë transporti, energji, digjitalizim, agropërpunim dhe tranzicion të gjelbër. Kjo e bën më të lehtë për BE-në të alokojë fonde me justifikim zhvillimor të qartë.
- Performancë më e mirë në indikatorët teknikë të BE-së. Në sektorë si, prokurimi publik, kontrolli i brendshëm financiar, menaxhimi i fondeve shtetërore, e-procurement, e-government, Serbia ka avancuar më shumë se Shqipëria – jo domosdoshmërisht në thellësi reforme, por në raportim të saktë dhe ndjekje proceduriale sipas standardeve evropiane.
Serbia e ka kuptuar qartë se suksesi me fondet e BE-së nuk fitohet në sallat diplomatike, por ndërtohet në zyrat e heshtura të administratës, përmes teknikës, qartësisë proceduriale dhe besueshmërisë në zbatim.BE nuk është duke shpërblyer preferencë politike – po shpërblen aftësinë për të punuar në mënyrë evropiane.
Shqipëria përfiton më pak, sepse nuk është në të njëjtin nivel përthithjeje
Shqipëria, megjithëse ndër vendet më të angazhuara politikisht në rrugën drejt Bashkimit Evropian, vuan nga një boshllëk serioz midis qëndrimeve politike dhe kapaciteteve praktike. Ky boshllëk e bën vendin më pak të përgatitur për të përthithur në mënyrë efektive fondet e Planit të Rritjes.
Pengesat kryesore janë të natyrës strukturore, institucionale dhe proceduriale:
- Projekte ende në fazë konceptuale. Shumë nga idetë e propozuara për financim janë ende në fazat fillestare, pa studime fizibiliteti, analiza kosto-përfitim apo dokumentacion teknik të standardeve të BE-së.Kjo do të thotë që ato nuk janë të gatshme për t’u financuar, dhe procesi i miratimit zgjatet ose shtyhet pafund.
- Vonesa në përmbushjen e kushteve për disbursime të reja. Plani i Rritjes kërkon që vendet të përmbushin kushte specifike për secilën transe, të lidhura me reformat në ekonomi, administratë publike dhe transparencë fiskale.Shqipëria shpesh vonon në raportim, apo nuk arrin të finalizojë në kohë zbatimin e neneve të dakorduara me Komisionin Evropian.
- Bashkërendim i dobët ndërinstitucional. Nuk ekziston një strukturë efektive që të unifikojë planifikimin strategjik, përgatitjen teknike të projekteve dhe ndjekjen e kushteve. Ministritë dhe agjencitë punojnë në mënyrë të fragmentuar, pa një autoritet të qartë që të orientojë dhe kontrollojë ciklin e përgatitjes së fondeve.
- Ritëm i ngadaltë reformash në fusha kyçe. Përkundër përpjekjeve për të avancuar në reformën në drejtësi, zbatimi i saj është i ngadaltë dhe i paqëndrueshëm, shpesh i politizuar.Po ashtu, administrata publike nuk ka ende një kulturë të orientuar drejt performancës dhe përgjegjshmërisë – dy elementë kyç për sukses në mekanizmat e BE-së.
- Tregues të dobët në investime publike dhe klimë biznesi. Menaxhimi i investimeve publike në Shqipëri mbetet i fragmentuar, pa analizë të qartë të prioriteteve, dhe shpesh me devijime nga planet fillestare. Kjo përkthehet në pasiguri për donatorët dhe mungesë të koherencës zhvillimore.Nga ana tjetër, klima e biznesit ende vuan nga informaliteti, pasiguria ligjore dhe kosto të fshehura – elementë që dekurajojnë ndërlidhjen me sektorin privat për projekte të përbashkëta, siç kërkon BE.
Shqipëria ka potencial dhe mbështetje politike, por nuk ka ende një sistem funksional që garanton zbatim të shpejtë, të saktë dhe të matshëm. Pa një sistem të tillë, mungon besimi nga BE. Pa besim, mungojnë fondet. Dhe pa fonde, Plani i Rritjes mbetet një shans i humbur.
Kjo nuk është vetëm një çështje procedure, por një sinjal alarmi politik dhe zhvillimor
Fakti që Shqipëria ka përfituar vetëm një transe mund të jetë një test besimi nga BE, për të parë si do të menaxhojë fondet dhe reformat. Por nëse kjo shumë nuk përkthehet në rezultate konkrete, transe të tjera do të vonohen ose do të bllokohen.
Ndërkohë, Serbia po ecën me disbursime të shpejta, duke fituar avantazh rajonal në fusha strategjike si infrastruktura, digjitalizimi dhe tranzicioni energjetik.
Shqipëria nuk po humbet për mungesë fondesh, por për mungesë ritmi dhe në fakt ritmi është ajo që BE shpërblen.
Në këtë fazë të procesit, shanset për të përfituar më shumë nga Plani i Rritjes nuk varen më nga deklaratat politike apo qëndrimet pro-evropiane, të cilat BE i konsideron tashmë si të dhëna të mirëqena. Loja ka hyrë në një fazë të re: atë të zbatimit konkret dhe rezultateve të verifikueshme.
Shqipëria nuk ka nevojë për ide të reja, pasi ka mjaftueshëm plane, dokumente dhe strategji të hartuara ndër vite.
Ajo që mungon është mekanizmi që i lidh këto plane me zbatimin, që i kthen projektet nga letër në praktikë. Një mekanizëm i centralizuar, që bashkërendon ministritë, komunikon me partnerët ndërkombëtarë dhe përgatit në mënyrë të përqendruar projekte të gatshme për financim.
Por, problemi nuk është vetëm teknik. Është edhe politik dhe kulturor: shpesh, prioritetet e reformës nuk trajtohen si çështje zhvillimi, por si instrumente për konsum të brendshëm. Kjo qasje ka çuar në vonesa, në mungesë koherence dhe në zbehjen e besimit nga partnerët evropianë.
Nëse Shqipëria do të jetë një përfituese e qëndrueshme e fondeve, duhet të tregojë që ka vullnet për të matur progresin e vet dhe për ta bërë këtë progres të dukshëm e të llogaritshëm. Dhe kjo kërkon më shumë sesa deklarata; kërkon sistem, disiplinë dhe kapacitet administrativ real.
Mesazhi është i qartë!
BE nuk financon aspirata , por financon zbatim.
Shqipëria nuk mund të vazhdojë të sillet sikur dakordësia në parim është e barasvlefshme me progresin në praktikë. Sepse nuk është.
Serbia ka marrë më shumë, jo sepse ka më shumë nevojë, por sepse ka ofruar më shumë rezultate. Shqipëria nuk ka arsye të ndihet viktimë, por ka detyrim të reflektojë dhe të reagojë.
Nëse Shqipëria nuk përmirëson performancën në reformë, planifikim dhe zbatim, Plani i Rritjes nuk do të jetë një mundësi zhvillimi, por një tjetër tren që kalon pa u kapur.
