Meritokracia në rrethin vicioz shqiptar

13 Nëntor, 20210

Meritokracia është përdorur si një frymëzim shoqëror kryesor për çdo rast që një parti politike ka kërkuar të rikthehet në qeverisje. E gjithë përmbledhja e premtimit për meritokraci nga liderët shqiptarë, por që nuk ndryshojnë nga premtimet politike jashtë vendit lidhet me shpjegimin se nëpërmjet kësaj qasje politiko-sociale do të rikthehet shteti i të drejtës në vlerat që i takojnë. Nga ana tjetër, ne votuesit e kemi përjetuar çdo paradë të premtimeve rreth meritokracisë nga drejtuesit e partive politike se është bërë në kushtet e mungesës së sinqeritetit dhe zbatimit të kontratës sociale me votuesit.
Meritokracia është një nga premtimet kryesore të pambajtura, por dhe të pandëshkuara. Ajo është lidhur ngushtësisht me shpërblimet që u jep pushteti partive dhe militantëve të tyre (paratë, pushtet, emërime në poste drejtuese, edukimi, shëndeti etj.) dhe nuk është shpërndarë sipas aftësive dhe përpjekjeve të individëve, përtej perimetrit politik. Por edhe përzgjedhja e deputetëve pa arritur asnjëherë të promovohet meritokracia partiake është i njëjti mekanizëm që fut modelin e varësisë ndaj kryetarit. Metafora më e zakonshme e përdorur nëpër zgjedhje është “rregulla të barabarta të lojës” në të cilën lojtarët mund të ngrihen në pozicionin që u përshtatet sipas meritës së tyre. Pas zgjedhjeve, mazhoranca e krijuar edhe mbi këtë premtim vijon me thyerjen e rregullave. Konceptualisht dhe moralisht, meritokracia është paraqitur si e kundërta për të luftuar modele të tilla si: autokracia, në të cilën pozicioni shoqëror dhe ekonomik përcaktohet nga lidhja që ka individi me familjen politike dhe me drejtuesit politikë dhe ekonomikë në vend.
Në gjithë këto vite shumica e votuesve kanë përjetuar të kundërtën, ku pasuria dhe avantazhet në karrierë dhe në punë janë përdorur për grupime pranë drejtuesve politikë, jo si kompensimi i drejtë i meritës, por si fat i rastësishëm i ndikuar nga lidhja me politikën dhe ekonominë e fuqizuar nga politika e ditës.
Ndoshta më shqetësuese në historinë tonë aktuale është thjesht mbajtja e meritokracisë si vlerë, që duket se promovon sjellje diskriminuese nisur nga faktorë që mbajnë peng edhe sistemin liberal demokratik të mos zbatohet ngjashmërisht si perceptohet nga teoria. Në realitetin shqiptar ne përjetojmë faktin se meritokracia nuk është miratuar në mënyrë eksplicite si vlerë, por si paradoks i saj.
Kështu, p.sh. prindërit e pasur po ua kalojnë privilegjin e meritokracisë fëmijëve të tyre. Individët më të pasur të vendit tani shpenzojnë më shumë se dy herë në raport me çfarë kanë shpenzuar një dekadë më parë për fëmijët e tyre për ti edukuar dhe sponsorizuar duke anashkaluar meritokracinë. Aksesi i pabarabartë në burime ka një efekt të drejtpërdrejtë dhe domethënës në cilësinë e qeverisjes që një vend të mund të ndërtohet mbi barazinë sociale për individët e vet, nga kopshti deri në universitet.
Aspekti i dukshëm i paradoksit të meritokracisë qëndron në mospërputhjen midis premtimit të saj dhe realizimit aktual. Me fjalë të tjera, meritokracia, e cila pretendon shpërndarjen e burimeve bazuar në meritat individuale nuk është e vërtetë, ose është një histori mashtrimi. Konkretisht, ajo që duhet të kishte rëndësi në fund të fundit (talenti dhe puna e palodhur), të cilat i bëjnë individët konkurrues në qeverisjet meritokratike, në sistemin tonë demokratik është e pamundur. Në vend të kësaj, për shkak të një përzierjeje faktorësh politikë, jopolitikë, meritash dhe jo meritash, ajo që kemi sot është një lloj rastësie që përkon më shumë me fatin në bixhoz, sesa me ndonjë rregull/normë të pranueshme nga shoqëria shqiptare. Në meritokracinë shqiptare, karriera dhe suksesi i individit i nënshtrohet rastësisë, në të cilën mbijeton më i forti, kryesisht përmes mekanizmave të nepotizmit dhe oligarkisë. Një shembull që provon mungesën e meritokracisë është mosarritja e krijimit të personaliteteve dhe figurave intelektuale të respektueshme dhe me jetëgjatësi në sektorët publikë apo privatë. Aktualisht, personalitetet ende kanë stopuar së krijuari pas viteve ’90. Natyrisht, që janë paraqitur si personalitete dhe figura të rëndësishme që nuk arrijnë të shërbejnë si modele, vetëm ato që promovohen nga partitë politike, si dhe nga simbioza e përkohshme e individëve të suksesshëm të promovuar nga pushteti politik që i përdor për qëllime elektorale.
Faktet që vijnë nga çdo pjesë e jetës (arsim, shëndetësi, taksim, mirëqenie sociale) tregojnë se pabarazia është rritur dhe ndikimi i moszbatimit të meritokracisë e ka ndihmuar këtë proces të ekuilibrit social në vend. Postet drejtuese në politikë, sektor publik dhe kompani private janë pjesë e një mungese të dukshme të meritokracisë.
Dështimi me marrjen e shtetit në administrim dhe vendosja e tij sipas modelit meritokratik ka shndërruar shoqërinë tonë vit pas viti të ndarë në dy grupe: fitues dhe humbës. Fituesit e shohin suksesin e tyre të merituar jo aq nga kapaciteti intelektual, por nga mungesa e meritokracisë do të jenë ata që më vonë nuk do të mund të fajësojnë askënd përveç vetes, për mënyrën se si e pranuan parazitizmin si formë të jetës dhe në kurriz të shoqërisë në tërësi. Humbësit janë pjesa që orientim ka vlerat nga puna dhe profesionalizmi, por mungesa e konkrueshmërisë i pozicionon jashtë vendeve fituese. Edhe pse grupi i drejtuesve “meritokratike” është pjesa më pak këmbëngulëse për të zhvilluar vendin dhe vetveten kjo situatë është edhe më shumë e padrejtë, sesa ajo e periudhës komuniste të bazuar në meritat partiake dhe kryesisht politike, përveç një pakice që edhe në atë kohë promovohej nga partia-shtet, si produkt i meritokracisë.
Në kushtet e mungesës së meritokracisë, shoqëria shqiptare nuk e përcakton jetën e përditshme në terma të konkurrencës dhe të bashkëpunimit. Ngritjet e pamerituara të mjaft individëve në shkallë shoqërore/politike/ekonomike mjaft më të larta se sa kapaciteti/intelekti i tyre kanë ndërtuar një klimë ndasie shoqërore. Për gjithë këto ngritje të pamerituara janë degraduar dhe nuk janë përfshirë në konkurencën meritokratike një pjesë e madhe e individëve që e kanë merituar të jenë në shkallën meritokratike.
Kështu, p.sh. proceset zgjedhore kur përzgjidhen kandidatët në forumet politike më të larta partiake zakonisht prezantohen nga drejtuesit partiakë individë që kanë meritë varësinë ndaj kryetarit. Në këto procese ku meritokracia zvendësohet nga një proces politik i korruptuar shfaqet dukshëm antivlera e procesit, pasi përzgjedhjet e individëve kanë qenë të merituara për ta për ti kthyer “detyrimin” kryetarit në ditën që ai mund të ketë nevojë për ta. Ky fenomen ka ndikuar në prishjen e konkurimit politik, por edhe atë meritokratik në tëri. Korrupsioni politik në këto dekada natyrshëm që ja ka mbyllur hapësirën meritokracisë.
Kjo qasje që është përçuar nga liderët tanë (jo të gjithë të merituar) çon në një konceptim të jetës si mbijetesa e më të fortit, ku ata me merita mbijetojnë ndërsa të pafavorizuarit i nënshtrohen mohimit të gjërave të nevojshme për mbijetesën e tyre.
Ndërkohë, papunësia, varfëria dhe mungesa e perspektivës janë shfaqjet objektive dhe materiale të treguesit të një shoqërie jashtë meritokracisë dhe bashkëjetesës demokratike.
Sot, jetesa në vend është një rreth vicioz, në të cilin pasuria dhe arritjet në karrierë përforcojnë njëra-tjetrën jashtë modelit të meritokracisë dhe mbështeten sa nga njëra parti politike, po ashtu edhe nga tjetra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *