Basha: Përfundojmë procesin e legalizimeve!
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, iu prezantoi pronarëve të shpronësuar, programin e qeverisë së tij pas 25 prillit për pronat. Basha shpjegoi premtimet e tij për procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave në Shqipëri duke e konsideruar ligjin Rama të vitit 2013 si një shpronësim të dytë të pronarëve të ligjshëm në Shqipëri duke u zotuar për ta shfuqizuar atë.Basha tha se programi është hartuar në bashkëpunim me shoqatat e pronarëve të shpronësuar.
Por çfarë përmban programi i PD-së për pronat?
Lulzim Basha deklaroi se pas 25 Prillit do të merret nisma për hartimin e një kuadri të ri ligjor që do t’i japë zgjidhje çështjes së trajtimit të pronësisë.Basha tha se pronarët do të shkarkohen nga kostot administrative si dhe tarifat dhe taksat gjyqësore në proceset administrative dhe gjyqësore të cilat do të mbarten nga shteti.
Po ashtu ai u zotua për përfundimin e procesit të legalizimit. Sipas Bashës do të krijohet një agjenci ombrellë që përfshin të gjitha agjencitë që kanë në fokus pronën private dhe publike dhe kontrolli antikorrupsion brenda kësaj agjencie. Adresimi i çështjeve të abuzimit me pronën do të bëhet në SPAK sipas kreut opozitar.
Programi i PD për pronat.