Për të kuptuar shëndetin social dhe politik të çdo shoqërie mjafton të shikosh gjendjen e informalitetit të institucioneve të saj formale, të cilat ndikojnë në ekonominë dhe politikën e saj. Në gjithë drejtimet që shikojmë dhe analizojmë pasi kemi dëgjuar mjaftueshëm edhe shumë informacion politik, duket se në fund të çdo dite institucioni më i rëndësishëm është korrupsioni endemik, i cili është kërcënimi kryesor për vendin.
Korrupsioni politik, i cili është edhe më i dëmshmi është i dukshëm në të paktën tre drejtime:
Së pari, ka shumë të dhëna të dyshimta në drejtim të shfrytëzimit të pasurive mbi dhe nëntokësore.
Së dyti është shpërndarja e projekteve të mëdha infrastrukturore sipas gjykimit personal të një grupi të vogël lidershipi politik.
Së treti, ditë pas dite dalin njoftime për abuzime të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit dhe korrupsion i përmasave të mëdha .
Por cili mund të ishte komenti jonë për ndryshimin midis një miliarderi normal dhe një miliarderi që quhet oligark?
Për shkak se ekonomia shqiptare, si gjithë ekonomitë e ish-kampit socialist u ndërtuan mbi parimet socialiste, të gjitha mjetet e prodhimit, nga nafta, energjia elektrike, industria, pronësia mbi tokën dhe bujqësia ishin në pronësi të shtetit. Edhe pse sistemi socialist u zëvendësua me sistemin politik i bazuar te demokracia liberale, në vend vazhdoi një përleshje e korruptuar, ndonjëherë e dhunshme për të marrë pronësinë e ish-shtetit socialist. Disa nga ata që kanë konkurruar për të marrë kontrollin, e morën atë me çdo mjet të nevojshëm në gjithë këto vite. Megjithatë kjo përleshje e korruptuar vazhdon ende për pjesë dhe segmente të ekonomisë dhe pronësisë të mbetura pezull.
Si rezultat i pronësisë së tyre të fituar me shumë paligjshmëri dhe me hyrje-dalje kapitalesh të dyshimta dhe të pakontrolluara/anashkaluara nga institucionet sipas kërkesave ligjore, këta individë tashmë kanë grumbulluar pasuri të konsiderueshme dhe zotërojnë fuqinë e nevojshme për të manipuluar qeverinë.
Ata janë oligarkët dhe përbëjnë modelin e oligarkisë, një sistem qeverisjeje, kryesisht ekonomike në të cilin një grup i vogël biznesesh ka në krye pikërisht këtë grup individësh, që e kanë vënë pasurinë dhe ndërtuar bizneset e tyre në këtë mënyrë. Në bizneset e tyre janë përfshirë edhe paratë e korrupsionit, të politikanëve që drejtojnë vendin.
Tiparet e përbashkëta që i karakterizon këta oligarkë përfshijnë nivelin e lartë të ndikimit mbi media, kontrollin e çdo kompanie të ngjashme me monopolin, ndikimin e madh mbi aktivitetin e politikave ekonomike dhe për rrjedhojë një vlerë neto galopante e shtimit të kapitalit.
Pavarësisht nga lloji i tyre, oligarkët tanë e kanë ndihmuar çdo Kryeministër dhe Kryetar partie të qëndrojë në pushtet (politik apo ekonomik) duke ruajtur për vete në dukje një neutralitet politik. Por, në realitetin e përditshëm ata janë mbështetësit ekonomikë të iniciativave të brendshme të qeverisjeve. Në fakt janë pikërisht këta oligarkë, që i japin siguri Kryeministrave dhe Kryetarëve të Partive kryesore për ambiciet e tyre dhe kërkojnë si kompensim burimet publike dhe të drejta ekskluzive për projekte të mëdha, në mënyrë që të zgjerojnë fuqinë e tyre ekonomike.
Disa oligarkë duket se iniciojnë madje edhe transaksione të tilla gjeopolitikisht të rëndësishme për të krijuar raporte më të ngushta me elitën ekonomike e politike jo vetëm brenda vendit. Ndërsa është e vështirë të vendosësh lidhje të drejtpërdrejta shkakësore midis ndërhyrjes së oligarkëve në politikat qeveritare, ka ca kohë që po dalin prova të forta se financimi i oligarkëve lehtëson forcimin e pozitave dominuese në politikën shqiptare të krahut që ka lidhje më të ngushta me ta. Për më tepër, për tu maskuar neutraliteti politik i oligarkëve përdoren ndërmjetësat në dukje jopolitikë, si biznese private të reja apo pa histori në të kaluarën duke e kthyer një strategji kyçe përmes së cilës mund të fshehin aktivitetin e tyre parapolitik.
Ndërkohë, miliarderët normalë (pa synuar të jetë shteruese përmbledhja e tipareve të tyre) janë ata që rriten hap pas hapi me shpirtin e sipërmarrjes dhe dominimit të drejtimit të biznesit mbi idetë dhe formimin e tyre individual. Miliarderët normalë zakonisht kanë një jetë të tyre normale familjare dhe janë shumë të dhënë pas bashkëpunëtorëve të tyre dhe ndihmës ndaj njerëzve në nevojë. Natyrshëm,që ata karakterizohen edhe nga aftësi personale për dhunti jashtë biznesit, si dhe kanë dëshira për të shijuar jetën në komfort, por kryesisht pa krijuar zhurmë dhe rrëmujë mediatike rreth tyre. Fitimet dhe shtimi i kapitalit të tyre vjen më shumë nga zotësia për të përfituar nga dobësitë e sistemit, por pa kërkuar të ndikojnë domosdoshmërisht mbi politikat ekonomike, edhe pse mund të ketë raste që tregojnë të kundërtën.
Por, nëse vazhdojmë analizën më tej, ne do të shohim kundërshtime gjithnjë e më të zëshme nga oligarkët ndaj elitës aktuale politike, në momentin kur pastrimi i politikës, që më së fundmi po funksionon do të ketë filluar të kthejë rrotën e historisë së tranzicionit politik të vendit. Së paku, gatishmëria e tyre për të bërë punën e “ndyrë” të elitës politike duke u përpjekur të manipulojë opinionin publik brenda dhe jashtë vendit duket se nuk do të vijojë më tej.
Në analizën që i bëhet marëdhënieve që kanë oligarkët shqiptarë mes njeri-tjetrit duket se ata nuk punojnë mirë nëse do të jenë bashkë. Kapitalizmi shqiptar, ku më i dobëti asgjësohet është pikërisht ambjenti ku edhe këta oligarkë do të konkurrojnë me rivalët e tyre për të fuqizuar bizneset e tyre. Mbijetesa individuale me synimin për të kapur elitën pasuese politike dhe aspak për mbrojtjen e interesave të përbashkëta të zhvillimit të vendit ka qenë dhe është modus operandi i oligarkëve.
Për sa kohë që elita aktuale politike do të ruajë kontrollin mbi oligarkët e tanishëm dhe do të personalizojë mbështetjen në dukje të partnerëve të huaj, ekonomia dhe sistemi politik do të mbeten peng të kësaj elite politike egoiste. Duket se ajo nuk e ka fare në plan të ndryshojë dhe të nxjerrë mësime nga e kaluara e vet, por dhe nga ngjarjet e fundit në Ukrainë, ku korrupsioni endemik si një dobësi e integritetit të elitës ishte një arsye më shumë e perceptuar nga Rusia për të lehtësuar shanset e agresionit.
Nisur nga mungesa e besimit, se elita politike e ka kurajën dhe aftësinë për tu vetëpastruar, duhet që së pari vetë shoqëria civile dhe njerëzit të ndërgjegjësohen për të patur disa objektiva me interes të përbashkët.
Kështu, nëse do të pranohej si përkufizim i oligarkut ajo që ne kemi përcaktuar në këtë analizë, atëherë nevojitet një paketë ligjore për parandalimin e dëmeve që i vijnë vendit prej veprimtarisë së tyre. Si një masë e parë e pastrimit dhe prerjes së burimeve të përfitimit në të ardhmen do të ishte ndalimi i oligarkëve që të mbajnë poste qeveritare, si personat e lidhur me ta, si dhe të ndalohen të marrin pjesë në projektet që kërkojnë angazhimin e fondeve të buxhetit, por që dalin përtej kuadrit ligjor aktual për konkurencën e ndershme. Atyre duhet t’u kërkohet gjithashtu të zbulojnë pasuritë personale dhe të rrethit të tyre, njësoj si ndodh me zyrtarët e lartë publikë që deklarojnë pasurinë.
Por deformimi i demokracisë sonë dhe korruptimi i saj, nuk ka ndodhur vetëm prej oligarkëve, por edhe prej elitës politike që ja kemi lënë në mirëbesim (Ne/Ju) të kujdeset. Kryetarët e partive kryesore e kanë deformuar demokracinë dhe në vend të saj kanë krijuar pak nga pak shtetin partiak, për shumë vite, thjesht duke:
- ndryshuar rregullat e funksionimit të shtetit,
- zhvendosur paratë e korrupsionit nga një dorë në tjetrën,
- ushtruar presion mbi gjykatat dhe prokuroritë,
- eliminuar mediat e pakëndshme dhe shoqërinë civile kritike
- korruptuar (me shumë pak përjashtime) zërat kritikë të elitës intelektuale,
- krijuar oligarkët që financojnë projektet, duke u bërë bllok armiqve politikë dhe individualë,
- mundësuar të përdoren paratë e shtetit për të pasuruar partinë, por pse jo edhe familjen.
Kjo strategji është shumë më fitimprurëse dhe shumë më pak stresuese se sa angazhimi i burimeve për të bërë përmbysje me dhunë dhe me kosto njerëzore.
Në fund të fundit, kjo mënyrë prej tyre quhet edhe pjesë e lojës politike në një sistem demokratik.