Si të transformojmë bazat e ekonomisë në një botë që ndryshon me shpejtësi?

18/05/20260

Në një kohë ku zinxhirët globale të furnizimit po rimodelohen, energjia e gjelbër po bëhet prioritet gjeopolitik, dixhitalizimi po ndryshon natyrën e punës dhe Evropa po kërkon furnizues më të afërt e më të besueshëm (nearshoring), Shqipëria qëndron në një moment historik vendimmarrës.
Modeli i vjetër dhe aktual ekonomik (Shqipëria 1.0) ka dhënë rezultate të dukshme, por po arrin kufijtë e tij strukturorë. Për vite me radhë, ekonomia shqiptare është mbështetur kryesisht në impulse të jashtme dhe sektorë me vlerë të ulët të shtuar. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT dhe raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, në vitin 2025 ekonomia shqiptare shënoi një rritje reale të PBB-së prej 3.8%, duke e çuar PBB-në totale afër 9.5 miliardë euro.
Ankorat (bazat mbështetëse) kryesore aktuale të ekonomisë janë:

  • Turizmi sezonal, i cili kontribuon deri në 20 – 24.6% të PBB-së në vitet e fundit, me mbi 12.5 milionë vizitorë të huaj. Megjithatë, ai mbetet shumë i varur nga sezoni i verës, i prekshëm ndaj ndryshimeve klimatike dhe konkurrencës rajonale.
  • Ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, përfaqëson rreth 12-15% të aktivitetit ekonomik, duke krijuar punësim të konsiderueshëm, por shpesh me karakter spekulativ dhe varësi nga kredi të huaja.
  • Bujqësia tradicionale, zë ende 16-18% të PBB-së dhe punëson një pjesë të madhe të popullsisë, por produktiviteti mbetet shumë i ulët për shkak të fragmentimit të tokës, teknologjisë së kufizuar dhe zinxhirit të dobët të përpunimit.
  • Remitancat vazhdojnë të injektojnë 4-5% të PBB-së çdo vit, duke mbështetur pjesërisht konsumimin e brendshëm, por duke krijuar pak vlerë prodhuese brenda vendit.
  • Shfrytëzimi i burimeve natyrore (hidroenergji, minerale, naftë) janë vijimësia e eksporteve tradicionale që kanë vazhduar për dekada me radhë, por në dekadat e fundit kanë një vlerë të shtuar të ulët dhe ndikim mjedisor jo gjithmonë të qëndrueshëm.

Këto sektorë kanë mundësuar një rritje mesatare 3.5-4% në dekadën e fundit, por kanë sjellë edhe efekte anësore serioze, si deficit të lartë tregtar (importet tejkalojnë eksportet me rreth 20-25% të PBB-së), emigracion masiv i të rinjve (mbi 40 mijë largime neto në vitet e fundit), plakje të shpejtë të popullsisë dhe një produktivitet të përgjithshëm që e mban Shqipërinë ndër vendet me GDP per capita më të ulët në Ballkanin Perëndimor (rreth 6,800-7,200 euro në 2025).
Kjo strukturë e bën ekonominë tonë periferike dhe të brishtë, të varur nga turizmi italian-grek, remitancat nga Italia, Gjermania, SHBA, Greqia etj. dhe investimet e huaja që shpesh hyjnë në sektorë me kthim të shpejtë por pa transferim real teknologjie. Në një botë që po lëviz drejt vlerës së shtuar, qëndrueshmërisë dhe reziliencës, ky model rrezikon të na lërë përgjithmonë pas.

Kohë është për Shqipërinë 2.0, si një model i ri që kalon nga konsumimi pasiv në prodhim aktiv me vlerë të shtuar, nga rritja sasiore në zhvillim të qëndrueshëm dhe nga varësia ndaj impulseve të jashtme në energji të brendshme inovative.

Në këtë vizion, ankorat e reja duhet të ndërtohen rreth prodhimit rigjenerues, njohurive dhe qëndrueshmërisë. Pozicioni gjeografik pranë BE-së, burimet natyrore dhe potenciali njerëzor ofrojnë një mundësi unike për nearshoring: investitorët evropianë po kërkojnë alternativa më të afërta dhe më të sigurta nga Azja.
Elementet kryesore të modelit Shqipëria 2.0 përfaqësojnë një ekonomi e bazuar te:

  • Prodhimi i përpunuar dhe bujqësi smart, që do të thotë kalimi nga bujqësia tradicionale në produkte organike, bio dhe me markë (ullinj, barishte, fruta Mesdhetare të përpunuara). Industri të lehta me vlerë të shtuar – nga tekstilet bazë në komponentë auto ose elektronikë duke shfrytëzuar marrëveshjet tregtare me BE-në.
  • Energjia e rinovueshme dhe ekonomia blu, bazuar te potenciali i mjaftueshëm që ka Shqipëria për diellore, erë dhe hidro moderne. Eksporti i energjisë së gjelbër drejt rajonit, premisa për nxitjen e hub-eve të teknologjisë aritificiale dhe kombinimi me turizëm detar, peshkimi i qëndrueshëm dhe transporti janë ekositemi vizionar ekonomisë duke krijuar një “Shqipëri Blu të zgjuar” konkurruese.
  • Ekonomia e njohurive dhe dixhitalizimi me investim masiv në arsim, IT, shërbime dixhitale dhe remote work. Kjo do të ndalojë hemorragjinë demografike dhe do të rrisë produktivitetin.
  • Turizmi me vlerë të lartë, duke synuar nga modeli sezonal masiv në turizëm eksperiencial, ekologjik dhe kulturor gjatë gjithë vitit, i integruar me bujqësi dhe natyrë.
  • Reziliencë demografike, mjedisore dhe fiskale me politika që rigjenerojnë kapitalin njerëzor dhe natyror, jo vetëm e konsumojnë atë.
Studime si ato të ALTAX tregojnë se me investime strategjike rreth 9-10 miliardë USD në energji të gjelbër, bujqësi smart dhe adaptim klimatik, Shqipëria mund të arrijë rritje më të moderuar fillimisht (3.2-3.6%), por me mirëqenie reale për frymë +20-30% deri në 2045, më pak emigracion dhe ekonomi më rezistente ndaj goditjeve globale.

Tranzicioni kërkon vullnet politik të qartë: reforma fiskale që favorizojnë prodhimin, ulje burokracie, luftë kundër korrupsionit, arsim të lidhur me tregun e punës dhe një plan kombëtar afatgjatë. Integrimi në BE duhet të shërbejë si katalizator, jo si destinacion pasiv.
Në fund, kauza kombëtare ekonomike duhet të bazohet te objektivi që “Shqipëria të ndryshojë duhet ta bëjë këtë në kohë reale për të kapur valën globale që të mos mbetet përgjithmonë në periferi”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *