
Shqipëria e pabarabartë me përqendrim të pasurisë, kapje të burimeve kombëtare dhe kostoja e rishpërndarjes së dobët
Nëse shikojmë thjesht treguesin e pabarazisë dhe ato që ndikojnë te llogaritja e tij, shqiptarët duket sikur kanë arritur një stabilizim relativ të pabarazisë së të ardhurave.
Treguesi Gini, sipas të dhënave të Bankës Botërore, është luhatur në intervalin 29–34 pikë gjatë dy dekadave të fundit, duke arritur rreth 29.4 në vitet e fundit.
Në terma statistikorë, ky nivel krijon perceptimin e një ekonomie që ka shmangur polarizimin ekstrem të të ardhurave.
Megjithatë, kjo panoramë është vetëm sipërfaqësore.
Nën të fshihet një strukturë shumë më e thellë e përqendrimit të pasurisë, kapitalit likuid dhe aksesit ndaj burimeve publike, e cila nuk kapet plotësisht nga matjet tradicionale të të ardhurave.
Nga analizat tona, të kombinuara me të dhënat e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve ndërkombëtare, llogaritjet na tregojnë se shqiptarwt nuk përballen vetwm me pabarazi të ardhurash, por mw sw shumti me një model të përqendrimit të pasurisë kombëtare dhe të dobësisë së rishpërndarjes fiskale.
Në këtë model ekonomik, fitimet nga rritja nuk shpërndahen proporcionalisht në ekonomi, por grumbullohen në një segment të kufizuar individësh dhe grupesh të lidhura me privilegjin ekonomik, politik ose klientelist.
Një nga treguesit më të qartë të këtij përqendrimi janë depozitat bankare. Ndryshe nga të ardhurat, të cilat mund të maskohen nga informaliteti apo deklarimet e pjesshme, depozitat japin një pamje më të drejtpërdrejtë të kapitalit të akumuluar. Sipas analizave të ALTAX për periudhën 2024–2025, mbi 58% e depozitave individuale në sistemin bankar kontrollohen nga vetëm 5% e llogarive bankare. Nga rreth 1.84 milionë depozita aktive, 93% e depozituesve zotërojnë mesatarisht rreth 3,100 euro secili, ndërsa vetëm 7% e llogarive të konsideruara të pasura mbajnë mesatarisht rreth 59,000 euro dhe kontrollojnë afro 7.4 miliardë euro nga rreth 13 miliardë euro të totalit të depozitave individuale.
| Struktura e depozitave individuale | Numri relativ | Mesatarja për depozitë | Pesha në totalin e depozitave |
| 93% e depozitave të zakonshme | Shumica e popullsisë | ~3,100 euro | ~42% |
| 7% e depozitave të pasura | Pakicë me kapital të lartë | ~59,000 euro | ~58% |
Ky raport tregon se kapitali likuid në Shqipëri nuk shpërndahet sipas logjikës së një tregu të gjerë konkurrues, por sipas një mekanizmi ku “pasuria prodhon më shumë pasuri”. Depozitat e mëdha përfitojnë norma më të larta kthimi, akses më të mirë në investime dhe ndikim më të madh ekonomik, ndërsa shumica e popullsisë mbetet me kursime minimale dhe me kapacitet të kufizuar për akumulim kapitali.
Në këtë kuptim, treguesi i depozitave është më afër realitetit të pabarazisë sesa vetë Gini i të ardhurave. Banka e Shqipërisë, përmes Household Wealth Survey, konfirmon një Gini të pasurisë neto në intervalin 38–46%, ndërsa 10% më të pasurit zotërojnë një pjesë disproporcionale të pasurisë totale.
Në praktikë, kjo do të thotë se pasuria në Shqipëri është shumë më e përqendruar sesa të ardhurat. Një Gini i pasurisë neto në intervalin 38–46% tregon se asetet kryesore (depozitat, pronat, bizneset dhe kapitali financiar) janë të grumbulluara në duart e një pakice relativisht të vogël. Kjo nënkupton se një segment i kufizuar familjesh kontrollon një pjesë shumë më të madhe të parave, pronave dhe kapitalit krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë, ndërsa shumica kanë pak ose aspak pasuri të akumuluar.
Praktikisht, kjo krijon diferenca të mëdha në aksesin ndaj investimeve, arsimit cilësor, kreditimit dhe mundësive ekonomike, duke e bërë më të vështirë lëvizjen sociale për shtresën e mesme dhe grupet me të ardhura të ulëta.
Problemi nuk lidhet vetëm me ekzistencën e pasurisë së përqendruar, por me mënyrën se si është krijuar dhe si riprodhohet ajo. Në ekonomitë funksionale, përqendrimi i kapitalit balancohet nga mekanizma të fortë fiskalë dhe socialë, si taksim progresiv gjithpërfshirës dhe jo selektiv, investime publike sipas prioriteteve kombëtare, shërbime sociale dhe konkurrencë reale. Në Shqipëri, ky ekuilibër mbetet i dobët.
Sistemi fiskal ka efekt modest barazues. Struktura e taksave mbështetet kryesisht te tatimet indirekte, veçanërisht TVSH-ja, e cila proporcionalisht rëndon më shumë shtresat me të ardhura të ulëta. Në të kundërt, përfitimet më të mëdha ekonomike janë përqendruar te grupet që kanë akses preferencial në kontrata publike, koncesione, privatizime dhe projekte infrastrukturore. Në këtë mënyrë, pasuria kombëtare (toka publike, asetet shtetërore, kontratat dhe renta ekonomike) nuk është shpërndarë përmes një tregu të hapur konkurrues, por përmes mekanizmave të rent-seeking-ut dhe klientelizmit. Kjo ka prodhuar një ekonomi ku një pjesë e konsiderueshme e rritjes nuk buron nga produktiviteti, por nga afërsia me vendimmarrjen publike.
| Element strukturor | Efekti ekonomik |
| Dominimi i TVSH-së dhe taksave indirekte | Ngarkesë më e lartë mbi shtresat e varfra |
| Koncesione dhe prokurime të përqendruara | Transferim i rentës publike te pakica |
| Informalitet i lartë | Nënvlerësim i pabarazisë reale |
| Mungesë transparence mbi pasuritë | Vështirësi në matjen reale të kapitalit |
| Kapje politike e resurseve | Dobësim i konkurrencës dhe meritokracisë |
Për këtë arsye, perceptimi publik mbi pabarazinë është me të drejtë dukshëm më i lartë sesa treguesit zyrtarë. Mbi 82% e qytetarëve e perceptojnë pabarazinë si të lartë dhe në rritje, çka tregon se eksperienca reale ekonomike e qytetarëve është më e rëndë sesa ajo që reflektohet në statistikat klasike.
Një nga mekanizmat kryesorë që mund të zbusë pabarazinë është politika sociale. Megjithatë, Shqipëria renditet ndër vendet me shpenzimet më të ulëta sociale në Europë dhe rajon. Shpenzimet për mbrojtje sociale luhaten nga 9 deri 3% të PBB-së në 4 vitet e fundit, ndërkohë që mesatarja europiane arrin 25–30% të PBB-së dhe vendet nordike shkojnë edhe më lart. Edhe brenda rajonit, Shqipëria dhe Turqia shpesh renditen në fund për nivelin e mbështetjes sociale.
| Krahasim i shpenzimeve sociale | % e PBB-së |
| Shqipëria | ~9–13% |
| Mesatarja e BE-së | ~25–30% |
| Vendet nordike | >30% |
Shpenzimet për ndihmë ekonomike, familje dhe fëmijë mbeten minimale. Pjesa më e madhe e buxhetit social konsumohet nga pensionet, të cilat vetë me gjithëse ka indeksime të shpeshta në 4 vitet e fundit, përsëri mbeten të ulëta dhe larg jetesës dinjitoze dhe më afër pragut të minimumit jetik. Ndërkohë, investimet në arsim, shëndetësi dhe shërbime sociale nuk arrijnë të krijojnë mobilitet social apo të kompensojnë përqendrimin e pasurisë. Kjo shpjegon pse rreziku i varfërisë dhe përjashtimit social mbetet rreth 46%, sidomos në zonat rurale dhe grupet vulnerabël. Në mungesë të një rishpërndarjeje të fortë, rritja ekonomike nuk transformohet në mirëqenie të shpërndarë, por në zgjerim të diferencave ekzistuese.
Nëse analizohen bashkërisht përqendrimi i depozitave, niveli i ulët i mbrojtjes sociale dhe humbjet nga korrupsioni e keqmenaxhimi i burimeve publike, del qartë se shqiptarwt nuk po humbin vetëm në aspektin moral apo social, por kryesisht në aspektin ekonomik. Institucionet ndërkombëtare dhe analizat rajonale mbi korrupsionin në Ballkan vlerësojnë se humbjet direkte dhe indirekte nga korrupsioni, kontratat joeficiente, ekonomia klienteliste dhe abuzimi me burimet natyrore mund të arrijnë nga 3% deri në 5% të PBB-së në vit. Në Shqipëri, duke marrë një skenar konservator prej 4% të PBB-së në 2025, humbja ekonomike vjetore rezulton rreth 0.04×27.7 miliarde euro=1.15 miliarde euro. Por kjo llogaritje nese shtrihet me efekt restrospektiv ka ruajtur nje qasje konstante ndikimi ne frenimin e rrityjes dhe mungesen e te hyrave per tu rishperndare. Pra, rreth 1.15 miliardë euro në vit mund të konsiderohen si burime të humbura ose të shpërndara joefikasisht për shkak të korrupsionit, kapjes së shtetit, koncesioneve joeficiente dhe mosmenaxhimit të burimeve kombëtare. Nëse një pjesë e konsiderueshme e kësaj shume do të kanalizohej drejt një modeli më të drejtë rishpërndarjeje, efekti ekonomik dhe social do të ishte transformues.
Një skenar alternativ i redistribuimit mund të përfshinte:
| Përdorimi alternativ i 1.25 miliardë eurove | Vlera e mundshme |
| Rritje e mbrojtjes sociale me 4–5% të PBB-së | Afërsim me mesataren rajonale |
| Dyfishim i ndihmës ekonomike | Ulje e varfërisë ekstreme |
| Rritje substanciale e investimeve në arsim dhe shëndetësi | Rritje e kapitalit njerëzor |
| Mbështetje për zonat rurale dhe bujqësinë | Frenim i emigracionit |
| Ulje e barrës fiskale mbi shtresën e mesme | Rritje e konsumit dhe formalizimit |
Në terma për frymë, kjo shumë përkthehet afërsisht në 1.15 miliarde euro për 2.36 milione banore 490 euro per banor ne vit. Kjo do të thotë se, në një model më efikas dhe më pak klientelist të përdorimit të pasurisë kombëtare, çdo qytetar shqiptar do të përfitonte potencialisht ekuivalentin e afer 500 eurove në vit në formën e shërbimeve më të mira publike, mbështetjes sociale, investimeve lokale ose uljes së kostove ekonomike.
Për një familje me katër anëtarë, efekti ekonomik potencial arrin 490 × 4 = 1.950 euro ne vit. Në kushtet aktuale të të ardhurave shqiptare, kjo shumë përfaqëson disa muaj konsum bazë, pagesa arsimore, shpenzime shëndetësore ose kursime reale për familjet.
Pra, shihet se ne nuk përballemi vetëm me një problem pabarazie statistikore, por me një model ekonomik ku përqendrimi i pasurisë, kapja e resurseve publike dhe niveli i ulët i rishpërndarjes kanë krijuar një ekonomi me dy shpejtësi.
Nga njëra anë qëndron një pakicë që kontrollon pjesën më të madhe të kapitalit likuid dhe përfitimeve nga rritja. Nga ana tjetër, një shumicë që mbështetet në paga të ulëta, remitanca, informalitet dhe shërbime sociale minimale. Depozitat bankare tregojnë qartë se pabarazia reale është shumë më e lartë sesa ajo që reflektohet nga treguesit klasikë të të ardhurave. Ndërkohë, politikat sociale ndër më të dobëtat në Europë nuk arrijnë të korrigjojnë këtë përqendrim.
Nëse korrupsioni, shpërdorimi i burimeve natyrore dhe mekanizmat klientelistë do të reduktoheshin ndjeshëm dhe fondet e humbura do të kanalizoheshin drejt investimeve sociale dhe zhvillimit produktiv, Shqipëria do të kishte potencialin të krijonte një rishpërndarje ekonomike me efekt real mbi mirëqenien, konsumin, kapitalin njerëzor dhe stabilitetin social. Në të kundërt, do të vijojmë të mbetemi kështu si jemi duke pranuar largimin si zjgidhje dhe një model qeverisje të vjetëruar, që edhe sikur të dëgjojë zërat tanë tashmë nuk mundet, pasi graviteti i pushtetit e mban të lidhur me status quo-në aktuale..
