
Kjo qasje e integrimit të vendit në BE nuk është morale apo retorike, por analitike dhe krahasuese, duke ndarë qartë mitin nga realiteti i zgjerimit të Bashkimit Europian.
Në thelb qëndron një tezë bazë e pakëndshme për t’u pranuar publikisht, por e provuar historikisht.
Asnjë vend nuk është integruar në BE duke qenë “i pastër” nga korrupsioni, kapja e shtetit apo patronazhimi politik. Disa vende janë integruar pavarësisht këtyre problemeve, sepse BE ka vepruar sipas logjikës gjeopolitike dhe stabilitetit, jo vetëm sipas vlerave normative.
Kjo tezë shërben si nyja lidhëse me argumentin tonë. Bashkimi Europian nuk ka funksionuar kurrë si një klub moral, por si një strukturë politike që balancon rrezikun, interesin dhe kohën.
Dallimi kritik që del nga ky realitet është i qartë. Problemet ekzistuese janë toleruar, ndërsa problemet strukturore pa mekanizma korrigjues kanë prodhuar kriza serioze pas anëtarësimit. Kjo është arsyeja pse historia e zgjerimit të BE-së është më shumë histori kompromisesh sesa histori standardesh ideale.
Në këtë kuadër, rastet historike që ngjajnë politikisht me Shqipërinë janë të njohura. Bullgaria, e anëtarësuar në vitin 2007, paraqiste ngjashmëri të forta me Shqipërinë e vitit 2026. Ambienti bullgar mbizotërohej nga korrupsion sistemik në qeveri dhe gjyqësor, administratë të politizuar, oligarki ekonomike dhe kapje të institucioneve rregullatore. Bashkimi Europian e pranoi pa i zgjidhur këto probleme dhe vendosi mekanizmin CVM (monitorim pas anëtarësimit). Rezultati ishte një anëtarësim formal, por jo integrim real në vlera. Bullgaria mbetet edhe sot një nga vendet më problematike të BE-së, një rast tipik i integrimit pa transformim.
Rumania, e anëtarësuar po në vitin 2007, hyri me probleme të ngjashme me korrupsion të lartë, patronazh politik dhe drejtësi të politizuar. Diferenca thelbësore ishte se ekzistonte një elitë institucionale që pranoi presionin e BE-së dhe ndërmori reforma reale pas anëtarësimit, përfshirë krijimin e strukturave si prokuroria antikorrupsion DNA. Rezultati ishte një integrim i pjesshëm, por me progres real në vite, një integrim i vonuar në vlera, por i mundur.
Këto raste lidhen drejtpërdrejt me analizën mbi tolerancën selektive të BE-së, sepse tregojnë se problemi nuk ka qenë kurrë ekzistenca e korrupsionit, por mënyra se si ai menaxhohet dhe korrigjohet.
Ka edhe raste, që në aspektin demokratik, rezultojnë sot më problematike se Shqipëria. Hungaria, e anëtarësuar në vitin 2004, pas hyrjes në BE përjetoi kapje të gjyqësorit, media nën kontroll, patronazh masiv shtetëror dhe korrupsion të institucionalizuar.
Fakti kyç ishte se BE nuk kishte instrumente ndëshkuese efektive. Rezultati është një vend anëtar i BE-së, por jashtë vlerave themelore, sot në konflikt të hapur me Komisionin Europian. BE e pranoi Hungarinë, por nuk e kontrolloi dot.
Edhe Polonia, e anëtarësuar në vitin 2004, përjetoi politizim të gjyqësorit dhe konflikt me sundimin e ligjit. Megjithatë, ajo ruajti një administratë funksionale dhe një ekonomi reale konkurruese. Problemet politike bashkëjetuan me një bazë shtetërore solide, duke treguar se BE toleron konfliktin institucional, por jo shpërbërjen e shtetit.
Në anën tjetër janë rastet që BE i ka refuzuar ose bllokuar.
Turqia është shembulli më domethënës. Një ekonomi e madhe dhe tregtar i rëndësishëm, por me autoritarizëm të hapur, kapje totale të shtetit dhe pa asnjë mekanizëm korrigjues. Bllokimi nuk erdhi sepse ka korrupsion, por sepse ka devijim strategjik. Ky rast lidhet drejtpërdrejt me vijat e kuqe që kërkojmë të identifikojmë në vijim, si jo më të negociueshme.
Kjo e çon analizën te pyetja pse Shqipëria është një rast më i vështirë në vitin 2026? Problemi nuk është vetëm korrupsioni, por kombinimi i pesë elementëve njëkohësisht: korrupsion vertikal nga politika te administrata, patronazh elektoral i institucionalizuar, ekonomi me varësi nga klientelizmi dhe jo nga konkurrenca, dobësi e shoqërisë civile dhe mediave, si dhe një administratë lojaliste, jo profesionale.
Ky kombinim nuk ka precedent të suksesshëm në BE pa presion të fortë të jashtëm.
Edhe pse vende me probleme të ngjashme janë integruar, ato nuk janë integruar realisht në vlera.
Shqipëria e 2026 – 2027 mund të afrohet teknikisht dhe mund të integrohet disi ekonomikisht, por pa thyer patronazhimin dhe korrupsionin politik, rrezikon të përfundojë si Bullgaria e dobët, Hungaria problematike ose Turqia e bllokuar.
Sot, Bashkimi Europian nuk e formulon më dilemen e zgjerimit me pyetjen klasike nëse një vend është apo jo demokrat në kuptimin ideal të fjalës. Kjo qasje i përket një faze tjetër të historisë së Unionit.
Pyetja reale që shtrohet tani është shumë më pragmatike: a do të na sjellë ky vend probleme brenda Unionit?
Nëse përgjigjja është po, procesi i integrimit ndalet, jo për arsye morale, por sepse rreziku konsiderohet më i madh se përfitimi.
Nëse përgjigjja është jo, integrimi vazhdon, por jo si një akt besimi politik.
Ai merr formën e një integrimi teknik, të kujdesshëm dhe të kushtëzuar, të ndërtuar mbi kontroll, monitorim dhe mekanizma korrigjues.
Në këtë logjikë, zgjerimi nuk është më shpërblim për demokracinë, por menaxhim i rrezikut brenda Bashkimit Europian.
Lexoni më shumë raportin e monitorimit të progresit të anëtarësimit KËTU
