Perspektiva realiste e Shqipërisë drejt BE-së deri në 2027

01/02/20260

Hapja e 33 kapitujve të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian përfaqëson një moment historik dhe një sukses të qartë diplomatik. Ajo e ka pozicionuar vendin si një nga frontrunner-at e Ballkanit Perëndimor, në një kontekst gjeopolitik ku zgjerimi i BE-së është kthyer sërish në prioritet strategjik. Megjithatë, në termat realë të procesit të anëtarësimit, hapja e kapitujve nuk është faza vendimtare.
Sfida e vërtetë është mbyllja e tyre.
Mbyllja e kapitujve nuk varet nga deklaratat politike apo kalendari formal, por nga aftësia e shtetit për të zbatuar standardet e BE-së në praktikë: në administratë, në ekonomi, në drejtësi dhe në funksionimin e tregut. Pikërisht këtu qëndron edhe hendeku kryesor i Shqipërisë.
Analiza e fizibilitetit për vitin 2027 tregon se procesi është i pabarabartë: disa kapituj janë realisht të gatshëm për t’u mbyllur, shumica janë në zonë gri që kërkon mobilizim të fortë institucional, ndërsa një pjesë mbetet strukturalisht e papërgatitur.

Tre shpejtësi të ndryshme të negociatave
Nëse kapitujt ndahen sipas gjasave reale të mbylljes deri në 2027, panorama është e qartë:
Rreth 10 kapituj konsiderohen pothuajse të garantuar për mbyllje (>70%). Këta janë kapituj ku Shqipëria ka përputhshmëri të lartë me acquis-in dhe ku kapacitetet institucionale janë relativisht të konsoliduara. Energjia, Politika e Jashtme dhe Siguria, Marëdhëniet e Jashtme, si dhe Ligji i Kompanive janë shembuj tipikë. Megjithatë, edhe këta kapituj nuk janë imunë ndaj vonesave administrative dhe mungesës së përkushtimit të plotë institucional.
Rreth 16 kapituj ndodhen në zonën 40–70% të fizibilitetit. Këta janë kapituj teknikisht të arritshëm, por politikisht dhe administrativisht të brishtë. Ato mund të mbyllen vetëm nëse ka koordinim të fortë ndërinstitucional, thithje të plotë të fondeve të BE-së dhe një vullnet politik që shkon përtej retorikës. Këtu përfshihen kapituj kyç të tregut të brendshëm, tatimeve, arsimit, politikave sociale, transportit dhe digjitalizimit. Kritika kryesore e shoqërisë civile është se reformat në këto fusha zbatohen shpesh në mënyrë fragmentare, pa konsultim dhe pa monitorim real të rezultateve.
Ndërkohë, 6–8 kapituj kanë rrezik të lartë për mosmbyllje (<40%). Këta janë kapitujt më të rëndë strukturorë dhe politikisht më të kushtueshëm. Bujqësia, Siguria Ushqimore dhe Mjedisi janë në krye të listës. Këtu problemi nuk është vetëm mungesa e legjislacionit, por informaliteti i lartë, kapacitetet e ulëta administrative, mungesa e laboratorëve, sistemet e dobëta të kontrollit dhe nevoja për tranzicione 5–10 vjeçare edhe pas anëtarësimit.

Pse ngec procesi?
Analiza e faktorëve që ndikojnë drejtpërdrejt në ritmin e mbylljes së kapitujve tregon se problemi nuk është teknik, por sistemik.
Rreth 40–45% e vonesave lidhen me qeverisjen dhe koordinimin institucional. Polarizimi politik, mungesa e dialogut dhe fragmentimi i administratës e bëjnë implementimin e reformave të paqëndrueshëm dhe shpesh të përkohshëm. Pa konsensus politik dhe mekanizma koordinimi, edhe kapitujt teknikisht të përgatitur ngecin.
Një tjetër 25–30% vjen nga thithja e fondeve dhe kapacitetet administrative. Shqipëria ka në dispozicion rreth 65–70% të IPA III dhe afërsisht 1 miliard euro nga Growth Plan, por këto fonde nuk shndërrohen plotësisht në investime reale për shkak të projektimit të dobët, tenderimeve të vonuara dhe mungesës së stafit të kualifikuar.
Rreth 20–25% e pengesave lidhen me reformat strukturore në bujqësi, mjedis dhe siguri ushqimore, fusha që kërkojnë ndryshime të thella ekonomike dhe sociale, jo vetëm ligje.
Ndërsa 10–15% lidhen me presionin e shoqërisë civile dhe vlerësimin ndërkombëtar. Ky faktor ndikon drejtpërdrejt në kredibilitetin e Shqipërisë ndaj BE-së: mungesa e transparencës, implementimi fragmentar dhe korrupsioni kronik janë elementë që rrezikojnë besimin e Brukselit në aftësinë reale të vendit për të zbatuar acquis-in.

Në nivel klasterësh, tabloja është po aq e pabarabartë.
Klasteri 6 (Marrëdhëniet e Jashtme) është më i forti: me përputhje të lartë me CFSP dhe NATO, kapitulli 31 pritet të mbyllet në gjysmën e parë të 2026-s, ndërsa kapitulli 30 në 2026–2027.
Klasteri 4 (Energjia dhe Transporti) është i përzier: Energjia ka fizibilitet mbi 70%, por Mjedisi mbetet nën 40%, duke tërhequr poshtë gjithë klasterin.
Klasterët 1, 2 dhe 3 janë në zonën 40–70%: drejtësia, tregu i brendshëm dhe konkurrueshmëria janë teknikisht të arritshme, por politikisht të brishta.
Klasteri 5 (Bujqësia, Siguria Ushqimore dhe Kohezioni) është më problematiku: informaliteti, kapacitetet e ulëta lokale dhe tranzicionet e gjata e bëjnë këtë klaster rrezikun kryesor për objektivin 2027.

Nga ajo që prezantuam vërehet se Shqipëria ka hyrë në fazën vendimtare të procesit të anëtarësimit. Hapja e kapitujve ishte momenti diplomatik. Mbyllja e tyre është prova reale e shtetit.
Nëse nuk ka reforma të thella, koordinim gjithëpërfshirës dhe përdorim maksimal të fondeve të BE-së, 2027 rrezikon të jetë viti i kapitujve të hapur, por jo i kapitujve të mbyllur.
Momenti i së vërtetës për Shqipërinë nuk është më procedura.
Është performanca!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *