Rilindja evropiane ishte një lëvizje kulturore dhe intelektuale që arriti kulmin gjatë shekujve XV dhe XVI, ndërsa Iluminizmi erdhi më vonë, por në të vërtetë nuk do të ishte i mundur pa Rilindjen.
Rilindja ndihmoi në krijimin e terrenit për Iluminizmin.
Edhe pse Rilindja zgjati mjaft  kohë ajo nuk arriti më tej se të kufizonte ndikimin e kishës në ekonomi, politikë dhe shoqëri. Por, ajo që ishte karakteristika kryesore e Rilindjes, si një periudhë revolucionare e historisë ishte pikërisht pasuria që filloi të ndikojë më shumë në politikë, si familja Medicci, e cila grumbulloi fitime të mëdha dhe të cilat u përdorën për financimin e aktiviteteve kulturore dhe politike.

Ndërkohë, që Iluminizmi u përqendrua rreth idesë se arsyeja është burimi kryesor i autoritetit dhe legjitimitetit, dhe mbrojti ideale të tilla si liria, përparimi, toleranca, vëllazëria, qeverisja kushtetuese dhe ndarja e kishës nga shteti. Një veçori kryesore e periudhës së iluminizmit ( e njohur edhe si Mosha e Arsyes) ishte ideja e Kontratës Sociale, e cila mban për autor kryesor Rusonë[1]. Në filozofinë morale dhe politike, kontrata shoqërore është një teori ose model që filloi gjatë epokës së Iluminizmit dhe zakonisht ka të bëjë me legjitimitetin e autoritetit të shtetit mbi individin.
Por në zhvillimin e tij pati mjaft plotësime dhe interpretime nga shumë filozofë dhe shkencëtarë të shquar. Një ndër më të shquarit ishte edhe Hobs[2], i cili besonte se një kontratë sociale ishte e nevojshme për të mbrojtur njerëzit nga instinktet e tyre më të këqija.

Hobs argumenton në veprën e tij për një sovranitet (pothuajse) absolut politik dhe autoritet ligjor dhe bindje përkatëse të qytetarëve të krijuar nga zbatimi i kontratës sociale. Për Hobsin, taksat justifikohen si çmimi i sigurisë. Ai mbron teorinë e përfitimit të taksimit, e cila matet më së miri nga konsumi.
E njëjta gjë vlen edhe për Lokun[3], megjithëse për të kontrata sociale shërben për të garantuar të drejtat pronësore të individit që mishërojnë lirinë e tij. Taksat janë çmimi i mbrojtjes së të drejtës së pronës.
Si Monteskje[4] ashtu edhe Hume[5] nuk kanë nevojë për një kontratë sociale. Njeriu që jeton në shoqëri është fakt i jetës. Fokusi i tyre është te qeverisja legjitime dhe jo te sovraniteti dhe bindja. Hume i përmbahet teorisë së përfitimit të taksave, pasi pagimi i taksave është kontribut në shoqërinë nga e cila varet individi për të mbijetuar. Monteskje është një ithtar i taksimit indirekt, megjithëse ai e konsideron tatimin progresiv dhe përkrah idenë e një minimumi jetik që nuk duhet të tatohet. Për të, drejtësia tatimore është një çështje kontekstuale, pasi taksat duhet të jenë në lidhje me një formë të caktuar qeverisjeje. Ruso radikalizon nocionin e kontratës sociale, e cila është një mjet për të mbrojtur një liri të barabartë për të gjithë. Ai e transpozon idealin e ri të barazisë në taksë, i cili jo vetëm që do t’i mundësojë qeverisë të mbrojë qytetarët e saj, por edhe të marrë parasysh ekzistencën e tyre.
Taksat duhet të rrisin lirinë dhe barazinë (drejtësia tatimore). Kështu, taksimi progresiv i bazuar në aftësinë për të paguar vihet në axhendë të iluministëve.
Sovraniteti popullor i Ruso ishte i vetëkuptueshëm për shumë nga ithtarët e asaj periudhe historike, por ashtu si teoricienët e tjerë, ata e trajtuan tatimin nga këndvështrimi i tyre politiko-filozofik.

Megjithëse Iluminizmi ka 2 shekuj që është mbyllur si epokë e lavdishme e historisë, vlen të themi se si tashmë idetë e progresivitetit në taksim dhe ideja e drejtësisë tatimore zbatohet me të njëjtat terma, por në rrethana dhe ambjent historik krejt të ndryshëm.
Nëse analizon sistemin tatimor aktual të vendit tonë mund të duket në pamje të parë se po zbatohen parimet e taksimit iluminist. Në fakt, këto parime janë zbatuar pjesërisht vetëm për punën dhe një segment të ngushtë të kapitalit. Kjo situatë ka tashmë 7-8 vite që ka shtrembëruar parimin e drejtësisë tatimore dhe në disa studime kemi faktuar që parimi i progresivitetit nuk funksionon në pjesë të madhe të tij. Kjo qasje në një analizë më të thelluar të sistemit tatimor ngjason më shumë me periudhën e Rilindjes evropiane, ku dëshira për të përmbysur dhe revolucionarizuar shumë aspekte të jetës dhe shoqërisë në fund nuk mjaftoi koha të mbyllte dhe përfundonte me sukses edhe ato që nisi në fillimet e veta dhe me shumë energji dhe pasion. Ishte kjo një nga arsyet pse historia futi në skenë pikërisht ata që u quajtën iluministë dhe që ndërtuan vlerat e sistemit liberal dhe modelin tatimor që zbatohet me përmirësimet e kohës në shumë vende të tjera.
Dallimi kryesor mes zbatimit në shumë vende të suksesshme në ndërtimin e sistemit tatimor me synimin që po përpiqen të zbatohet në Shqipëri është mungesa e ndërtimit të një sistemi tatimor gjithpërfshirës, hap pas hapi dhe bazuar mbi konsensusin e gjithë politikës.
Sistemi i taksave në Shqipërinë e vogël është bërë akoma më kompleks që nga fillimi i viteve ’90 e deri më sot dhe legjislacioni tatimor është një nga më të pastabilizuarit në rajon. Në këto kushte edhe sikur të donim të riktheheshim përsëri në vitet e para të legjislacionit tatimor nuk do të ishte aspak e lehtë për të fshirë plotësisht strukturën ekzistuese tatimore dhe për ta zëvendësuar atë me diçka krejtësisht të re. Inovacioni edhe pse mbetet i mundur, për shkak të kompleksitetit ekzistues, futet më mirë nga zbatimi gradual në përputhje me një politikë ose parim themelor, që janë bazat e modelit se si mund të taksohen individët dhe bizneset, por edhe puna dhe kapitali.
Parimi aktual i drejtësisë tatimore në qeverisjen fiskale nuk po mbështetet në shpërndarjen e barrës tatimore. Theksi duket se duhet të zhvendoset nga baza e autoritetit politik mbi vullnetin e lirë të taksapaguesve, te parakushti më themelor, ai i qeverisjes legjitime për taksapaguesit dhe nga taksapaguesit.
Pse?
Qeverisja legjitime duhet të jenë në gjendje të mbrojë dhe përmirësojë lirinë dhe barazinë individuale. Ky zhvillim pastron rrugën për qasjen e sistemit të taksimit bazuar te drejtësia tatimore, duke shkuar përtej shpërndarjes së barrës tatimore të bazuar në përfitimet që garantojnë buxhetin e shpenzimeve të qeverisë. Ndërsa parimet e barazisë ose drejtësisë dalin në plan të parë si parakushte për çdo shoqëri politike të qëndrueshme, taksat bëhen instrumentale për drejtësinë sociale. Parimi i përfitimit ka kaluar kulmin e tij dhe parimi i aftësisë për të paguar po ashtu, duke mishëruar konceptin e drejtësisë tatimore, nëpërmjet shpërndarjes së drejtë të barrës tatimore janë ajo periudhë historike që mund të quhet edhe si iluminizmi modern, i cili nuk do të trokasë, por do ta kërkojë koha për të hyrë në skenë. Dhe këtu nuk flasim thjesht për skenën shqiptare. Historia e të paktën shteteve ballkanike është një histori e përbashkët.

Megjithatë, do të jetë një rrugë e gjatë, e gjatë dhe e gjatë për të shkuar drejt qeverisjes legjitime, drejt një shoqërie politike të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe me një sistem tatimor që u përket tatimpaguesve dhe jo qeverive.

[1] Jean-Jacques Rousseau ishte një filozof, shkrimtar dhe kompozitor nga Gjeneva. Filozofia e tij politike ndikoi në përparimin e iluminizmit në të gjithë Evropën, si dhe në aspekte të Revolucionit Francez dhe në zhvillimin e mendimit modern politik, ekonomik dhe arsimor.
[2] Thomas Hobbes ishte një filozof anglez, i konsideruar si një nga themeluesit e filozofisë moderne politike. Hobbes është më i njohur për librin e tij të vitit 1651 “Leviathan”, në të cilin ai shpjegon një formulim me ndikim rreth teorisë së kontratës sociale.
[3] John Locke ishte një filozof dhe mjek anglez, i konsideruar gjerësisht si një nga filozofët më me ndikim në mendimtarët e Iluminizmit dhe i njohur zakonisht si “Babai i Liberalizmit”.
[4] Montesquieu ishte një gjykatës francez, njeri i letrave, historian dhe filozof politik. Ai është burimi kryesor i teorisë së ndarjes së pushteteve, e cila zbatohet në shumë kushtetuta në mbarë botën.
[5] David Hume ishte një filozof, historian, ekonomist, bibliotekar dhe eseist i iluminizmit skocez, i cili njihet më së shumti sot për sistemin e tij me shumë ndikim.

Lini një përgjigje

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet. Fushat e kërkuara janë shënuar *