
Debati për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka hyrë në një fazë ku drejtësia, financat publike dhe arkitektura e pagave të shtetit takohen në të njëjtën pikë.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2026, datë 17 shkurt 2026, e vendosi çështjen brenda një kuadri të përcaktuar kushtetues, ndërsa zbatimi financiar e zhvendosi diskutimin drejt Kuvendit, Qeverisë dhe sistemit të përgjithshëm të pagave publike. Prandaj, kjo nuk është më thjesht një çështje mbi nivelin e pagës së një kategorie profesionale. Ajo është një çështje e ekonomisë së vendimmarrjes publike, ku duhet të maten në të njëjtin ekuacion dimensioni juridik, fiskal dhe ekonomik.
Dimensioni juridik lidhet me garancinë kushtetuese të pagës dhe pavarësisë së magjistratëve. Dimensioni fiskal lidhet me masën, burimin dhe qëndrueshmërinë e shpenzimit. Dimensioni ekonomik lidhet me mënyrën se si kompensimi i një kategorie me përgjegjësi të lartë ndikon mbi kapitalin institucional, hierarkinë e pagave, tregun e profesionistëve dhe besimin e ekonomisë te drejtësia.
Nga vendimi kushtetues te fatura buxhetore
Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 15/2026, ka rrëzuar pjesë të mekanizmit ligjor që e lidhte pagën referuese të magjistratëve me 36% të pagës së Presidentit të Republikës dhe i ka kërkuar Kuvendit të ndërhyjë me ndryshime ligjore.
Pas këtij vendimi, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë ndërmarrë hapat për zbatimin e tij, duke e vendosur pagën referuese në rreth 222,425 lekë, së bashku me shtesën prej 14,000 lekësh për kualifikimin, me efekt nga 1 gusht 2026 dhe me ndikim edhe për periudhat e mëparshme. Ministria e Financave e ka lidhur ekzekutimin financiar me miratimin e bazës së re ligjore nga Kuvendi.
Në këtë pikë, debati nuk mund të mbetet vetëm te pyetja nëse paga është e drejtë apo jo. Ai duhet të kalojë te pyetja se sa kushton vendimi, si financohet dhe çfarë rezultati institucional pritet prej tij.
Sipas vlerësimit publik, efekti shtesë vjetor i pagave të magjistratëve shkon në rreth 40 milionë euro. Me një kurs orientues prej 92 lekësh për euro, kjo përkthehet në rreth 3.7 miliardë lekë në vit.
Në raport me shpenzimet e përgjithshme buxhetore të vitit 2026, prej rreth 886.7 miliardë lekësh, kjo shumë përfaqëson rreth 0.4% të shpenzimeve. Në raport me fondin e pagave të administratës publike qendrore, të vlerësuar rreth 140.1 miliardë lekë, efekti është rreth 2.6%.
Këto përmasa tregojnë se 3.7 miliardë lekë nuk përbëjnë një tronditje të ekuilibrit të përgjithshëm buxhetor. Problemi fiskal qëndron diku tjetër: kjo nuk është një faturë njëherëshe, por një bazë e re shpenzimi korrente, e cila përsëritet çdo vit dhe krijon angazhim të qëndrueshëm për buxhetet e ardhshme.
Për financat publike, pikërisht ky karakter i përhershëm është më i rëndësishëm se madhësia e faturës së vitit të parë.
Në të njëjtën kohë, ekziston një efekt i akumuluar për periudhën prill 2023 – korrik 2026, i vlerësuar publikisht në rreth 125 milionë euro, ose rreth 11.5 miliardë lekë. Kjo është një kategori tjetër fiskale: nuk duhet ngatërruar me koston vjetore prej 3.7 miliardë lekësh.
Shuma 11.5 miliardë lekë është një efekt i akumuluar që kërkon mënyrë financimi, ndërsa 3.7 miliardë lekë janë një kosto vjetore që kërkon hapësirë fiskale të përsëritur. Ky është dallimi që duhet të udhëheqë vendimmarrjen.
Sa kushton realisht një magjistrat?
Për të kuptuar faturën reale, paga bruto nuk mjafton. Kostoja duhet të përfshijë pagën referuese, shtesat për funksionin, kualifikimin dhe eksperiencën, kontributet e punëdhënësit dhe çdo komponent tjetër të lidhur me statusin e magjistratit. Të dhënat e disponueshme për gusht–shtator 2026 japin një pagë referuese bazë prej 222,425 lekësh dhe një shtesë kualifikimi prej 14,000 lekësh, duke e çuar totalin referues fillestar në 236,425 lekë. Në sistem janë rreth 307 gjyqtarë efektivë, ndërsa për prokurorët raportohen rreth 204–229 efektivë në juridiksionin e përgjithshëm. Në total, numri i magjistratëve aktivë vlerësohet rreth 500–550 individë.
Por pikërisht këtu shfaqet nevoja për transparencë më të madhe.
Sipas deklarimit të Ministrit të Financave Petrit Malaj, nivelet e pagave ndryshojnë ndjeshëm sipas funksionit. Për shembull, paga aktuale bruto e një gjyqtari të shkallës së parë paraqitet rreth 376,381 lekë, ndërsa niveli i llogaritur arrin rreth 567,421 lekë. Për shkallën e dytë, shifrat janë rreth 388,927 lekë kundrejt 586,335 lekëve, ndërsa për një gjyqtar të Grupit III të GJKKO-së rreth 659,920 lekë kundrejt 994,877 lekëve. Efekti agregat i deklaruar është rreth 40 milionë euro në vit.
Këto të dhëna duhet të shoqërohen me një tabelë të plotë financiare që të tregojë numrin real të përfituesve, diferencën mujore dhe vjetore sipas kategorive, shtesat, koeficientët, kontributet e punëdhënësit, efektin e prapambetur dhe koston shumëvjeçare. Në mungesë të këtij zbërthimi, 40 milionë euro mbeten një vlerësim agregat që duhet të verifikohet përmes elementëve përbërës të faturës. Transparenca këtu nuk është thjesht çështje komunikimi publik. Ajo është pjesë e cilësisë së vendimmarrjes fiskale.
Paga e magjistratit brenda arkitekturës së pagave publike
Paga e magjistratit nuk mund të analizohet e shkëputur nga pagat e tjera publike. Në vitin 2026, paga mesatare bruto në administratën publike është rreth 112 mijë lekë në muaj. Në kategori të tjera raportohen nivele rreth 100 mijë lekë për mësuesit, 143,446 lekë për mjekët e përgjithshëm dhe 92,526 lekë për infermierët.
Kjo nuk do të thotë se pagat duhet të barazohen. Funksioni i magjistratit është i veçantë. Ai lidhet me përgjegjësi kushtetuese, kërkesa të larta profesionale, kufizime të funksionit dhe vendimmarrje që prek drejtpërdrejt lirinë, pronën, kontratat dhe marrëdhëniet ekonomike.
Për këtë arsye, një pagë dukshëm më e lartë mund të jetë e justifikueshme. Por diferenca duhet të jetë e shpjegueshme.
Këtu qëndron problemi teknik i arkitekturës së pagave publike: raporti optimal ndërmjet niveleve të ndryshme të përgjegjësisë, kompetencës, kualifikimit, kufizimeve profesionale dhe ekspozimit institucional.
Në këtë kuptim, rritja e pagave të magjistratëve nuk duhet parë si një vendim i izoluar. Ajo krijon presion për rishikimin e kategorive të tjera me përgjegjësi të lartë dhe e bën më të nevojshme ekzistencën e një sistemi transparent të hierarkisë së pagave.
Kjo shihet edhe në raport me politikën e pagës minimale. Në vitin 2026, paga minimale u rrit nga 40 mijë në 50 mijë lekë, duke prekur rreth 308 mijë punonjës, ndërsa paketa e rritjes së pagës minimale dhe indeksimit të pagave publike ka një efekt të përgjithshëm të vlerësuar rreth 10 miliardë lekë.
Të dyja politikat kanë objektiva të ndryshëm. Rreth 10 miliardë lekë synojnë një numër shumë më të madh punonjësish dhe familjesh, me ndikim mbi fuqinë blerëse, standardin e jetesës dhe formalizimin e tregut të punës. Rreth 3.7 miliardë lekë lidhen me një kategori shumë më të kufizuar, ku objektivi është pavarësia ekonomike, rekrutimi, mbajtja e kapitalit njerëzor dhe forcimi institucional.
Prandaj, krahasimi nuk duhet të përdoret për të vendosur se cila politikë është “më e rëndësishme”. Ai duhet të tregojë si shpërndahet kapitali publik dhe cili është objektivi ekonomik i secilës njësi shpenzimi.
Çfarë blen shteti me 3.7 miliardë lekë?
Kjo është pika ku analiza fiskale kthehet në analizë ekonomike.
Shteti nuk shpenzon vetëm për të paguar një profesionist. Ai financon një funksion publik që duhet të prodhojë rezultat institucional.
Në rastin e drejtësisë, ky rezultat lidhet me shpejtësinë e trajtimit të çështjeve, uljen e stokut të dosjeve, rritjen e kapacitetit administrativ, aksesin e qytetarëve, digjitalizimin, specializimin, cilësinë dhe parashikueshmërinë e procesit, sigurinë juridike të pronës dhe kontratave, besimin e biznesit dhe klimën e investimeve.
Kjo nuk do të thotë që paga e gjyqtarit duhet të lidhet mekanikisht me numrin e vendimeve apo me objektiva sasiorë individualë. Pavarësia e vendimmarrjes duhet të mbrohet.
Por, duhet të thotë që kostoja publike e sistemit duhet të analizohet së bashku me kapacitetin dhe rezultatin e tij institucional.
Drejtësia ka një funksion ekonomik të drejtpërdrejtë. Një gjykatë funksionale ul pasigurinë kontraktore. Ekzekutimi efektiv i kontratave ul kostot e transaksioneve. Procedurat efikase ndikojnë në qarkullimin e kapitalit. Besimi te institucionet ndikon në vendimin e biznesit për të investuar, zgjeruar aktivitetin dhe formalizuar marrëdhëniet ekonomike.Në këtë kuptim, paga e magjistratit mund të shihet si pjesë e investimit në kapitalin institucional të ekonomisë.
Këtu qëndron edhe logjika e value for money: shteti duhet të jetë në gjendje të shpjegojë jo vetëm sa kushton sistemi i drejtësisë, por çfarë kapaciteti institucional financohet me këtë kosto.
Hapësira fiskale dhe kostoja oportune
Buxheti i vitit 2026 parashikon rreth 886.7 miliardë lekë shpenzime, rreth 823.1 miliardë lekë të ardhura, rreth 179.6 miliardë lekë investime publike dhe një borxh publik të projektuar rreth 53.6% të PBB-së.
Në këtë strukturë, çdo shpenzim i ri krijon një zgjedhje për alokimin e burimeve.
Kostoja vjetore prej 3.7 miliardë lekësh është rreth 4.5% e buxhetit të shëndetësisë, prej rreth 81.2 miliardë lekësh, dhe rreth 4.1% e buxhetit të arsimit, prej rreth 89.8 miliardë lekësh. Ky nuk është një argument kundër financimit të drejtësisë. Është një argument për prioritizim transparent të shpenzimeve publike.
Çdo lek i alokuar për një politikë publike është një lek që nuk mund të përdoret në të njëjtën kohë për një alternativë tjetër. Për këtë arsye, rritja e shpenzimeve korrente duhet të shoqërohet me një vlerësim të kapacitetit të ekonomisë për ta mbajtur atë në mënyrë të qëndrueshme.
Paga dhe pavarësia e drejtësisë
Kushtetuta, në nenin 138, e trajton pagën e gjyqtarit si garanci të pavarësisë së tij.
Kjo e bën të qartë se paga e magjistratit nuk është një shpenzim i zakonshëm administrativ. Pavarësia ekonomike krijon kushtet institucionale për vendimmarrje të pavarur, ndërsa kompensimi konkurrues ndihmon në tërheqjen dhe mbajtjen e profesionistëve të aftë. Por pavarësia kushtetuese dhe përgjegjësia buxhetore nuk janë kundërshtare. Ato duhet të plotësojnë njëra-tjetrën.
Një drejtësi e pavarur ekonomikisht kërkon financim të qëndrueshëm. Një financim i qëndrueshëm kërkon rregulla të qarta, transparencë, programim shumëvjeçar dhe përgjegjësi buxhetore.
Nga paga e magjistratit te reforma e pagave publike
Çështja e magjistratëve krijon mundësinë për të ndërtuar një mekanizëm më të qëndrueshëm për të gjithë arkitekturën e pagave publike.
Një sistem modern mund të mbështetet në një formulë që kombinon pagën mesatare kombëtare, pagën mesatare publike, inflacionin, rritjen reale ekonomike, përgjegjësinë institucionale, kualifikimin, eksperiencën dhe kapacitetin fiskal.
Kjo formulë duhet të shoqërohet me një klauzolë fiskale që merr në konsideratë rritjen nominale të të ardhurave buxhetore, rritjen reale të PBB-së, inflacionin, produktivitetin, raportin e fondit të pagave ndaj PBB-së, raportin e shpenzimeve korrente ndaj të ardhurave, hapësirën fiskale dhe trajektoren e borxhit publik.
Kjo do ta lidhte rritjen e pagave me kapacitetin real të ekonomisë, duke krijuar njëkohësisht parashikueshmëri për magjistratët dhe parashikueshmëri për buxhetin.
Edhe krahasimi ndërkombëtar duhet të bëhet mbi baza më të plota. Nuk mjafton konvertimi i pagave në euro. Më kuptimplotë janë raportet ndërmjet pagës së gjyqtarit dhe pagës mesatare kombëtare, PBB-së për frymë dhe shpenzimeve publike për frymë. Këto tregojnë fuqinë relative të pagës brenda ekonomisë.
Krahasimi duhet të marrë parasysh edhe koston e jetesës, përgjegjësinë, numrin e çështjeve, madhësinë e sistemit gjyqësor, pensionet dhe përfitimet e tjera të lidhura me funksionin.
Hierarkia e pagave publike
Një tjetër pikë reference është paga e deputetit.
Jo sepse funksioni parlamentar është i njëjtë me atë të magjistratit, por sepse të dyja kategoritë janë pjesë e niveleve të larta të vendimmarrjes publike dhe financohen nga i njëjti buxhet.
Në shtator 2026, paga bazë e deputetit paraqitet rreth 310 mijë lekë bruto në muaj, ndërsa përtej pagës bazë ekzistojnë kompensime të lidhura me ushtrimin e funksionit.
Krahasimi me magjistratët duhet bërë me kujdes, sepse strukturat e kompensimit janë të ndryshme. Por ai është i dobishëm për një arsye më të thellë: për të kuptuar nëse hierarkia e pagave publike ka një logjikë të përbashkët dhe të matshme.
Deputeti ushtron funksion kushtetues dhe politik në legjislacion e kontroll parlamentar. Magjistrati ushtron funksion kushtetues juridik me ndikim mbi lirinë, pronën, kontratat dhe zbatimin e ligjit. Këto funksione nuk duhet të kenë domosdoshmërisht të njëjtën pagë. Por diferencat duhet të jenë të shpjegueshme përmes përgjegjësisë, kualifikimit, kufizimeve profesionale, ekspozimit institucional dhe kostos së humbjes së kapitalit njerëzor.
Prandaj, për një krahasim real ekonomik duhet përdorur jo vetëm paga bruto, por kostoja totale vjetore e funksionit për buxhetin e shtetit: paga, kontributet, shtesat, kompensimet, dietat dhe përfitimet e tjera.
Kjo e çon debatin nga “sa paguhet një pozicion” te pyetja më e rëndësishme: a është hierarkia e kompensimit publik racionale, transparente dhe fiskalisht e qëndrueshme?
Çfarë duhet të prodhojë vendimmarrja publike?
Kuvendi ka mundësinë ta shndërrojë këtë debat nga një zgjidhje e lidhur me një rast konkret në një reformë të mekanizmit të pagave të magjistratëve.
Një zgjidhje e qëndrueshme duhet të përmbajë:
një formulë të përcaktuar në ligj;
tregues ekonomikë të matshëm;
një klauzolë fiskale;
transparencë mbi numrin e përfituesve;
metodologji të qartë për shtesat;
llogaritje të kostos totale të kompensimit;
programim shumëvjeçar të faturës buxhetore;
tregues të matshëm për performancën e sistemit të drejtësisë.
Një mekanizëm i tillë do ta zhvendoste debatin nga vendimi periodik te një institucion i parashikueshëm i politikës së pagave dhe mund të krijonte një standard për kategoritë e tjera të pagave publike.
Në këtë model, paga nuk përcaktohet vetëm nga pozicioni formal. Ajo lidhet me përgjegjësinë institucionale, kapitalin njerëzor, kufizimet profesionale, ekspozimin ndaj rrezikut, ndikimin ekonomik dhe kapacitetin fiskal të shtetit.
Kjo është arsyeja pse çështja e magjistratëve ka rëndësi përtej vetë magjistratëve.
Një pagë e ulët për një funksion me përgjegjësi të lartë krijon rrezik për rekrutimin dhe mbajtjen e profesionistëve. Një pagë e lartë pa një arkitekturë të qartë krijon presion mbi hierarkinë e pagave dhe mbi buxhetin. Midis këtyre dy rreziqeve duhet të ndërtohet një sistem që lidh në mënyrë të matshme përgjegjësinë, kompetencën, ekonominë dhe kapacitetin fiskal.
Paga e magjistratit ka arsye të forta për të qenë e lartë. Pavarësia ekonomike është pjesë e pavarësisë institucionale. Rekrutimi dhe mbajtja e profesionistëve të aftë kërkojnë kompensim konkurrues. Përgjegjësia mbi lirinë, pronën, kontratat dhe konfliktet ekonomike kërkon standard të lartë profesional.
Por justifikimi i një page të lartë nuk mbyll debatin. Përkundrazi, e hap atë.
Nëse shteti shpenzon rreth 3.7 miliardë lekë më shumë çdo vit, duhet të jetë në gjendje të shpjegojë jo vetëm se pse kjo kosto është e nevojshme, por edhe si financohet, si integrohet në arkitekturën e pagave publike dhe çfarë kapaciteti institucional pritet të prodhojë.
Në fund të këtij debati qëndron një parim themelor i financave publike: çdo shpenzim publik duhet të ketë një qëllim, një kosto, një kapacitet financimi dhe një rezultat të matshëm.
Për pagat e magjistratëve, qëllimi është pavarësia ekonomike e drejtësisë, cilësia profesionale dhe forcimi i shtetit të së drejtës. Kostoja është rreth 3.7 miliardë lekë në vit, krahas një efekti të akumuluar të vlerësuar rreth 11.5 miliardë lekë për periudhën e prapambetur. Kapaciteti lidhet me atë se sa mund ta përballojë ekonomia dhe buxheti këtë angazhim në vitet e ardhshme. Rezultati duhet të shihet në cilësinë dhe kapacitetin institucional të drejtësisë.
Kështu, debati për pagat e magjistratëve është një test për mënyrën se si shteti shqiptar e koncepton vlerën e kapitalit njerëzor, pavarësinë e institucioneve, hierarkinë e pagave publike dhe disiplinën e financave publike.
Kjo është ekonomia e vendimmarrjes publike: paga, drejtësia dhe financat publike duhet të maten në të njëjtin ekuacion = qëllim, kosto, kapacitet dhe rezultat.
