Atë që nuk po e bën antikorrupsioni mundet ta bëjë korrupsioni, i cili po e fundos shoqërinë të prekë fundin e saj moral.Atë që nuk po e bën antikorrupsioni mundet ta bëjë korrupsioni, i cili pasi ta fundosë shoqërinë të prekë fundin e saj moral do të shërbejë si pikënisje për fillim të ri.
Korrupsioni tashmë i politizuar po i shërben funksionit të ruajtjes së pushtetit. Me humbjen e meritokracisë dhe besimin se puna e përgjegjshme dhe korrekte mund të promovojë individët duket se është në zbatim një modeli qeverisje të kapur nga korrupsioni i vetvetes. Ky model funksional po promovon dhe përzgjedh drejtues bazuar në preferencat që ka lidershipi politik dhe rrethi më i ngushtë duke anashkaluar ligje dhe rregulla.
Mbi të gjitha, fakti që tashmë janë shtuar drejtuesit e lartë të qeverisë dhe drejtuesë politikë që me mjete korruptive ( ryshfet, përvetësim, mashtrim, zhvatje) kanë devijuar burimet dhe fondet publike për trafik interesash po i ndihmon së fundmi të mbajnë pushtetin dhe ta ndajnë me opozitën.
Nëse mund të shprehemi se ku janë vatrat më të nxehta të korrupsioni, nga çdo këndvështrim duket se gjurmët tregojnë se dy ministritë ml të mëdha po prodhojnë më shumë korrupsion sesa politika dhe shërbime publike. Lidershipi i caktuar në mirëbesim nga Kryeministri për të luftuar korrupsionin nuk mbajnë dot dy kunguj nën sqetull. Edhe të gjenerojnë korrupsion dhe ta luftoje ate.
Me korrupsionin e politizuar, burimet publike dhe paratë e zeza nuk po shërbejnë vetëm për pasurim personal, por për të fituar, stabilizuar dhe zgjeruar pushtetin politik, ku në këtë pazar është përfshirë dhe opozita. Kjo e fundit ndihet komode më shumë se pozita, pasi së pari po amniston me kalimin e kohës gjithë produktet e korrupsionit kur ka shijuar direkt pushtetin, si dhe së dyti po përfiton pjesë të mëdha të produkteve të korrupsionit, thjesht se quhet opozitë. Pak individë mund të mos jenë pjesë e kësaj qasje përfituese.
Korrupsioni politik që është përforcuar nga fuqia që ka marrë nga fitoret në zgjedhjet e fundit ka vendos sisteme patronazhi. Ndërkohë edhe pse mund të thuhet se korrupsioni politik ka ndërtuar një model shpërblimi për besnikërinë e individëve të përzgjedhur dhe emëruar në postet nga më të larta e deri në nivele më të ulta siç duket nga ngjarjet e fundit kur besnikët nuk i kalojnë dot barrierat antikorrupsion izolohen nga lidershipi politik, njësoj si ndodh kur frika prej atij që po mbytet mund të të mbytë dhe ty.
Por korrupsioni politik, të cilit nuk i shterojnë asnjëherë burimet publike nuk është mjaftuar vetëm me patronazhistët dhe rrathët e besnikëve. Një garanci më të madhe tashmë e ka pasi ka arritur vit pas viti të shpërblejë rivalët dhe opozitën. Nga njera anë, tashmë politika e korruptuar ka zgjeruar bazën dhe nga ana tjetër të dy krahët politikë koopton institucionet e llogaridhënies dhe ble vota dhe imunitet nga ndjekja penale.
Korrupsioni i politizuar me bazë më të gjerë po mbështetet në rrjetin që ka ndërtuar me lojtarë kyç duke filluar me qasjen nga nivelet më të larta. Por gjithashtu, modeli i korruptuar po strukturohet në bashkëveprim me biznesmenë të përzgjedhur, drejtues të përzgjedhur të shoqërisë civile, burokratë të lartë që veprojnë në nivele më të ulëta të administratës, në arsim, shëndetësi ose tatime e dogana, ku korrupsioni mund të lulëzojë duke përfituar nga lejimi i vazhdimësisë së politikave joformale, ku llogaridhënia fshihet nga publiku.
Po atëherë, kush po e lufton korrupsionin?
Për shkak se të korruptuarit do të përpiqen gjithmonë të mbrojnë interesat e tyre, vetë iniciativat kundër korrupsionit gjithashtu mund të politizohen për përfitime përfundimtare. Edhe pse shpesh shihet si i distancuar nga proceset politike lokale apo qendrore, nisma e qeverisë me strategjinë e re të miratuar, pas strategjisë paraardhëse që nuk u shoqërua me analizë dhe llogaridhënie duket se antikorrupsioni do të politizohet në mënyra të ndryshme, duke çuar në rezultate të paqëllimta ose kundërproduktive.
Reforma e qeverisë kundër korrupsionit të bazuar në investimin në teknologji, përveç problemeve të cënimit të sigurisë, integritetit, konfidencialitetit, me gjasa pas humbjes së besimit te e-albania mund të përdoret për qëllime të ngushta politike. Reformimi duket se po përdoret si një justifikim për të hequr kontrollet institucionale, duke e bërë edhe më të vështirë de facto ndjekjen e korrupsionit.
Përpjekjet kundër korrupsionit mund të dështojnë edhe me strategjinë e re. Në vend që të përdoret për të zbuluar abuzime me pushtetin, inteligjenca artificiale dhe teknologjia e mbikëqyrjes mund të përdoren si mjete kontrolli për qëllime elektorale dhe mbikqyrje të kritikëve të qeverisë.
Në realitet, strategjitë duken nga qasja e tyre me institucionet dhe promovimin e modelit të gjithpërfshirjes. Në fakt, së pari shihet se po shikojmë humbjen e statusit të institucionit të pavarur të institucioneve kyç duket p.sh. në rastin kur rekomandimet e KLSH nuk e mbështet asnjë nga krahët politikë, e aq më pak drejtuesit e lartë që janë subjekt i dyshimit për abuzim dhe shpërdorim.
Së dyti, në këtë ambjent me korrupsion të lartë politik dukshëm edhe ajo pjesë e ekspertizës së shoqërisë civile oponente ndaj akteve korruptive nuk përfillet dhe të bëhet pjesë e dialogut për forcimin e i institucioneve. Në shumicën e rasteve shoqërua civile keqtrajtohet në burime dhe kur kërkohet llogari në emër të interesit publik janë të korruptuarit politikë që përpiqen ta keqpërdorin.
Denoncimet e korrupsionit nuk arrijnë dot me shume se luftë per interesa te ditës. Dhe kështu qeveria na del dhe flet per luftën ndaj korrupsionit qe njësoj si “pëlhura e Penelopës” nuk mbaron asnjëherë dhe nuk ka shprese se do te mbaroje.
Mirëpo, në rastin shqiptar, ku korrupsioni është shumë i ngulitur në sistemin politik, ata individë brenda institucioneve, përfaqësuesit e angazhuar nga shoqëria civile, media dhe nismat qytetare që janë të ndërgjegjësuar për rolin e tyre në nismat kundër korrupsionit duhet të jenë më të zgjuar dhe të qëndrojnë vigjilentë ndaj rrezikut të shtyrjes dhe pasojave të padëshiruara. Ndërhyrjet më të gjera dhe më të synuara nga koalicionet e praktikuesve kundër korrupsionit mund të ndërtojnë një masë kritike kundër korrupsionit të politizuar dhe të mbështesin rrugë alternative drejt llogaridhënies së vërtetë.
Kalimi i pushtetit antikorrupsion duke shpërndarë pushtetin qe tashme nuk e mbajnë dot vetëm krahët e shtetit, me gjithëpërfshirje të një ekipi ekspertësh dhe teknokratësh do të ishte mënyra më optimale për një paketë shpëtimi prej falimentimit të sistemit të kapur fort nga korrupsioni.
Për të ndjekur këtë qasje, praktikuesit kundër korrupsionit duhet të kërkojnë partneritete në shumë sektorë. Ata duhet të përfshihen me ata që promovojnë demokracinë dhe të zhvillojnë platforma për bashkëpunim me bazë të gjerë në sektorë të tillë si mirëqenia, mbështetja e medias, teknologjia e informacionit dhe komunikimit dhe zhvillimi i infrastrukturës. Këto praktika kërkojnë angazhim afatgjatë nëse duan të mbështesin ndryshimin e qëndrueshëm.
Korrupsioni ne këtë moment është ne perigjeun e tij dhe ndodh qe te duket me i qartë. Por duke qene se rrotullohet rreth qeverisjes gjate gjithë kohës duket se po arrin ne orbitën e tij te jete ne apogje.
Në vend të mbylljes…
Kur na u prezantuan “frutat” nuk na u tha se ishin në prag prishje, por na i servirën sikur ishin të shëndetshme. Në fund të ditës ne nuk morëm atë që kemi nevojë për një jetesë të shëndetshme dhe për një jetë të sigurt përpara.