
Një analizë për rrezikun e zhbërjes së arritjeve në turizëm dhe klimën e sipërmarrjes.
Në Shqipëri, përpjekjet për ta pozicionuar vendin si një destinacion të pastër, të sigurt dhe konkurrues në turizëm janë shtuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.
Kjo arritje është produkt i një angazhimi të palodhur nga ana e bizneseve, komuniteteve vendore dhe sipërmarrësve lokalë dhe të asistuar nga disa institucione dhe vezë angazhimi me diplomaci ekonomike nga kryeministri.
Megjithatë, ajo që është ndërtuar me shumë përpjekje dhe sakrifica rrezikon të zhbëhet përmes ndërhyrjeve të shpejta, të paplanifikuara dhe të pasistemuara, të ndërmarra paradoksalisht nga vetë shteti që pretendon se po vendos rregull.
Në verën e vitit 2024, qeveria vendosi të detyrojë bizneset në zonat bregdetare dhe liqenore të instalojnë impiante për trajtimin e ujërave të ndotura.
Një vit më pas, në korrik 2025, nisi një tjetër fushatë për të liruar hapësirat publike të zaptuara nga këto biznese.
Të dyja veprimet, ndonëse të justifikuara në formë, ndjekin të njëjtën logjikë politike: përdorimin e çështjeve mjedisore dhe të ligjshmërisë si flamuj legjitimiteti, ndërkohë që në thelb nxjerrin në pah dështimin e vazhdueshëm institucional për të parandaluar shkeljet në kohë dhe për të ndërtuar rregulla të barabarta për të gjithë.
Ajo që e thellon më tej këtë krizë është mungesa e transparencës dhe llogaridhënies që shoqëroi aksionin e vitit 2024 para dhe pas sezonit veror.
Vendimi për vendosjen e impianteve u shpall në mënyrë të beftë dhe pa asnjë komunikim dge analizë paraprake me operatorët turistikë, dhomat e biznesit apo organizatat vendore. Gjithçka u përkthye në një qasje komanduese: “përmbush ose mbyll”. Kjo lëvizje u bë në sezon turistik, në kohën kur çdo ditë humbje është fatale për ciklin vjetor të të ardhurave.
Për më tepër, u injorua nevoja për dialog të mirëfilltë me qytetarët dhe bizneset, i cili është themel i çdo politike publike të qëndrueshme. Në vend që të zhvillonte një proces konsultimi gjithëpërfshirës dhe t’i informonte palët për fazat e tranzicionit, shteti u paraqit si gjyqtar dhe ekzekutues njëherazi.
Kjo mungesë komunikimi jo vetëm që rriti pasiguritë, por edhe cenoi legjitimitetin e çdo veprimi të mëvonshëm, sado i drejtë që mu d të ishte në thelb.
Dialogu që nuk ndodh në kohën e duhur nuk është më dialog, por monolog pas aktit të kryer.
Në këto ndërhyrje, shteti i trajton shkeljet sikur janë prodhuar vetëm nga bizneset, duke fshehur një të vërtetë më komplekse.
Për vite me radhë, institucionet publike (Bashkitë, IKMT, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, ministritë përkatëse) i kanë lejuar, krijuar apo mbi të gjitha toleruar këto shkelje.
Ato ndërtuan një sistem ku ndërtimet pa leje, mungesa e impianteve dhe pushtimi i hapësirave publike u bënë pjesë e normalitetit. Dhe ky realitet nuk mund të pastrohet me një aksion njëmujor apo disamujor, teksa vetë shteti refuzon të pastrojë vetveten nga mosveprimi dhe bashkëfajësia institucionale.
Ndërkohë, efektet e menjëhershme për bizneset janë të shumta dhe të rënda. Shkatërrimi i infrastrukturës së ndërtuar me investime të konsiderueshme, shpesh me kredi apo mbështetje familjare, ndodh pa asnjë kompensim apo plan mbështetës. Bizneset që kanë ndërtuar plane sezonale, kishin lidhur kontrata me agjenci turistike dhe platforma ndërkombëtare, përballen me anulime, humbje të të ardhurave dhe dëmtime të imazhit.
Pasiguria mbizotëron.
Ndëshkimi i papritur shkakton një efekt psikologjik që frikëson investimet e ardhshme dhe i shtyn bizneset të rrisin çmimet për të përballuar humbjet.
Shumë nga këto biznese nuk kanë më luksin të mendojnë për zgjerim, por për mbijetesë. Kostoja e impianteve të kërkuara, kërkesave të tjera të befta, ose e humbjes së pronës i detyron të reduktojnë stafin apo të kalojnë në informalitet për të mbijetuar.
Ndikimi shtrihet më tej.
Në sytë e turistëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, ndërhyrjet e tilla arbitrare në mes të sezonit përkthehen në mungesë të sigurisë juridike.
Ky perceptim shkatërron punën e viteve për ndërtimin e një imazhi pozitiv të Shqipërisë si destinacion turistik i qëndrueshëm dhe i besueshëm.
Anulimet e rezervimeve, të shoqëruara me reagime në rrjete sociale dhe media ndërkombëtare, e kthejnë Shqipërinë në një vend të paparashikueshëm, ku asgjë nuk është e sigurt përtej sezonit.
Por ky nuk është vetëm një problem ekonomik.
Ai është një problem i thellë institucional dhe kulturor.
Shqipëria ka krijuar një kulturë sipërmarrjeje që është e brishtë, e ngadaltë dhe ende në fazat e para.
Kjo kulturë është ushqyer më shumë nga përpjekjet individuale sesa nga një sistem i drejtë dhe i qëndrueshëm.
Ndërhyrjet represive dhe selektive nuk e përmirësojnë këtë klimë, përkundrazi e sabotojnë.
Ligji nuk po shihet si mekanizëm drejtësie dhe sigurie, por si mjet ndëshkimi për më të vegjlit. Rrjedhimisht, standardet nuk ndërtohen. Besimi te shteti dobësohet dhe sipërmarrësi, në vend që të motivohet, trembet.
Ajo që është ndërtuar me shumë mund gjatë këtyre viteve, veçanërisht në zonat bregdetare është një ekonomi mikse, pjesërisht formale, pjesërisht informale, me investime të brishta dhe shumë iniciativë lokale.
Kjo ekonomi është ende në formësim.
Ajo nuk është e konsoliduar dhe nuk është imune ndaj tronditjeve.
Ndërhyrjet e dhunshme dhe të pastrukturuara mund të shkatërrojnë iniciativën sipërmarrëse, ta zhvendosin tregun drejt informalitetit total dhe ta bëjnë të pashmangshëm rikthimin e të njëjtave shkelje në një cikël që përsëritet, thjesht me emra të rinj dhe me favore të reja.
Për këtë arsye, është e domosdoshme një rishikim thelbësor i mënyrës së qeverisjes. Shteti duhet të kërkojë ndjesë.
Jo për vetë ndërhyrjet, të cilat mund të jenë të justifikuara në thelb, por për lejimin shumëvjeçar të informalitetit që sot fshihet me një aksion të shpejtë.
Çdo masë reformuese duhet të ketë një periudhë tranzicioni, me njoftime, mbështetje dhe kohë për zbatim.
Bizneset nuk mund të mbajnë të vetme barrën e një sistemi që ka dështuar nga lart-poshtë.
Është e nevojshme të hapet një proces riorganizimi dhe kompensimi për ata që kanë operuar me dokumente dhe janë përpjekur të investojnë në rregull.
Për më tepër, një plan kombëtar për zhvillimin e zonave turistike është i domosdoshëm, ku ligji dhe zhvillimi ecin bashkë, dhe jo njëri në kurriz të tjetrit.
Sepse në fund, rregulli pa shtet nuk është drejtësi.
Ndërhyrjet për të rivendosur ligjin dhe për të mbrojtur mjedisin janë të domosdoshme.
Por kur këto ndërhyrje kryhen si spektakël, pa sistem, pa transparencë, pa konsultim dhe pa llogaridhënie, ato nuk përbëjnë sukses shtetëror, por dëshmi të dështimit institucional.
Nëse ne në Shqipëri dëshirojmë të jemi një vend që mirëpret turizmin cilësor dhe zhvillon një klimë biznesi të qëndrueshme, ajo nuk mund të ndërtohet mbi këtë model, mbi ndëshkimin sezonal dhe amnistinë institucionale.
Në këtë rrugë të pasigurt, vendi rrezikon të humbasë jo vetëm turistin, por edhe sipërmarrësin dhe bashkë me ta, të ardhmen e vet ekonomike.
