Kriza energjetike sipas analizës së përgjegjshmërisë politike dhe financiare

9 Tetor, 20210

Ekspozimi i Buxhetit të Shtetit, vetëm nga borxhet në vitin 2013 ishte mbi 200 milionë dollarë të cilat garantoheshin nga Buxheti për të garantuar furnizimin me energji elektrike. Në realitet humnera në sektorin energjetik kërcënonte stabilitetin financiar të shtetit. Këto të ardhura të munguara të buxhetit, të cilat normalisht duhet të kishin shkuar për shkolla, për rrugë, për shërbime sociale, për shërbime shëndetësore, ato që normalisht presin njerëzit shkonin për të paguar keqmenaxhimin e energjisë.Në fakt nëse nisemi nga premtimet më të fundit në zgjedhjet e Prillit 2021:
– Shqipëria kthehet në eksportues neto të energjisë[1].
– Do të ndërtojmë e të transformojmë nënstacionet e tjera në rang vendi.
– Do të rrisim sigurinë e furnizimit për të gjithë, përmes fuqizimit pikërisht të kapaciteteve të shpërndarjes së energjisë elektrik[2].
– Do të vijojmë të ndërtojmë një rrjet të ri 20 kilovolt me një seri kabinash të tjera.
– Do të fuqizojmë aspektin teknologjik smart, digjital, në monitorim e në operim përmes një sistemi që tanimë është i instaluar në Shqipëri.
– Park i prodhimit të energjisë së erës në Lezhë.
– Do ta çojmë në mandatin e tretë nivelin e humbjeve teknike në energji në 10%.
– Bursa Shqiptare e Energjisë do të bëhet krejtësisht operacionale në Shkurt të vitit 2022.
– Nisim punimet për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë prej 140 MW, më i madhi në Ballkan, në pranverën e Mars 22,
duket se ato nuk janë më afër, pasi sektori elektro-energjetik duket se po kërkon të mbijetojë në këto dy vite nëpërmjet nevojës së furnizimit nga jashtë me ndihmën e buxhetit.

Kjo situatë nuk ndihmohet dot edhe nga projektet për parqet fotovoltaikë, si dhe HEC i Skavicës bashkë me TEC-in e Vlorës, të cilat pritet të vihen në punë midis viteve 2023 – 2026. Pra deri atëherë, nëse gjithçka ecën sipas programit marëdhënia financiare e sektorit me buxhetin do të rikthehet aty ku filloi përpara reformës së vitit 2014, edhe pse tashmë me investime më të mëdha në sektorin publik, por dhe me një peshë borxhesh për tu paguar prej kompanive për financuesit e huaj.

Ndërkohë, sipas deklaratave publike të qeverisë gjatë 5-6 viteve të fundit është investuar një shumë të ardhurash (buxheti, financime të huaja, OSHEE), që si duket nuk ka ndikuar në uljen e humbjeve më shumë se 19% të gjithë energjisë së hedhur në rrjetin kombëtar për konsum. Realisht objektivi nuk është arritur. Por edhe objektivat e tjera të Planit të rimëkëmbjes financiare nuk janë arritur.
Po kështu, ligjet e miratuara gjatë fillimit të mandatit të qeverisë Rama 2, të plotësuara me pjesën më të madhe të akteve nënligjore për zbatimin e tyre duket se kanë mbetur në vend numëro në 3 vitet e fundit. Mungesa e zbatimit të ligjit për shitjen e prodhimit të energjisë diellore etj. nga të gjithë (familjarë, biznese vendase, ente publike) ka dhënë një ndikim në mospërmbushjen e objektivave për të garantuar një sovranitet më të madh në prodhimin e energjisë dhe në një ulje të kostos së energjisë (duke qenë se prodhohet për vete).
Po kështu, reforma në kuadër të liberalizimit të tregut të energjisë duket se nuk ka patur shansin për tu udhëhequr drejt përmbushjes së objektivave të përcaktuara qysh në fillim të qeverisë Rama 2. Edhe pse disa pika janë përmbushur duket se ende nuk është arritur të zbatohen dhe vihen në funksionim ato që tashmë duhet të kishin dhënë ndikimin e tyre pikërisht në plotësim të reformës së energjisë.
Ndërkohë rritja e borxheve vit pas viti nga ujësjellësat e menaxhuar nga pushteti vendor, si dhe borxhet nga entet publike janë një tjetër barrë e madhe që në fund buxheti do ta mbartë njësoj si kjo situatë emergjence energjetike. Por, edhe pse borxhet mbeten, reforma e ujit duket se ende nuk ka marrë forcën e duhur për të përmbysur situatën edhe pse është një tjetër premtim që duket se do kthehet në bumerang për qeverinë Rama 3.
Reforma e ujit është akoma më e vështirë se ajo e energjisë dhe ne nuk kemi parë ende asgjë shpresëdhënëse, përderisa situata e borxheve të ndërmarrjeve publike ndaj FSHU duket se nuk ka ende një lajmërim se kur do të adresohet dhe si do të ndodhë kjo.
Kjo situatë tashmë pas 7 vitesh, ka shumë ngjashmëri me vitin 2014, pasi pas një ecurie të sektorit elektro-energjetik duket se buxheti do të ndihmojë përsëri me 200 milionë euro të njëjtën shoqëri publike (ish- OSHEE sh.a.) dhe përsëri për të njëjtat arsye që u thanë për paraardhësit.
Njësoj si në vitin 2013, buxheti i shtetit do ti marrë këto lekë (24.4 miliardë lekë) nga taksat e paguara me shumë vështirësira nga taksapaguesit për të garantuar furnizimin me energji elektrike. Këto lekë ndoshta do të merren nga buxheti i arsimit, ndoshta nga shëndetësia, ndoshta edhe nga infrastruktura apo një pjesë edhe nga fondet rezervë të buxhetit.
Kjo nuk ndryshon faktin, se njësoj si sektori privat i tregtimit të karburanteve, që me rritjen e parë të çmimit në bursat e huaja aplikon rritje të çmimeve brenda vendit, ndoshta edhe sektori publik i energjisë elektrike pavarësisht, se rasti kërkon njësoj rritje çmimi, në këtë rast humbjen do ta përballojnë nga pak politikat sociale (pensione dhe mbrojtje sociale), projekte infrastrukturore apo programe të tjera, të cilat lidhen me bujqësinë, me të rinjtë a kushedi se ku, pasi nuk mund të flasësh me siguri, për sa kohë nuk kemi ende analizë të asaj se çfarë ka ndodhur me reformën në sektorin elektro-energjetik. Tani duhet pritur sqarimi në kuadër të projekt buxhetit 2020, për të kuptuar se në çfarë niveli (nuk) do ta ndjejë direkt secili (individi/biznes) në faturën mujore.
Kjo faturë do të paguhet ndoshta nga biznesi që mund ta mbajë pak më gjatë një rritje çmimi, si dhe përsëri do të mbartet në buxhetin e vitit 2022 duke vijuar me të njëjtin fat të “gurit të Sizifit”.
Buxheti shqiptar, i cili vjen nga kriza dhe shkon në krizën e re duket se nuk ka më gojë të shprehet, pasi “zërin” edhe për vitin 2022 duket se ja mori “pandemia” e çmimeve të bursës energjetike.
Ndoshta me shumë gjasa çmimi për një kategori të caktuar të familjarëve nuk do të ketë rritje (ose edhe nëse ka do të subvencionohen nga buxheti, pra nga të gjithë ne), por nuk është kjo thelbi i një analize, por shembulli tregues i përgjegjshmërisë politike dhe financiare.
Mbetet shqetësim publik, që tashmë Qeverisë dhe kompanive publike do tu duhet të fillojnë edhe një herë tjetër të skadencojnë planet e pagesave dhe duket se ngadalësimi i reformës i shprehur nga Banka Botërore[3] kërkon një analizë nga drejtuesit e reformës për të rivendosur ritmet që kërkon ekonomia, biznesi dhe buxheti.
Në këtë situatë gjithë planet e biznesit të kompanive brenda sektorit bashkë me planet e investimeve ndoshta do të ribëhen me qëllimin e vetëm të arrihet garantimi i furnizimit dhe minimizimin e kostove oportune.
Adresimet e politikave të qeverisë për zgjidhjet e çdo krize me mjaft paqartësi financiare dhe mangësi të dukshme të transparencës e llogaridhënies për publikun nuk janë efektive dhe errësojnë politikën vizionare për të ardhmen, që me këtë situatë mund të konsiderohet si aspak e shëndetshme, si për ekonominë, por dhe për buxhetin.


[1] ato para që i harxhojmë për të importuar energji nuk do të jenë më para që do të harxhohen, por do të mbeten këtu në ekonomi
[2] ku kemi investuar afro gjysmë miliardi dollarë e ku kemi ndërtuar një seri të tërë veprash
[3] https://gazetasi.al/bb-shqiperia-ka-ngecur-ne-reformat-per-energjine/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *