Kontributi së pari për Shqipërinë dhe së dyti për partinë

8 Mars, 20220
Partitë politike janë makineritë më të mëdha të përfaqësimit dhe prezantimit të individëve që kanë spikatur jetën ekonomike dhe sociale të dy dekadave të fundit në Shqipëri. Ato kanë qenë lidhja midis shtetit dhe shoqërisë civile, me një ndikim absolut në nivelin ekzekutiv dhe në tërësi sektorin publik, si nëpërmjet politikave të formuluara, ndryshuara, fshira, retushuara dhe ripërpunuara ndër vite, por edhe nëpërmjet furnizimit me prurje të reja në jetën e administrimit nëpërmjet “shkollës” politike që kanë patur në patronazh. Megjithatë, partitë politike në vendin tonë edhe pse në dukje paraqiten të forta, në fakt janë paraqitur shpesh të dobëta përballë rritjes natyrale të konkurencës dhe përfaqësimit në demokraci.
Por, çfarë na ka treguar deri më sot jeta politike në favor të stabilitetit ekonomik dhe social?
Sa e ndihmon lidershipi politik stabilitetin politik dhe institucionet?
Sipas perceptimeve të qytetarëve dhe votuesve, të shprehura në forma të ndryshme është i dëgjuar konkluzioni se kontributi i partive politike ka mbetur i kufizuar, në drejtim të politikë bërjes efektive, ndërtimit të një demokracie të konsoliduar, përfshirjes së elitave meritokratike në institucionet publike, si dhe në drejtim të garantimit të përgjegjshmërisë dhe zbatimit të vendimeve politike.
Shumë nga funksionet demokratike, të tilla si përzgjedhja dhe përfshirja në politikë e drejtuesve kryesorë të partive nuk janë kryer mbi një proces të konkurimi të qëndrueshëm të partive politike. Arsyet përfshijnë institucionalizimin e dobët dhe mbizotërimin e klientelizmit. Po ashtu, zhvillimi i politikave nga institucionet kanë patur tendencë autoritarizmi, por duke theksuar më shumë rolin e drejtuesit partiak dhe jo ekipit
teknik.
Pritshmëria e partive politike nuk ka qenë e lidhur me zhvillimet politike të tyre si një kundërshti ironike midis parimit politik dhe zbatimit të tij nga partiakët. Produkti që është parë nga kjo mënyrë kontradiktore zhvillimi midis moralit politik dhe zbatimit imoral të tij janë treguesit që prezantojnë një vend me një demokraci të cënueshme nga drejtuesit politikë, një qeverisje që nuk e ka gjetur veten te modeli i qeverisjes së mirë, një shoqëri civile e infektuar nga joshja e të mirave nga qeverisja dhe traditë e dobët bashkëveprimi (pa patur asnjë personalitet të shquar si model për qytetarët).
Asnjë prej liderëve nuk ka qenë në krye, si produkt i rastësisë apo produkt i liderit që zëvendëson. Vendimet që i duhet të marri janë vetëm produkt i mendjes së tij dhe i askujt tjetër, pasi është pjesë e qenies së tij dhe jo një shfaqje artistike. Në këtë kontekst një lider që mban brenda tij aftësitë për të cilat thirret nga historia nuk ka nevojë për publicitet dhe spektatorë.
Teatrit politik si çdo shfaqje e këtij zhanri i vjen një kohë që prek fundin e tij. Ajo që mbetet pas teatrit politik janë ata që luajnë vetveten dhe pasqyrojnë vlerat që mund të gjenden thellë shpirtit të liderit.
Recitimi më i bukur i liderit është ai që buron nga zemra. Shembuj për këtë janë ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, z. Bill Clinton, apo ish-krymenistrja e Britanisë së Madhe, zj.Margaret Thatcher. Të dy ishin ajo që besonin dhe asgjë tjetër jashtë kësaj.
Qeverisja e afër tre dekadave në Shqipëri ka nxjerrë karakterin e vërtetë të liderëve partiakë. Në qeverisje, dobësitë konsiderohen difekte shumë të rënda, ashtu si edhe mospërshtatjet me situatën reale kthehen në njolla, që nuk hiqen dot nga emri i liderit.
Nuk duhet harruar se ajo çfarë qeveria dëshiron për veten e saj duhet ta dëshirojë edhe për qytetarët. Një lidership duhet të kuptojë raportin që ka me qeverisjen dhe fatin e vendit, ashtu si kupton një profesionist nëse vlen për të qenë regjisor apo aktor. Në momentin në të cilin ndodhet historia e qeverisjes së vendit, qytetarët presin nga momenti në moment nga lidershipi i ri sinjale të forta të ndryshimit, përndryshe mundësia për të mbetur mospërfillës dhe dyshuesë ndaj qeverisjes do të vijojë të rritet.
Është kjo një nga arsyet e forta, pse lidershipi partiak duhet të ndihet pjesë e sektorit publik brenda qenies së vet, pasi lidhet ngushtësisht me atë që vlen si pjesë e qeverisjes. Nëse është e kundërta mendoj se ka bërë zgjedhjen e gabuar.
Për të patur sukses në politikën shqiptare nuk mjafton vetëm inteligjenca personale, por gjithnjë diçka më shumë. Secili politikan që ka qenë në lidershipin e partive është prejardhur prej lidhjeve dhe gjuhës jo të komplikuar me bashkëliderët dhe partinë. Në fakt, kjo ka qenë një armë sekrete e tyre, pasi te thjeshtësia e të shprehurit është kuptuar si një forcë intelektuale e lartë. Të gjithë liderët jetëgjatë e kanë parë botën me një thjeshtësi, që nuk arrin të shikohet nga shumica tjetër e drejtuesve.
Një nga problemet më të thella në lidhje me raportin e drejtuesve të lartë të qeverisë mbetet ndikimi i vendimeve të tyre nga lidhjet personale midis njeri-tjetrit. Vendimet që merr një parti mund të ndikojnë në aspektin personal në jetën personale të drejtuesit të partisë tjetër.
Qeverisja e ka të nevojshme të tregojë para qytetarëve, se i zotëron gjithë kapacitetet e duhura për një qeverisje efektive. Mandati më tej duhet të nisë të kërkojë përgjigjen e vërtetë të qeverisjes gjatë periudhës së mëparshme.
Partitë mund të duan idetë progresiste, liberale a konservatore, ashtu si dhe unitetin partiak që mbledh përreth saj aktivistët dhe anëtarët. Por, qeveria që zgjidhet nga votat e qytetarëve duhet të ketë në fokus vetëm ata.
Përndryshe partia do të pësojë zvetënimin e saj me kalimin e kohës, pasi pakënaqësitë dhe veset e individëve brenda radhëve të saj e gjejnë mënyrën për të prishur moralin e qeverisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *