Në këtë ambjent politik e social me rritje të çmimeve të fillim vitit 2022 është e vërtetë që qeveria nuk ka ndikim. Por, lënia e ekonomisë pa një orientim në favor të rritjes së prodhimeve në disfavor të importit duhet parë si detyrim i shtetit që, nëpërmjet ligjvënësit, të ndërhyjë në rregullimin e lirisë ekonomike, me qëllim që krahas lirisë të garantohet edhe parimi i shtetit social dhe i së mirës së përbashkët. Një ndërhyrje e vlefshme do të ishte favorizimi politikave ekonomioke dhe fiskale drejt nxitjes së ekonomisë prodhuese dhe përppunuese të produkteve agroushqimore, përpunimit të karburanteve, prodhimeve me vlerë të shtuar në sektorë të tjerë.
Në realitet në Shqipëri prej shumë vitesh trashëgohen dhe janë favorizuar me politika mbi sektorët e tjerë ekonomia e fasonerisë, edukimit, shëndetit, duke tentuar me raste të stimulohet edhe bujqësia. Por nuk është trajtuar asnjëherë me vëmendjen e duhur rritja e vlerës së shtuar të asnjë sektori për të ndërthurur investimet e huaja me ato të brendshme, duke mos rritur dot vlerën e fuqisë punëtore. Shembull i kësaj është sektori i turizmit ende i paedukuar profesionalisht, me sëmundjet për pronësinë e terreneve, dhe i pakoordinuar me ekonominë bujqësore dhe sektorë të tjerë plotësuesë.
Të gjitha këto qeveria duhet ti kishte bërë ose diskutuar hapur në takimet dhe këshillimet e saj me njerëzit, si detyra të saj duke na thënë që në krye të herës, për të qenë politikisht korrekte, se Ne/Ata (Qeveria) që e morëm në dorëzim shtetin do të bëjmë kaq punë të tjera, ndryshe nga qeveritë e mëparshme.
Shumë punë është bërë! Por edhe shumë firo ka patur!
Madje në vitet e para kjo punë u dha frymë dhe reformave që filluan të jepnin rezultate. Mirëpo, fillimi i korruptimit të vullnetit pak nga pak filloi të gërryejë dialogun dhe kontratën sociale, si dhe zbatimin korrekt të programeve të bazuara në premtimet elektorale.
Në fakt, ka patur një inflacion premtimesh dhe një modelim të ekonomisë bazuar në kërkesat dhe mendjet e vetëm pak individëve. Takimet me votuesin u dukën sikur ata ishin deri diku pjesë e këtij modelimi. Por, organizatat e biznesit, organizatat e punës dhe sindikatat, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mjaft institute, ekspertë dhe qendra kërkimore u dëgjuan, por u refuzuan të jenë pjesë e gjithpërfshirjes në analizat mbi këto çështje të rëndësishme. Koha na tregon se janë përfshirë pak apo janë përzgjedhur me kujdes ajo pjesë të grupeve të interesit, që kanë qenë pjesë e njohjeve dhe perimetrit të atyre që nuk e kritikonin qeverisjen dhe duke se kjo është e pranueshme si logjikë edhe sot për zyrtarët e lartë.
Investimet strategjike nuk janë diskutuar dhe analizuar me ekspertët e “popullit”, por kanë shërbyer si platforma për lançime të vendimeve të marra pothuajse me dyer të mbyllura duke mos e njohur gjithë publikun me detaje të mjaftueshme për të shërbyer si rojtarët e zbatimit të gjithë kërkesave ligjore dhe morale.
Nëse do të kishte ndodhur gjithpërfshirja, ndoshta edhe qeverisja do të kishte bërë më pak gabime në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë apo nismave të tjera, por edhe nëse do kishte më shumë analiza të fizibilitetit të investimeve do të kishim ndoshta një ekoonmi ndryshe, si për nismat në energji, në infrastrukturë dhe në orientimet e eksportit. Fakti është se ekonomia shqiptare mbetet më pak konkuruese se vendet fqinje me të, edhe pse ka patur dhe ka shumë mundësi dhe oportunitete të pashfrytëzuara në kapacitetin e plotë të tyre. Duke filluar me burimet natyrore nëntokësore dhe duke vazhduar me burimet natyrore mbitokësore do të mjaftonin që të rritnin dukshëm mirëqenien e rezidentëve shqiptarë që jetojnë, punojnë dhe shpresojnë për veten dhe pasardhësit e tyre për një jetë dinjitoze dhe të sigurtë.
Nisur nga përvojat që shikojmë, dëgjojmë dhe analizojmë arrihet shpejt dhe natyrshëm në një mendim se gjithpërfshirja e burimeve kapitale dhe njerëzore është një sfidë e të gjithëve. Por duke qenë se detyrimi i organizimit të bashkëveprimit të grupeve dhe burimeve është i qeverisë, atëherë koha duhet të nxitë përdorimin e gjithpërfshirjes si një vlerë e re në shoqërinë dhe politikëbërjen shqiptare.
Ne në ALTAX qysh me fillimin e krizave ekonomike prej pandemisë, prej goditjeve të tregjeve, si dhe kriza e fundit i kemi kuptuar dhe kemi vepruar për të dhënë kontributin duke e konsideruar se momentet për të filluar dialogët e nevojshëm për të diskutuar mbi prioritetet nuk janë pronë e individëve, por e gjithë njerëzve dhe qytetarëve të interesuar për zhvillimin e vendit.
Por, edhe kur është shtrirë dora jonë e bashkëpunimit ndaj institucioneve të qeverisë për të ndihmuar në proceset reformuese ka patur më së shumti heshtje dhe pak reagime, kjo e fundit kur e ka lypur emergjenca e momentit.
Kjo qasje jona, duke shpresuar që të gjejë përkrahje edhe nga shumë organizime dhe individë shpreson që një ditë sistemi jonë politik të shkojë drejt Demokracisë Direkte, apo Demokracisë Gjithpërfshirëse, si një normë morale për vazhdimësinë e proceseve reformuese në ekonomi, shoqëri dhe politikë.
Por, kjo qasje është edhe një produkt që po analizohet edhe nga shtetet pjesëmarrëse në Samitin e demokracisë në Dhjetor 2021, ku theksi ishte lidhur me forcimin e demokracisë dhe mbrojtjen nga autoritarizmi, lufta ndaj korrupsionit dhe promovimi i të drejtave të qytetarëve. Në këtë kontekst të pranuar edhe nga Shqipëria nevojitet një tjetër frymë bashkëpunimi dhe dialogimi kombëtar, duke lënë mënjanë egoizmin dhe përjashtimin social.
Ndoshta ka ardhur koha që dialogu kombëtar të orientohet pikërisht për hartimin e një Kontrate Sociale të re, ku normat e demokracisë direkte[1] të mund të jenë formati i debatit, duke ndihmuar për të bërë të paktën një herë të vetme ndryshimet që kërkon votuesi.
[1] formë e demokracisë në të cilën votuesit vendosin për iniciativat e politikave pa patur nevojë për ndërhyrjen e politikëbërësve ti përfaqësojë ata. Kjo ndryshon nga shumica e demokracive të krijuara aktualisht, ku bën pjesë edhe demokracia shqiptare, të cilat janë demokraci përfaqësuese