Kodi Zgjedhor 2021 – Vendimet e Qeverisë dhe Ligjet e miratuara në prag fushate
Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë (a) rritjen e pagave, pensioneve,(b) mbështetjes ekonomike apo sociale,(c) uljen ose heqjen e taksave,(d) vendosjen e amnistive fiskale,(e) privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj.,përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore.
KZ 2021, Neni 91, pika 4.
Në kuadër të ruajtjes së një etike, në respekt të barazisë së garës zgjedhore përpara fillimit të fushatës, ekspertët e POLIFAKT.al kanë analizuar gjithë publikimet zyrtare, të cilat i paraqesim më poshtë:
30/12/2020
1. Vendim i Këshillit të Ministrave nr.1076, datë 24.12.2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 555, datë 11.8.2011, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve me arsim të lartë dhe të punonjësve të infermieristikës në sistemin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Njësinë Mjekësore Ushtarake pranë Spitalit Universitar të Traumës, si dhe për trajtimin e personelit mjekësor në strukturat e Forcave të Armatosura”, të ndryshuar[1]
– Me miratimin e vendimit nr. 1076, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave përfitojnë rreth 20000 punonjës të sistemit shëndetësor në të gjitha institucionet që kryejnë funksione shëndetësore, si në nivel terciar ashtu edhe atë sekondar, bashkiak dhe në shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor që e shtrijnë veprimtarinë e tyre në gjithë territorin e vendit.
08/01/2021
2. Ligj nr. 156/2020, date 17.12.2020 “Për faljen e detyrimeve të ushtarakëve ndaj fondit të sigurimeve shoqërore, të krijuara si diferencë nga rishqyrtimi i pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi, të caktuara sipas vendimeve gjyqësore të formës së prerë, bazuar në kriteret e vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr. 3, datë 24.11.2016;[2]
– Ky ligj bën falje detyrimesh të ushatarakëve, që në periudhën parazgjedhore ndalohet duke qenë se është një formë amnistimi (falje) fiskale.
3. Ligj nr. 164/2020, datë 23.12.2020 “Për disa ndryshime në ligjin nr.90/2019, “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, të ndryshuar;
– Shtyhet afati i rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme me normë tatimore të reduktuar deri në datën 31 dhjetor 2021.
4. Ligj nr. 165/2020, datë 23.12.2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9179, date 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar;
– Përfitojnë trajtim të veçantë punonjësit e ndërmarrjeve të sistemit të industrisë ushtarake.
5. Ligj nr.167/2020, datë 23.12.2020 “Për faljen e detyrimeve të sigurimeve shoqërore, që ish – punonjësit e nëntokës kanë ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore, të llogaritura për periudhën që kanë përfituar, sipas ligjit nr. 8685, datë 9.11.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar, të cilët njëkohësisht kanë zhvilluar aktivitet ekonomik si të punësuar ose vetëpunësuar;
– Ky ligj parashikon faljen e detyrimeve të papaguara që gjithë ish-punonjësit e nëntokës kanë ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore për periudhën që ata janë trajtuar me përfitimet e caktuara sipas ligjit nr.8685, datë 9.11.2000 “Për një trajtim të veçantë të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, të ndryshuar, të cilët njëkohësisht kanë zhvilluar aktivitet ekonomik si të punësuar ose vetëpunësuar”.
6. Ligj nr. 169/2020, datë 23.12.2020 “Për njohjen si periudhë sigurimi për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore të kohës së punësimit në ish-kooperativat bujqësore;
– Ky ligj njeh si periudhë të sigurimit për efekt përfitimi nga sigurimet shoqërore koha e punësimit në ish-kooperativat bujqësore, nga mosha për punë në kooperativat bujqësore e përcaktuar në legjislacionin e kohës, por jo më herët se viti i krijimit të kooperativës bujqësore, deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”.
7. Vendimi Këshillit të Ministrave nr. 1146, datë 24.12.2020 ”Për dhënien e miratimit për fillimin e procedurave të privatizimit për pasurinë nr.109, me emërtim “Sh.a.Riparim artilerie”, e përbërë nga disa sipërfaqe, truall funksional dhe objekte, me vendndodhje në Brar, Tiranë, me sipërfaqe të përgjithshme 43.169 m2, dhënë me kontratë me çmimin 1 euro/kontrata fondacionit “Fundjavë ndryshe”.
– Ky vendim jep pasuri publike në prag fushate një organizate private.
13/01/2021
8. Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 1149, datë 24.12.2020 “Për disa ndryshime në vendimin nr.175, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jo mësimorë, në arsimin parauniversitar”, të ndryshuar.[3]
– Nga miratimi i vendimit nr. 1149, datë 24.12.2020 të Këshillit të Ministrave përfitojnë:
(a) 30.119 punonjës të institucioneve të arsimit parauniversitar në varësi të Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve
(b) 1.349 punonjës të institucioneve të arsimit profesional, në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë;
(c) 4.410 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, të qendrave kulturore të fëmijëve dhe të konvikteve shkollore, në varësi të njësive të vetëqeverisjes vendore
19/02/2021
9. Ligj nr. 151/2020, datë 17.12.2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar;
– Ky ligj ka të bëjë me heqjen e taksës nacionale të rentës minerare për vitin 2021, e cila bëhet zero.
10. Ligj nr. 168/2020, datë23.12.2020 “Për një ndryshim në ligjin nr. 9981, datë 8.9.2008, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar;
– Ky ligj ul taksën doganore për mjetet e tjera ujore për kënaqësi dhe sporte, të fryra me ajër ose gaz”, nga 15 për qind bëhet 2 për qind
11. Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 100, datë 17.2.2021 “Për përcaktimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si autoritet kontraktor për zhvillimin e mundshëm të procedurës së koncesionit/partneritetit publik privat, për portin në Triport, Vlorë [4]
– Vendimi jep të drejtë MIE për negociim të kontratës koncesioniare/PPP në prag fushate zgjedhore.
16/03/2021
12. Ligj nr. 16/2021,datë 8.2.2021 “Për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së koncesionit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë Koncesionare “Tirana International Airport” sh.p.k., “Për ndërtimin, vënien në punë, operimin dhe mirëmbajtjen e Aeroportit Ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’, Tiranë”, ratifikuar me ligjin nr. 9312, datë 11.11.2004, të ndryshuar.[5]
– Nëpërmjet nëshkrimit të kontratës së re ka ndryshuar pothuajse pjesë të rëndësishme të tekstit të kontratës së mëparshme duke u konsideruar se në rast ndryshimi të një pjese të madhe të saj është në kuadrin e një Kontrate me terma ndryshe nga ajo egzistuesja.
13. Vendim i Këshillit të Ministrave nr.163,datë17.3.2021 “Përkalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të portit të peshkimit në Triport, Vlorë[6]
– Ky vendim është në funksion të VKM nr. 100, datë 17.2.2021 “Për përcaktimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë si autoritet kontraktor për zhvillimin e mundshëm të procedurës së koncesionit/partneritetit publik privat, për portin në Triport, Vlorë.
26/03/2021
14. Ligj nr. 27/2021,datë 1.3.2021 “Për miratimin e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “S2 Albania” sh.p.k.dhe “Rapiscan Systems” INC, “Për një ndryshim në marrëveshjen e koncesionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, miratuar me ligjin nr. 123/2013”, të ndryshuar.[7]
– Miratimi i ligjit ka lidhje me vijimësinë e koncesionit të kundërshtuar me forcë nga Partia Socialiste në zgjedhjet e vitit 2013 dhe në vijimësi, por që është edhe një kontratë e re në kohën kur pritet të fillojë fushata zgjedhore
31/03/2021
Vendim i Këshillit të Ministrave nr. 196, datë 31.3.2021 “Për indeksimin e pensioneve dhe bazës së vlerësuar”[8]
Miratim rritje pensionesh për gjithë kategoritë e pensionistëve, në masën 2.7 për qind.
[1] https://qbz.gov.al/eli/fz/2020/233/0c4afe98-ea52-4e67-8f2c-10ef89e88e7b
[2] https://qbz.gov.al/eli/fz/2021/3/6531eb82-4b24-4ea3-9d84-081dac73b9c4
[3] https://qbz.gov.al/eli/fz/2021/5/28f36109-f011-4360-876d-c2019bc93507
[4] https://qbz.gov.al/eli/fz/2021/27/c98f3905-ad69-424a-b002-bf13085c05e6
[5] https://qbz.gov.al/eli/fz/2021/41/4526fccb-3412-47bc-ab2c-fe31ed2b5e9d
[6] https://qbz.gov.al/eli/fz/2021/46/c1c9b6ea-105d-4105-bae9-ccaa55e12ccc
[7] https://qbz.gov.al/eli/fz/2021/47/00c51072-02c2-457f-a404-686d57d3939e
[8] https://qbz.gov.al/eli/fz/2021/53/a883ec93-1eb5-4ea3-aa4b-f9cf1a9c581d