Fjalë pa Llogari: Anatomia e Premtimeve Elektorale Shqiptare në dy dekada

5 Prill, 20250

Në Shqipëri, që nga viti 1992 e në vijim, programet elektorale kanë shërbyer më shumë si dokumente retorike sesa si plane konkrete të qeverisjes. Në zgjedhjet e para të pluralizmit (1992–1997), fokusi ishte kalimi nga ekonomia e planifikuar në atë të tregut. Më pas, me konsolidimin institucional, u artikuluan gjithnjë e më shumë premtime në fusha si taksat, bujqësia, infrastruktura dhe shëndetësia.

Karakteristikat e zakonshme të programeve
Së pari është mungesa e strukturimit financiar. Shumica e premtimeve nuk shoqërohen me analiza të kostove dhe burimeve. Premtimet elektorale shpesh prezantohen si lista dëshirash, pa një analizë të kostove direkte, burimeve të financimit, apo ndikimeve buxhetore në periudhë afatmesme. Kjo e bën të pamundur vlerësimin e fizibilitetit të tyre, sidomos në një vend ku buxheti është i kufizuar dhe i ndikuar nga borxhi publik dhe detyrime ndërkombëtare. P.sh. rritja e pagave për mësuesit apo mjekët prezantohet si premtim, pa sqaruar se sa do kushtojë në terma fiskalë dhe ku do gjenden burimet, rritje të ardhurash apo zhvendosje nga programe të tjera?Kjo mënyrë krijon pritshmëri të paqëndrueshme dhe dëmton besimin publik.
Së dyti është mungesa e treguesve të matshëm. Premtimet e tipit “do përmirësojmë cilësinë e arsimit” ose “do ulim papunësinë” janë jo të matshme pa specifikime si:
– Objektivi numerik (p.sh., 5% rritje e punësimit)
– Afati kohor (p.sh., brenda 2 viteve)
– Grupi target (të rinjtë, gratë, punonjësit informalë).
Kjo bie ndesh me logjikën e planifikimit publik dhe e bën të pamundur monitorimin e progresit, Premtimi “do rrisim buxhetin për bujqësinë” pa përcaktuar indikatorë si rendimenti për hektar, eksportet bujqësore, ose investimet në teknologji është një shembull tipik në këtë drejtim. Si rezultat, pa indikatorë të matshëm, nuk ka edhe llogaridhënie.
Së treti është qasja populistee programeve elektorlae. Dominon ideja e “për të gjithë nga pak”, duke shmangur diskutimet për prioritetet dhe zgjedhjet fiskale. Strategjia e shpërndarjes së resurseve në mënyrë jo të synuar, për të kënaqur sa më shumë kategori zgjedhësish, është karakteristikë e populizmit elektoral. Kjo qasje nuk vendos prioritete dhe nuk adreson problemet strukturore, si p.sh., pabarazia rajonale, papunësia strukturore, informaliteti, etj. Në planifikimin fiskal, kjo qasje sjell shpërndarje joefektive të fondeve dhe ul ndikimin transformues të politikave publikeShembulli tipik është premtimi i uljes së taksave për të gjithë, apo rritje pagash për të gjithë, apo subvencione për të gjithë, në vend të targetimit të kategorive më të nevojshme apo më me ndikim në ekonomi. Mirëpo, nga kjo mënyrë prezantimi krijohet erozion i kapaciteteve publike dhe ulje e eficiencës së shpenzimeve buxhetore.
Së katërti është shkëputja nga realiteti buxhetor. Në shumë raste, premtimet nuk përputhen me mundësitë financiare të buxhetit të shtetit. Një nga problemet më kritike është mos-përputhja mes premtimeve dhe kapaciteteve reale buxhetore, të cilat janë të njohura publikisht përmes ligjit të buxhetit dhe prognozave afatmesme fiskale. Mungesa e harmonizimit midis programit elektoral dhe kuadrit buxhetor afatmesëm (KBA) e bën programin një ushtrim i izoluar politik, jo një mjet planifikimi qeverisës. Premtime për projekte të mëdha infrastrukturore (port, hekurudhë, rrugë strategjike) që kërkojnë miliarda euro, ndërkohë që investimet publike të parashikuara në KBA janë nën 5% të PBB-së janë shembujt treguesë të kësaj mënyre prezantimi të palidhur me kapacitetet fiskale të buxhetit. Si pasojë, [as kësaj vjen dështim i pashmangshëm në realizim dhe rreziku për rritje borxhi nëse kërkohet zbatimi përmes financimit të jashtëm.

Vlerësimet retrospektive të premtimeve (2005–2021)
Premtimet elektorale në Shqipëri, që nga 2005 deri në 2021 janë realizuar në mënyra të ndryshme, por kanë pasur gjithmonë probleme në monitorimin e realizimit dhe planifikimin financiar afatgjatë. Çdo periudhë ka pasur përparime, por gjithashtu janë shfaqur mangësi të rëndësishme që i japin një imazh të pajustifikueshëm për efektivitetin e qeverisjes. Në përmbledhjen e premtimeve elektorale në vijim, si një pasqyrë e dobishme për të analizuar cilësinë e realizimit të premtimeve të mëparshme dhe ndikimin e tyre në shoqëri, përmbledhtazi jepet struktura e këtyre premtimeve dhe efektet që vijnë nga analiza e tyre.

Në zgjedhjet 2005 kryefjala e premtimeve ishte ulja e taksave dhe reformë administrative.
Në fakt, u realizuan pjesërisht, me ndryshime të prekshme në administratën shtetërore dhe lehtësim të procedurave tatimore. Megjithatë, ndryshimet nuk patën efekte të qëndrueshme në optimizimin e shpenzimeve publike dhe rritjen e eficiencës administrative. Ulja e taksave mund të ketë ndikuar në stimulimin e aktiviteteve ekonomike, por mungesa e një monitorimi të plotë të shpenzimeve dhe përmirësimit të kapaciteteve administrative ka shpërfillur rritjen e borxhit dhe ndikimin në burimet buxhetore.
Në zgjedhjet 2009 mbizotëroi premtimi për taksën e sheshtë 10%.
Ky premtim u realizua, por pati pasoja në të ardhurat buxhetore, duke bërë që sistemi tatimor të humbiste një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave nga sektori formal. Ky sistem i taksës së sheshtë ka ulur ngarkesën për individët, por ka krijuar edhe mangësi në mbledhjen e taksave. Taksa e sheshtë ka lehtësuar administrimin dhe ka nxitur formalizimin, por ka ngushtuar mundësitë për financimin e shërbimeve publike. Natyrisht që duhej kryer një rikonsiderim i politikave tatimore që të përmirësojnë mbledhjen e taksave dhe të balancojnë ngarkesën për grupe të ndryshme të shoqërisë.
Në zgjedhjet 2013 premtimi mbizotërues ishte ai për 300 mijë vende pune. Ky premtim nuk u arrit. Shumica e vendeve të punës që u krijuan ishin nga formalizimi i sektorëve informalë, por me kushte jo të qëndrueshme. Krijimi i vendeve të punës në sektorin informal ka kontribuar në uljen e nivelit të papunësisë, por ka rritur informalitetin dhe ka minuar stabilitetin e punës. Ky premtim tregon mangësi në analiza të tregut të punës dhe strategjive të mbështetjes së punës formale. Kjo nënvizon nevojën për krijimin e mundësive të punës në sektorë të qëndrueshëm.
Në zgjedhjet 2017 kryepremtimi ishte për reformën në drejtësi dhe shtetin digjital. Ky premtim pjesërisht, është realizuar për reformën në drejtësi, por ka pasur vonesa dhe mungesë konsensusi për disa komponentë të saj. Digjitalizimi ka përparuar, por me ritme të ngadalta dhe problematika të hapura dhe të pambyllura ende. Reforma në drejtësi ka sjellë disa ndryshime të rëndësishme në sistemin gjyqësor, por përpjekjet për të forcuar besimin e qytetarëve dhe për të garantuar aksesin në drejtësi janë ende të paqarta. Pjesa e digjitalizimit ka kontribuar në lehtësimin e shërbimeve publike, por ka ende shumë zona të papërfshira në sistemin digjital si dhe vonesa dhe pengesa në marrjen e shërbimeve në kohë.
Në zgjedhjet 2021 premtimi mbiqotrues ishte rritja e pagave dhe digjitalizimi. Premtimi për rritjen e pagave u realizua, por me ritme më të ulëta se sa ishte parashikuar, duke shkaktuar pakënaqësi në disa sektorë publikë. Digjitalizimi pati përparime më tej, por ka ende pengesa në implementim dhe vonesa në shërbim bashkë me rriskun e sigurisë kibernetike. Rritja e pagave është e nevojshme për të përmirësuar standardet e jetesës, por ka nevojë për një strategji më të plotë për sistemin e administratës dhe planifikimin e burimeve. Digjitalizimi është një hap përpara, por duhet përmirësuar në sektorët më të ndjeshëm si shëndetësia dhe arsimi.
Mungesa e analizës së detajuar fiskale shihet se ka penguar realizimin e premtimeve, për këtë arsye një sistem parashikimi financiar dhe strategjie të qartë do të ishte thelbësor për çdo qeveri. Po ashtu, përfshirja e indikatorëve të matshëmm, apo krijimi i një indeksi të matshëm për çdo premtim do të siguronte një pasqyrë më të qartë të progresit dhe do të ndihmonte në llogaridhënie.
Nga ana tjetër, investimet e buxhetit të shtetit dhe partneritetet duhet të orientohen në sektorët e qëndrueshëm. Përdorimi i taksave për mbështetje të sektorëve strategjikë si bujqësia, arsimi dhe shëndetësia është e nevojshme për të siguruar një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe për të arritur premtimet afatgjata.
Në përmbledhje të restrospektivës për 4 fushatat e fundit të zgjedhjeve të përgjithshme shikojmë se:
– Në 2005 & 2013 u bënë premtime të përgjithshme si “ulje taksash” ose “300 mijë vende pune” pa specifikim të indikatorëve matës apo skemës së zbatimit. Vijimësia e gabimit shihet edhe në 2021, me premtime për “rritje pagash” dhe “digjitalizim” pa targete konkrete dhe analiza për ndarjen sektoriale, financimin, apo ndikimin afatmesëm. Përsëritja e mungesës së objektivave SMART (Specifik, Matshëm, Arritshëm, Realist dhe i kohëzuar) i bën premtimet të vështira për t’u vlerësuar dhe zbatuar realisht.
– Në 2009 & 2013, futja e politikave si “taksa e sheshtë” apo punësimi masiv pa përgatitje teknike dhe struktura të gatshme për implementim konsiderohet si një gabim elektoral. Vijimësia e gabimit shihet në 2017 & 2021, ku premtimet për reformimin e drejtësisë dhe digjitalizimin e shërbimeve publike përballen me administratë të papërgatitur dhe rezistencë të brendshme. Në këto premtime nuk ka pasur përputhje mes ambicies politike dhe aftësisë reale të administratës, duke çuar në zbatim të pjesshëm apo në stagnim. 2009 & 2013 u vërejt mungesë reagimi të menjëhershëm ndaj krizave të jashtme (kriza financiare globale dhe më pas krizë politike e brendshme). Kjo sjellje e partive ishte tipike rasti i mungesave të analizave duke nënvlerësuar krizat dhe një shfaqje e mungesës së fleksibilitetit programor. Vijimësia e gabimit u konstatua në 2021, ku pasojat e pandemisë dhe krizës inflacioniste globale nuk u reflektuan në rishikime të thella të programit qeverisës, duke ruajtur premtime të paadaptuara ndaj realitetit të ri ekonomik. Nga kjo u pa qartë se programet elektorale nuk janë të ndërtuara për t’u adaptuar me situata të paparashikuara ekonomike, çka i bën të papërshtatshme për menaxhim efektiv në kohë krize.
Që nga 2005 e në vijim, asnjë qeveri nuk ka ngritur sistem të brendshëm institucional për të matur realizimin e premtimeve (monitorim vjetor, audit publik etj.). Edhe pas 2021, nuk ka asnjë raport zyrtar vjetor qeveritar apo institucional të pavarur që të krahasojë premtimet me rezultatet. Si rrjedhojë, vazhdon një mungesë e transparencës dhe llogaridhënies publike, që krijon kulturë politike pa ndëshkueshmëri për mosrealizimin e premtimeve. Premtimet elektorale vazhdojnë të jenë të fokusuar në imazh dhe jo në përmbajtje transformuese, duke mos prodhuar ndryshim real në ekonomi dhe shoqëri.
Zgjedhjet e reja të 2025 dhe programet elektorale të dy partive kryesore në fushën ekonomike, të taksave dhe të sipërmarrjes. Kush bën çfarë në katër vitet që vijnë?
Qasja metodologjike e analizës krahasuese duke prezantuar INDEKSIN e FIZIBILITETIT në POLIFAKT në prezantimin që do të bëjë në ditët e ardhshme bazohet në këto shtylla:
– Qartësia e programit (në ekonomi, taksa dhe sipërmarrje)
– Masat konkrete për zbatim
– Kosto dhe burime financimi
– Ndikimi ekonomik dhe social i premtimeve
– Kohëzgjatja dhe realizueshmëria
Për ta ilustruar, më poshtë kemi krahasuar programet e:
– Partisë Socialiste (PS) – në pushtet që nga 2013.
– Partisë Demokratike (PD) – opozitë, me pretendim për rotacion.

Premtimet ekonomike të PS
a) Qasja e përgjithshme
Rritje e qëndrueshme ekonomike përmes investimeve publike, digjitalizimit dhe tërheqjes së investimeve të huaja.
b) Politikat fiskale
– Mbajtje e normës së TVSH dhe taksave ekzistuese.
– Rritje e pragut të përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat për individët dhe bizneset e vogla.
– Nxitje e formalizimit përmes fiskalizimit dhe incentivave.
c) Mbështetje për sipërmarrjen
– Skema mbështetëse për start-up dhe teknologji.
– Fond investimesh për inovacion dhe teknologji bujqësore.
– Vazhdim i politikës së subvencioneve për fermerët dhe agroturizmin.
d) Burime financimi
– Buxheti shtetëror dhe grantet e BE.
– Emision i obligacioneve për investime publike strategjike. 

Premtimet ekonomike të PD
a) Qasja e përgjithshme
“Ekonomi që prodhon më shumë dhe takson më pak” – modeli i uljes së barrës fiskale dhe rritjes së konkurrencës.
b) Politikat fiskale
– Tatim i sheshtë 9% për të ardhura personale dhe fitimin e bizneseve.
– TVSH 15% për mallrat bazë.
– Heqje e taksës për dividendët për investimet që mbahen mbi 5 vjet.
– Lehtesi fiskale e kontrolluar për kapitalin e padeklaruar.
c) Mbështetje për sipërmarrjen
– Krijimi i Zonave të Lira Ekonomike.
– Lehtësim në marrjen e kredive përmes garancive shtetërore.
– Reformë e thellë në inspektoriate dhe burokraci.
d) Burime financimi
– Rishpërndarje e buxhetit për investime publike produktive.
– Parandalimi i abuzimit me tendera dhe konsolidimi i borxhit publik.
Analizë krahasuese sipas treguesve kryesorë

 

Fusha PS PD
Tatim mbi të ardhurat Rritje e pragut të përjashtimit, sistem progresiv Tatim i sheshtë 9%
TVSH Mbajtje e normës aktuale Ulje në 12% për mallra bazë
Biznes i vogël Lehtësim tatimor dhe digjitalizim Heqje e tatimeve për xhiro nën një prag të ri
Formalizimi Politika të vazhdueshme për fiskalizimin Lehtësim i procedurave dhe reduktim inspektimesh
Subvencione Vazhdim i subvencioneve në bujqësi dhe turizëm Mbështetje për sektorë strategjikë dhe start-up
Investime publike Investime në infrastrukturë dhe sektorë socialë Investime në ekonomi reale dhe reduktim të shpenzimeve operative
Kosto financiare E llogaritur brenda kufijve aktualë buxhetorë Rishpërndarje e fondeve, me rrezik të mungesës së burimeve të qëndrueshme

Vlerësimi jonë i përgjithshëm i realizueshmërisë vëren se:

  • PS përpiqet të ruajë vazhdimësinë dhe të shmangë tronditje fiskale. Programi është më i kujdesshëm në aspektin e stabilitetit por ka mungesë risish transformuese.
  • PD sjell një qasje reformuese me taksa të ulëta, por pa sqaruar plotësisht koston buxhetore dhe burimet për kompensim – e cila mund të rrezikojë qëndrueshmërinë fiskale.

 

Në këto kushte është shumë me vend që për zgjedhjet e vitit 2025, analiza ekonomike duhet të ishte një instrument i pavarur, kritik dhe ndriçues që i shërben publikut për të kuptuar:

  • Kredibilitetin dhe realizueshmërinë e premtimeve elektorale
  • Ndikimin potencial në buxhet, taksa, dhe ekonomi reale
  • Efektet afatgjata dhe afatshkurtra për qytetarët dhe sipërmarrjen

Kur kjo analizë është profesionale dhe e pavarur, ajo do të vepronte si balancues ndaj propagandës politike dhe ndihmon qytetarët të votojnë të informuar.
Çfarë mund të bëhet?
a) Institucionalizimi i analizës së premtimeve elektorale përmes platformave publike, instituteve akademike, dhe organizatave të shoqërisë civile që publikojnë analiza me metodologji të qartë.
b) Edukimi i publikut për të dalluar “ekspertin” nga “analistin militant” përmes mediave edukative, transparencës mbi lidhjet politike, dhe qartësisë metodologjike në debat.
c) Përfshirja e universiteteve dhe akademikëve në debatin publik për të krijuar një standard profesional mbi të cilin duhet të bazohen komentet dhe vlerësimet elektorale.
d) Promovimi i një etike profesionale për analistët dhe ekspertët, në të cilën mendimi kritik të mos perceptohet si kundërshtim politik, por si kontribut në përmirësimin e qeverisjes.

Zgjedhjet, programet dhe analiza në Shqipëri në 2025
Procesi zgjedhor në Shqipëri vazhdon të dominohet nga konkurrenca politike e orientuar drejt perceptimeve, më shumë sesa nga ballafaqimi serioz i programeve dhe politikave publike. Në këtë kuadër, mund të nxirren disa përfundime thelbësore:
Edhe pse vit pas viti partitë politike kanë avancuar në strukturimin e programeve, ato shpesh mbeten në nivel deklarativ. Mungon kostoja e llogaritur, analizat e ndikimit dhe planifikimi realist për zbatim. Vlerësimi i ekspertëve tregon se shumë premtime janë të pjesshme, të paqartë ose jorealiste në afatin kohor të një mandati.
Institucionalizimi i një opozite që ndjek dhe monitoron në mënyrë të strukturuar politikat qeveritare përmes një strukturimi si një forcë serioze dhe që është gati të marrë përgjegjësi qeverisës do të rriste përgjegjësinë publike. Në Shqipëri, mungesa e këtij mekanizmi e dobëson kontrollin demokratik dhe lë një vakum në fushën e alternativës reale të qeverisjes.
Edhe pse PS promovon në programin e saj 2025 vazhdimësinë dhe stabilitetin, ndërsa PD ofron një qasje të bazuar në uljen e taksave dhe stimulimin e sipërmarrjes, duket se të dyja partitë nuk shkojnë përtej sloganeve, dhe mungojnë analizat e thella mbi ndikimin buxhetor, ekonomik dhe social të propozimeve të tyre.
Nevoja për një kontratë të re politike me qytetarin
Fakti që Shqipëria vijon të funksionojë me një cikël premtimesh të papërmbushura, e lë zgjedhësin të zhgënjyer dhe sistemin demokratik në stagnim. Programet elektorale nuk janë fletëpalosje marketingu; ato janë kontrata morale dhe funksionale mes qeverisë dhe shoqërisë. Mungesa e një kulture serioze të hartimit, matjes dhe realizimit të premtimeve bën që politika shqiptare të rrotullohet në një cikël retorik, ku “ndryshimi” është vetëm slogani i radhës, jo vullneti për transformim.
Çlirimi nga ky cikël kërkon një reformë institucionale në raportin mes partive, programit dhe qytetarëve, përfshirë detyrimin për relacion buxhetor, publikim treguesish matës dhe raportim periodik mbi zbatimin e angazhimeve.
Vetëm atëherë mund të kalojmë nga “fjalët pa llogari” tek “politika me përgjegjësi”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *