Faktorët që ndikojnë realizueshmërinë e premtimeve elektorale

10 Prill, 20250

Kualiteti i hartimit të një programi elektorale është një faktor kyç në mundësinë e realizimit të tij. Sa më i detajuar dhe i strukturuar të jetë një program, aq më i mundshëm është implementimi i tij në praktikë. Programet që nuk përmbajnë analiza të thella financiare, objektiva të matshëm, dhe detaje teknike për zbatimin janë më të vështira për t’u realizuar dhe shpesh përfundojnë si dokumente retorike.
Sfidat më të dneshura deri më sot përfshijnë problematika të mbartura, ku:

  • Premtimet shpesh janë të përgjithshme dhe të paqarta.
  • Mungesa e objektivave të qarta dhe të matshëm e bën vështirë vlerësimin e suksesit.

Nëse, programet e hartuara do të bazohen mbi indikatorë të matshëm dhe planifikim të qartë financiar ato kanë vlerën e shtuar për të siguruar një implementim më efikas dhe të mbështetur në realitet.
Zbatimi i një programi elektorale është ngushtësisht i lidhur me mbështetjen politike dhe shumicën parlamentare që ka qeveria. Një shumicë e brishtë mund të çojë në vështirësi në realizimin e premtimeve, pasi ka mundësi për ndryshime të papritura të qeverisë, ndryshime në prioritetet politike, dhe përçarje brenda koalicionit. Shpesh, kur opozita është shumë e fortë, mund të ketë kundërshti të forta që pengojnë realizimin e disa premtimeve.

Sfidat në këtë drejtim për periudhën pas zgjedhjeve të vitit 2025 duket se do të lidhen me:

  • Shumicat e brishta dhe përçarjet brenda partive, që ndikojnë direkt në programe.
  • Ndërhyrjet e opozitës që do të pengojnë realizimin e premtimeve.

Në këtë rast, përforcimi i koherencës politike dhe angazhimi i partive politike në proceset e dialogut për të siguruar një mbështetje të gjerë për planet e implementimit do të merrte një vlerë të shtuar në procesin politik të fushatës elektorale.
Shpesh programet hasin në rezistencë burokratike dhe paaftësi teknike për t’u zbatuar. Kjo ndodh kur administrata publike është e paaftë të menaxhojë projektet e mëdha, veçanërisht kur nuk ka një strukturë të duhur ose kapacitete të mjaftueshme për t’i realizuar ato si dhe një motivim të bazuar te besnikëria politike dhe nepotiste. Një administratë që nuk është e pajisur me kapacitete të mjaftueshme teknike dhe menaxheriale do të pengojë realizimin e objektivave të premtuara.

Sfidat do të vijojnë edhe pas vititi 2025 nëse konsiderojmë faktin se :

  • Administrata është e lodhur dhe e pamotivuar nëpërmjet meritokracisë.
  • Paaftësia teknike dhe mungesa e njohurive për të zbatuar projekte të mëdha do të vijojnë të mbizotërojnë.

Investimet në forcimin e kapaciteteve administrative, duke përfshirë trajnimin e stafit dhe përdorimin e teknikave moderne të menaxhimit dhe monitorimit, si dhe distacimin dhe shkëputjen e patronazhit politik janë këshillat e vlefshme në këtë drejtim.
Krizat ekonomike, siç është pandemia ose inflacioni global, si dhe lufta tarifore aktuale mund të ndikojnë ndjeshëm në realizimin e premtimeve elektorale. Kur ekonomia përballet me sfida të tilla, prioritetet e qeverisë duhet të ndryshojnë dhe ajo mund të largohet nga planet origjinale për të adresuar nevoja urgjente, si shpëtimi i ekonomisë dhe mbështetje për qytetarët.

Sfidat që do të duhet të konsiderohen janë direkte dhe përfshijnë:

  • Rritjen e papunësisë dhe varfërinë për arsye të problemeve strujturore ekonomike dhe politikave të gabuara për investimet.
  • Kosto të shtuar për mbështetje sociale dhe shëndetësore që duket se do të vijë në rritje.

Ne sugjerojmë se qoftë qeveria aktuale, po ashtu edhe opozita duhet të hartojnë analiza dhe skjenarë bazuar mbi to për përgatitjen për krizat dhe krijimi i një plani fleksibil të buxhetit që mund të adaptohet lehtësisht në varësi të situatës ekonomike.
Shqipëria, si pjesë e Bashkimit Europian dhe e organizatave ndërkombëtare, duhet të harmonizojë politikat e saj me rekomandimet e FMN, BE dhe institucioneve të tjera. Këto presione mund të kufizojnë lirinë e veprimit të qeverisë në realizimin e premtimeve elektorale dhe mund të krijojnë tensione mes politikave kombëtare dhe angazhimeve ndërkombëtare.

Sfidat që mbeten në vijimësi janë:

  • Ndikimi i rekomandimeve ndërkombëtare që mund të pengojnë disa reforma të brendshme.
  • Nevoja për të harmonizuar politikat e brendshme me kërkesat ndërkombëtare.

Edhe në këtë rast, duhet të synohen përpjekje për balancim mes interesave të brendshme dhe angazhimeve ndërkombëtare, duke krijuar një strategji afatgjatë që respekton të dyja palët.
Nga gjithë sa më lart, ne shikojmë me shqetësim situatën e faktit se në Shqipëri, ka një mungesë të mekanizmave institucionalë të rregullt për të monitoruar dhe audituar zbatimin e programeve elektorale nga partitë. Kjo mungesë vlerësimi i pavarur krijon hapësirë për mangësi në transparencë dhe llogaridhënie, duke e bërë më të vështirë vlerësimin e efektivitetit të politikave të realizuara.
Në këtë situtë, rrisku I madh është manipulimi i të dhënave dhe mungesa së transparencës.

Ne në ALTAX, tashmë kemi krijuar një indeks vjetor të realizueshmërisë, të bazuar në metodologji të dedikuar për vlerësimin e programeve electorale dhe që do ti shërbejnë edhe auditimit të programeve.
Faktorët që ndikojnë në realizueshmërinë e programeve elektorale janë shumëdimensionalë dhe kërkojnë një analizë të detajuar për të mundësuar një realizim efikas.
Mungesa e transparencës, kapacitetet administrative të pamjaftueshme dhe ndikimet ndërkombëtare janë disa nga barrierat kryesore që duhet të adresohen për të siguruar suksesin e politikave publike.
Ne mendojmë se hartimi i programeve me objektiva SMART(të jenë të specifikuar, të matshëm, të arritshëm, realistë, dhe me kohëzgjatje të qartë) si dhe angazhimi serioz dhe përfshirës i opozitës për auditimin e programit të saj, edhe kur është jashtë pushtetit, për të ruajtur koherencën me premtimet e dhëna merr një vlerë të veçantë në gjithë këtë panoramë politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *