
Centralizimi i Ujësjellësve dhe Mbetjeve, reforma që premtojnë, por nuk shpëtojnë
Në Shqipëri, çdo reformë e madhe shpallet si një kthesë historike. Kështu ndodhi edhe në vitin 2022, kur qeveria vendosi të shkrinte 58 operatorë lokalë të ujësjellës-kanalizimeve në 15 shoqëri rajonale.
Justifikimi ishte i qartë: humbjet e ujit ishin të papranueshme, shërbimi ishte i copëzuar dhe financat e operatorëve në prag falimentimi.
E njëjta logjikë po ndiqet sot edhe për menaxhimin e mbetjeve urbane, ku gjithnjë e më shumë po flitet për centralizim.
Por, a është kjo zgjidhja e vërtetë apo një mënyrë për të shtyrë problemet drejt së ardhmes, duke shmangur llogaridhënien e sotme?
Uji, një reformë me dy fytyra
Tre vite pas fillimit të centralizimit, pasqyra e sektorit të ujit tregon një kontrast të fortë. Nga njëra anë, treguesit financiarë flasin për sukses.
Sipas Entit Rregullator të Ujit, mbulimi i kostove të operimit dhe mirëmbajtjes u rrit nga 90.3% në vitin 2022 në 107.6% në vitin 2024. Kjo do të thotë se operatorët jo vetëm që mbuluan shpenzimet, por edhe arritën të krijojnë teprica.
Edhe normat e arkëtimit të të ardhurave u përmirësuan, duke kaluar objektivat e vendosura.
Në këtë aspekt, centralizimi duket se ka sjellë stabilitet financiar dhe një administrim më të disiplinuar.
Edhe në burimet njerëzore shifrat janë pozitive.
Numri i stafit për 1000 lidhje ra nga 4.73 në 2022 në 4.43 në 2024, duke treguar se rrjeti i centralizuar ka optimizuar punën.
Për më tepër, furnizimi me ujë është përmirësuar, nga 16.3 orë në ditë në 2022 në 17.44 orë në 2024, afër objektivit prej 18 orësh.
Por kjo është vetëm njëra fytyrë e medaljes. Në aspektin teknik dhe infrastrukturor, reforma mbetet thuajse e paralizuar. Humbjet e ujit, një nga plagët më të mëdha të sektorit, arritën në 61% në 2024, dy herë më shumë se objektivi prej 30%.
Mbulimi me kanalizime është rritur vetëm minimalisht, nga 54.2% në 2022 në 57% në 2024.
Ndërkohë, cilësia e shërbimit, matuar nga ankesat e qytetarëve, është përkeqësuar: nga 2.8% në 2022 në 4.64% në 2024. Konsumi energjetik për metër kub ujë është rritur, duke dëshmuar mungesë të eficencës teknike.
Këto shifra tregojnë një realitet të qartë: centralizimi ka disiplinuar financat, por nuk ka ndryshuar cilësinë e jetës së qytetarëve.
Mbetjet, një déjà-vu në horizont
Nëse kthejmë sytë nga menaxhimi i mbetjeve urbane, tabloja është edhe më shqetësuese.
Shqipëria riciklon më pak se 20% të mbetjeve, ndërsa mbi 60% përfundojnë në landfille pa trajtim.
Vetëm pak bashki arrijnë të mbledhin mbi 70% të mbetjeve të gjeneruara, ndërsa shumë zona rurale mbeten të pambuluara nga shërbimi.
Në vend të analizës së thellë mbi pse bashkitë nuk arrijnë të menaxhojnë këtë sektor, qeveria ka propozuar sërish të njëjtën recetë, atë të centralizimit.
Por pyetja që ngrihet është: a kemi për të parë të njëjtin skenar si me ujin?
Një përmirësim në financa dhe raporte, por pak ndryshim real në terren?
Centralizim apo dështim i decentralizimit?
Në teori, decentralizimi duhej të garantonte autonomi vendore, aftësi vendimmarrjeje dhe afrim të shërbimit me qytetarin.
Por realiteti tregoi dështim.
Bashkitë, shpesh me burime financiare dhe teknike të kufizuara nuk arritën të menaxhojnë si duhet ujësjellësit apo mbetjet.
Centralizimi, i justifikuar si “shpëtim” i shërbimeve, është në fakt një simptomë e një problemi më të thellë: mungesa e llogaridhënies dhe mungesa e kapaciteteve reale në nivel lokal.
Duke e marrë menaxhimin në dorë, qeveria jo vetëm shmang përballjen me problemin e kapaciteteve të dobëta vendore, por edhe e shtyn përgjegjësinë drejt së ardhmes, duke e fshehur nën shifra të përkohshme financiare.
Në këtë kuptim, centralizimi nuk është domosdoshmërisht një reformë për qytetarin, por një manovër politike për të mbajtur nën kontroll sektorë strategjikë, duke kufizuar transparencën dhe duke shmangur llogaridhënien publike.
Politika e shtyrjes së problemeve
Të dyja reformat, ujësjellësit dhe menaxhimi i mbetjeve kanë një ngjashmëri të madhe.
Ato synojnë të prodhojnë stabilitet financiar dhe të japin imazhin e suksesit, por nuk prekin rrënjët e problemit.
Humbjet e ujit nuk reduktohen thjesht duke bashkuar ndërmarrje.
Mbetjet nuk trajtohen më mirë vetëm se do të ketë një kompani më të madhe. Problemet e vërteta janë të natyrës strukturore, që do të thotë se ka mungesë investimesh serioze, teknologji të vjetruara, staf i patrajnuar dhe mbi të gjitha, mungesë e transparencës.
Në vend që të përballet me këto sfida, qeveria zgjedh të përdorë centralizimin si një mekanizëm për të treguar “sukses” në letra dhe raporte ndërkombëtare.
Por qytetarët, të cilët çdo ditë përballen me ndërprerje uji, me tarifa më të larta dhe me rrugë të mbushura me mbetje, nuk ndjejnë të njëjtin sukses.
Reforma e ujësjellësve e tregoi qartë, se centralizimi prodhon rezultate të shpejta financiare, por nuk është një zgjidhje magjike për sfidat teknike dhe sociale. Nëse e njëjta qasje zbatohet edhe në menaxhimin e mbetjeve, rrezikojmë të përsërisim të njëjtën histori, një reformë që shitet si sukses, por që nuk përkthehet në përmirësim real për qytetarët.
Prandaj pyetja thelbësore nuk është më nëse duhet centralizim apo decentralizim. Pyetja është, a ka vullnet politik për të përballur problemet reale, me mungesën e investimeve, mungesën e llogaridhënies dhe paaftësinë për të ndërtuar kapacitete në nivel lokal?
Pa përgjigje për këtë pyetje, çdo reformë, sado e madhe të jetë, mbetet një fletë e bardhë me shifra, por me pak vlerë në jetën e përditshme të qytetarëve.
