
Nëse dikur decentralizimi dhe forcimi i pushtetit vendor përmendeshin si themel i një shteti funksional dhe afër qytetarit, sot në shumë bashki të Shqipërisë kjo ide është degraduar në një mekanizëm të shfrenuar të keqmenaxhimit dhe abuzimit me fondet publike. Ajo që duhej të ishte qeverisje më e afërt është shndërruar në një stacion kontrolli klientelist, ku tenderët nuk janë më mjet zhvillimi, por burim pasurimi për një pakicë të lidhur me pushtetin lokal.
Në vend që të përfaqësojë një model të afërt dhe efikas të qeverisjes, pushteti vendor në Shqipëri po përballet gjithnjë e më shumë me akuza të justifikuara për keqmenaxhim dhe abuzim me fondet publike.
Një nga simptomat më të dukshme të kësaj krize është mënyra se si bashkitë po përdorin sistemin e prokurimeve publike, një mekanizëm që në teori duhet të përmirësojë infrastrukturën dhe jetën e qytetarëve, por që në praktikë është kthyer në një mjet të kontrolluar për shpërndarje fondesh me kritere klienteliste dhe qëllime të dyshimta.
Një sistem që e ka humbur drejtimin
Shifrat dhe rastet konkrete janë alarmante. Sipas të dhënave dhe analizave të ALTAX, vetëm gjatë vitit 2023, një sërë bashkish me buxhete të kufizuara kanë shpallur tendera për projekte që nuk korrespondojnë aspak me nevojat prioritare të qytetarëve. Në shumë raste, procedurat janë zhvilluar me vetëm një ofertues, gjithmonë i lidhur me rrethin politik apo klientelist të drejtuesit vendor dhe me vlerë të dyshimtë, tej realitetit të tregut.
Kriteret janë shpesh të personalizuara dhe të dizajnuara për të përjashtuar konkurrencën. Proceset janë jo transparente, ndërsa monitorimi institucional është minimal. Investimet në rrugë dytësore, rikonstruksione luksoze dhe projekte pa efekt të matshëm socio-ekonomik janë shndërruar në normë, ndërkohë që mungojnë ende investimet themelore si kanalizime funksionale, menaxhim i mbetjeve urbane apo ndriçim rrugor në zona të banuara.
Nga keqmenaxhimi në kolaps financiar
Kjo sjellje e përhapur nuk është vetëm e dëmshme moralisht është rrënjësisht e rrezikshme financiarisht. Pothuajse 30% e bashkive shqiptare rezultojnë në deficit operacional, ndërsa rritja e detyrimeve të prapambetura është kthyer në trend. Pjesa më e madhe e këtyre detyrimeve lidhen me kontrata të fryra, pagesa të vonuara dhe mungesë planifikimi real.
Në vend të investimeve me efekt shumëfishues në zhvillim, paratë shkojnë për fasada, asfaltime të njëpasnjëshme të të njëjtës rrugë dhe bile edhe për shpenzime pa justifikim ekonomik. E gjithë kjo përkthehet në borxh të fshehur, që në fund kthehet në barrë për buxhetin e shtetit dhe taksapaguesin. Është një formë e re, e butë por e rrezikshme e falimentimit institucional.
Sistemi i Prokurimit Vendor – Nga mjet zhvillimi në skemë abuzimi
Në vend që të jenë të strukturuara për të nxitur konkurrencën dhe efikasitetin, procedurat e prokurimeve publike në nivel lokal shpesh hartohen në mënyrë që të kufizojnë pjesëmarrjen reale të operatorëve të pavarur ekonomikë. Kjo ndodh përmes:
– Specifikimeve të dizajnuara për një ofertues të paracaktuar;
– Kriterëve teknikë diskriminues;
– Mungesës së transparencës në procesin e vlerësimit dhe dhënies së kontratës.
Rrjedhimisht, kemi një sistem ku një numër i kufizuar kompanish, shpesh të lidhura me pushtetin lokal fitojnë pjesën dërrmuese të tenderave, duke zhbërë çdo nocion të eficiencës ekonomike.
Investime jo prioritare dhe me ndikim të ulët
Një analizë e shpërndarjes së shpenzimeve kapitale tregon një prirje drejt projekteve luksoze, të cilat nuk pasqyrojnë nevojat thelbësore të qytetarëve. Ndërkohë që mungojnë investimet në:
– Përmirësimin e infrastrukturës ujësjellës-kanalizime,
– Rindërtimin e shkollave apo rrugëve rurale,
– Përmirësimin e shërbimeve sociale.
shohim ndërtim pedonalesh, ndriçim dekorativ, apo skema që përfshijnë kosto të fryra dhe afate të tejzgjatura pa impakt të matshëm.
Humbja e besimit: një dëm më i madh se çdo faturë
Ky sistem i deformuar nuk ndikon vetëm në ekonominë lokale, por shkakton një plagë të thellë sociale, humbjen e besimit të qytetarit te pushteti vendor. Kur njerëzit shohin që paratë e taksave të tyre përdoren për interesa klienteliste, pjesëmarrja bie, mosbesimi rritet dhe demokracia lokale zbehet. Këshillat bashkiakë, të dobët në rol dhe të varur nga kryetari nuk përfaqësojnë më qytetarët, por bëhen dekor formal i një pushteti të paekuilibruar.
Në këtë kontekst, shqetësimi nuk është më vetëm për një tender apo një bashki. Bëhet fjalë për një model të tërë qeverisjeje që po dështojnë, një sistem që e ka zëvendësuar llogaridhënien me propagandën dhe transparencën me errësirën administrative.
Pasojat e keqmenaxhimit financiar, nga borxhet te rrënimi i besimit qytetar
Bashkitë me administrim të dobët janë futur në një cikël të rrezikshëm të detyrimeve të pashlyera.
Gjetjet e ALTAX tregojnë:
– Rritje të borxhit të fshehur përmes kontratave të papaguara me operatorët ekonomikë;
– Pagesa të vonuara dhe penalitete që rëndojnë buxhetet e ardhshme;
– Mbështetje e sforcuar nga qeveria qendrore, që në thelb cënon autonominë vendore dhe deformon parimin e decentralizimit fiskal.
Për shkak të mungesës së planifikimit strategjik dhe prioritizimit të dobët, një pjesë e mirë e investimeve rezultojnë me efekt minimal ose negativ mbi zhvillimin ekonomik vendor.
Këto përfshijnë:
– Programe infrastrukturore që përfundohen pjesërisht ose mbeten të papërdorshme;
– Kosto për mirëmbajtje që tejkalojnë kapacitetin operativ të bashkive;
– Transferim i kostove të dështimit te qytetari përmes tarifave më të larta.
Nëse qytetarët nuk shohin përfitim konkret nga taksat që paguajnë, atëherë ndodh një shkëputje e thellë nga proceset vendimmarrëse.
Simptoma të kësaj përfshijnë:
– Ulje të pjesëmarrjes në konsultime publike;
– Dëshpërim ndaj funksionit të këshillave bashkiakë, të cilët shpesh janë të paefektshëm për shkak të mungesës së të dhënave dhe burimeve teknike;
– Rritje të perceptimit të korrupsionit dhe klientelizmit, me pasoja për stabilitetin politik dhe social lokal.
Çfarë duhet bërë?
Situata aktuale në bashkitë shqiptare kërkon jo vetëm denoncim publik, por veprim konkret dhe të shumëanshëm. Zgjidhjet nuk mund të jenë thjesht teknike, ato duhet të jenë strukturore, të qëndrueshme dhe të bazuara në vullnet politik e angazhim qytetar.
Tre drejtime themelore janë të domosdoshme:
– auditim dhe kontroll i përforcuar,
– transparencë dhe digjitalizim, si dhe
– fuqizim institucional dhe ndëshkueshmëri reale.
Së pari, auditimi dhe kontrolli i përforcuar. Përballë një qeverisjeje që në shumë raste ka dalë jashtë kontrollit, auditimi i pavarur dhe proaktiv është armë themelore për të frenuar abuzimin:
– Rritja e frekuencës dhe cilësisë së auditimeve të performancës, auditimet aktuale janë të rralla dhe më së shumti formale. Duhet të fokusohemi në vlerësimin e ndikimit të projekteve, jo vetëm në rregullsinë procedurale.
– Identifikimi i bashkive me risk të lartë për ndërhyrje të menjëhershme përmes indikatorëve të menaxhimit financiar dhe performancës së kontraktimeve, KLSH, Ministria e Financave dhe organizatat e pavarura duhet të ndërtojnë një hartë risku të bashkive.
– Ndërtimi i kapaciteteve për analiza krahasuese ndërbashkiake – vetëm përmes benchmarking të vazhdueshëm mund të dallohen modelet e suksesshme nga ato të dështuara.
Së dyti, transparenca digjitale dhe aksesi publik. Kur të gjithë arrijnë të shohin, atëherë abuzimi zbehet.
Transparenca është forma më e fuqishme e kontrollit publik. Ajo duhet të kalojë nga retorika në infrastrukturë konkrete digjitale:
– Krijimi i një platforme të përbashkët të tenderave vendorë, të hapur për qytetarët, audituesit dhe mediat, ku çdo fazë e kontraktimit të jetë e gjurmueshme në kohë reale.
– Publikimi i dokumenteve të planifikimit, kontratave dhe ekzekutimit, me të dhëna të hapura (open data) dhe të aksesueshme, duke reduktuar hapësirat për klientelizëm të fshehtë.
– Përfshirja aktive e gazetarisë investigative dhe shoqërisë civile në monitorim, jo si spektatorë, por si partnerë me rol parandalues.
Së treti, fuqizimi më tej i Këshillave Bashkiakë dhe ndëshkueshmëria, si kundërpeshë reale ndaj pushtetit të Kryetarit të Bashkisë.
Një pushtet vendor pa kontroll të brendshëm institucional është i dënuar të abuzojë. Këshillat bashkiakë duhet të kthehen në shtyllë mbikëqyrëse, jo në figurantë:
– Garantimi i aksesit të plotë në informacion për këshilltarët vendorë dhe trajnimi i tyre për të kuptuar kontratat, buxhetin dhe ndikimin financiar të vendimeve.
– Vendosja e standardeve etike dhe mekanizmave të llogaridhënies, përfshirë publikimin e pasurive dhe konfliktit të interesit për drejtuesit vendorë.
– Ndëshkime ligjore, politike dhe morale për çdo rast të abuzimit të zbuluar me një qasje që nuk lejon që “gjithçka të harrohet pas zgjedhjeve”.
Në fund, ndërtimi i një kulture të re llogaridhënieje nuk vjen përmes një ligji të vetëm apo një platforme teknologjike. Ajo kërkon angazhim të qëndrueshëm institucional, presion qytetar dhe lidership me integritet. Vetëm atëherë pushteti vendor mund të shndërrohet nga “problem kombëtar” në motor të zhvillimit lokal. Kjo analizë nuk është një akt akuze për të sotmen politike, por një thirrje për ndryshim.
Qeverisja vendore nuk është pronë e një njeriu, partie apo grupi interesash. Ajo është e qytetarëve, e fëmijëve tanë, e shpresës për zhvillim dhe dinjitet lokal.
Çdo tender i manipuluar, çdo kontratë e panevojshme dhe çdo abuzim me paratë publike nuk është thjesht një shkelje financiare është një tradhti ndaj qytetarit dhe të ardhmes së tij.
Është koha që kjo të ndalojë.
Vetëm përmes transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes qytetare, mund të rikthejmë besimin dhe të ndërtojmë një pushtet vendor që zhvillon, jo që konsumon.
