
Çfarë na tregon gjuha e pushtetit për mënyrën se si funksionon qeverisja?
Largimi i Besfort Lamallarit nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme nuk është interesant vetëm si një ndryshim në kabinetin qeveritar. Interesant është mënyra se si u shpjegua politikisht ky ndryshim dhe mbi të gjitha, gjuha që u përdor për të përshkruar marrëdhënien mes kryeministrit dhe ministrit.
Lamallari, në fjalën e tij të largimit, foli për përpjekjen gjatë dhjetë viteve për të mos e zhgënjyer kryeministrin. Rama, nga ana tjetër, e vlerësoi duke thënë se jo vetëm nuk e kishte zhgënjyer, por kishte bërë punën me integritet. Largimi nga Ministria e Brendshme u paraqit si një lëvizje brenda “skuadrës” së qeverisë, me kalimin e tij në ekipin e Kryeministrisë.
E parë si shprehje, kjo është një formulë normale e komunikimit politik. Por nëse fjala “zhgënjim” merret si një koncept i qeverisjes dhe jo thjesht si një shprehje njerëzore, ajo hap një dritare shumë më të thellë mbi mënyrën se si ndërtohet dhe funksionon pushteti.
Një ministër, në një demokraci nuk është i ngarkuar mbi të gjitha të mos zhgënjejë kryeministrin. Ai është i ngarkuar të mos zhgënjejë ligjin, detyrën, programin dhe qytetarin.
Këtu fillon dallimi.
Zhgënjimi është personal. Përgjegjësia është institucionale.
Të zhgënjesh dikë është një marrëdhënie e natyrshme njerëzore. Një person ka pritshmëri ndaj një personi tjetër dhe vlerëson nëse ato pritshmëri janë përmbushur.
Por shteti nuk funksionon mbi marrëdhënie personale.
Ministri nuk është administrator i pritshmërive personale të kryeministrit. Ai është mbajtës i një funksioni publik të përcaktuar nga ligji, i ngarkuar me zbatimin e politikave të qeverisë dhe i ekspozuar ndaj kontrollit parlamentar, institucional dhe qytetar.
Prandaj edhe standardi i vlerësimit duhet të jetë tjetër.
Në një marrëdhënie personale dominon besimi.
Në një marrëdhënie institucionale dominon përgjegjësia.
Në marrëdhënien personale mjafton të thuhet: “Nuk më zhgënjeve.”
Në marrëdhënien publike kjo nuk mjafton. Aty duhet të shihet nëse ligji u respektua, detyra u përmbush, programi u realizua, burimet publike u përdorën me përgjegjësi dhe qytetarët morën atë që shteti u premtoi.
Kjo është arsyeja pse fjala “zhgënjim”, kur përdoret si standard politik për vlerësimin e një ministri, mund të jetë shumë më domethënëse sesa duket.
Ajo tregon se ku vendoset pika e referimit të përgjegjësisë.
Nëse pika e referimit është kryeministri, kemi një marrëdhënie vertikale besnikërie.
Nëse pika e referimit është ligji, detyra dhe qytetari kemi një marrëdhënie institucionale llogaridhënieje.
Në fakt ne presim që qasja të ishte nga “mos më zhgënje mua” te “mos zhgënje detyrën”.
Por, ky është pikërisht ndryshimi që ndan dy modele qeverisjeje.
Në modelin e parë, kryeministri është qendra politike e sistemit. Ai emëron, ai krijon besimin, ai vlerëson performancën dhe ai vendos kur një anëtar i ekipit duhet të lëvizë në një tjetër pozicion.
Në modelin e dytë, kryeministri mbetet drejtues politik, por ministri është pjesë e një strukture institucionale ku përgjegjësia nuk përfundon te marrëdhënia personale me kryeministrin.
Kjo nuk do të thotë se një kryeministër nuk duhet të ketë besim te ministrat e tij. Përkundrazi, një qeveri nuk mund të funksionojë pa besim politik.
Por besimi është kusht për bashkëpunim; nuk është kriter i mjaftueshëm për llogaridhënie.
Një ministër mund të ketë besimin e plotë të kryeministrit dhe përsëri të duhet të përgjigjet për rezultatet e tij përballë parlamentit dhe qytetarëve.
Në të njëjtën mënyrë, një ministër mund të mos ketë më besimin politik të kryeministrit dhe kjo nuk do të thotë automatikisht se ka dështuar institucionalisht.
Këto janë dy dimensione të ndryshme dhe nëse do ishim në një demokraci të konsoliduar nuk do të ngatërroheshin as dimensionet.
Ajo që kërkojmë si qytetarë është se performanca duhet të matet përpara se të flitet për zhgënjim.
Këtu rasti i Ministrisë së Brendshme sjell një dimension konkret.
Besfort Lamallari mori drejtimin e Ministrisë së Brendshme në mars 2026 dhe u largua nga posti më 11 shtator 2026. Për këtë arsye, raporti vjetor 2025 nuk mund të përdoret si bilanc personal i mandatit të tij. Ai është pika më e afërt dhe më e plotë e referimit institucional përpara marrjes së detyrës. Në momentin e largimit të tij ende nuk ekziston një raport vjetor 2026 që të lejojë një krahasim përfundimtar “para dhe pas”.
Por pikërisht ky kufizim metodologjik e bën më të rëndësishëm dallimin mes vlerësimit politik dhe matjes së performancës.
Në vitin 2025, sistemi raportoi 38,345 vepra penale, rreth 17.4% më shumë se një vit më parë, ndërsa shkalla e zbulimit të autorëve ishte 94.8%. Në të njëjtën kohë, pati rritje të hetimeve proaktive dhe operacioneve kundër krimit të organizuar, por grupet kriminale të goditura ranë me 28%. Krimi kibernetik u rrit me 8.1%, rastet e dhunës në familje të referuara në prokurori me 8%, ndërsa aksidentet rrugore ranë 17%, por viktimat nga aksidentet u rritën 12%.
Pra, vetë të dhënat tregojnë një realitet më kompleks se një formulë e thjeshtë suksesi ose dështimi: kapaciteti operativ i policisë është rritur në disa drejtime, por kjo nuk është përkthyer automatikisht në ulje të të gjitha formave të kriminalitetit dhe të rrezikut shoqëror.
Ky është pikërisht dallimi që një analizë serioze e performancës duhet të ruajë. Nuk është e drejtë t’ia atribuosh Lamallarit rezultatet e vitit 2025, por as nuk është e mjaftueshme që integriteti personal dhe besimi i kryeministrit të përdoren si zëvendësim për një bilanc të matshëm të institucionit.
Problemi i sigurisë nuk përfundon te statistika e veprave penale. Ai kalon në ekonomi.
Analiza e ALTAX e vendos koston e mosveprimit ndaj këtij dimensioni në një tjetër shkallë, duke vlerësuar një humbje të pritshme kumulative rreth 923 milionë euro dhe duke argumentuar se kostoja ekonomike e pasigurisë prek investimet, aktivitetin ekonomik, turizmin, produktivitetin dhe besimin.
Kështu, “nuk më ke zhgënjyer” mund të jetë një vlerësim politik i marrëdhënies Rama–Lamallari. Por nuk mund të jetë, në vetvete, bilanc i performancës së Ministrisë së Brendshme.
Ky është thelbi.
Integriteti personal mund të jetë kriter i domosdoshëm për një zyrtar, por nuk është matës i mjaftueshëm i efektivitetit të një institucioni.
Metafora e “skuadrës” nga ana tjetër është përdorur fuqimisht në aspektin politik, duke e bërë qeverinë të kuptueshme si një grup njerëzish që luajnë së bashku nën drejtimin e një trajneri.
Por shteti nuk është futboll.
Në një skuadër sportive, trajneri mund të zëvendësojë një lojtar sepse mendon se skema kërkon një profil tjetër. Zëvendësimi nuk kërkon domosdoshmërisht një raport publik mbi performancën e lojtarit të larguar.
Në shtet është ndryshe.
Një ministër administron kompetenca publike, institucione, buxhete dhe politika që ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët.
Prandaj, kur një ministër largohet, demokracia funksionale kërkon që ndryshimi të shoqërohet me një logjikë institucionale: cilat objektiva u realizuan, cilat nuk u realizuan, çfarë ndryshon me drejtuesin e ri dhe cilat janë pritshmëritë e matshme për periudhën e ardhshme.
Përndryshe, “lëvizja e skuadrës” mund të shpjegojë shumë mirë mekanikën e pushtetit, por shumë pak performancën e shtetit.
Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku.
Kur shteti përshkruhet vazhdimisht me gjuhën e skuadrës, ministrat mund të fillojnë ta perceptojnë veten më shumë si pjesëtarë të një ekipi politik sesa si mbajtës të një detyre publike.
Nga këtu mund të ndërtohet një model i tërë.
Fillimisht krijohet besimi personal. Besimi prodhon emërimin. Emërimi krijon varësinë politike. Më pas performanca interpretohet përmes marrëdhënies me drejtuesin. Në fund vjen rotacioni, zhvendosja ose shpërblimi.
Në këtë sistem, edhe largimi nga një post nuk është domosdoshmërisht ndëshkim. Mund të jetë thjesht një zhvendosje brenda të njëjtës arkitekturë politike.
Rasti i Lamallarit e bën këtë mekanizëm veçanërisht të dukshëm, sepse largimi nga Ministria e Brendshme nuk u shoqërua me deklarim të humbjes së besimit. Përkundrazi, Rama tha se Lamallari kishte bërë punën me integritet dhe e transferoi në ekipin e Kryeministrisë, duke i dhënë një rol të ri.
Kështu krijohet një formulë ku, largimi nuk do të thotë domosdoshmërisht dështim, ndërsa besimi nuk do të thotë domosdoshmërisht sukses.
Kjo është arsyeja pse demokracia ka nevojë për mekanizma të tjerë përtej besimit personal.
Një qeverisje e hapur e ka të përcaktuar në mënyrë të nënkuptuar objektin e zhgënjimit.
Në radhë të parë është ligji. Një zyrtar publik e ka detyrimin të veprojë brenda kufijve të tij. Kur kjo marrëdhënie prishet, kemi një problem të integritetit institucional dhe, në raste të caktuara, të përgjegjësisë ligjore.
Më pas është detyra. Një funksion publik nuk ekziston për dekor politik. Ai ka kompetenca, përgjegjësi dhe rezultate që duhet të realizohen. Kur këto nuk përmbushen, kemi dështim administrativ.
Pastaj vjen programi. Qeveria kërkon mandat mbi bazën e një programi. Programi është kontrata politike me votuesin. Nëse objektivat nuk realizohen, përgjegjësia nuk mund të reduktohet te marrëdhënia personale mes kryeministrit dhe ministrit.
Dhe në fund është qytetari.
Ky është dimensioni që i jep kuptim të gjithë të tjerëve.
Ligji ekziston për publikun. Detyra publike ekziston për publikun. Programi qeverisës financohet dhe legjitimohet nga publiku. Institucionet ekzistojnë për t’i shërbyer publikut.
Prandaj qytetari është destinacioni final i llogaridhënies.
Në këtë kuptim, ministri që nuk e ka zhgënjyer kryeministrin mund të jetë ende një ministër që ka zhgënjyer qytetarin. Dhe anasjelltas, një ministër mund të humbasë besimin politik të kryeministrit pa qenë domosdoshmërisht një ministër i dështuar në raport me detyrën e tij.
Demokracia e hapur nuk e eliminon besimin. E kufizon atë.
Kjo është ndoshta pika më e rëndësishme.
Demokracia nuk ndërtohet mbi idenë se politikanët nuk duhet t’i besojnë njëri-tjetrit. Ajo ndërtohet mbi idenë se asnjë besim personal nuk duhet të jetë më i fortë se mekanizmi institucional i kontrollit.
Në standardin e qeverisjes së hapur, llogaridhënia nënkupton që qeveria duhet t’u japë qytetarëve informacion dhe shpjegim për vendimet, veprimtarinë dhe performancën e saj, ndërsa qytetarët duhet të kenë mundësi ta kontrollojnë dhe ta vlerësojnë atë.
Kryeministri duhet të ketë të drejtën të zgjedhë ministrin që beson.
Por qytetari duhet të ketë të drejtën të dijë se çfarë ka bërë ministri.
Kryeministri duhet të ketë të drejtën ta ndryshojë ekipin.
Por parlamenti dhe publiku duhet të kenë mundësinë të vlerësojnë rezultatet e ekipit.
Kryeministri mund të thotë “nuk më zhgënjeu”.
Por kjo nuk e mbyll çështjen e përgjegjësisë publike.
Sepse besimi i kryeministrit është politik; besimi i qytetarit është demokratik.
I pari mund të prodhojë një emërim.
I dyti prodhon legjitimitet.
Në fund, problemi nuk është Lamallari
Analiza POLIFAKT nuk ka pse të vendosë nëse Besfort Lamallari ka qenë ministër i mirë apo i keq. As nuk mund ta nxjerrë këtë përfundim vetëm nga mënyra se si u bë ndryshimi.
Ajo që mund të analizohet është mekanizmi i gjuhës së pushtetit.
Kur suksesi shpjegohet me faktin se ministri “nuk e ka zhgënjyer” kryeministrin, ndërsa ndryshimi i postit shpjegohet si “lëvizje në skuadër”, kemi një mënyrë të caktuar të përkufizimit të marrëdhënies politike.
Kjo marrëdhënie vendos në qendër besimin e liderit.
Demokracia e hapur kërkon diçka më shumë, që lidhet me matjen e performancës së institucionit.
Rasti i Ministrisë së Brendshme e bën të dukshëm këtë hendek. Të dhënat zyrtare tregojnë njëkohësisht rritje të kapacitetit operacional dhe probleme të matshme në disa rezultate të sigurisë. Ndërsa analiza ekonomike e ALTAX tregon se kostoja e pasigurisë nuk është vetëm sociale apo policore, por mund të shndërrohet në një kosto të konsiderueshme për ekonominë.
Prandaj fjala “zhgënjim” bëhet një instrument interesant për të lexuar cilësinë e qeverisjes.
Në një demokraci të pjekur, një ministër nuk duhet të jetë thjesht ai që nuk e zhgënjen kryeministrin.
Ai duhet të jetë ai që nuk e zhgënjen ligjin, nuk e zhgënjen detyrën, nuk e zhgënjen programin dhe, mbi të gjitha, nuk e zhgënjen qytetarin.
Sepse kryeministri mund të ndryshojë ministrin.
Por qytetari nuk mund të ndryshojë aq lehtë pasojat e një qeverisjeje të keqe.
