
Debati mbi arritjet ekonomike të Shqipërisë shpesh reduktohet në pretendimin se rezultatet ekonomike janë kryesisht produkt i qeverisë dhe reformave të saj. Një vlerësim ekonomik serioz kërkon një ndarje shumë më të qartë midis asaj që prodhohet nga dinamika e sektorit privat dhe asaj që krijohet nga politikat publike. Vetëm mbi këtë bazë mund të gjykohet drejt pesha reale e qeverisjes në zhvillimin ekonomik.
Në çdo ekonomi tregu, pasuria nuk krijohet nga shteti. Ajo krijohet nga sipërmarrësit, bizneset, investitorët, punëmarrësit dhe konsumatorët.
Shteti nuk është prodhuesi i drejtpërdrejtë i vlerës ekonomike, por krijuesi i kuadrit ku kjo vlerë mund të zhvillohet ose të kufizohet.
Roli i tij është të ndërtojë institucione funksionale, të garantojë sigurinë juridike, të vendosë rregulla të barabarta loje dhe të krijojë një mjedis ku kapitali, puna dhe inovacioni të zhvillohen në kushte të ndershme konkurrence.
Për këtë arsye nuk duhet ngatërruar rritja ekonomike me suksesin e qeverisjes.
Një ekonomi mund të rritet edhe në kushtet kur reformat institucionale janë të paplota, sepse rritja mund të vijë nga energjia e sektorit privat, nga faktorë ndërkombëtarë, nga pozicioni gjeografik, nga flukset financiare apo nga ndryshimet në sjelljen e konsumatorëve.
Në të njëjtën mënyrë, një ekonomi mund të mos arrijë potencialin e saj të plotë edhe kur treguesit makroekonomikë duken pozitivë, nëse mungojnë institucionet që rrisin produktivitetin dhe konkurrueshmërinë.
Në rastin e Shqipërisë, motori kryesor i zhvillimit të viteve të fundit ka qenë sektori privat dhe ndërveprimi i tij me ekonominë globale.
Rritja e turizmit është mbështetur kryesisht nga investimet private në akomodim, shërbime, transport dhe struktura turistike. Investimet vendase janë rezultat i vendimmarrjes së sipërmarrjeve shqiptare dhe i kapitalit privat.
Investimet e huaja janë orientuar nga mundësitë ekonomike, pozicioni i Shqipërisë, kostot e tregut dhe pritshmëritë e investitorëve.
Remitancat janë rezultat i punës dhe kontributit të emigrantëve shqiptarë jashtë vendit.
Në këtë kontekst është e rëndësishme të bëhet dallimi midis flukseve ekonomike dhe krijimit të pasurisë së qëndrueshme.
Rritja e të ardhurave nga turizmi, hyrjet valutore nga vizitorët e huaj, investimet e huaja direkte, përfshirë fitimet e riinvestuara, si dhe remitancat janë tregues të rëndësishëm të aktivitetit ekonomik, por nuk përbëjnë automatikisht pasuri të krijuar.
Ato janë flukse që kalojnë përmes ekonomisë dhe vlera e tyre reale varet nga aftësia e vendit për t’i transformuar në kapital prodhues, teknologji, aftësi njerëzore, industri konkurruese dhe rritje të produktivitetit.
Nëse çdo fluks financiar do të ishte njësoj me krijim të drejtpërdrejtë pasurie, atëherë çdo ekonomi që përfiton nga turizmi masiv, remitancat apo kapitali i huaj do të arrinte automatikisht zhvillimin maksimal. Por përvoja ndërkombëtare tregon se ndryshimi midis vendeve nuk qëndron vetëm te madhësia e parave që hyjnë në ekonomi, por te aftësia institucionale për t’i kthyer ato në kapacitete të reja prodhuese.
Një ekonomi e zhvilluar nuk matet vetëm me sasinë e valutës që qarkullon, por me aftësinë për ta kthyer atë në produktivitet, paga më të larta, eksporte konkurruese dhe mirëqenie afatgjatë.
Edhe pjesa dërrmuese e të ardhurave buxhetore krijohet nga aktiviteti ekonomik privat. Kjo do të thotë se shteti administron burimet e krijuara nga ekonomia, por nuk është burimi kryesor i krijimit të tyre.
Prandaj suksesi i një qeverie nuk duhet të matet vetëm nga rritja e të ardhurave fiskale apo nga zgjerimi i shpenzimeve publike, por nga mënyra se si këto burime kthehen në faktorë që rrisin potencialin ekonomik të vendit.
Kjo nuk nënkupton se qeveria nuk ka rol.
Përkundrazi roli i saj është vendimtar, por matet me një standard tjetër.
Ky standart nuk bazohet thjesht te statistika nëse ekonomia është rritur, por nëse politikat publike kanë krijuar kushtet që kjo rritje të ishte më e lartë, më produktive, më konkurruese dhe më gjithëpërfshirëse sesa do të ishte në mungesë të tyre.
Pikërisht këtu analiza bëhet më kritike. Pavarësisht progresit në disa reforma administrative dhe në dixhitalizimin e shërbimeve publike, ekonomia jonë vazhdon të ketë dobësi strukturore që kufizojnë potencialin e saj ekonomik.
Produktiviteti mbetet i ulët krahasuar me ekonomitë e Bashkimit Evropian dhe me disa vende të rajonit. Ekonomia vazhdon të mbështetet ndjeshëm te shërbimet, ndërtimi dhe sektorët me vlerë të shtuar relativisht të kufizuar, ndërsa industria konkurruese, inovacioni, kërkimi dhe zhvillimi teknologjik mbeten ende të pamjaftueshme.
Një nga testet më të rëndësishme të qeverisjes është aftësia për të garantuar barazinë e mundësive.
Një ekonomi konkurruese kërkon që çdo biznes, pavarësisht madhësisë, historikut apo lidhjeve të tij, të ketë akses të barabartë në treg, në financim, në kontrata publike, në informacion dhe në përdorimin e burimeve ekonomike.
Mirëpo, kur konkurrenca nuk zhvillohet mbi rregulla të njëjta, ekonomia humbet eficiencë, investimet nuk orientohen domosdoshmërisht drejt projekteve më produktive dhe sipërmarrja humbet besimin te drejtësia e tregut.
Në këtë drejtim, një nga sfidat kryesore të qeverisjes mbetet administrimi i burimeve publike dhe natyrore. Buxheti i shtetit duhet të shërbejë si instrument për krijimin e kapaciteteve afatgjata për të gjithë ekonominë për arsim më cilësor, shëndetësi funksionale, drejtësi efektive, infrastrukturë moderne, teknologji dhe kapital njerëzor. Po kështu, pasuritë natyrore, asetet publike dhe hapësirat ekonomike duhet të menaxhohen me transparencë dhe konkurrencë, në mënyrë që përfitimi i tyre të jetë sa më i gjerë dhe jo i përqendruar te pak aktorë.
Raportet e ALTAX mbi fizibilitetin e objektivave të sotme dhe të ardhshme qeverisëse kanë evidentuar se sfida e Shqipërisë nuk është vetëm ruajtja e ritmeve aktuale të rritjes, por transformimi i modelit ekonomik. Kjo kërkon kalimin nga një ekonomi e mbështetur kryesisht në konsum, pasuri të paluajtshme, turizëm dhe flukse të jashtme, drejt një ekonomie me produktivitet më të lartë, me eksporte më konkurruese, me kapital njerëzor më të zhvilluar dhe me institucione që garantojnë mundësi të barabarta.
Prandaj një vlerësim objektiv nuk duhet të tregojë vetëm nëse ekonomia është rritur, por pse është rritur dhe nëse qeverisja ka krijuar kushtet që kjo ekonomi të arrijë potencialin e saj të plotë.
Në fakt duhet të na pranojë se sektori privat ka qenë motori kryesor i krijimit të vlerës dhe merita kryesore për këtë i takon sipërmarrjes dhe qytetarëve që kanë investuar dhe kanë punuar duke marrë përsipër shumicën e rriskut ekonomik.
Qeveria duhet të gjykohet mbi një standard tjetër që matet me cilësinë e institucioneve që ka ndërtuar me aftësinë për të garantuar konkurrencë të ndershme, me administrimin transparent të burimeve publike dhe natyrore dhe me krijimin e një ekonomie ku suksesi përcaktohet nga produktiviteti, inovacioni dhe iniciativa, jo nga privilegji apo akseset e veçanta. Nëse vërtet ja ka dalë me këto më lart, atëherë mund të flasë për një sukses të mirëfilltë të qeverisje. Deri atëherë duhet të falënderojmë kryesisht një ekonomi që është rritur falë potencialit të saj të brendshëm dhe energjisë së sektorit privat.
