
Nëse e shohim Shqipërinë si një ekonomi të vogël, shumë të hapur dhe të euroizuar, atëherë ndryshimi i “ankorave globale” (baza stabiliteti kryesore) energjetike, monetare dhe gjeoekonomike krijon një periudhë tranzicioni me rrezik më të lartë sesa duket në statistikat afatshkurtra.Pyetja që bëhet lidhet me dy zhvendosje të mëdha: (a) ndryshimi i ankorës globale të energjisë dhe naftës dhe (b) dobësimi relativ i ekonomive europiane tradicionale, sidomos Italisë dhe Gjermanisë, që janë partnerë ekonomikë gheografikë dhe natyralë të Shqipërisë. Këto kanë pasoja potencialisht të rëndësishme për lekun, eksportet, emigracionin dhe modelin ekonomik shqiptar.
Çfarë do të thotë “nafta po ndryshon ankorë”
Historikisht ekonomia globale ka funksionuar mbi: petrodollarin, tregtinë globale në USD, dominimin energjetik të Perëndimit. Por gradualisht po ndodhin disa zhvendosje, si rritja e rolit të Kinës, tregtia energjetike në monedha të tjera, fragmentimi gjeoekonomik, tranzicioni energjetik, dobësimi relativ i Europës industriale dhe rikonfigurim i zinxhirëve të furnizimit. Kjo nuk do të thotë kolaps i menjëhershëm i dollarit apo euros, por, stabiliteti i dekadave të fundit nuk është më aq i garantuar.Për ekonomi periferike si Shqipëria kjo ka rëndësi të madhe, sepse Shqipëria nuk kontrollon ankorën e saj monetare dhe si rrjedhojë importon stabilitet nga jashtë.Dobësimi relativ i Italisë është problem strukturor për Shqipërinë. Italia ka qenë për dekada partneri kryesor tregtar, destinacioni kryesor i emigracionit dhe burimi kryesor i remitancave, por dhe ura financiare e ekonomisë shqiptare. Në 2024-2025, Italia merrte rreth 39-44% të eksporteve shqiptare, kryesisht fasoneri, tekstile dhe minerale. Por Italia po përballet me rritje të ulët ekonomike, plakje demografike, borxh shumë të lartë publik dhe humbje relative industriale ndaj Azisë me kosto të larta energjie dhe presion fiskal.Kjo gjendje ekonomike e Italisë, por dhe partnerëve të fuqishëm europianë e prek Shqipërinë në disa mënyra.Në fakt, në gjysmën e parë të 2025 eksportet drejt Italisë ranë me rreth 10.7%, duke reflektuar ngadalësimin e kërkesës italiane.
Në tendencën që ekonomitë europiane po ngadalësohen, emigrantët po kursejnë më pak dhe emigrantët po dërgojnë më pak para, që në fakt janë zëvendësuar dy vitet e fundit nga flukse nga burime të dyshimta. Remitancat për Shqipërinë nuk janë vetëm ndihmë familjare. Ato janë kthyer në stabilizator konsumi, burim valute, mbështetje për tregun e banesave dhe pjesërisht në amortizator social. Remitancat përbënin rreth 4-5% të PBB-së në 2024-2025, duke mbetur një nga burimet kryesore të valutës së huaj.
Eksportet shqiptare nga ana tjetër kanë mbi dy vite që janë nën presion. Shqipëria eksporton kryesisht fasoneri tekstile e këpucë, minerale, produkte me vlerë të ulët të shtuar. Këto varen shumë nga kërkesa italiane dhe europiane. Nëse, industria italiane do të vijojë të ngadalësohet, ose konsumatori europian do të dobësohet, atëherë porositë bien, fasoneria do të rrudhet më tej dhe papunësia do vijojë të rritet në sektorët eksportues. Kjo tashmë ka filluar të shihet periodikisht tek sektori fason. Turizmi ka qenë motori kryesor i rritjes, me 12.5 milionë turistë në 2025 (dyfish nga 2021), duke gjeneruar mbi 5.7 miliardë euro të ardhura dhe duke kontribuar ndjeshëm në balancën e pagesave.
Por, shqetësimi në rritje për vazhdimin është se Leku mund të humbasë mbështetjen artificiale.Forcimi i lekut në vitet e fundit është mbështetur nga turizmi, hyrjet valutore, pasuritë e paluajtshme, remitancat dhe kapitalet hyrëse. Por, në një mjedis ku Europa po ngadalësohet, kapitali bëhet më selektiv, normat globale ndryshojnë dhe turizmi bëhet më ciklik, atëherë presioni forcues mbi lekun mund të zbehet.Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht krizë valutore. Por mund të ndodhë zhvlerësim gradual, rritje inflacioni të importuar dhe rrjedhimisht rritje kostosh jetese.PBB-ja reale u rrit me rreth 4% në 2024 dhe llogaritet rreth 3.9% në 2025, kryesisht falë konsumit privat, pagave dhe turizmit.Megjithatë, modeli shqiptar ka një problem, pasi është më shumë konsumues sesa prodhues. Kjo është pika më kritike. Shqipëria e ka ndërtuar rritjen mbi: shërbime; ndërtim; turizëm; konsum; importe; pasuri të paluajtshme. Por në periudha fragmentimi global: ekonomitë më të mbrojtura zakonisht janë ato që kanë: industri, teknologji; energji konkurruese; eksport të sofistikuar, produktivitet të lartë. Shqipëria ka ende bazë të dobët në këto drejtime, me industri dhe bujqësi që shfaqin produktivitet të ulët dhe kontraktime periodike.
Çfarë mund të ndodhë praktikisht në Shqipëri?Skenari më realist nuk është një “krizë dramatike” klasike. Më i mundshëm është një tranzicion i gjatë me rritje më të ngadaltë dhe me konsum më të dobët, emigrim të vazhdueshëm, polarizim social, presion mbi klasën e mesme, rritje të kostos së jetesës, ngadalësim të ndërtimit dhe presion mbi bizneset eksportuese. Pra, jo domosdoshmërisht ekonomia mund të shkojë në kolaps, por ajo që po ndodh sipas sinjaleve në vitet e fundit do të vijojë drejt një erozioni gradual të modelit aktual.
Kjo tendencë nuk vjen në vëmendjen tonë, pasi narrativa publike nuk e reflekton këtë, sepse efektet nuk shfaqen menjëherë, por maskohen nga ndërtimi dhe turizmi duke u shpërndarë gradualisht dhe nuk prodhojnë domosdoshmërisht “krizë financiare”. Pra, ekonomia mund të duket dinamike vizualisht, por njëkohësisht po humbet kapacitet afatgjatë prodhues. Ky është rreziku real për ekonominë tonë, që shfaqet si mosndryshim i strukturës së ekonomisë, nën pamjen e rritjes nominale.
Pra, qasja kryesore për ekonominë dhe sistemin fiskal e monetar duhet të jetë përtej “si të ruajë stabilitetin”, por si të ndërtojë një ankorë të re reale ekonomike përtej turizmit, ndërtimit dhe remitancave.
