…një frymë të re që të ajrosë politikën e vjetër

3 Shtator, 20230

Një dekadë apo më shumë më parë, një pjesë e teknokratëve që u bënë pjesë e qeverisjes shumëdimensionale shiheshin pothuajse si shpëtimtarë.
Së pari ata kryesuan një rimëkëmbje ekonomike. Atëherë Shqipëria ishte një ekonomi e vogël dhe vijon të jetë e tillë. Qeveria e kohës edhe pse iu përgjigj krizës financiare globale të viteve 2007-09 me forcë të mjaftueshme stimuluese, në fakt rezultoi se borxhet e mbartura në vite dhe mënyra e çrregullt e performancës së saj bazuar mbi kronizëm dhe para të pistë ishin pjesa pak e dukshme që mbante të mashtruar opinionin se vendi po ecte mirë. Në fakt ekonomia shqiptare nuk kishte ecur aq përpara sa të mund të sfidonte as fqinjët e saj të vegjël.
Së dyti, në vitet 2010 – 2012, sa herë që ekonomia lëkundej, zyrtarët kundërshtonin parashikimet e fatkeqësisë duke ulur kredinë, duke ndërtuar infrastrukturë ose duke stimuluar tregun e pronave. Të tre këto qasje rezultuan se ishin vetëm pjesa e fasadës që çdo qeverisje e bazuar te mungesa e transparencës dhe të llogaridhënies mundet ta orientojë vendin pikërisht te infrastruktura dhe një manipulim të tregut të pronave.

Megjithatë, gjatë çdo zhvillimi bazuar mbi infrastrukturën e kushtueshme dhe zhvillimin informal të tregut, borxhet publike dhe private u rritën.
Po kështu edhe dyshimet e kritikëve arritën të provoheshin, si për paqëndrueshmërinë e ekonomisë prodhuese dhe në tërësi të gjithë segmenteve të tjera të ekonomisë, por po ashtu edhe për qasjen e gabuar të zhvillimit bazuar vetëm te infrastruktura e re.

E gjithë kjo mënyrë e harxhimit të kohës me reklamimin e mirëqenies ekonomike, që do të vinte nga zhvillimi I infrastrukturës u pa se ishte statistikë e vlefshme për momentin qeverisës, por jo në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm. Me këtë qasje të vjetër, politikëbërësit e vjetër arritën të vononin zhvillimin e dëshiruar.

Sot politikëbërësit e vjetër janë përsëri një pengesë.

Me mençurinë që mendojnë se e zotërojnë vetë, ata nuk duan më shumë specialistë dhe ekspertë në drejtim.
Ata as nuk mund të bëjnë mjaftueshëm për të orientuar burimet egzistuese drejt shpenzimeve më të dëshirueshme për pikat më të dobëta të shoqërisë dhe ekonomisë. Edhe pse sot propagandohet se shpenzimet për politikat sociale janë rritur së tepërmi, faktet e statistikave nuk e pranojnë. Mbështetja buxhetore është realizuar sa për mbijetesë. Ajo është rritur shumë më pak se shpenzimet për administratën, shpenzimet për infrastrukturën, shpenzimet për pagesën e borxhit publik, apo shpenzimet për mbështetje buxhetore në sektorë si energjia, ujësjellësat etj., të cilët u konsideruan para pak vitesh si një barrë më pak për buxhetin. Pra, në gjithë këtë dekadë politikëbërësit kanë reaguar me të njëjtën sjellje si njerëzit që kanë humbur orientimin dhe vijnë përqark duke u kthyer te pika e fillimit.

Si rezultat, reagimi ndaj ngadalësimit të ekonomisë ka qenë i dobët.

Politikëbërësit nuk janë as të gatshëm të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj mjaft kritikave dhe qasjeve që me zë apo gjysëm zëri janë pranuar si të gabuara.
Në këtë fillimvjeshte të 2023, ata vijojnë të zhgënjejnë pjesën vitale të qytetarëve, investitorët dhe bizneset prodhuese, por edhe gjithë brezin e vjetër që është mësuar të rrijë në pritje për një rritje të pensionit, njësoj si priste triskat dhe kuponat e racionuar në vitet ’80 të shekullit të kaluar. Në këtë kohë të jashtëzakonshme, krizat përreth Shqipërisë apo edhe ato që e prekin tangent apo direkt nuk lënë hapësirë për të vijuar me të qasjen politike modeli “shtyje ta shtyjmë” është me efekte më të ndjeshme negative. Ndryshimi i këtij modeli është me shumë përgjegjësi personale dhe politike, njësoj si zëvendësimi i patronazhistëve me teknokratë, apo ndryshimi i besnikëve me ekspertë të spikatur në postet kryesore.

Politikëbërësit edhe pse e pranojnë logjikën e teknikëve dhe e kërkojnë debatin, si dhe duken si të interesuar për diskutimet mbi ekonominë, në fakt nisur nga mungesa e analizave institucionale bazuar te transparenca e detyrueshme si dhe mungesa totale e llogaridhënies po i shtyn analistët dhe opinionin publik në një optimizëm të rremë.
Kohët e fundit duket sikur administrata publike ka stopuar publikimin e të dhënave jo të këndshme për mungesën e rezultateve në uljen e informalitetit, ngushtimin e evazionit dhe zbatimin e taksimit të ndershëm.

Radhët e larta pranë kreut të të qeverisë ende përmbajnë mjaft talente, por është naive të presësh që një burokraci të prodhojë analiza racionale ose ide novatore që të gjejnë zbatim, kur mesazhi nga lart është se besnikëria ka rëndësi mbi të gjitha.
Në vend të kësaj, vendimet qeverisen gjithnjë e më shumë nga një ideologji që bashkon një dyshim të ideologjisë së majtë për sipërmarrësit e pasur me një ngurrim të ideologjisë së djathtë për t’u dhënë para të varfërve të papunë dhe pensionistëve e shtresave nevojtare përfshirë këtu edhe sektorët nevojtarë të ekonomisë.
Fakti që problemet e ekonomisë dhe buxhetit të vendit fillojnë në krye do të thotë se ato do të vazhdojnë, pavarësisht deklaratave optimiste, të cilat nëse I ballafaqon me veten ndër vite tregojnë pikërisht kundërshtinë dhe paqartësinë për të ardhmen.

Ato madje mund të përkeqësohen, pasi politikëbërësit e ngathët përballen me sfidat në rritje të ekonomisë.

Popullsia po plaket me shpejtësi për arsye të largimit të të rinjve, si dhe rritjes së jetëgjatësisë.

Vendet fqinje duket se përtej politikës së jashtme që përpiqet për dialog po nxiten gjithnjë e më shumë të paktën të mos jenë aq miqësore sa duken nëpër takimet dhe deklarata politike.
Ndërkohë, vështirësitë që po kalon secili vend në rajon ndikon direct në këtë sjellje të qeverive dhe nisur edhe nga ndikimet e jashtme që i imponohen secilit vend në thelb përpiqen të mbysin ato pjesë efektive të ekonomisë së partnerit rajonal të tyre që u ndikon në produktivitetin ekonomik të vendit të tyre.

Sa më shumë që Shqipëria të synojë të zgjerojë eksportet e saj dhe konkurueshmërinë në rajon, në fakt me këtë ekonomi fragmentare dhe të dobët për ti shërbyer zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë, aq më të vështirë do ta ketë të mbyllë hendekun e madh që e mban larg nga ëndrra ekonomike europiane, sepse ekonomitë e si kjo që po promovohet sot e përpara në Shqipëri janë më të mira në imitim sesa në inovacion.
Në mungesë të rezultateve të nevojshme nga ekonomia atëherë është e njohur po aq sa e vjetër ndezja e entuziazmit nacionalist, ku liderët egoistë mund të mbajnë më lehtë pushtetin dhe mund të shpërqendrojnë vëmendjen e publikut nga abuzimet që prodhon qeverisja duke thirrur armiqtë e supozuar të cilët përndryshe deklarohet se do t’i mbajë nën kontroll. Roli më i rëndësishëm i nacionalizmit bazuar te egoja duket se është mjeti për të çmontuar kontrollet dhe ekuilibrat që mbështesin qeverisjen e mirë: një shtyp të lirë, gjykata të pavarura, shoqëri civile pjesëmarrëse në proceset e qeverisjes dhe një opozitë besnike ideologjisë së saj.

Ndërsa pjesëmarrjet formale të Shqipërisë, ashtu si shumë vende të ngjashme me të shprehen dhe janë angazhuar me programe konkrete për qeverisjen e hapur, në realitet ky instrument përkthehet sipas dëshirës dhe egos për të mbajtur pushtetin dhe jo si një moment për reflektim dhe fitimin e besimit të publikut te qeverisja e mirë.
Një pjesë në rritje e publikut shqiptar, jo vetëm që e ka humbur besimin në programin e qeverisjes për një mirëqenie të rritur, por tashmë ka një perceptim të përhapur edhe rreth mirëqenies që vjen prej zbatimit të demokracisë dhe qeverisjes së mire.

Në vitet e fundit, kur kritikat janë shtuar për modelin ekonomik të zbatuar nga qeveria, si nga pjesa e shëndoshë e ekspertizës dhe analizës civile, po po ashtu edhe nga pjesa e shëndetshme e bizneseve e palidhur me fondet publike dhe korrupsioni politik është më pka se e vlefshme për të dhënë mesazhe ndryshime duke vijuar promovimin e vlerave që po prodhon qeverisja pa përmendur apo përgjigjur me fakte shteruese edhe gjithë argumentave dhe analizave që I adresohen pikërisht ndryshimit të kësaj qasje me një model të rinovuar dhe që i përgjigjet ndryshimit të gjithë kontekstit politik e ekonomik përreth Shqipërisë.

Edhe pse herë me zë dhe herë në heshtje është mjaft e papranueshme preference e institucioneve për mosndërhyrje nga jashtë dhe për zero kritika.
Nëse vetëm për pak pas kësaj vere të 2023, të dalin nga guacka e pushtetit do të ndihmonte shumë të gjithë ne që të mos vijmë përqark edhe më tej, por të shohim të vërtetën në sy për ti lënë më pak vend gënjeshtrave. Edhe pse një sjellje që priret drejt sinqeritetit ka kosto elektorale, duhet menduar dëmi më i madh i kësaj politike aktuale që janë njerëzit e zakonshëm që nuk kuptojnë se sa e gabuar është për ta ruajtja e të njëjtës linjë drejtimi, me të njëjtët drejtuesë dhe me të njëjtën qasje cinike ndaj sfidave të mbartura dhe të reja. Nuk ka asgjë të gabuar apo jo besnike për vendin në dëshirën e secilit prej nesh për një jetë më të mirë dhe me një frymë të re që të ajrosë politikën e vjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *