Reformimi i infrastrukturës: Për njerëzit do të vlejë për të ardhmen dhe për qeverisjen vlen për të tashmen

8 Qershor, 20220

Forumi Ekonomik Botëror vlerëson se çdo Euro e shpenzuar për një projekt kapital (në shërbime komunale, energji, transport, menaxhim të mbetjeve, mbrojtje nga përmbytjet/zjarret, telekomunikacion, AI) gjeneron një kthim ekonomik midis 5% dhe 25%.
Ky efekt shumëfishues duket se është përgjegjësi që i “mbushi” mendjen top qeverisë për prioritizimin e buxhetit dhe pjesës kryesore të fondeve drejt infrastrukturës në përgjithësi duke synuar një rritje të shpejtë ekonomike dhe si rrjedhojë punësim dhe mirëqenie për votuesit dhe familjet.
Por, qeverisë shqiptare prej vitit 2014 (me përjashtim të viteve 2016-2018, pasi përpara 2012 borxhi ishte poshtë 60% të PBB-së) i është dashur të vendosë një ekuilibër të kujdesshëm midis mbështetjes së shpenzimeve të zhvillimit dhe ruajtjes së qëndrueshmërisë së borxhit dhe skemës së financimit për ta përshtatur me kontekstin institucional.
Meqenëse rrisqet fiskale e kanë kufizuar në 10 vitet e fundit hapësirën për financimin e borxhit, atëherë është dashur të kërkohen burime shtesë për investimet publike nëpërmjet mobilizimit të burimeve të brendshme dhe financimit me koncesion, por duke përfshirë edhe huamarrjen në tregjet e huaja (Eurobondi).

Duke pasur parasysh mungesën e burimeve, nevoja e pambarimtë e përmirësimit të kapaciteteve administrative dhe probleme të pranishme me efikasitetin e investimeve, një rritje e madhe e përfshirjes së sektorit privat u shndërrua në thelbësore nëpërmjet prezantimit në ekonomi të PPP-ve.
Por pranimi i më shumë PPP-ve se sa janë kapacitetet fiskale të buxhetit shqiptar dhe të administratës, si dhe dështimi në bashkërendimin midis qeverisjes qendrore me qeverisjen vendore për të përmirësuar mjedisin rregullator dhe makroekonomik, si dhe veprime plotësuese nga bankat shumëpalëshe të zhvillimit për të ofruar zbutjen e rrezikut dhe asistencë teknike kanë ndikuar në uljen e performancës së investimeve dhe zhvillimeve të projekteve. Vonesat në mosmbajtjen e afateve janë me të paktën 3-5 vite prapa duke llogaritur vetëm nga mosfutja e tyre në ekonomi me vlerën që është sa 30% e prodhimit të brendshëm bruto. Kështu, vonesat në mosmbylljen e investimeve në infrastrukturën rrugore, hekurodhore dhe ujore janë kosto shtesë për transportin dhe sigurinë rrugore me të paktën 10% të PBB-së. Ndërkohë, vonesat në investimet në infrastrukturën për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e mjedisit, investimet për ujësjellës-kanalizimet, për zhvillimet e fshtarave dhe tregjeve bujqësore, investimet e mbetura mbrapa të infrastrukturës arsimore si dhe ato investime që kanë lidhje me rivitalizimin urban janë përfitimi i munguar me të pakëtn 20% të prodhimit të brendshëm.Pra është fakt që investimet e përgjithshme në infrastrukturë kanë vazhduar të rriten gjatë dekadës së fundit, por rritja është ngadalësuar në mënyrë dramatike. Kjo është kryesisht për shkak të rritjes së kufizimeve mbi borxhin e qeverisjes vendore dhe rregulloreve më të rrepta për llojet e projekteve që qeveritë mund të financojnë (d.m.th., kërkesat që projektet të jenë komercialisht të zbatueshme dhe të aftë për të shlyer borxhet). Kjo ka çuar në më pak huamarrje nga qeveritë vendore dhe në më pak projekte infrastrukturore të pranueshme për të investuar, sipas kërkesave të komunitetit vendor, të cilit mbi 95% e investimeve i është diktuar nga planet e zhvillimit të territorit.Roli i financimit

Një nga shtytësit më të rëndësishëm të shpenzimeve për infrastrukturën, natyrisht, do të jetë financimi, i cili paraqet mundësi të mëdha për miliarda Lekë kapital privat të disponueshëm për investime. Fondet e dedikuara të infrastrukturës, fondet e investimeve dhe lloje të tjera investitorësh janë të etur për më shumë projekte në mbarë botën. Në rastin e disa llojeve të zhvillimit, veçanërisht transportit dhe infrastrukturës sociale, financat e qeverisë janë një përcaktues kyç i perspektivës së shpenzimeve në të ardhmen.Ndërsa ekonomia tashmë prej mbi 13 vitesh nuk është më një ekonomi me të ardhura të ulëta, duke u pozicionuar në ekonomi me të ardhura të mesme (jo tamam), lloji i shpenzimeve të infrastrukturës duhet të evoluonte.
Në nivelin infrastrukturor, deri një dekadë përpara Shqipëria ishte njësoj si vendet me të ardhura të ulëta (të cilët nuk kanë infrastrukturën në vend për të ofruar edhe shërbimet më elementare për banorët e tyre) dhe kjo është trashëgimnia deri në fund të vitit 2008, kur Shqipëria u kategorizua si një vend me të ardhura të mesme. Deri atëherë ishte luftuar për të mbajtur ritmin me kërkesën për pajisje thelbësore për ekzistencën e njerëzve.
Ndërsa të ardhurat për frymë sipas rritjes së PBB-së avancuan, shpenzimet bazë të infrastrukturës që përfshijnë nevojat individuale dhe sociale, që nga higjiena, spitalet dhe klinikat, deri te shkollat, transmetimi dhe furnizimi me energji dhe transporti në tërësi janë në nivele të ndryshme zhvillimi, por ende nuk janë konkuruese si tërësi infrastrukturore për ti shërbyer një zhvillimi ekonomik fuqiplotë.

Kapitali publik dhe privat po rritet dhe qeveria jonë mendon se është në gjendje të shpenzojë më shumë në infrastrukturë.
Megjithatë, nisur nga realiteti i derisotshëm, ku kryesisht ende nuk ka zhvillim ekonomik që të përçojë efektin shumëfishues të shpenzimeve për infrastrukturën në ekonominë vendore, mundet të argumentojnë se një investim i tillë së paku nëse vazhdon mund të shërbejë për performancën afatgjatë të rritjes ekonomike. Në një postim në blog për Forumin Ekonomik Botëror, Mthuli Ncube, krye ekonomist dhe nënkryetar i Bankës Afrikane për Zhvillim, thotë, “Infrastruktura përshpejton normat vjetore të konvergjencës së rritjes deri në 13% ndërsa forcon normën e rritjes vjetore për kapital me pothuajse 1%. Sipas Ncube, një shtesë prej 1% e PBB-së e investuar në transport dhe komunikim mbi baza të qëndrueshme ndikon normën e rritjes së PBB-së për frymë me 0.6%. “Rritja e produktivitetit dhe rrjedhimisht konkurrueshmëria është më e lartë në vendet me furnizim adekuat të shërbimeve të infrastrukturës.Kur Qeveria Rama 2 vendosi të ngrejë një grup pune për të nxitur investimet në infrastrukturën e vendit ai u përball me një sërë kontradiktash të mëdha.

Njëra ishte kontradikta midis nevojës për arsim, kujdes shëndetësor dhe strehim të përballueshëm dhe rënies së investimeve në infrastrukturë.
E dyta ishte kontradikta midis dëshirës për të nxitur një dinamikë pozitive brenda bashkive në kontekstin e reformës territoriale dhe realitetit që fuqitë në këtë fushë i përkasin qverisjeve vendore.
E treta, ekzistonte kontradikta midis shkallës së madhe të projekteve të infrastrukturës ekonomike që përfshijnë transportin ose energjinë, të cilat kërkonin investime me vlerë miliarda euro, dhe numrit të madh të projekteve të infrastrukturës sociale nën pragun prej disa milionë euro.

Qeveria Rama 2 hodhi poshtë fatalizmin e së shkuarës, duke qenë i përbërë nga personalitete dinamike, me mbështetjen e raportuesve të talentuar.
Ajo që filloi tu propozohej qytetarëve ishte ndërmarja e veprimeve praktike në një shkallë modeste fillimisht që do t’u tregonte njerëzve më të cenueshëm në rajonet më të prekura se qeverisja sociale nuk është formë fjalësh boshe, por një mekanizëm që do tu përmirësojë edukimin si për fëmijët ashtu edhe për të rinjtë, do tu përmirësojë shëndetin e të varfërve dhe pensionistëve dhe do tu japë familjeve të reja akses në shtëpi me kosto të ulët ku mund të ndërtojnë një të ardhme për veten e tyre.
Në fakt, nëse do të kishim nivele më të larta të të ardhurave për frymë, pra një PBB pothuajse dyfish më të lartë, atëherë edhe rritja e shpenzimeve përfshirëse për shumë nga sektorët do të çonte në një urbanizim modern në formën e tij më të sofistikuar dhe gjithëpërfshirëse, të cilin nga sa duket e synon edhe Strategjia e Zhvillimit të Territorit.

Por, jo çdo vend e bën dot prioritet shpenzimin e infrastrukturës. Të dhënat e mbledhura përmes një analize të alokimit dhe shpenzimit faktik të fondeve nga Buxheti qendror dhe ai vendor i bashkive të mëdha të vendit konfirmojnë faktin se kufizimet e financimit janë pengesa më e zakonshme për rritjen e investimeve në infrastrukturë në gjiothë këto vite, megjithëse planet tashmë duket sikur janë gati për tu zbatuar. Pavarësisht nevojës për zhvillim të madh të infrastrukturës, disa rajone të vendit paraqesin një mjedis të vështirë biznesi për investimet, të cilat në optimizmin dhe llogaritë e kryera jo mbi baza fizibiliteti nuk i morën parasysh. Tashmë fazat e zbatimit ndeshe me kuadër rregullator të paparashikueshëm, probleme të mprehta korrupsioni, vonesa dhe kapacitete burokratike të dukshme në miratimin e projekteve, përpjekje për të siguruar të drejtat e tokës dhe përpjekje të ngecura për reformën e qeverisjes.

Sigurimi i likuiditetit të mjaftueshëm për qeverisjen vendore për të nxitur në mënyrë efektive shpenzimet dhe rritjen ekonomike nuk është ende një siguri.
Siç vërehet edhe nga realizimi faktik, financat publike përmes Eurobondit dhe donatorëve mund të mos jenë në gjendje të kompensojnë prej vitit 2022 nivelin në rritje të çmimeve të lëndëve të para për infrastrukturën ndërtimore dhe për programet e tjera zhvillimore, por në këtë rast do të duhet një komunikim kombëtar përpara zgjedhjeve vendore për të arritur në një transaprencë të performancës së arritur deri më sot dhe për të prezantuar edhe borxhe të mundshme të mbledhura nga mungesa e likujditeteve.
Në fakt, investime të reja po kryhen, por pa patur efektivitetin ëpr të rritur dhe mbështetur një zhvillim ekonomik më shumë se 3-4%, që në fakt është i pandjeshëm për qytetarët dhe familjet e tyre. Në mungesë të performancës së programuar të investimeve dhe zhvillimit që duhet të gjeneronin, atëherë individi në rolin e votuesit mbahet i azhornuar përditë me lajme që në vetvete synojnë pozitivitetin që i jepet një garuesi në maratonën e gjatë që s’mbaron duke i thënë “Hë dhe pak se mbërritëm”

Në mënyrën dhe nivelin, se si po ecën reformimi urban dhe infrastrukturor nëpërmjet zhvillimit të territorit të bashkive duket se ngjan me një qasje që përkon me ëndrrën, e cila krijon iluzionin e mirëqenies dhe mban gjallë shpresat e votuesve, por që me ecurinë e saj nuk do të mund të përmbushë dëshirat e votuesve të sotëm.
Ndërkohë, që ndër të tjera që qeveria të jetëzojë më tej se mandati i tretë që po udhëheq aktualisht i duhet që ta ushqejë pikërisht me këtë ide, që një ditë ekonomia do ta marrë përfitimin mbrapsht. Por, në fakt kjo me gjasa nuk mund të arrihet edhe në mandatin e ardhshëm qeverisës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *